Dëshmia tronditëse e Ali Asllanit, si vdiq Ismail Qemali në hotelin e Romës

1608
Sigal

Mynever Shuteriqi

( Ali Asllani përmes ditarëve të Dhimitër S. Shuteriqit )

DITARI/ Nga arkiva personale dhe e pabotuar e shkrimtarit dhe studiuesit shqiptar, Dhimitër Shuteriqi

Duke botuar këto shënime ditarësh të Dhimitrit për poetin e njohur Ali Asllani kujtoj takimin tim të parë me poetin. Ishin fillimet e viteve të para të pasluftës. Ne, atëherë, si shumë intelektualë të tjerë, frekuentonim rregullisht, çdo mbrëmje pas pune “Klubin e intelektualëve”, klub i krijuar nga okupatorët italianë, përbri godinës së “Teatrit Kombëtar” të ndërtuar po prej tyre dhe që ata i kishin emëruar “Circolo Skanderbeg”. Ishte një klub tepër komod, i pajisur me shije, me kënde të shumta kolltukësh që krijonin ambiente intime për biseda midis miqsh. Atje mund të gjeje elitën e kryeqytetit të atëhershëm duke filluar nga figura të njohura të kohës si shkrimtarë, artistë, studiues, por edhe politikanë. Nuk mungonte presidenti i Republikës z. Omer Nishani, i shoqëruar nga gruaja e tij austriake ose gjermane, nëse kujtohem mirë (Nishani vrau veten në 1954. Dhimitrit i erdhi shumë keq atëherë dhe thoshte për të: “Kishte një gjuhë të bukur, jo vetëm kur fliste, por edhe kur shkruante “esprit”. Kishte përkthyer novelën e Mopasanit “Boule de suif” që e titulloi “Topi me dhjamë”). Ishin pothuaj të përhershëm ministrat Sejfulla Malëshova e Ymer Dishnica dhe komunisti i vjetër Qamil Çela, ky u fundit i sapo kthyer në Shqipëri pas një emigracioni politik të gjatë jashtë shtetit. Midis tyre njoha shkencëtarin Eqrem Çabej që shoqërohej gjithnjë nga intelektualja e njohur Sabihat Kasimati (e pushkatuar më vonë) grua e re tepër e këndshme dhe moderne. Bënte përshtypje Myzafer Pipa që shoqërohej përherë me Drita Kosturin, të fejuarën e heroit të popullit Qemal Stafa. Njoha atëherë deputetin Selahudin Toto (të pushkatuar më vonë), në rastin që Dhimitri i kërkoi një shkrim për numrin e parë të revistës: “Bota e Re” që do të dilte brenda vitit 1945 (në korrik nëse kujtohem). Në një mbrëmje të asaj kohe në mjedisin tonë (mjedis shkrimtarësh), u afrua një burrë i panjohur që m’u duk një person i veçantë për rrethin e miqve tanë, jo vetëm për moshën, por edhe për një elegancë të një lloji tjetër duke përfshirë veshjen edhe sjelljet e tij. Dolëm nga klubi në shoqërinë e tij. Kur u ndamë, i moshuari, mua vajzës së re, më puthi dorën, gjë e çuditshme dhe e pa pranueshme për mua. “Ku e ke gjetur këtë mikroborgjez që na e ftove me aq përzemërsi edhe në shtëpi” i thashë Dhimitrit. Mbaj mend që ai më qortoi, duke më thënë se nuk duhet t’i gjykosh njerëzit sipas shijeve të tua. Pastaj më tregoi se ai ishte një njeri i nderuar, poeti i njohur, Ali Asllani. Unë atëherë isha një vajzë e re e sapo dalë nga Lufta me paragjykimet që shoqëria e kohës i kultivoi dhe i thelloi. Dhimitri u miqësua me poetin Ali Asllani dhe unë fillova ta pres me përzemërsi në shtëpi dhe të ndjek me interes bisedat e tyre. Ajo që e afroi Dhimitrin me Asllanin ishte, jo vetëm poezia, por edhe kujtimet që ai ruante për të madhin e kombit Ismail Qemalin. Po botoj shënimet e ditarëve që ruhen në arkivin tonë dhe që dëshmojnë marrëdhëniet e Dhimitrit me poetin e njohur Ali Asllani.

“VLORA, VLORA!”

Sot, Ali Asllani më tregon se, ditën që ushtria shqiptare hyri në Vlorën e çliruar, më 1920, ai e veshi djalin e tij të vogël me rroba shqiptarçe dhe e bëri të recitojë përpara qeveritarëve shqiptarë vjershën që kishte shkruar gjatë luftës kundër italianëve, “Vlora, Vlora!”. Suksesi qe i madh. I sugjeruan që ta vinin në muzikë dhe këtë e mori përsipër Thoma Nashi, i cili edhe e kompozoi mbas dy-tri javësh këngën që u bë kaq popullore. Kur Aliu ia këndoi vjershën Fishtës, me rastin e ardhjes së autoriteteve vlonjate në Tiranë, pas çlirimit të Vlorës, Fishta i bëri ndonjë vërejtje, të cilën ai e zbatoi.

Tiranë, 21/6/1962

Abdullah Cangonji më thotë se Ali Asllani është keq. Urdhëroj t’i jepet një ndihmë nga Fondi Letrar. Nuk vete dot ta vizitoj: Po bëhem gati për të ikur nesër në Rubik, ku do të vendosem për dy vjet.

Tiranë, 18/2/1966

Vizitoj Ali Asllanin në shtëpi, bashkë me Odhise Paskalin. Ka tre muaj sëmurë nga një virozë dhe është e para herë që e vizitoj. Më vjen zor se nuk di si të shfajësohem që s’i shkova më parë. Po vetëm këto ditë e kam marrë vesh se është sëmurë, nga piktori Abdullah Cangonji, i cili më shoqëron dhe ai. Aliu është tretur e bërë sa një dorë. Tani është më mirë, thotë. Pjesa më e madhe e ujit që kishte mbështjellë në bark, i kaloi. Është për t’u habitur se si e mban këtë sëmundje fatale, 84 vjeç (“jam 86 sipas hexhirës, thotë, i vitit 1299”). Nuk u qa për asgjë. Nuk më kërkoi as edhe ndihmë nga Lidhja, siç e ka pasur zakon. U gëzua shumë për vizitën dhe u tregua i një optimizmi të madh. Fol e qesh tërë kohën, ndonëse nuk e kishte lehtë të flasë. Biseduam për shumë gjëra. Na tregoi se si vdiq Ismail Qemali dhe se si e varrosën në Kaninë. Odhise Paskali, që ka qenë ahere në Vlorë në shkollë, mbante mend edhe ai disa gjëra dhe aprovonte. Po kopjoj ç’tha, nga sa shkrova kur ai fliste (pasi i mora leje që të shënoj):

– Erdhi telegram në bashkinë e Vlorës, nga djemtë e Ismail Qemalit, se “babai vdiq dhe e ka lënë me testament që ta varrosnin në Vlorë”. I erdhi telegram i veçantë edhe vetë Ali Asllanit, po nga ata. Ai ishte kryetar i bashkisë, po dukej se djemtë e I. Qemalit nuk e dinin këtë. “I mora dhe i këndova të dy telegramet. I. Qemali kishte vdekur në Peruxhia. Mbas pak më erdhën në zyrë autoritetet italiane të pushtimit, që më dhanë edhe ata lajmin e vdekjes dhe më sollën ngushëllimet e tyre. Përjashta u hap lajmi se I. Qemalin e helmatisën italianët. Ç’të bënim? Unë, Spiro Koleka, Qazim Koculi, Omer Haxhiu etj., s’dinim si të veprojmë. U vendos që trupi i Ismail Qemalit të sillej në Vlorë, më 9 shkurt. Ai kishte vdekur në 26 janar. Erdhi dita. U bëra gati me të zeza (frak) dhe lajmërova popullin. Populli u derdh në skelë që në ora 9 të mëngjesit. Qëndruam tek është sot Shtëpia muze e qeverisë së Vlorës. Komandanti italian i bazës navale më afrohet dhe më thotë: “Signor sindaco, accomodatevi”. Trupi ishte në ndërtesën në fjalë. U hap dera, hymë. Ushtarë të armatosur italianë qëndronin përbrenda në nderim, te porta, te qivuri lart. Qe një qivur i madh, shumë i bukur. E hapën, kur ç’të shoh! Të vdekurit i kishin vënë flamurin italian! Unë, me delikatesë, i them komandantit italian se nuk mundem ta marr në dorëzim trupin ashtu, sepse “është flamuri i zotërisë suaj, kurse ky njeri është ai që kujtohet tamam, sepse ngriti flamurin tonë. Kam frikë se do të ofendohet populli dhe kjo do të jetë keq.” Ne u vonuam kështu dhe jashtë njerëzia filluan të ziejnë. Komandanti italian më thotë “Ne ia bëmë këtë gjë për respekt, gjer këtu. Ju mund të bëni si të doni.” Aty për aty u gjet një flamur i Shqipërisë dhe ia vumë, duke hequr italianin. E vumë mbi një karrocë të hequr nga 6 kuaj dhe të përcjellë nga 6-700 ushtarë italianë përpara. E dërguam në Vlorë. Në mes të pazarit, te xhamia kundrejt Hotel Gordonit (kjo xhami u prish këto tre-katër vjet për të zgjeruar vendin) afër komandës italiane. Në një tribunë hipën e mbajtën fjalimin Qazim Koculi dhe Jani Minga. U bë dhe një fotografi. Pastaj u nisëm për Kaninë, në këmbë, popull i madh. E varrosëm në teqen e halvetinjve, pranë Ferit Pashës, me të cilin kishte shkuar thik’ e brisk. Kur dolëm nga teqeja, vjen Elmaz Xhaver Kanina (Mustafaraj) dhe Mahmut Myftiu, të dy miq të ngushtë të I. Qemalit, pasanikë, dhe Elmazi na thotë të rrimë për darkë tek ai. U bëmë 20-25 vetë bashkë me të katër djemtë e I. Qemalit, të cilët kishin ardhur që nga Italia për të varrosur babanë (qenë Tahiri, Etemi, Qazimi dhe Qamili, ky më i vogli, 17-18 vjeç ahere). Pas buke më thonë të pyes qysh ngjau kjo vdekje e papritur dhe pyes djemtë e I. Qemalit. Tahir beu tregon: Ne e kalonim shumicën e kohës në Spanjë, kështu edhe babai, i cili deshi të rronte në një vend të papërzierë në luftë. Kur e pa se fitorja po anonte nga aleatët, babai nisi të shkojë edhe në Paris dendur. Ahere hyri në korrespondencë me Kristo Dakon që e ftonte me këmbëngulje në Amerikë për t’u takuar me Uillsonin për punët e Shqipërisë. Babai e kish edhe ai këtë qëllim. Mirëpo Noli dhe Konica nisën një fushatë të madhe në shtyp dhe me anë letrash kundër atij qëllimi. Faik beu, siç e kish gojën të ndyrë, foli shumë keq e tha se Ismail Qemalit po i mbante “era thelë” nga Amerika. Babai fillon të hezitojë, ndërsa Dakua insistonte vazhdimisht. Ahere e vizitoi babanë ambasadori italian, i cili tha se qeveria italiane i dinte qëllimet e tij dhe e ftonte të kapërcejë nga Italia para se të nisej për Amerikë, se Italia është e interesuar për mbrojtjen e çështjes shqiptare. Në Romë, ai do të takohej me kryeministrin Salandra dhe me ministrin e jashtëm Sonini. Babai nuk mund të refuzonte, sepse Italia ishte aleate e Amerikës e mund të prishte punë, po, nga ana tjetër, s’kish besim te italianët. Hezitoi dhe së fundi vendosi të kapërcejë nga Italia ndonëse kishte frikë se mos i dalin të pabesë italianët dhe e mbajnë në Romë. Kaloi një natë shumë të shqetësuar para se të nisej së bashku me ne të katër djemtë. Arritëm në Gjenevë, ku na priti prefekti i vendit dhe iu lut babait të urdhëronte në Peruxhia se Salandra dhe Sonini s’qenë në Romë. “Ah! Më tradhtuat!”, u tha babai dhe kërkoi gazetarët që të bëjë një deklaratë, por gazetarët nuk erdhën. Me nderime dhe me tren të posaçëm vajtëm në Peruxhia dhe u vendosëm në një hotel. Atje qëndruam disa ditë dhe babai kërkoi prapë gazetarë, të cilët erdhën. Po atë kohë që i ngrit të flasë, për çudi nuk i lidhte dot mendimet! U çua dhe me ngut vajti në banjë prej ku dëgjuam të na thërrasë: “Evladëm! Evladëm!”. E gjetëm duke vjellë e duke pëgërë, e ngritëm dhe e vumë në shtrat. Të nesërmen vdiq dhe ne telegrafuam në Vlorë.

Kështu na ka treguar Tahir beu, thotë Ali Asllani.

Unë përsëris ç’kam dëgjuar dhe nuk kam asnjë siguri se vërtet italianët e vranë I. Qemalin. Këtë s’e kam vërtetuar dot. Them siç dëgjova nga djali i tij i madh, Tahir beu dhe siç e dëgjuan aty dhe të tjerë. Populli besonte se e helmuan, po këto nuk thuheshin sheshit, se italianët qenë brenda në Vlorë dhe kishin një pjesë të mirë të jugut. Djemtë e I. Qemalit nga Vlora, të nesërmen, pa pyetur njeri falënderuan me telegram Titonin se u pritën mirë në Vlorë. “Mua që isha kryetar bashkie, padashur, më dhanë kështu një dackë. Si tua bënim atyre njerëzve? T’u jepnim ndihma do t’i bënin rrush e kumbulla nëpër kabaretë siç e kishin zakon. U dhamë pra vetëm disa shpenzime dhe i nisëm. T’ëmën e kishin në Napoli ku rronte që kur Vidi i kishte lidhur 50 napolona në muaj. Ajo nuk e pa Ismailin kur vdiq dhe rronte vetëm. Këto ia kam treguar edhe Skënder Luarasit, po ai i këmbeu. Unë s’them dot se italianët e helmuan siç më ka bërë ai të them në librin e tij mbi I. Qemalin. Më erdhi keq kur ja këndova dhe ja thashë. E pranoi se qe gabim shtypi. I kërkova deklaratë që unë s’i kam thënë një gjë të tillë; më tha se do ta ndreq gabimin kur të shkruaj një gjë më të gjatë për I. Qemalin. U zemëruam e u ftohëm. Skënder Luarasi ka shkruar se I. Qemali qe nisur të vijë në Shqipëri. Kjo nuk qe e mundur. Në Shqipëri qe pushtimi italian. Ai nuk donte të ishte nën Piacentinin, i cili do ta mbante si në kuvli të artë. Këtë i kishte propozuar edhe Esat Toptani I. Qemalit, po ky s’e pranoi dhe nuk i vajti.”

Tiranë, 28/2/1966

Kur u larguam nga shtëpia e Ali Asllanit, Odhise Paskali më tregoi: “Kur Ismail Qemali ngriti qeverinë e parë shqiptare në Vlorë, për shef policie vuri atje një fshatar trim, i cili punoi mirë. Kur Ismail Qemali do të largohej përfundimisht nga Vlora e thirri shefin e policisë dhe deshi ta marrë me vete, por shefi iu përgjigj: “Bej efendi, detyra ime është këtu, kurse ju duhet të largoheni.” Shoh shpesh radio Kanadanë që flet përmes TV5 franceze. Im bir po bëhet gati të ikë familjarisht e të vendoset në Kanada. Atëherë TV5 për Kanadanë do ta shoh më shpesh. Po s’di sepse, sot, duke parë TV5 për Kanadanë m’u përmend Ali Asllani, i cili kaloi një pleqëri të vështirë ekonomikisht. Kur ishte i sëmurë rëndë që priste vdekjen, vajta me Myneverin ta shoh. Më falënderoi shumë, por nuk u përmbajt e më tha: “Ti shoku Dhimitër djalin tim Luanin e ke patur shok në Lice të Korçës. Luanin e kam në Kanada, siç e di. Punon në TV. Po si nuk është kujtuar njëherë për t’anë që po i vdes i varfër? Hain djalë!” I ziu Ali që nuk e prishte gojën kurrë, e prishi për të birin, Luanin në exhel të vdekjes!

Tiranë, 11/9/1999

( Dhënë për “Telegraf”, më 03 korrik 2004 )