Ramiz Aranitasi – Hero i Popullit

1613
Sigal

I edukuar në gjirin e familjes së tij me ndjenja të thella atdhetare, biri i Aranitasit dhe Mallakastrës trime. Ramizi do të piqej dhe do të bëhej i vetëdijshëm që të luftonte, jo vetëm padrejtësitë ekonomike e sociale, por mbi të gjitha të urrente pushtuesit fashist dhe tradhtarët e vendit e të ndjente thellë detyrën e shenjtë për t’u rreshtuar si luftëtar, qoftë edhe me sakrificën më sublime në fushën e armatosur të popullit shqiptar për çlirimin e vendit.
Partizani Ramiz Aranitasi u shqua si një njeri i aksionit dhe i propagandës, zot i pushkës dhe i gojës. Ramizi ngriti në këmbë tërë nxënësit në demonstrata e protesta, sa që Ministria e Arsimit dhe Drejtoria e Shkollës u detyruan t’i ndërprisnin disa herë mësimet. Veprimtaria e Ramizit dhe e shokëve të tij bëri që shkolla Teknike të bëhej një qendër e fuqishme rezistence antifashiste duke dalë plotësisht nga kontrolli dhe mbarëvajtja nga ana e administratës shtetërore.
Është kjo veprimtari antifashiste që e bëri ministrinë e Arsimit të mbyllte shkollën dhe nxënësit të shpërnguleshin në shkollën bujqësore Kavajë. Për vitin shkollor 1940-1941 Ramiz Aranitasi gjendet në Korçë, pikërisht këtu në ecurinë e një prove të re, ai u lidh me Grupin Komunist të Korçës. Në 8 Nëntor 1941 komunistët shqiptarë themeluan PKSH me Enver Hoxhën në krye. Për të festuar ditën e themelimit të PKSH, komunistët e Korçës organizuan demonstratën e parë antifashiste. Demonstruesit u përballën me forcat e xhandarmërisë e të milicisë fashiste që vunë në veprim edhe armët e zjarrit. Në këtë demonstratë mbeti i vrarë Koci Bako, komunisti i parë shqiptar që ra dëshmor në përleshje me forcat fashiste. Pas shpërndarjes së demonstratës, filluan menjëherë arrestimet. Në burg u futën komunistë e patriotë gjithsej 32 vetë. Një prej tyre ishte dhe Ramiz Aranitasi, i cili edhe në burg ishte një nga të parët që organizonte protesta ndaj personelit të burgut. Së fundi u organizua për t’u arratisur nga burgu dhe me ndihmën e ish-gardianëve Asllan Osoja dhe Rrapo Kuka u bë e mundur të largohen nga burgu dhe qysh nga ky moment për Ramizin filloi një epokë e re e luftës, drejtë maleve të Skraparit. Në çetën plakë të Skraparit dhe më pas në çetën e dytë, Ramizi mori përsipër dhe përballoi me sukses tërë aksionet e goditjet që u organizuan ndaj objekteve të fashizmit. Çeta partizane e komanduar nga Ramiz Aranitasi u bë e njohur, jo vetëm në Skrapar, por ajo e shtriu veprimtarinë e saj edhe në disa rrethe të vendit, si në Berat, Përmet, Dangëlli, Kolonjë, Mallakastër, Roskovec, Sulovë, Gramsh. Si bashkëluftëtar i Ramizit mund të them se është një nga ato çeta partizane që ka kryer mjaft aksione dhe me një bilanc të pasur në veprimtarinë e saj politike e luftarake. Mjafton të përmendim se nga çeta partizane e komanduar nga Ramiz Aranitasi janë goditur dhjetë postë-komanda të xhandarmërisë e të milicisë fashiste në Frashër, Dangëlli, Barmash (Kolonjë), Vërtop, Rehovë, Molisht(Berat), Çepan, Potom, Therepel etj. Në muajin nëntor të vitit 1942 me rastin e 30-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, u godit garnizoni fashist italian në Përmet, ku u vranë 32 vetë.
Në shkurt 1943 në fshatin Roshnike të Beratit u zhvillua konferenca e Partisë e qarkut të Beratit në të cilën merr pjesë midis 20 delegatëve dhe komisar Ramiz Aranitasi. Konferenca e Partisë Qarkut, duke vlerësuar lart veprimtarinë e tij të gjithanshme atë dhe dy shokët Gjin Marku dhe Kahreman Ylli i zgjodhën delegatë për në Konferencën e parë të vendit të PKSH që zhvilloi punimet në Labinot të Elbasanit. Në Konferencën e parë të vendit e mori fjalën edhe Ramizi, i cili diskutoi për problemet aktuale të kohës, por duke u përqendruar rreth situatës politike në qark dhe të kryerjes së aksioneve të çetës partizane duke dhënë një informacion të rëndësishëm e të hollësishëm me maturi dhe pjekuri. Ramizi rezultoi një delegat që tërhoqi vëmendje të posaçme. Ai dha me fakte dhe shembuj përvoje nga rrethet Berat, Skrapar, Mallakastër etj., për mobilizimin e popullit në front e në luftë për përgatitjen e shpërthimin e kryengritjes së përgjithshme të armatosur. Ai ndihmoi mjaft Konferencën. Kjo ishte dhe arsyeja që u duartrokit dhe u përgëzua nxehtësisht në fund të diskutimit plot optimizëm. Bilbili i Mallakastrës u kthye në Skrapar dhe Mallakastër për të zbatuar në krye të çetës partizane vendimet për triumfin e LANÇ. Kahreman Ylli kujton: “Ramiz Aranitasin lufta po e rriste çdo ditë. Këtë trim, lindur e rritur enkas për atë e këtë kohë na u vrau dora e tradhtarit Ali Turbohova. Kjo u bë, më 22 qershor 1943, në një kohë kur Ramizi po zbriste nga mali për në fshatin Leshnje, për të marrë detyrën e re atë të komisarit të batalionit “Riza Cerova”. Kanë kaluar 75 vite nga vrasja e Ramiz Aranitasit. Vite dhe shekuj do të rrjedhin, por brezat do ta nderojnë këtë figurë të shquar e do ta kujtojnë me krenari jetën dhe luftën që ky Hero i Popullit dha jetën në lulen e rinisë për çlirimin e Atdheut.

Orhan Frashëri
Kryetar i Komitetit të Veteranëve të LANÇ Berat