Pse Mao Ce Duni quhej “Timonieri”, letra sekrete e Enverit dërguar me Beqir Ballukun dhe bisedat në Pekin, më 1968

1233
Sigal

ARKIVA/ Marrëdhëniet Shqipëri-Kinë. Zbardhet biseda e Beqir Ballukut me Mao Ce Dunin në Pekin,  në vitin 1968. Ja pse konsiderohej, “Timonieri”

 

Enveri i dërgon të  fala Timonierit – Mao me Beqir Ballukun

Miqësia dhe armiqësia e krerëve të shtetit

Republika Popullore e Kinës dhe Shqipëria vendosën marrëdhënie diplomatike më 23 nëntor të vitit 1949. Gjatë kësaj periudhe Shqipëria dha një ndihmë të madhe me votën e saj për njohjen e Republikës Popullore të Kinës nga Kombet e Bashkuara. Dy vendet i shkëmbyen ambasadorët e tyre në vitin 1954. Dy vjet më vonë, pikërisht më 30 gusht të vitit 1956, Enver Hoxha, Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të PPSH-së, do të merrte rrugën për në Azi, ku pas vizitave në Mongoli dhe RP të Koresë, ai do të merrte pjesë edhe në punimet e Kongresit të Tetë të PK të Kinës. Në këtë vizitë Enver Hoxhën e shoqëronin kryeministri Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia, kandidat i Byrosë Politike e ministër i Arsimit. Marrëdhëniet midis dy vendeve u fuqizuan më shumë në vitin 1961, ku Shqipëria do përkrahte rrugën e Partinë Komuniste kineze dhe jo atë të Partisë Komuniste Sovjetike. Për një periudhë 10-vjeçare Shqipëria u ndihmua fuqimisht nga Kina, si në fushën ekonomike ashtu edhe në atë ushtarake. Marrëdhëniet midis dy vendeve u ftohën në fillim të viteve ’70 për t’u ndërprerë përfundimisht në verën e vitit 1978. Ato rifilluan përsëri 11 vjet më pas, në vitin 1989.

 

Gazeta “Telegraf” boton të plotë të gjithë bisedën e transkriptuar. Bisedimi i zhvilluar në takimin që bëri delegacioni i PPSH-së, i kryesuar nga shoku Beqir Balluku, me shokun Mao Ce Dun, më datë 05.10.1968, ora 19:00-20:30. Në pritje merrnin pjesë shokët: Çu En Lai, Çen Po Ta, Kan Shen, Çian Çin, Xhan Çun Çiao, Jao Huën Yen dhe Huan Jun Shen. Nga pala shqiptare merrnin pjesë shokët: Rita Marko, Adil Çarçani, Koço Theodhosi dhe Vasil Nathanaili.

 

Mao Ce Duni : “Revolucioni kulturor na lodhi, por armiqtë i çuam në orizore”

 

Ishte një nga delegacionet më të rëndësishme që Shqipëria dërgonte në Kinën mike të asaj kohe. Në krye të këtij delegacioni ishte Beqir Balluku, njeriu i tretë i shtetit shqiptar, i cili në ato vite mbante postet e zv/kryeministrit dhe të ministrit të mbrojtjes, por ishte njëkohësisht dhe anëtar i Byrosë Politike. Ndërkohë që delegacioni kishte në përbërje të tij shumë nga emrat më të dëgjuar. 41 vjet më pas bëhet e mundur dhe zbardhja e biseda midis ish-ministrit të Mbrojtjes, Beqir Balluku dhe liderit të Kinës komuniste, Mao Ce Dun. Takimi u zhvillua në Pekin në vitin 1968 në kulmin e marrëdhënieve midis Kinës dhe Shqipërisë. Delegacioni shqiptar kryesohej nga Beqir Balluku dhe në të bënin pjesë edhe ministri i Industrisë Koço Theodhosi, si dhe zëvendëskryeministri Adil Çarçani. Gazeta “Telegraf” boton të plotë të gjithë bisedën e transkriptuar. Bisedimi i zhvilluar në takimin që bëri delegacioni i PPSH-së, i kryesuar nga shoku Beqir Balluku, me shokun Mao Ce Dun, më datë 05.10.1968, ora 19:00-20:30. Në pritje merrnin pjesë shokët: Çu En Lai, Çen Po Ta, Kan Shen, Çian Çin, Xhan Çun Çiao, Jao Huën Yen dhe Huan Jun Shen. Nga pala shqiptare merrnin pjesë shokët: Rita Marko, Adil Çarçani, Koço Theodhosi dhe Vasil Nathanaili.

Shoku Beqir Balluku: Më lejoni shoku Mao Ce Dun t’ju shpreh përshëndetjet më të përzemërta të shokut Enver Hoxha, të Komitetit Qendror të PPSH dhe të Byrosë Politike, për sukseset e mëdha që ka korrur revolucioni i madh kulturor proletar në vendin tuaj, i shpërthyer dhe i udhëhequr personalisht nga Ju, i cili po marshon gjithnjë e përpara, i ndriçuar nga idetë tuaja të mëdha marksiste-leniniste.

Shoku Mao Ce Dun: Ju faleminderit! Klasat që kanë pësuar disfatë do të bëjnë përpëlitjet e fundit, në agoninë e vdekjes për të rezistuar. Prandaj, ne nuk mund të themi se kemi arritur fitoren përfundimtare. Po ashtu gjatë dhjetëra vjetëve të ardhshëm, ne nuk mund të themi se do të arrijmë fitoren e plotë e përfundimtare. Nuk mund të humbasim vigjilencën dhe të heqim kontrollin mbi klasat e përmbysura. Në fakt ekzistojnë akoma mbeturina të këtyre klasave, kryesisht këto janë elementë të Gomindanit dhe të shtresave të tjera të borgjezisë, të cilët janë futur në gjirin e partisë tonë. Shumë prej këtyre kanë mundur të futen në organet udhëheqëse qendrore, si dhe provinciale. Në shumë qendra pune ka pasur elementë të tillë, kështu që në to ne duhet të bëjmë spastrim një për një të këtyre elementeve. Mund të them se në shumë qendra pune, udhëheqja ka qenë në duart e elementëve të këqij. Nuk di nëse në udhëheqjen e kombinatit të trikotazheve që kini vizituar, a ka pasur elementë të këqij, që kishin marrë pushtetin në duart e tyre?

Shoku Rita Marko: Po, ka pasur elemente të tillë keqbërës. Aty ne mësuam se ish-shefi i Sigurimit ishte bir kulaku. Por, tani këtë punëtorët e kishin spastruar.

Shoku Mao Ce Dun: Vetëm një element të tillë keqbërës ka pasur në këtë kombinat?

Shoku Rita Marko: Punën për spastrimin e këqij ato po e vazhdojnë. Ne aty pamë edhe njerëz të cilët kishin gabuar, por me punën që ishte bërë i kishin kuptuar gabimet e tyre dhe po korrigjohen. Kështu p.sh ish-drejtori i këtij kombinati, i cili megjithëse rridhte nga origjinë punëtore, kishte gabuar. Në fillim ky nuk i kuptonte gabimet, por më vonë i kuptoi dhe u ndreq.

Shoku Mao Ce Dun: Prandaj ka rëndësi puna ideologjike që duhet bërë me këta njerëz, që kanë bërë gabime. Me këta duhet bërë një punë e madhe intensive, ideologjike, për arsye se duhet kohë që të kuptojnë gabimet e tyre dhe t’i ndreqin. Kësaj çështjeje duhet t’i jepet rëndësi, për arsye se nuk mund të lihen mënjanë gjithë këta njerëz, se nuk janë të gjithë armiq. Siç ju thashë, disa nga këta janë mbeturina të Gomindanit, të cilët hyjnë në radhën e kontrakditave midis nesh dhe armiqve. Por përveç këtyre ka edhe njerëz të tjerë, bile edhe komunistë, që kanë bërë gabime, këto të fundit janë kontrakdita në gjirin e popullit. Ekzistojnë dy lloj kontrakditash: E para, kontrakditat midis armiqve dhe nesh, dhe e dyta, kontrakditat në gjirin e popullit. Prandaj, gjatë revolucionit kulturor proletar është bërë një punë e madhe dhe duhet thënë se ky revolucion ishte shumë më i vështirë se sa lufta që kemi bërë për çlirimin e vendit.

Shoku Beqir Balluku: Po, revolucioni kulturor ka qenë shumë më i komplikuar se kishte të bënte me një luftë politike, ideologjike, ekonomike, arsimore, kulturore, sociale dhe klasore, dhe të gjitha këto duheshin zgjidhur drejt.

Shoku Mao Ce Dun: Edhe në rajonet fshatare duhet të bëjmë spastrimin e radhëve, një për një, në çdo komunë e brigadë, në të gjitha drejtimet. (Duke ju drejtuar shokut Çu En Lai, shoku Mao pyeti në se shokët e delegacionit shqiptar kishin bërë gjatë këtyre ditëve vizita nëpër qendra pune. Shoku Çu En Lai ju përgjigj se, përveç kombinatit të trikotazheve do të vizitonin tipografinë e Pekinit, kombinatin metalurgjik, etj.) Kombinati metalurgjik i Pekinit ka qenë i prapambetur. Në uzinën e metalurgjisë “7 Gusht” nuk ka filluar akoma puna për spastrimin e radhëve të klasës (shoku Çu En Lai u përgjigj se ndoshta, në këtë uzinë që do të vizitojë delegacioni, puna për spastrimin e radhëve të klasës mundet të ketë filluar). Ka ndërmarrje industriale të tilla, siç është p.sh shtypshkronja “Hsinhua”, “Kina e Re”, ku ka njerëz që janë të katër dinastive, d.m.th, të kohës së juntave ushtarake të Kinës së Veriut, pastaj të Japonezëve, të Gomidanit dhe pastaj të Partisë Komuniste. Më përpara në këtë shtypshkronjë janë shtypur kartëmonedha, pastaj ka filluar shtypja e gazetave. Spastrimi i elementëve keqbërës nuk ishte bërë, gjatë gjithë kësaj periudhe, por kësaj radhe u bë spastrimi i tyre. Ka pasur p.sh. oficerë të vjetër, gjeneralë të Gomidanit, gjeneral-leitenantë, gjeneralë majorë, oficerë të ndryshëm, të cilët janë maskuar si punëtorë dhe punonin në qendra pune të ndryshme.

Shoku Adil Çarçani: Po, ata kanë fshehur origjinën e tyre dhe janë maskuar duke punuar në ndërmarrje të ndryshme si punëtorë.

Shoku Mao Ce Dun: Ju mund të thoni se ky revolucion nuk është i nevojshëm, por unë them se është plotësisht i nevojshëm.

Shoku Rita Marko: Po, është shumë i nevojshëm, sepse ky është një shoshitje e mirë, një shoshë që i nxjerr të gjithë njerëzit e këqij në shesh.

Shoku Mao Ce Dun: Po ashtu është. Vetëm në provincën Sëçuan u mblodhën 360.000 copë armë, të cilat i kishin rrëmbyer ose u ishin shpërndarë njerëzve të ndryshëm.

Shoku Beqir Balluku: Kaq njerëz të armatosur do të ketë Shqipëria në një rast mobilizimi të përgjithshëm.

Shoku Çin Çin: Provinca Seçuan ka 70 milionë banorë, d.m.th sa është e gjithë popullsia e Gjermanisë.

Shoku Mao Ce Dun: Duke iu drejtuar shokut Çu En Lai, pyeti, po tani a ka më përleshje të tilla në Seçuan?

(Shoku Çu En Lai iu përgjigj se në përgjithësi nuk ka përleshje të tilla).

Shoku Koço Theodhosi: Megjithëse ata të Perëndimit thonë se në Kinë akoma vazhdojnë përleshjet.

Shoku Mao Ce Dun: Këto lajme nuk janë të gjitha të gënjeshtërta, pjesërisht janë të vërteta, se në fakt lufta, përleshjet kanë ekzistuar, por dëshira e tyre ishte që kjo luftë të vazhdonte 10-20 vjet me radhë, në mënyrë që kështu ne të kishim vazhdimisht trazira.

Shoku Koço Theodhosi: Ata që flasin më shumë në këtë mënyrë janë komshinjtë tuaj të veriut.

Shoku Mao Ce Dun: Komshive tanë nuk u pëlqen krijimi i komiteteve revolucionare në të gjithë Kinën. Ka shokë që kanë dëgjuar emisione të radiove të këtyre vendeve, këto emisione thonë se gjoja në Kinë tehu kryesor i luftës tani është drejtuar kundër klasës punëtore. Kjo do të thotë edhe se ka njerëz që dëgjojnë radiot e huaja. Për veten time, unë jam një njeri që nuk i dëgjoj radiot, as ato të huajat dhe as ato të Kinës, por vetëm transmetoj.

 

Leksioni / Një revolucion për të spastruar armiqtë

 

Shoku Mao Ce Dun: Një portier, në një uzinë të qytetit Sian, kishte mundur të maskohej. Ky në të kaluarën gjatë kohës së Guomindanit, kishte qenë komandant i garnizonit të po këtij qyteti, ndërsa tani e zuri spastrimi. Ky si portier ka qëndruar gjatë 18 vjetëve të çlirimit dhe asnjë nuk e dinte se qe i tillë. Shembuj të tillë ka plot. Në Shangai p.sh ka pasur elementë të tillë, si gomidanistë e kapitalistë, të cilët ishin futur në uzinat tona, në institucione, shkolla e gjetkë, në sektorin e artit, letërsisë, arsimit e të kulturës. Shangai është një qendër e madhe industriale e vendit tonë. Në Shangai punëtorët e industrisë dhe të transportit përbëjnë 1.200.000 veta, këtu nuk përfshihen punonjësit që punojnë në sektorë të tjerë si p.sh në atë të artizanatit, në shërbimet social-kulturale, në tregti dhe as pjesëtarët e familjeve të punëtorëve të sektorit të industrisë, por vetëm punëtorët efektiv në industri dhe transport, të cilët siç thashë, arrijnë në 1.200.000 veta. Ndërsa Pekini ka 800.000 punëtorë të tillë, duke përjashtuar ata të sektorëve të tjerë. Në të kaluarën në Pekin kishte vetëm 220.000 punëtorë të industrisë, gjatë këtyre 18 vjetëve të pasçlirimit është zhvilluar shumë industria dhe si rrjedhim numri i punëtorëve është rritur, sot ky ka arritur në 800.000 veta, d.m.th është katërfishuar në krahasim me të kaluarën. Akoma nuk kemi bërë, në mënyrë rrënjësore, spastrimin e radhëve: Kemi bërë disa herë spastrime, por këto nuk kanë qenë të plota. Me rastin e festës së 1 Tetorit, festës sonë kombëtare, në Pekin, kësaj radhe, ftuam përfaqësues vetëm nga klasa punëtore, nga të gjitha provincat dhe qytetet e Kinës, gjithsej 10.000 veta, të cilët ishin përfaqësues të klasës punëtore të gjithë vendit. Kështu p.sh. nga 1.200.000 punëtorë të industrisë së Shangait, ftuam 700 veta, nga Pekini, Gjencini dhe provinca autonome të tjera nga 600 veta, nga disa provinca ftuam 500 veta, nga disa 300, 200 dhe 100, sipas madhësisë dhe numrit të punëtorëve që kanë. Madje nga Tibati ftuam vetëm 20 punëtorë. Kësaj radhe për të festuar festën tonë kombëtare në Pekin, studentë nuk kemi ftuar. Ashtu siç e patë edhe ju, në tribunat anësore të sheshit Tienanmen, ishin vendosur përfaqësues të klasës punëtore, që kishin ardhur nga të gjitha provincat e Kinës dhe vetëm pak përfaqësues të studentëve të Pekinit. Trazira më të shumta u shfaqën në kohën kur ishit juve vjet në vendin tonë, domethënë gjatë muajit shkurt dhe mars të vitit të kaluar. Konfuzioni ka qenë i madh, për arsye se gjatë kësaj kohe janë zhvilluar shumë përleshje, të cilat ne i quajmë “përleshje me armë”. Ne nuk jemi për një luftë të tillë, por jemi për luftën me penë dhe me fjalë, por ka edhe njerëz që janë për luftën me armë. Me fjalën luftë me armë, nënkuptojmë rrëmujën dhe përleshjen. Në fakt janë grumbulluar një deri në dy milionë armë duke përfshirë edhe pushkët, të cilat u janë marrë këtyre njerëzve. Kanë ekzistuar grupe të ndryshme dhe kanë luftuar kundër njëri-tjetrit. Këto janë shkaktuar nga nxitës të ndryshëm, të cilët bënë të krijoheshin grupe të tilla dhe t’i futnin në grindje dhe përpjekje midis tyre. Ka bile raste të tilla që në një familje pjesëtarët e saj, janë anëtarë të dy ose tre grupeve të ndryshme, p.sh babai përkrah njërin grup, nëna një grup tjetër dhe djali një grup tjetër. Në disa krahina, këto grupe u pajtuan me marrëveshje paqësore. Kjo u bë e mundshme dhe ndodhi për arsye se masat kryesore të secilës janë revolucionarë dhe se në krye të tyre kanë pasur njerëz të mirë. Por duhet thënë se përleshje të tilla janë bërë dhe në mes të komunistëve. Kjo bënte të krijohej ndarja në grupe. Por mjafton të nxirren në shesh njerëzit e këqij, që të sigurohet paqja dhe të themelohet komiteti revolucionar. Kjo mund të bëhet vetëm kur bashkohen grupet për arsye se p.sh në një ndërmarrje nuk mund të krijohen dy komitete revolucionare. Ka pasur raste që janë zhvilluar përleshje dhe rrahje, por më në fund masat u lodhën së luftuari dhe nuk donin të zhvillonin më konfliktin.

Përgatiti : Gazeta Telegraf