Prof.Spiro Mëhilli: Beteja e pashëmbullt për të mbrojtur Moskën

677
Sigal

Dy radiogramet sekrete në 1941: Gjermania naziste do sulmojë Bashkimin Sovjetik me 3 milion ushtar, 6 mijë avion e 4 mijë tanke

 

Radiogrami sekret i Rikard Sorge: Më 15 maj 1941 Gjermania naziste do të sulmojë Bashkimin Sovjetik

BETEJA  E  PASHEMBULLT PËR TË MBROJTUR MOSKËN

-Radiogrami i dytë:  Sulmi do të kryhet në front të gjerë, në agimin e 22 qershorit të vitit 1941. Ramzaj

Hitleri e sulmoi Bashkimin Sovjetik me 240 divizione 3.000.000 ushtarë, 4000 tanke, 600.000 mjete të motorizuara, 6000 avionë

Nga Prof. Ass. Dr. Spiro Mëhilli

 Shefi i shërbimeve sekrete jashtë shtetit P.M. Fitin i dërgoi Merkulovit një  raport të marrë  nga një agjent, që ishte futur në rrethet e aviacionit gjerman në të cilin përmendeshin lëvizjet e forcave ajrore gjermane dhe nënvizoi se: “Të gjitha përgatitjet ushtarake për pushtimin e armatosur të BRSS kanë përfunduar dhe mund të pritet një sulm në çdo çast”. Stalini mbi këtë raport shkarraviti përgjigjen: “Shoku Merkulov, mund ta çosh burimin tënd për aviacionin gjerman në p… të sat ëme. Ky nuk është një burim, por një dizinformim”. Në lidhje me  këtë datë,  nga Tokio, Rikard Sorge e kishte lajmëruar Qeverinë Sovjetike me radiogramin sekret se:  “Më 15 maj 1941 Gjermania naziste do të sulmojë Bashkimin Sovjetik”. Në kohën që pritej sulmi,  Hitleri i detyruar nga humbjet e ushtrisë italiane në kufirin Shqiptaro-Grek dhe nga tradhtia e një grupi gjeneralësh jugosllavë, që e nxorrën Jugosllavinë nga  Pakti  Gjermano-Jugosllav, u fut në operacione luftarake në fushatën e Greqisë dhe të Jugosllavisë duke humbur 5 javë. Meqë kjo datë nuk u respektua, Stalini humbi besimin në informacionet e Sorgesit dhe  të  rreth 84 sinjalizimeve nga burime informative të vendeve të ndryshme të botës  ku  futeshin  Rusvelti me Çërçillin si edhe  simpatizantë  gjermanë të komunizmit, që precizonin  forcat e sakta gjermane,  datën edhe orën që do të sulmonin. Megjithatë, më 14 qershor  Sorge dërgoi informacionin tjetër “Sulmi do të kryhet në front të gjerë, në agimin e 22 qershorit të vitit 1941. Ramzaj”.Stalini pasi e lexoi radiogramin u shpreh: “Kush është ky bastard që ngre fabrika e bordello në Japoni dhe guxon të tregojë 22 qershorin si datë të sulmit gjerman? Dhe, tani, ju thoni se duhet t’i besoj edhe atij? ”Për habi të Stalinit, sulmi u krye po atë ditë. Sorge i ofenduar i transmetoi qendrës: “Ju shprehim urimet tona më të mira në këto ditë të vështira. Ne, të gjithë këtu, do të kryejmë me vendosmëri detyrën tonë”.

Hitleri e sulmoi Bashkimin Sovjetik me 179 divizione nga 256, që kishte gjithsej në Europë (70% të Vermahtit) si edhe me 61 divizione aleate, gjithsej 240 divizione, ku: 22 ishin rumune, 14 finlandeze, 10 italiane, 13 hungareze, 1 sllovake dhe 1 spanjolle. Këto 240 divizione kishin 3.000.000 ushtarë, 3600-4000 tanke, 600.000 mjete të motorizuara, 7000-7184  topa,  6000 avionë, 65.000 kuaj ndaj  sovjetikëve, që kishin 14.000 tanke (2000 modernë), 34.000 topa dhe 10.000 – 11.000 avionë.

Ushtria e Rajhut  rreshtohej sa më poshtë:

– Gruparmata “Veriu”  me në krye  gjeneralin  Fon Leebme 6 divizione të blinduara dhe 21 divizione këmbësorie në drejtim   të  Leningradit nëpërmjet shteteve balltike.

– Gruparmata “Qendra” me në krye gjeneralin Fon Bok me 30 divizione këmbësorie, 15 divizione të blinduara ose të motorizuara  me   drejtim  Bjalistokun në Smolensk.

– Gruparmata  “Jugu”  me në krye  mareshalin Fon Rundshtedt me 5 divizione të blinduara dhe 25 divizione këmbësorie, nga të cilat 4 të motorizuara dhe 4 malore me drejtim Dnieprin  dhe Kievin. Pas sulmit, disa nga udhëheqësit sovjetikë shkuan dhe e informuan Stalinin mbi atë se çfarë kishte ndodhur. Ai iu përgjigj: “Gjithçka mori fund.Unë jap dorëheqjen. Lenini na  ka lënë  një shtet  proletar, por tani na zunë në befasi me brekët nëpër këmbë dhe çdo gjë u dhje fare”. Më 22 qershor, Shtabi i Përgjithshëm i Hitlerit njoftoi se ishte thyer qëndresa e ushtrisë sovjetike gjatë gjithë vijës së frontit. Mesazhin për popullin mbi sulmin e papritur nga Hitleri më 22 qershor e lexoi Molotovi. Në mbrëmjen e 22 qershorit  Stalini  shkoi në Ministrinë e Mbrojtjes së BRSS dhe lëshoi sulme njërin pas tjetrit për Ushtrinë e Kuqe duke e quajtur atë një grumbull tradhtarësh dhe mashtruesish. Kur antarët e Byrosë Politike i kujtuan përgjegjësinë, që ai duhej të mbante në rast të një katastrofe, ai u hodh në kundërsulm: “Fajin e ka pasur Molotovi, sepse ishte ai që  firmosi tradhtisht paktin e marrëveshjes me Ribbentropin”, duke anashkaluar atë që ai ishte i pranishëm në nënshkrimin e atij pakti dhe se ngriti  dolli për Adolf Hitlerin, udhëheqësin e madh të popullit gjerman,  kurse  për Voroshillovin dhe Zhdanovin tha: “Ata sabotuan marrëveshjen  me misionarët ushtarakë anglezë e francezë”. Kur i thanë se çdo gjë ishte bërë sipas  udhëzimeve të tij, Stalini u hodh nga vendi me një gjallëri të pazakontë  dhe i sulmoi të gjithë folësit me sharje poshtëruese. Më  pas, ai  u  mbyll në Kuntsevo. Për 10 ditë u zhduk nga jeta politike në periudhën më të vështirë që kishte pasur ndonjëherë ai vend. Aviacioni ushtarak sovjetik megjithëse kishte 10.000-11000 avionë luftarakë kundër 6000 avionëve  të Luftvafes, rreth 6000 u asgjësuan ditën e parë, shumica pa u ngritur nga toka. Nga goditja e befasishme ushtria sovjetike humbi 25.000 vagonë të mbushur me predha artilerie dhe municione.Vetëm predha  artilerie humbi mbi 500.000 ton. Shtrohej pyetja, pse predhat duhej të ruheshin në vagonë? Ku do t’i çonin? Nëse Ushtria e Kuqe do të ishte pozicionuar në mbrojtje, ato duhej t’i ishin dhënë asaj. Po sikur ajo të sulmohej, pse municionet ishin përqendruar në vagonë dhe për më tepër  në rajonet kufitare? Gjithçka ishte më se e qartë. Me kohë, Stalini kishte vendosur që më 9 korrik, Ushtria e Kuqe të sulmonte Gjermaninë. Shpartallimi ndodhi, sepse ushtria gjermane bëri goditje të papritur. Për luftën mbrojtëse artileria nuk ishte përgatitur, por edhe po të fillonte sulmi më 22 qershor, ashtu sikundër ndodhi, nuk mund të reagonte. Ajo  iu dorëzua gjermanit me gjithë municionet. Katastrofa mund të ishte shmangur nëqoftëse artileria  nuk do të ishte grumbulluar në kufi. Bile edhe një javë para sulmit mund të ishte tërhequr. Por, këtë urdhër e kishte dhënë Zhukovi.

Trupat gjermane përparuan   nga  Gjiri i   Finlandës në veri: në drejtim të  Detit të Zi në jug, në një shtrirje prej 1200 kilometrash.  Komanda sovjetike urdhëroi tërheqjen duke i mbajtur trupat e saj  përgjatë  vijës Stalin, 500 km larg kufirit të vjetër, që zgjatej në 2500 km e skalionuar në një thellësi 200 km në zonat ujëmbajtëse të Balltikut deri në luginën e gjerë të Dnieprit, nga kënetat e Pripiatit deri në Dniestër, ndërtuar përgjatë kufijve perëndimorë  në  13 rajone të fortifikuara,  të emëruar “Vija Stalin”, që  ishte e vështirë t’i gjendej filli. Trupave gjermane  do t’u  duhej  të kalonin  një territor nga 20-30 deri 100-150 km  mbi  mina fushore, fugase dhe surpriza të tjera.

Më 23 qershor, Sovnarkomi dhe KQ njoftuan krijimin e Shtabit të Përgjithshëm (Stavkën) me Stalinin në krye dhe shumë ushtarakë madhorë. Stalini e mori  drejtimin  e saj  3 javë e gjysmë më vonë. Më 30 qershor u krijua Komiteti për Mbrojtjen e Shtetit “GKO” (Gosudarstvjenij Komitet Oboronëj), i përbërë nga 5 anëtarë me në krye Stalinin. Por Stalini u bë i gjallë vetëm më 3 korrik. Spikeri Juri Levitan tregonte se para transmetimit të fjalimit të tij  më 3 korrik, Beria dhe Vllasiku e kishin udhëzuar: “Të gjitha pyetjeve të shokut Stalin  përgjigjju “po” ose “jo”. Mos bëj pyetje të tjera”. Më kontrolluan të gjitha veshjet, deri dhe çorapet. Kur e pashë Stalinin, ai më tha: “Ju qënkeni? Jeni tamam siç ju imagjinoja. Si duhet ta lexoj? Ju ç’mendoni?”dhe unë i thashë: “Lexoni, ashtu sikundër  lexoni gjithmonë shoku Stalin”. Ai, pasi u mendua disa dekika, më pyeti: “Kur duhet të bëj pushim?” “Bëjeni ashtu siç keni bërë gjithmonë shoku Stalin”. Stalini kishte  shkuar  i pirë. Herë pas here pinte nga një gllënjkë ujë që të zbuste gjuhën e tharë nga veprimi i vodkës. Më 4 korrik,  trupat gjermane filluan  sulmin në drejtim të  “Vijës Stalin” dhe pas një jave  e  thyen dhe  e coptuan përgjatë gjithë shtrirjes së saj  duke hapur tri të çara të mëdha, në zonën Balltike drejt Leningradit, nga Vitebskudrejt, Smolenskut dhe Moskës,  dhe nga rrjedhjet e Prutit me Pripiatin drejt Kievit.

Sipas Kleimenovit, numri i të vrarëve nuk dihej ekzakt, sepse kur trupat ruse u rrethuan, shumë dokumente, meqë quheshin sekret, humbën gjatë betejave ose u asgjësuan kur  repartet  tërhiqeshin me humbje drejt lindjes së vendit. Mbi të gjitha,  nuk dihej  edhe numri i të larguarve si dhe nuk u respektua rituali i varrosjes së viktimave, pra, ata mbetën në mëshirë të fatit dhe u asgjësuan nga predhat  e artilerisë gjermane. Për këtë arsye, shumica e ushtarëve u quajtën të zhdukur pa gjurmë. Armatat gjermane vazhdonin pa pushim të pushtonin tokat sovjetike dhe t’i shkaktonin atij vendi humbje të pallogaritshme. Në orët e para të natës së 21 korrikut aviacioni gjerman filloi bombardimin mbi Moskë.Tre zjarre të mëdhenj  përflakën rajonin në jug të qytetit dhe një zjarr tjetër i  madh  në zonën e Kremlinit, ku u   shkatërrua centrali i qytetit dhe   shumë ndërtesa të rëndësishme, si  pasojë e 12 bombave të kalibrit shumë të madh. Të nesërmen, më 22 korrik, në orën 2208  minuta, mbi qiellin e Moskës fluturuan 200 avionë dhe hodhën mbi 4000 bomba ndezëse.Vetëm disa  prej tyre e kaluan zonën e zjarrit të artilerisë kundërajrore dhe gjuajtësve sovjetikë të natës. Më 27 korrik avionët gjermanë bënë reisin e tretë mbi Moskë. Vetëm një bombë arriti të binte diku para Kremlinit duke hapur një krater të thellë. Avionët gjermanë bënë 27 fluturime mbi Moskë duke shkatërruar objekte banimi në periferi dhe në qendër, dy poliklinika, tri shtëpi fëmijësh, teatrin “Vaganov”, një nga ndërtesat e  Akademisë së Shkencave, disa ndërtesa të industrisë lokale në rrethinat e qytetit. Si pasojë e këtyre bombardimeve mbetën të vrarë 750 veta dhe shumë të plagosur. Në krahasim me dëmtimet që priteshin, ato qenë të pakta në saj të një mbrojtjeje kundërajrore nga ana e ushtrisë sovjetike. Dy javët e para, me urdhër të Stalinit, 200 trena dhe 80.000  kamionë    shpërngulën nga Moska   210 ndërmarrje të mëdha, pajisjet e 500 fabrikave  të  armëve dhe  të zyrave  qeveritare  për t’i vendosur  në zona përtej Vollgës dhe Uraleve. Në veri gruparmata e Voroshillovit qe shtyrë drejt Balltikut; Kaunasi dhe Vilnusi qenë pushtuar; në qendër Gruparmata e Timoshenkos kishte dorëzuar BrestLitovsin; në jug,Gruparmata e Budionit kishte dorëzuar Lvovin dhe disa ditë më vonë edhe Minskun, duke u  mbyllur  në Biellustok me  mbi 100.000 veta në një “thes gjigant”. Brauhiçi, Halderi, Fon Boku, dhe Guderiani u munduan t’i mbushnin mendjen Hitlerit, që sulmi mbi  Moskë duhej të ishte objektivi i vetëm për të gjunjëzuar sovjetikët. Por, që të merrej Moska, duhej të çahej fronti në zonën e Voronezhit dhe pasi të kapërcehej Doni,  më 10 korrik të merrej Borisoglebsi, më 25 korrik Stalingradi, më 10 gusht Saratovi, më 15 gusht Kuibishevi, më 20 shtator Arzamasi, më 25 shtator Bakuja dhe në tetor-nëntor 1942  të bëhej sulmi përfundimtar mbi Moskën. Hitleri donte që Moskës t’i shkëpusnin çdo mundësi furnizimi. Nën presionin e  gjeneralëve të tij, ai vetëm në mes të shtatoriti i hapi udhën kërkesave të tyre, duke pranuar  të fillonte sulmin frontal mbi Moskë, por atëherë  ishte shumë vonë. Për të realizuar këtë objektiv  u desh të grumbullohej Panzergrupi 2 me 50% të efektivit, që ndodhej i dislokuar në jug dhe në lindje të Kievit. Zhukovi, si  anëtar i Stavkas, këshilloi  të bëhej një tërheqje strategjike, por Stalini  urdhëroi të kundërtën  duke  futur  në veprim  forca të  rezervës që çoi në  një katastrofë me përmasa epike. Ushtria e Kuqe humbi rreth 500 000 trupa. Më 18 shtator, Panzergrupi 2  pasi ndryshoi drejtimin, goditi vijën Orel, Tulan dhe u drejtua për në Moskë. Hitleri, në Shtabin e Armatës “Qendra”  para fillimit të sulmit mbi Moskë do të thoshte: “Qyteti duhet të rrethohet në atë mënyrë që asnjë ushtar rus, asnjë banor, qoftë  burrë,  grua apo fëmijë të mos e braktisë atë. Çdo tentativë largimi duhet të shtypet me forcë”.

Beteja e vërtetë për  Moskën filloi në shtator  dhe menjëherë nën Vjazëm u rrethuan 5 armata  sovjetike. Stalini e ndjeu rrezikun. Më 26 shtator, ai caktoi Zhukovin të mbronte  kryeqytetin duke pasur në dispozicion shumë pak forca të lodhura dhe të keq armatosura, që qëndronin në mes të Moskës dhe të vijave gjermane, që po përgatiteshin për sulmin vendimtar. Nga Gulaku, në drejtim të frontit u dërguan  mbi  1.000.000 të internuar.Atyre u thuhej: “Para keni Hitlerin dhe mbrapa Stalinin. O vrituni për atdheun ose do t’ju vrasim ne nga prapa po nuk luftuat  ose po ju shkoi ndërmend të dorëzoheni”.

Në fund të shtatorit arriti në Moskë një delegacion angloamerikan i kryesuar nga lordi Beaverbrook dhe Averll Harrimani dhe bënë 3 takime më Stalinin,  në prani  të  ambasadorit anglez sër Stafford Cripps dhe  atij  amerikan Steinhardt. Stalini  kërkoi  furnizime me armatime e sidomos topa,  kurse Harriman i tha se Rusvelti është i shqetësuar për besimet fetare në BS, por Stalini nuk i dha përgjigje. Ish-ambasadori amerikan në Moskë,Viliam Bulli e paralajmëroi Rusveltin për pabesinë e Stalinit dhe në këmbim të materialeve, që do t’i jepnin duhet t’i kërkonte garanci kundër ekspansionit sovjetik në Europë.

Më 1 tetor, kur gjermanët ishin 100 km larg Moskës, 100.000  moskovitë u thirrën nën armë dhe shkuan në front, ndërsa mbi 500.000 banorë, 75% e të cilëvë ishin gra, u mobilizuan  për  të ndërtuar formacionet  mbrojtëse të qytetit dhe rrethinave. Ata hapën 676  km kanale antitank, 1650 dritare qitjeje për repartet pushkatare, 27.641 pika zjarri, 3814 Dotedhe Dzote. U vendosën  mbi 300 km tela gjembash antitank, 1321 km gardhe me tela dhe  128.000 metër linear transhe dhe hendeklidhje. U gërmuan më shumë se 3 milionë m3dhè. Situata në ushtrinë ruse  ishte dramatike.Trupat gjermane kishin pushtuar 900.000 km2 territor  me një popullsi  mbi 65 milionë banorë dhe kishin asgjësuar rreth 7.000.000 veta, ku,  mbi 3 milionë  ishin ushtarë  të kapur rob. Harry Hopkins, i dërguari i Rusveltit do të thoshte: “Në qoftë se Moska bie, Ushtria e Kuqe do ta shpërngulë të gjithë Rusinë në perëndim të Vollgës”. Stalini nga ana e tij i kërkoi Qeverisë së SHBA-ve që “trupa  amerikane mund të vijnë në frontin rus nën komandën amerikane pa asnjë lloj kufizimi”, që e pranoi edhe Isak Dutsheri, biografi i Stalinit, por Rusvelti nuk e miratoi. E njëjta kërkesë iu bë edhe Qeverisë angleze, por u refuzua sikundër dhe Qeveria e SHBA-ve.

Më 2 tetor, Çërçilli, lordi Beaverbruk dhe Harrimani, i dërguari i  Rusveltit nënshkruan në Kremlin një protokoll për lëvrimin e armëve anglo-amerikane. Po atë ditë, Hitleri urdhëroi të fillonte faza e parë e sulmit mbi Moskë. Grupimi tankist i gjeneral armate Heinz Guderianit i shoqëruar  nga Armatat 9 dhe 4 të Gruparmatës “Qendra”  me emrin e koduar “TYPHON” (“TAJFUNI”),  ju drejtua Moskës nga  veriu dhe nga  jugu i   Smolenskut dhe më pas edhe  me   dy grupe të blinduara,i 3-ti në veri dhe i 4-ti në jug, duke  formuar  dy ganxha të fuqishme, që do të  bllokonin në Vjazemsk 3 armata sovjetike. Komandanti i Përgjithshëm Fon Brauhic sulmin mbi Moskë e përforcoi edhe me Armatat e Fon Bokut të kompletuara  90%  me efektiv kundër trupave sovjetike në jug të Frontit të Brianskut në sektorin Zhukavka-Shostka .Dy ditë më vonë, më 4 tetor nga Pallati i Sportit në Berlin para një turme entuziaste Hitleri tha: “Armiku tashmë është shpartalluar dhe nuk mundet më ta rimarrë veten”. Por Moska nuk ra. Mbrojtja e shtetit sovjetik u shndërrua në një luftë të shenjtë për Mëmën Rusi. Në fillim  u godit rajoni i  Vjazemskut ku mbronin Armatat XIX  dhe XXX të Frontit Perëndimor minahedhës në mbrojtjen jugore të Bjellit dhe në rajonin e qytetit  Elni. Gjermanët ishin superiorë 3 herë në  trupa, 1.7 herë në tanke, 3.8 herë në topa dhe minahedhës. Kjo supremaci vinte nga humbjet fillestare të Ushtrisë së Kuqe. Armatat III dhe XIII u kërcënuan nga rrethimi dhe trupat e Guderianit më 3 tetor pushtuan Orjollin. Më 2 tetor u krijua Korpusi Gardist i Përforcuar i Këmbësorisë me gjeneral major D.D. Lushenkon për të ndaluar  trupat gjermane  drejt Brianskut dhe jugut  të Smolenskut. Përballë trupave të Fon Bokut qendronin trupat e Frontit Perëndimor me 6 Armata: XVI, XIX, XX, XXII,  XXIX dhe XXX që mbulonin drejtimin Terzhok, Rzhev dhe Vjazmë me komandant  mareshallinTimoshenko dhe ato të  Frontit të Brianskut  me tri Armata: III, XIII dhe XXXXX  si edhe me  grupin operativ që i komandonte  gjeneral kolonel A. I. Jeremenko. Në atë territor, në  tre frontet sovjetike  ndodheshin 95  divizione me 800.000 – 1.250.000 trupa, 2990  tanke:  45 tip K-13 dhe T-34 të mesëm  e të rëndë (të aftë  të lëviznin në  dëborë, në llucë dhe në ngrica) dhe   shumë tanke tip  i lehtë  BT, T-26 dhe T-37; 680-1414 avionë P-5, TB-3, SB dhe  6808 – 7600 topa e minahedhës, përballë 61 divizioneve gjermane: 23 divizione tankesh, shumica të mesëm,  5 divizione të motorizuara, 2 flota ajrore  dhe 31 këmbësore të pajisura  me 1500 -1700 tanke, 3300 topa dhe 600-950  avionë Ju-87, Dorne-217, Missershmidt-110; 14.000 topa  ose 1.4 herë me më shumë  trupa, 1.8 herë me më shumë topa e mortaja, 1.7 herë me më shumë  tanke dhe 2 herë me më shumë  avionë. Divizionet ruse kishin një organikë me 5000-7000 veta, kurse gjermanët me 14.500-15.000 veta.

Nesër do lexoni:

-Më 7 nëntor, kur gjermanët ndodheshin 25 km larg Moskës Stalini bëri Paradën Ushtarake

-Radiogrami i ri i Sorges: Lufta midis Bashkimit Sovjetik  dhe Japonisë është shmangur

-Betimi i Stalinit: “Lufta do të jetë e gjatë dhe e përgjakshme, por fitorja do të jetë e imja

Stalini  tërhoqi  nga Lindja e Largët  1.200.000 trupa, 12.700 tanke, 1500 avionë dhe  i  vendosi në mbrojtje të Moskës