Rushit H.Kuçi: Brigada e 16S , – një histori luftimesh dhe fitoresh

Me rastin e 81 vjetorit të krijimit në Therepel,Skrapar.

Ku dhe pse u krijua Brigada e 16 sulmuese

NOA

Kolonel në pension, Rushit H.Kuçi,

 pasardhës veterani

Në qershor 1944,Lufta Antifashiste Nacional çlirimtare e popullit shqiptar , udhëhequr nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë me Enver Hoxhën në krye,pasi përballoi me sukses mësymjen e dytë të përgjthshme të armikut, kishte marrë nismën operativo-strategjike në dorë dhe , në zbatim të vendimeve të Kongresit të Përmetit, ishte hedhur në mësymje për çlirimin e plotë të vendit.Me sukses po realizoheshin veprimet luftarake në veri të vendit kurse një pjesë e ushtrisë ishte angazhuar për çlirimin e qyteteve të pjesës jugore të Shqipërisë. Në qarkun e Beratit, si rezultat i veprimeve të guximshme të forcave partizane, forcat gjermane qenë detyruar të mbylleshin në qytetet Berat, Kuçovë,Lushnje e Fier dhe në disa garnizone që kontrollonin udhëkalimet e  këtyre qëndrave. Në këtë situatë nga Shtabi i Përgjithshëm u dha urdhëri që të krijohej një brigadë e re sulmuese e cila do të vepronte në trekëndshin Lushnje -Fier-Berat. U vendos që ajo të mbante numurin kodik 16 e të organizohej më 20 gusht 1944 në fshatin me tradita lufte të Therepelit në Skrapar.Kishte disa arsye përse u caktua ky vend për të bërë inaugurimin e kësaj njësie të re lufte.Therepeli është një vend gjeostragjik ku përfshihen një varg kodrinor sundues nga Qafa e Shkozës-Bregu i Cicit-Tenda e Qypit.Së dyti,në këtë zonë kishte shumë burime njerëzore, luftëtarë të sprovuar që nuk ishin ende të inkuadruar në veprime luftarake në formacione.Së treti , pikërisht në këtë zonë , armiku në operacionin e dimrit e të qershorit kishte  pësuar dy humbje të ndjeshme, ajo në Qafën e Shkozës dhe ajo në Tendën e Qypit. Ishte krijuar, së fundi, një urrejtje e madhe për armikun në banorët e kësaj zone sepse, ishin pushkatuar çnjerëzisht 15 burra e gra jo shumë kohë më parë.Në ditën e formimit të kësaj brigade, më 20 gusht,partizanët e grumbullaur dhe rreshtuar, bënë betimin luftarak se do të mbanin lart flamurin luftarak të brigadës, do të zbatonin urdhërat dhe detyrat për çlirimin e vendit nga okupatorët dhe tradhëtarët, pa kursyer as jetën. Ishte e gjithë zona, Therepeli dhe Vëndresha me tetë fshatrat e tjerë që do t’u jepnin frymë të gjallë, mbështetje të plotë me moral, ushqim e veshmbathje, dhe frymëzim  atdhetar këtyre trimave të ardhur nga shumë anë të Shqipërisë.I deleguar i Shtabit të Përgjithshëm ishte Spiro Moisiu, Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare.

Organizimi dhe efektivi i brigadës

Në ditët e para në brigadë u numuruan rreth 530 partizanë të ardhur nga fushat e luftimeve nga Skrapari, Berati, Myzeqeja, Bregu, Vlora,Mallakastra, Kurveleshi,Fieri,etj. Me kalimin e ditëve, brigada arriti efektivin e saj në 1300 vetë.Ja disa nga  emrat e kuadrove të shtabit, të batalioneve e të kompanive: Komandant i Brigadës Rrahman Ruçi; komisar Abdyl Këllezi; zëvendëskomandant Gjon Gjoni dhe zëvendëskomisar Myzafer Trebeshina.Intedent u emërua Kozma Vasili.Në batalionin e parë komandant u caktua Petref Therepeli, njeri me histori lufte dhe komisar Beqir Rradhima;kuadro të tjerë kujtojmë: Hajdar Strora,Neki Guri,Mete Strora,etj.Në batalionin e dytë komandonin Kadri Aliu dhe Nure Dobrusha. Të tjerë:Myrteza Vlusha,Karafil Abazi,Besim Prishta etj.Në batalionin e tretë:Lyto Pashaj dhe Sofokli Papavasili si dhe nëpër kompani : Myrteza Sevrani,Sabri Shkëmbi,etj.Kujtojmë këtu disa nga pjesëmarrsit trima të Kremenarit të Mallakastrës Veledin Dano Murataj,Avni Dervishaj,Xhevit Dervishaj, Qerim Saliu(Pashaj),Muço Avdiaj etj.Por në një shkrim të shkurtër përkujtimor nuk mund të përmenden të gjithë ata partizanë guximtarë që jetuan ditë e muaj nën fishkëllimën e plumbave dhe mbi pesëdhjetë syresh flijuan jetën për lirinë e atdheut.

Disa nga aksionet më të forta luftarake të brigadës

Zona e veprimeve luftarake të Brigadës ishte:Pashniku,Aranitasi,Lokfendi, dhe thuajse gjithë Myzeqeja, një fushë kjo delikate dhe më rëndësi të veçantë.Detyrat e saj kryesore të vëna nga Shtabi i Përgjithshëm ishin:të goditeshin ashpër autokolonat armike në rrugëkalimetVlorë-Fier,Fier-Lushnje,Berat-Ura e Kuçit-Lushnje; të hidhte në erë urat dhe kazermat që përdoreshin nga forcat armike;të godiste e të shpartallonte forcat naziste, forcat e ballistëve dhe të legalitetit.

Rruga luftarake e kësaj brigade ishte paksa e shkurtër, vetëm dy muaj, por plot me sakrifica, heroizma dhe luftime  me rëndësi vendimtare për të gjithë luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare.Zhvilloi me sukses 45 aksione goditëse luftarake për gjatë 48 ditëve të mirëfillta lufte të saj.Karakteristika e parë e jetës së kësaj brigade ka qënë :  taktika e sulmit; aksione të shkurtra, goditëse e shpartalluese,marrja dhe mbajtja në dorë  e nisiativës , moslejimi i armikut për të goditur në befasi.Dy shtatori i vitit 1944 ka qënë dita e aksionit të parë të saj: batalioni i tretë posa klaoi lumin e Osumit,vendoset në kodrat e Mbrostarit dhe së bashku me forcat e batalionit të dytë sulmojnë forcat gjermane në Ardenicë duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme. Gjermanët vunë në përdorim artilerinë, por forcat partizane nuk njihnin tërheqje.Atëherë gjermanët nxorrën një autokolonë të paraprirë nga një tank e më tej forca të tjera të blinduara e këmbsorie.Në të gdhirë, partizanët minuan rrugën dhe për rrjedhojë hidhet tanku në erë dhe dështon sulmi armik.U plagos këtu partizani Hysni Qerimi.

Më 9-10 shtator  nga batalioni i katërt, i cili u krijua në vijim të luftimeve, u krye një aksion i sukseshëm kundër forcave gjermane te Ura e Kuçit.Aksioni luftarak më solid ka qënë ai për të sulmuar foract gjermano-balliste në qytetin e Fierit më13 shtator, në bashkëveprim me Grupin e Tretë të Mallakastrës.Detyrat që përcaktoi shtabi i përbashkët operativ i krijuar për  këtë aksion saktësonin : të rrethohet e asgjësohet armiku në këto zona të qytetit, me zjarr të dëndur, me tre batalione në vijën e parë dhe tre në vijë të dytë,me një forcë rezervë.Zjarri do të hapet në orën 24.00 të datës 13 shtator dhe do të ndalojë në orën 04.00 të datës 14 shtator.Pra zjarr e sulm kundër armikut,natën,me qëllim asgjësimi,shpartallimi dhe ngritje të mëtejshme të moralit të forcave  partizane dhe të banorëve të qytetit për rëndësinë dhe mundësitë reale të çlirimit të qyteteve, të fshatrave dhe të të gjithë vendit.Kujtojmë që ishte Fieri, piknyje në mes të Shqipërisë, ndaj asgjësimi i forcave gjermane këtu kishte rëndësi shumë të madhe.Ky aksion luftarak  ishte paraprirë me masa të forta organizative e bashkëveprimi; ishin marrë  masa  për zbulimin, furnizimin materialo-teknik dhe  veshmbathje- ushqimor. Luftime veçanërisht të ashpra u zhvilluan në fshatin Qenas, ku partizanët i shkaktuan dëme armikut, pavarësisht rezistencës së tij, ku u vranë edhe gjashtë gjermanë.Më pas forcat partizane u futën në qytet ku rrethuan komandaturën gjermane, vranë 15 gjermanë dhe kapën rob 13 xhandarë shqiptarë.Këtu u plagos edhe komandanti i batalionit Luto Pashaj.

Sulmi vijoi kundër formacioneve të fortifikuara në Breg-Shkozë dhe Drizë-Myrtezak.Duke u gdhirë gjermanëve iu erdhën përforcime nga Kuçova dhe Vora. Kolona e parë u prit me goditje në Qafën e Sqepurit nga forca të batalionit të katërt dhe kolona pasi la dhjetë të vrarë e tri makina të djegura,u detyrua të tërhiqet për nga erdhi.Edhe në Qafën e Koshovicës, pas një ore luftimesh armiku la 12 të vrarë.Qëllimit të aksionit luftarak në qytetin e Fierit e rrethina të tij iu arrit. Edhe më tej vijuan luftimet e forcave të brigadës në Çukaz,për çlirimin e Lushnjës,etj.

Bilançi  i luftimeve të kësaj brigade kishte tregues të shumtë lufte: nxorri jashtë luftimit rreth 500 ushtarë e oficerë të armikut;dhjetra ballistë e xhandarë u çarmatosën;u shkatërruan nëntë  tanke, pesë autoblinda, 180 automjete, dhe u kapën 400 pushkë e mitrolozë. Nga efektivi i brigadës pati 56 dëshmorë dhe shumë të plagosur.Faktorët që sollën fitore në luftimet e kësaj brigade kanë qënë të shumtë.Le të përmendim disa.Partizanët luftonin për një ideal të shenjtë, lirinë e atdheut nga pushtuesit; organizimi i shëndoshë dhe disiplina partizane; mbështetja në popull dhe bashkëveprimi i ngushtë më të gjithë banorët e zonave ku u zhvilluan luftime, për informacione, për shërim e kurim të plagosurish, për ushqime e mjete lufte, etj, etj; organizimi i mirë i zbulimit, i ndërlidhjes dhe i furnizimit materialo-teknik,etj. Kujtojmë  se format e luftimit, si prita, kërkimi, sulmi natën dhe në befasi të plotë;asgjësimi i pikave të forta dhe largimi në thellësi etj kanë dhënë rezultate shumë të mira në ato kushte, pa nënvleftësuar edhe luftimet nga transheja, në një front më të gjerë. Një tjetër faktor i pakontestueshëm ka qënë e mbetet njohja dhe përdorimi sa më racional, me krijmtari e mënçuri i terrenit të luftimeve.

Në këtë 81 vjetor të lavdishëm të kësaj brigade, ne kujtojmë e respektojmë  ata që u bashkuan me idealin e luftës për çlirim.Ne përkulemi me nderim të  përjetshëm para gjithë dëshmorëve , atyre që morën plagë në ato luftime,atyre që jetuan tmerret e asaj lufte dhe që dolën fitimtarë. Po ashtu , me këtë rast ne mbrojmë me të gjithë forcat tona shpirtërore e materiale idealet e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare e popullit shqiptar, e cila është një faqet më të shkëlqyera në historinë shumëshekullore të këtij populli.Ne kundërshtojmë dhe jemi në luftë të hapur kundër disa pinjollëve  neofashistë, disa pseudohistorianëve që mundohen të hedhin baltë mbi dëshmorët dhe qëllimet e asaj lufte apo më keq akoma të injorojnë atë fitore të pakrahasueshme që e ka vlerësuar dhe e çmon e gjithë bota përparimtare.