Prof.Dr. Elmas Leci: Ja si u bë trajtimi i “kulakëve” nga regjimi komunist i Enver Hoxhës?

751
Sigal

 

Paralele historike/ Në vitin 1953 numri i kulakëve ishte 2877, baras me 1.9 për qind të ekoniomive fshatare

 

Në fund të vitit 1956 numri i tyre arriti në 3495, baras me 2.3 për qind të ekonomive fshatare

– Cilësimi  kulak, në Shqipëri  ishte  një  “fjalë e keqe” , me të cilën dalloheshin  ish- pronarët e tokave

– Cila ishte Promemoria që përcaktonte se cilët ishin e duheshin të shpalleshin  kulakë në fshat

 

Prof.Dr. Elmas Leci

Drejtor Ekzekutiv

Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare

 

Nga përjetimi im i vegjëlisë: “Në fshat vdiq një plak i moçëm që të gjithë, edhe ne të vegjëlit, e quanim “kulak”.(Ashtu kot, se ne as e dinim se ç’do të thoshte fjala “kulak”!). E pashë që e varrosën 4 vetë, kur në fshat në një vaki të tillë merrnin  pjesë të gjithë burrat e fshatit. Për xha Ramadanin e vdekur nuk u mblodhën, nuk shkoi fshati ta varroste. Ai ishte “kulak”. Vite më vonë m’u qartësua disi se cilët ishin “kulakët”, si i trajtonte ato regjimi dhe si ishte e detyruar të bënte edhe shoqëria e far e fisi. Ata kulakët konsideroheshin si me “leprozë”. Po si lindi kjo ndasi klasore e tmerrshme, kur i gjithë populli luftoi me sa mundi për çlirim kundër pushtuesve nazifashsitë?!

Menjëherë pas “çlirimit”, Enver Hoxha sapo mori pushtetin e Kryeministrit, nxori ‘Promemorien’ për trajtimin e një klase të caktuar, të “kulakëve”. Po ç’ishin këta “kulakët”?! Termi “kulak” u huazua nga terminologjia politike e Bashkimit Sovjetik. Karakteristikat kryesore të kulakut në Shqipëri u dhanë në Kongresin e parë të kooperativave bujqësore (shkurt 1949), ndërsa kriteret e përcaktimit se cilët do të quheshin kulakë, u vendosën nga Byroja Politike në gusht të vitit 1949. Sipas kriterit ekonomik, kulak cilësohej fshatari i pasur që kishte një bazë ekonomike të qëndrueshme, që shfrytëzonte punën e të tjerëve, që siguronte të ardhura mbi nevojat e jetesës së familjes së vet dhe me prodhimet e tepërta, spekulonte në tregun e lirë. Sipas kriterit politik, kulak cilësohej fshatari i pasur, që kishte qenë kundërshtar i Luftës Antifashiste dhe ishte kundër pushtetit popullor. Në praktikë, u cilësuan kulakë edhe fshatarë jashtë këtyre kritereve, mjaftonte që propozimi për cilësimin kulak, të bëhej nga organizata e partisë dhe ajo e Frontit. Atje ku s’kishte organizata partie, këtë detyrë e kryente organizata e rinisë. Pas kësaj, bëhej publikimi dhe fillonin masat e kufizimit ekonomik dhe të izolimit politik për kulakun. Për kufizimin ekonomik, kulakut i vihej një detyrim 20-25 për qind mbi detyrimin e zakonshëm. Izolimi politik synonte parandalimin e ndikimit të kulakut në popull, prandaj atij i hiqej ose nuk i jepej anëtarësia në Frontin Demokratik e nuk i lejohej pjesmarrja e tij në asnjë veprimtari kulturore apo shoqërore si dasma, gëzime e hidhërime, qoftë edhe brenda fisit.

Në vitin 1953 numri i kulakëve ishte 2877, baras me 1.9 për qind të ekonomive fshatare, në fund të vitit 1956, numri i tyre arriti në 3495, baras me 2.3 për qind të ekonomive fshatare. Kulakët që nuk paguanin detyrimet ose zhvillonin veprimtari antishtetërore, burgoseshin. Shkeljet ligjore që u vunë re në praktikë, çuan në likuidimin e parakohshëm të një numri kulakësh. Cilësimi kulak, konsiderohej nga strukturat shtetërore si njollë politike gjatë gjithë jetës për të gjithë anëtarët e familjes, të cilët shpesh, diskriminoheshin. Emërtimi dhe cilësimi kulak në Shqipëri, për vite e vite të tëra mbarti në vetvete ngarkesa të mëdha politike, që ua dha me vendime të posaçme nga vetë Enver Hoxha. Gjithçka lidhej me eliminimin e kësaj shtrese, që Enver Hoxha i quajti antipushtet e antipopullor. Fillimisht hartoi dhe nxori ‘Promemorie’ e ‘Udhëzime’, që nisën me përcaktimin se cilët ishin e duheshin të shpalleshin  kulakë në fshat. Një nga këto ishte edhe ‘Promemoria’, e cila mban datën 7 nëntor të vitit 1949. Ja se çfarë thuhet në atë dokument: “Përpara se të flasim mbi trajtat karakteristikë të kulakut dhe masat për kufizimin e tij, e shohim të nevojshme të japim këtu një “skemë mbi kategoritë e punonjëse të fshatit. Kategoritë shoqërore të fshatit, që punojnë dhe merren kryesisht me bujqësi janë: 1. Pronarë bujq të pasur (kulakë), të cilët pjesërisht i punojnë vetë tokat e në pjesën më të madhe i punojnë me argatë, me hyzmeqarë ose i jepin me qira. 2. Pronarë bujq të mesëm, që i punojnë vetë pronat e tyre dhe që në kohën e punimeve të mëdha mund të marrnin edhe punëtorë me pagesë. 3. Pronarë bujq të varfër ose gjysmë proletar që kanë pak tokë. 4. Bujq – çifçinj, proletarë, të vendosur në tokat e të tjerëve me sistemin e të tretëve ose përgjysmë. 5. Argatë të fshatit dhe të qytetit, të cilët punojnë si hyzmeqarë për një periudhë të caktuar (një vit, gjashtë muaj ose tre muaj) pranë kulakëve ose ndonjë fshatari të mesëm, ose punëtor me mëditje… Është për t’u shënuar se në kategorinë e pronarëve të shpronësuar pjesërisht, përveç kulakëve, përfshihen edhe fshatarë të mesëm…”.

Cilësimi  kulak, me propogandën e komunizmit në Shqipëri  ishte  një  “fjalë e keqe” , me të cilën dalloheshin  ish- pronarët e tokave, që në socializëm duhej të konsideroheshin si kundërshtarë të regjimit të ri kolektivist, të deklasuar dhe armiq të shtetit komunist. Edhe në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, fjala “kulak” shpjegohet: “Fshatar i pasur, që kishte shumë tokë, shfrytëzonte punën e argatëve apo të fshatarëve të varfër dhe pasurohej në kurriz të tyre”. Më shqip, në komunizëm, kulakët konsideroheshin si shtresë shoqërore e përmbysur, që duheshin vëzhguar e mbajtur nën kontroll nga vigjilentët e sigurimit të shtetit komunist.  Kulakët, nën shtetin komunist, njiheshin si njerëz me biografi të keqe. Biografia e kulakut, ishte e barazvlefshme me biografinë e një armiku të klasës. Për këtë,  kulakët  duhej të ishin edhe të “izoluar” nga shtresat e tjera kolektivite-kooperativiste me prejardhje fshatar i varfër. Kulakët për t’i dalluar nga shoqëria tjetër,  nuk u a dhanë apo u a hoqën  dokumentin më masiv,  triskën (teserën) e frontit “demokratik”. Duke mos pasur këtë dokument, kulakët (dhe anëtarët e tyre të familjes), nuk kishin të drejtat më elementare, si për të marrë pjesë në takime, mbledhje e diskutime, nuk kishin të drejtë për të votuar.

Ndërsa në  “Promemorien”, sipas së cilës u bë vlerësimi i gjithë shtresës së quajtur kulakë shkruhej: “Kulakët janë kapitalistët, që kanë të shumtën e herës shumë punëtorë me pagesë dhe lidhen me “fshatarësinë” nga niveli i ulët i kulturës, nga mënyra e jetesës, nga puna e tyre personale me krahë, në pronat e tyre bujqësore. Kjo kategori fshatare, përbën pjesën më të madhe të shtresave të borgjezisë, që janë armike të deklaruara dhe të vendosura të proletariatit revolucionar. Prandaj Partia Komuniste duhet, që në punën e saj me fshatin, t’i kushtojë kujdesin më të madh luftës kundra kësaj kategorie, në mënyrë që të heqin shumicën punonjëse dhe të shfrytëzuar të popullatës fshatare nga influenca politike, ideologjike e shfrytëzuese të saj….

Nuk duhet t’a shikojmë kulakun vetëm nga sasia e tokës që ka, – porosiste Kryeministri Enver Hoxha – por duhet t’a shohim edhe nga marrëdhëniet me mjetet e tjera të prodhimit, me kafshët e punës dhe të prodhimit, me veglat e mjetet e tjera të punës (plugje, lesa, qerre etj.), nga shtëpia dhe anekset e një ekonomie fshatare të pasur (stalla e haure, plevica e lëmenj), nga pasuria e brendshme e shtëpisë (mobilie, shtresa e mbulesa, enë e mjete të tjera në përdorim familjar). Ajo që është më karakteristike e një kapitalisti rural, është shfrytëzimi i punëtorëve bujqësorë mëditës ose hyzmeqarë që, ai mban për një periudhë pak a shumë të gjatë. Kulakun duhet t’a shikojmë në punën e tij armiqësore prej tregtari e spekulatori, që zhvillon në tregun e zi, që sjell lëkundje në furnizim dhe në çmimet e prodhimeve bujqësore e blegtorale. Atë duhet ta shikojmë si një mbështetje të tregtarit të vogël dhe matrapazit, tek i cili këta gjejnë materialet për të zhvilluar spekulimin dhe kontrabandën gjë e cila sjell zhvleftësimin e parasë dhe uljen e fuqisë blerëse të masave punonjëse. Kulakun duhet ta shikojmë, si thoshte Lenini, “si armikun e betuar të klasës në fshat, të cilit proletariati njëkohësisht me rrëzimin e kapitalistëve në industri, duhet t’i japë grushtin më të vendosur, më të pa shpirt dhe më të rrufeshëm që në tentativat e para të rezistencës në mënyrë që të thyhet kjo rezistencë e tij shfrytëzuese e spekulatore”.

Më tej “Promemoria” e dënimit të kulakëve theksonte se, është e vështirë të jepen masa dhe karakteristika identike për çdo rreth e çdo zonë pasi, siç dihet: a) fizionomia dhe niveli i zhvillimit ekonomiko-politiko-shoqëror, ndryshon nga zona në zonë, b) mungojnë studimet paraprake ekonomiko-bujqësore për kategoritë e ndryshme të fshatit si në të kaluarën, dhe sot, c) mungojnë data statistikore për sa i përket numrit të kategorive të ndryshme shoqërore në fshat dhe elementëve që përbëjnë bazën ekonomike të tyre, veçanërisht të kulakëve, gjë që na intereson më shumë në rastin e sotshëm. Sidoqoftë, si karakteristika të përbashkëta dhe të pa ndara për të identifikuar kulakun në çdo zonë e në çdo rreth, mund të jepen: Pasuria materiale e tij dje dhe sot dhe posaçërisht; toka, kafshët e punës dhe të prodhimit në krahasim me shumicën dërmonjëse të fshatarëve”.

Po cila ishte politika më konkrete, cili ishte qëndrimi i Enver Hoxhës në lidhje me luftën kundër kulakut?

Në vijim po japim po sipas Promemories së tij, se si i eliminoi Enver Hoxha klasën e kulakëve duke i bërë një dëm të pallogaritshëm Shqipërisë… “Meqë ekonomia jonë bujqësore bazohet në pronën e vogël private, -thuhet në ‘Promemorie’ – ekzistojnë gjithnjë dhe zhvillohen elementë kapitalistë, të cilët fshatarësia i nxjerr nga gjiri i saj vazhdimisht, çdo ditë e çdo orë, spontanisht dhe në një shkallë të gjerë”. Prandaj “ne duhet të ruhemi nga rreziku që mund të gabojmë se duke menduar që i kemi reduktuar kulakët në fshat në një shkallë me fshatarësinë e varfër ose të mesme në lidhje me tokën dhe me gjendjen ekonomike të tyre, në një kohë që mendojmë se ne e kemi zhdukur kulakun si kulak, si klasë e fundit kapitaliste dhe këtej të harrojmë të bëjmë diferencimin e klasave në fshat dhe ta shohim fshatarësinë si një gjë të “vetme dhe të tërë”, atëherë ne kemi gabuar dhe kulaku është sulur për të na marrë pushtetin”. Për kulakun porosiste Enver Hoxha “vija e partisë duhet të jetë e qartë: Luftë kundër elementëve kapitalistë në fshat, luftë për kufizimin e kulakëve, luftë për të thyer rezistencën dhe metodën dhelparake të luftës dhe të sabotimit të urdhëresave dhe të ligjeve të shtetit nga ana e tyre. … të zhvillojmë luftën e klasave, të zbulojmë dhe demaskojmë si dhe të godasim kulakun, i cili qëndron në masën e fshatarëve, i helmatis ata dhe i nxit kundër politikës së Partisë dhe masave të Pushtetit”. Si do të veprohet për identifikimin e kulakut?” – thuhet në ‘Promemorie’. Te ajo ishte përgjigja se “për identifikimin e kulakëve në çdo rreth të veprohet në këtë mënyrë: Të nxirren në formë karakteristikash trajtat e ndryshme të kulakut të përshkruara më lart, duke u bazuar kryesisht në tre pikat themelore (pasuria, mënyrat e shfrytëzimit të të tjerëve, qëndrimi i tij politik) këto si për të kaluarën ashtu edhe për të ardhmen. Të dërgohen udhëzimet dhe karakteristikat poshtë në Komitetet e Partisë në rrethe dhe atje të thirren sekretarët e organizatave-bazë në një mbledhje të posaçme për të shpjeguar dhe diskutuar me ata këto udhëzime. Sekretarët e organizatave bazë, t’i punojnë këto udhëzime me anëtarët e partisë dhe këta pasi të kenë kuptuar qëllimet, të mendojnë secili për fshatin ose fshatrat që njohin dhe në një mbledhje tjetër të organizatës bazë të bëjnë propozime me listë, bashkë me karakteristikat për secilin kulak. Organizata bazë, pasi bën diskutimet rreth listave dhe karakteristikave vendos mbi to dhe këto vendime ia dërgon me një relacion të shkurtër Komitetit të Partisë së Rrethit. Komiteti i Partisë së Rrethit, në prezencën e një të deleguari të K.C., që njeh mirë zonën, pasi shqyrton listat dhe karakteristikat sidomos përsa i përket gjykimit të drejtë mbi “kulakun” sipas ndryshimeve ekonomiko-shoqërore nga zona në zonë, pasi ka bërë korrigjimet eventuale për çdo kulak, përpilon listën e fundit me karakteristikat dhe bashkë me një relacion ia dërgon Komitetit Central. Mendojmë që kjo punë përgatitore dhe nxjerrja e listave të bëhet nga ana e Partisë, në konspiracionin më të plotë. Ndërsa në aplikimin e gjithë masave që do te merren, denoncimi i kulakëve të bëhet nga vetë masat e varfra dhe të mesme të fshatit, me të cilët duhet më parë të jetë bërë një punë e madhe politike sidomos në lidhje me ashpërsimin e luftës së klasës”.

Pas kësaj ‘Promemorie’, e cila nuk mban firmën e Enver Hoxhës, por të një farë Ramadan Xhangolli,  janë ‘Udhëzimet’ “tepër sekret” të vetë Enver Hoxhës, të cilat mbajnë datën 2 tetor të vitit 1950.  “Në pikëpamje ekonomike në përgjithësi, ai që ka qenë i pasur në regjimin kapitalist është kulaku i sotëm. Por ka edhe ish-fshatarë të mesëm, të cilët mund të jenë pasuruar ose mund të pasurohen dhe nga pikëpamja ekonomike, të bëhen kulakë…Në rast se ne nuk i vëmë gishtin kulakut, në rast se ne nuk e përcaktojmë me emër se cili është kulaku në fshat, atëherë lufta e jonë kundër klasës së kulakëve mbetet një fjalë boshe dhe vija e partisë likuidohet. Atëherë çfarë procedure duhet të ndjekim për përcaktimin e kulakut? Në radhë të parë duhet të nisemi nga parimi se më mirë nga kushdo tjetër, gjendjen e fshatarit e njeh vetë fshatari… Të drejtën për të përcaktuar kush mund të quhet kulak e ka vetëm Byroja e Komitetit të rrethit, në bazë të propozimit të organizatës së partisë ose të rinisë në fshat. Mbasi Byroja e rrethit përcakton saktësisht se kush është kulaku atëherë, Byroja (Seksioni i Bujqësisë) hap evidencën e kulakëve.

Lufta kundër kulakëve u ashpërsua më shumë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 1951, kur Enver Hoxha deklaronte që duheshin gjetur “kulakët e rinj”, që  “kulakët ishin më shumë seç mendohej”, që “nuk ishin vetëm në Myzeqe”… Komitetet e partisë njoftonin se në rrethet e tyre nuk kishte më kulakë, kishte vetëm fshatarë të varfër dhe atëherë, ndryshuan karakteristikat e kulakëve për të gjetur sa më shumë prej tyre. Kulak do të quhej edhe ai që “propagandon kundër reformave dhe masave shoqërore e kulturale të partisë dhe pushtetit”. Kjo nxitje, e çoi gjatë gjysmës së parë të vitit 1951 në 2361 numrin e familjeve kulake. Kulakët demaskoheshin publikisht. Sekretari i organizatës bazë të partisë mblidhte gjithë popullin e fshatit dhe pasi akuzonte kulakët për shtypjen dhe shfrytëzimin që u kishin bërë të varfërve, u kërkonte fshatarëve “t’i rrihnin dhe t’i shtynin”. Vetë relacionet e këtyre sekretarëve tregojnë që në këto sulme merrnin pjesë vetëm ata që kishin inate personale me kulakët.

Si rezultat i kërkesës së Enver Hoxhës për të gjetur sa më shumë kulakë, kulakë u dënuan edhe shumë fshatarë që kishin marrë pjesë në luftë, që kishin qenë partizanë apo që ishin aleatë të pushtetit. Kulakët, duke qenë që u merrej pa kriter pasuria, ishin me leverdi për hambarët e shtetit, ndaj edhe kur nuk ekzistonin, duheshin shpikur. Edhe në rastet, kur pas vërejtjeve të bëra, disa prej fshatarëve të mesëm iu hoq emërtimi i gabuar “kulak”, pasuria e konfiskuar nuk iu rikthye. Lufta u ashpërsua në atë shkallë, sa në vitin 1953, tatimi i kulakëve, të cilët tatoheshin dy herë, me një tatim të rregullt dhe një të jashtëzakonshëm.

Si të hidhet dhe si të shpallet tatimi kundrejt kulakut?, – udhëzonte Enver Hoxha.

Deri më sot tatimi kundrejt kulakut, është bërë parimisht që kulaku duhet të paguajë përveç detyrimit të rregullt proporcional sikurse edhe fshatarët e tjerë, ashtu edhe një detyrim tjetër si kulak. Këtë ne mund t’ia bëjmë jo në dy kohë dhe nëpërmjet dy fletë detyrimesh por vetëm në një kohë të vetme dhe nëpërmjet vetëm një fletë -detyrimesh. Si mund të bëhet kjo dhe kur mund të bëhet? Kjo duhet të bëhet atëherë kur ne u lëshojmë fletë-detyrimet të gjithë fshatarëve të tjerë. Si do të bëhet kjo praktikisht si do të rëndohet kulaku më tepër se të tjerët. Dihet se mbasi bëhet detajimi i planit të mbjelljeve në fshat dhe pasi fshatarët (të vobektë, të mesëm dhe kulakë) kanë marrë angazhim në lidhje me planin e mbjelljeve, të plotfuqishmit e grumbullimit të lëshojnë fletë-detyrimet për efekt të grumbullimit të drithërave… “Përveç kësaj, -vazhdonte ‘Udhëzimi’, – ligji për tatimin e kulakut u lë dorë të lirë organeve të pushtetit që ta tatojnë kulakun në një masë që ato organe e shohin të arsyeshme. Kështu dmth në 15 % si edhe në ligjin mbi tatimin e kulakut, duhet të kapet i plotfuqishmi i grumbullimit për të tatuar kulakun. Marrim një shembull konkret: Një katund në rrethin e Fierit përbëhet nga 100 ekonomi bujqësore. Në këtë fshat ka, të themi 3 kulakë, 17 fshatarë të mesëm dhe 80 fshatarë të vobektë. Fondi i grumbullimit të misrit për këtë fshat, në bazë të planit të shtetit është caktuar të themi 80 kv Fshati është klasifikuar në kategorinë e II -të. Si do të procedohet në këtë rast për të vjel 100 kv misër dhe njëkohësisht për të goditur edhe kulakun?! Mund të veprohet në këtë mënyrë: Duhet manovruar me 15 për qindëshin, mund të arrihet si përfundim që të rëndohen kulakët më shumë nga të gjithë, që fshatarët e mesëm të paguajnë proporcionalisht më shumë se fshatarët e vobektë dhe këta të fundit të mbajnë proporcionalisht një peshë të lehtë në detyrimet. Nga këto llogaritje, psh., arrihet që 80 fshatarë të vobektë të paguajnë 40 kv misër si detyrim, 17 fshatarë të mesëm paguajnë 34 kv misër dhe nga plani i shtetit të 3 kulakët paguajnë 16 kv misër (njeri dorëzon 7 kv, sepse është më i fuqishëm ekonomikisht, njëri dorëzon 5 kv dhe tjetri 4 kv). Në këtë mënyrë plotësohet plani i grumbullimit që ishte caktuar 100 kv misër për këtë fshat. Por se akoma nuk kemi aplikuar ligjin mbi tatimin e kulakut. Për ta aplikuar këtë, caktohet më parë sasia që do t’u ngarkohet si plus, dhe duke i ashpërsuar ato, sipas rastit. Agjitatori në këtë rast i thotë kulakut (arsyeton me kulakun) se ky detyrim i është hedhur atij, sepse ai i ka mundësitë të paguajë këtë detyrim etj. etj. Por se tepricat e tij, dmth., që ai të paguaj 12 kv, kulaku i dytë të paguaj 3 kv të tepërt dmth., 8 kv gjithësej, dhe kulaku i tretë, meqë është më i dobët, të paguaj 2 kv të tepërt dmth., gjithësej 6 kv. Në këtë mënyrë, jo vetëm që plani i shtetit (100 kv) që plotësohet, por se mblidhen dhe teprica nga kulaku, në masën 10 kv për këtë fshat. I plotfuqishmi, në këtë rast nuk u pret fletë-detyrimet kulakëve vetëm në bazë të planit të shtetit, por ua pret përnjëherësh edhe në bazë të ligjit të tatimit të kulakut, dmth., kulakut të parë i pret fletë-detyrimin për 12 kv, të dytit për 8 kv, dhe të tretit për 6 kv.”