Prof. Dr. Lufter Xhuveli/ Robert Burnsi, Vavillovi, Karl Hammeri dhe Shqipëria

913
Larg teje Eliza më duhet të shkoj
Larg brigjeve t’oqeanit ku kam lindur të mërgoj
Se fati mizor të dyve po na ndan
Me ulërima t’ oqeanit pa fund e pa anë. 
(Vargje nga poezia “Lamtumirë Eliza”)
Me këto vargje bardi lirik skocez Robert Burns skaliste dramën e ndarjes së mërgimtarëve nga të dashurit e tyre. Ishte koha kur mijëra europiano veri-perëndimore, të shtrënguar nga varfëria dhe mjerimi nga njëra anë dhe të tërhequr nga hapësirat e pafund të “Far West-it” amerikan, por dhe aventura e kërkimit të arit nga ana tjetër, lanë vatrat e tyre dhe emigruan matanë oqeanit, në Amerikën e largët. Këto vargje të Burnsit, qenë si një parathënie për emigrimin biblik nga ishujt britanikë dhe sidomos nga Irlanda drejt Amerikës. Po çfarë po ndodhte në Irlandë? Gjatë viteve 1845-1852 nje tragjedi e përmasave të panjohur më parë, e quajtur “Uria e Madhe e Irlandës” e pllakosi këtë vend. Mbi një milion irlandezë vdiqën dhe po kaq të tjerë emigruan në Amerikë për t’i shpëtuar urisë që po korrte pa mëshirë jetë njerëzish. Në më pak se dhjetë vjet popullsia e Irlandës u pakësua në 25 % të saj. Po ç’ishte kjo uri? Nga se ishte shkaktuar?
Shkaku ishte shkatërrimi masiv i prodhimit të patates për disa vite rresht nga një sëmundje e quajtur “Vrugu i Patates” (Phytophthora infestans), e cila kishte ardhur bashke me farën e patates nga Lugina e Tolukos në Meksikë. Në ato vite ushqimi i popullsisë irlandeze varej kryesisht nga prodhimi i patates. Kjo lidhej me tarifat e larta doganore te drithrave te importuara (Corn Lows1815-1846), gjë që favorizoi shtimin e sipërfaqeve të mbjella me patate. Efekti shkatërrues i sëmundjes qe katastrofik për arsye se varieteti i patates i quajtur “Lumperi Irlandez”, i cili rezultoi jo rezistent ndaj vrugut, ishte në atë kohë varieteti i vetëm që kultivohej. Kjo sollin gushtimin e variabilitetit gjenetik duke i hapur rrugën “erozionit gjenetik” dhe humbjes së geneve rezistente ndaj sëmundjes. Kjo dukuri po përhapej me shpejtësi në bujqësinë europiane. Pa e kuptuar rrezikun, njerëzimi kishte filluar të priste degën e pemës ku qëndronte për të bërë dru për dimër.
Mbrotja e trashëgimisë bimore
Ndër të parët që ndjeu nevojën e mbrojtjes së trashëgimisë bimore të krijuar ndër shekuj nga rreziku i erozionit gjenetik ishte shkencëtari i madh rus Nikollaj Vavillov (1887-1943), botanist dhe gjenetist nga më të mëdhenjtë. Vavillovi qe i pari që e përktheu tragjedinë irlandeze si një nevojë për veprim urgjent për mbrojtjen nga erozioni gjenetik të farërave autoktone të krijuara anë e kënd botës nga përvoja mijëra vjeçare e rritjes së bimëve. Për këtë qëllim, Vavillovi organizoi dhe mori pjesë në mbi 100 ekspedita për koleksionimin e farërave autoktone në të pesë kontinentet. Për ruajtjen e farërave, ai krijoi në Sant Petërburg të Rusisë, Bankën Gjenetike më të madhe në botë, bankë e cila vazhdon edhe sot të jetë një ndër më të mëdhatë.
Vavillovi është autori i studimeve të famshme për “Qendrat botërore të origjinës së bimëve të kultivuara“ dhe autor i zbulimit të “Ligjit të serive homologe të ndryshueshmërisë gjenetike” Ai përcaktoi tetë qëndra nga të cilat janë origjinuar bimët e kultivuara në botë. Një ndër to është edhe Qendra e Mesdheut ku bën pjesë edhe Shqipëria. Në Qendrën e Mesdheut, sipas Vavillovit e kanë origjinën bimë të tilla të kultivuara si ulliri, gruri, elbi, tërshëra, panxhari, lakra, qepa,bizelja, batha e shumë të tjera.
Për mungesë konformizmi me regjimin stalinist, Vavillovi u burgos në vitin 1941. Për ironi të fatit, pikërisht ai që luftoi për të zhdukur urinë në Rusi dhe në botë, vdiq në vitin 1943 në burgun rus të Saratovit, nga sëmundja e distrofisë, e shkaktuar nga uria. Në respekt të veprës së tij, emrin e Vavillovit e mbajnë sot shumë institucione në botë, midis tyre edhe Instituti Shkencor i VIR-it në Sant Petërburg, të cilin ai e drejtoi nga viti 1921 deri më 1940, gjithashtu e mban edhe një krater në Hënë. Me emrin e Vavillovit është emërtuar gjithashtu edhe një planet i universit, me numër 2862 i zbuluar në vitin 1977.
Shkencëtari gjerman Karl Hammer
Një vit pas vdekjes së Vavillovit, pa mbaruar akoma Lufta II Botërore, në Leipzig të Gjermanisë do të lindte shkencëtari Karl Hammer, vazhdues i veprës së Vavillovit. Karl Hammeri me një kontribut shkencor të shquar dhe të pranuar botërisht, pa mëdyshje mund të quhet Vavillovi i kohëve moderne. Hammeri ka drejtuar Bankën Gjenetike të Gaterslebenit në Gjermani, një ndër më të mëdhatë në botë ku ruhen, studiohen, shumëzohen e përtërihen mbi 90 mijë kampione farërash nga e gjithë bota, midis tyre edhe mbi 1000 kampione farërash nga Shqipëria. Hammeri ashtu si Vavillovi, ka organizuar dhe ka marrë pjesë në mbi 80 ekspedita përkoleksionimin e farëravë autoktone të bimëve në mbi 25 shtete në katër kontinente të planetit, ndërkohë që aktiviteti i tij koleksionues, studiues dhe botues vazhdon. Me emrin e Hammerit lidhen mbi 500 artikuj shkencorë dhe 40 libra në të cilat ai është autor ose bashkëautor kryesor. Karl Hammeri është studiuesi më në zë për erozionin gjenetik të bimëvë në ditët e sotme dhe kontribues i madh ndërkombëtar për zbutjen e këtij fenomeni. Profesor Hammeri është themeluesi i institutit të parë në botë për agro-biodiversitetin në Universitetin e Kassel-it në Gjermani. Prej një kohë të gjatë ai është kryeredaktor i revistës prestigjioze ndërkombëtare “Evolucioni i Bimëve dhe Resurset Gjenetike” (Genetic Resources and Crop Evolution), si dhe drejtues i disa seksioneve për resurset gjenetike të bimëve në organizmat ndërkombëtare.
Hammer dhe Shqipëria
Shqipëria zë një vend të veçantë në veprimtarinë shumë dimensionale të shkencëtarit të shquar Karl Hammer. Pas viteve 1990 në bujqësinë shqiptare filluan të vërshojnë varietete farërash dhe hibride me origjinë të panjohur, duke zëvëndësuar ato autoktone dhe me veti të çmuara. Në vitet e para të tranzicionit shqiptar, frenimi i erozionit gjenetik dhe ruajtja e farërave të vendit me cilësi të veçanta pozitive, u kthye në një detyrë emergjente. Hammeri ka marrë pjesë në ideimin dhe organizimin në Shqipëri të katër ekspeditave koleksionuese ndërkombëtare gjatë viteve 1993-1995, duke mundësuar grumbullimin dhe ruajtjen në bankat gjenetike të disa qindra lloje farërash autoktone. Gjatë këtyre ekspeditave Hammeri ka përshkuar në zonat malore të Shqipërisë mbi 2000 km rrugë nga jugu në veri. Prof. Hammeri ka mbështetur shkencëtarët shqiptarë dhe Bankën Gjenetike të ngritur rishtaz në Shqipëri, si drejtpërdrejt ashtu dhe duke lobuar pranë organizmave ndërkombëtare. Banka Gjenetike e Gaterslebenit në Gjermani, gjatë kohës që ajo është drejtuar nga prof. Hammeri u kthye në një qendër të rëndësishme kualifikues dhe studimore për specialistët shqiptarë. Bashkëpunimi i prof. Hammerit me shkencëtarët shqiptarë reflektohet edhe në botimet e disa prej revistave më prestigjoze ndërkombëtare me disa dhjetra artikuj shkencorë, ku spikat ai për erozionin gjenetik të bimëve. Në vlerësim të kontributit të tij të veçantë, Universiteti Bujqësor i Tiranës e nderoi prof. Hammerin pesë vjet më parë me titullin “Doctor Honoris Causa”, ndërsa në ditën Botërore të Biodiversitetit, më 22 Maj të këtij viti, Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës, për nder të shkencëtarit Karl Hammer organizuan një Simposium Ndërkombëtar.
Sigal