VENDIMI QË ÇOI GJENERALËT PARA SKUADRËS SË PUSHKATIMIT

1063
Haxhi Lleshi e Rita Marko “çojnë” gjeneralët para skuadrës së pushkatimit
Procesverbali i mbledhjes së jashtëzakonshme të Presidiumit të Kuvendit Popullor
Vendimi i byroistëve pas lutjeve të Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos për t’u falur jetën. 

Procesverbal: I mbajtur në mbledhjen e jashtëzakonshme të Presidiumit të Kuvendit Popullor datë 05.11.1975. Në mbledhje merrnin pjesë shokët: Haxhi Lleshi (kryetar), Rita Marko (nënkryetare), Telo Mezini (sekretar), Jovan Bardhi, Muharrem Sefa, Hamdi Bozo, Nuredin Hoxha, Pilo Peristeri, Spiro Moisiu, Zinja Franja (anëtare). 

Kryetari Haxhi Lleshi: Këtë mbledhje e bëjmë për të shqyrtuar vendimin e Gjykatës Speciale Ushtarake për të dënuarit me vdekje, grupin tradhtar B. Ballukun, P. Dumen, H. Çakon, të tre të dënuar me vdekje kanë bërë lutje për falje jete. Aranit Çela, Kryetar i Gjykatës së Lartë do të na shpjegojë, se si ka shkuar gjyqi, që Presidiumi të mund të vendosë. E keni fjalën juve, shoku Aranit. 

A. Çela: Gjykata e posaçme përfundimtare dënoi B. Ballukun, P. Dumen, H. Çakon me vdekje, Rrahman Parllakun me 25. Gjykimi u zhvillua gjatë 10 ditëve, që nga 25 tetori, deri sot, ora 9:00, u zhvillua në bazë të ligjit. Të gjithë të pandehurit në fjalën e fundit u shprehën se, u janë krijuar të gjitha mundësitë, për t’u shprehur për mbrojtjen. Gjykata u desh të shqyrtonte një masë materialesh të shkruara. Gjithsej u shqyrtua një material prej 18 volumesh mbi 3000 faqe të shkruara me dorë, prova të llojeve të ndryshme, dy kasa plot. Karakteristikë e veçantë e këtyre proceseve gjyqësore ushtarake, të bazuara në radhë të parë, jo në thëniet e të pandehurve, por kryesisht në dokumente, çdo të thotë kjo? Ky është një nga gjyqet, një nga rastet e rralla, që në të tilla punë, siç është tradhtia, zhvillohet vetëm kryesisht në bazë dokumentesh, natyrisht të tjerat patën influencën e tyre. Të gjitha akuzat mbështeteshin në dokumente dhe kjo ide u tregoi të pandehurve në hetuesi, në gjyq, të pranojnë. Nuk kishin nga të lëviznin, sa mundoheshin të dredhonin, menjëherë u nxirrnim dokumentet. Këtu duhet theksuar se, organet e hetimit lidhur me këtë proces kanë zhvilluar një punë të mrekullueshme. Ata, duke mos kursyer as diturinë, as mundësitë fizike, zhvilluan një hetuesi me nivel të lartë shkencor dhe shumë të zgjuar. Vetë mungesa e ndërtimit të procesit gjyqësor dhe aktakuza, e lehtësuan shumë punën e gjykatës, sepse qe një punë e zorshme, ishte e pamundur dhe 3 muaj gjyq të bëje, nuk ia dilje. Të katër të pandehurit u detyruan të pranojnë fajësinë e tyre të plotë. Ata mundoheshin të dredhonin, por u vihej dokumenti përpara dhe pastaj thoshin “Këtë e kam bërë”, se nuk kishin si të kundërshtonin, “po kjo nuk është bërë me qëllim”. 

Rita Marko: Ata çdo gjë me ndërgjegje e kanë bërë. 
Aranit Çela: Me ndërgjegje e kam bërë, por qëllime nuk kemi pasur thoshin. Por, dokumentet ua përplasën të gjitha këto. Në fjalën e fundit, që iu dha atyre, të katër të pandehurit pranuan plotësisht, se kanë kryer krime shumë të rënda, për të cilat është i justifikuar, thonë çdo lloj dënimi dhe e lanë çështjen më në fund në dorë të Gjykatës, në dorën e drejtësisë së Partisë. Akuza kundër të pandehurve, u përgatit kryesisht në pesë drejtime kryesore: 1- Lidhur me sabotimet e rolit udhëheqës të Partisë. Kjo qe një nga akuzat kryesore, që zuri pjesën më të madhe. Aty ishte materiali më i shumtë dhe shkelje, d.m.th punës armiqësore. 2- Sabotim në fushën e mbrojtjes, vendit d.m.th në fushën artit ushtarak të përgatitjes luftarake, fortifikimin. 3- Sabotim në fushën e legjislacionit dhe ekonomisë në organizimin shtetëror. 4- Sabotim në fushën ideologjike. 5- Përvetësim, vjedhje, shpërdorim dhe maskarallëqe të tjera të bëra. 

Dokumente në lidhje me personalitetin e të pandehurve 
Dokumentet që këta ka pasur dispozicion armiqësor të hershëm. Kjo nuk është çështje e një viti, apo dy. Për B. Ballukun doli qartë dhe ai i pranon të tëra, që dispozicioni i tij armiqësor ka filluar në 1974-ën. Ai del i implikuar me jugosllavët. U gjend edhe shkresa, që ndihmoi shumë për ta bërë të pohonte. Këtë shkresë, ia ka dërguar Teki Kolanecit, letër nga Beogradi. Ka treguar se, menjëherë ka bërë planizimin e lëvizjes D8K, që do të lëvizë në Gjirokastër, divizioni do të largohej, që të futeshin divizionet jugosllave dhe i thoshte shqiptarëve, me qëllim që t’u bëhej vend Forcave të Armatosura Jugosllave. Me funksion të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, mori të gjitha masat, u ka bërë planet dhe të gjithë janë shkruar në letër ato. Mbas asaj që kanë ardhur këtu, se këtu u zhvillua një debat për ta lidhur atë i tha “Po mirë, pse e bëre këtë? Po ja, -tha, pata besim, se më thirri Titua. Beqir Balluku ka pasur një takim personal me Titon, pa e thirrur Kristo Themelkon, vetëm ky Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Jugosllavisë dhe është vënë përpara. Ai thotë, që më vunë përpara një situatë të paditur, më nxorën harta dhe më thanë, që grekët kanë ardhur në kufij, do të sulmohet Shqipëria. Ju thashë të pyes komandën shqiptare. Titua mori telefonin dhe ka lajmëruar shpejt Koçi Xoxen, se gjendja është e tillë dhe të lajmërohet ai dhe pastaj në radhë të dytë, edhe komandantin d.m.th “edhe komandantin”. “Me këtë konditë u binda”, – thotë B. Balluku. Mirë, u binde atje me jugosllavët, i themi ne, po pastaj ti erdhe në Shqipëri. Herën e parë na gënjeu. Na tha që unë kam ardhur të nesërmen me aeroplan në Shqipëri, ndërsa një dokument del që nuk ka ardhur, se Beogradi 1-2 orë larg është, jo një ditë, po aty dolën pesë ditë diferencë. Më në fund, pranoi se kishte gënjyer dhe tha që kishte ardhur deri këtu, pas katër ditësh. “Kur erdha, -thoshte pas katër ditësh, -më mbajti Kristo Themelko letrën dhe i tregoi bisedën me të. Më mbajti ai (Kristo Themelko) dhe pastaj shkova”. Mirë i thamë ne, pse vajte tek komandanti i Përgjithshëm dhe i the mirë, ç’të tha komandanti? Më tha “Bllof, dhe e hodhi poshtë gjithë këtë version”. Atëherë ne i themi kështu, të tha komandanti, po pastaj ç’bëre, ku vajte? Feti Smokthina, u pyetën komandantët e regjimenteve nga popullsia në Përmet dhe regjimentet e Përmetit në Gjirokastër, që lirohej divizioni i 8-të të vinte në Përmet, e në krahun e Kolonjës, ndërsa ata (jugosllavët të merrnin Korçën). Po mirë, i thamë, po nga komandanti, kur vajte ti Petrit Dumja deponon se, ishte komandanti që të tha një pjesë Kupershenkon nga fjalët e bisedës, që kishte bërë me të. Këta të tjerët thonë këtu, pranojnë që kanë dhënë urdhër për lëvizjen divizionit, regjimentit të Pogradecit për në Përmet edhe forcat e divizionit të Gjirokastrës për lëvizje, një pjesë të forcave se, nuk arrita t’i lëvizja të gjitha. 

Rita Marko: Domethënë në bazë të urdhrave të Titos. 
Pilo Peristeri: Dhe thonë, që e kanë bërë pa qëllim. 

Kryetari H. Lleshi: “ Qëllime nuk kanë pasur”, po vetëm se kanë dashur që të pushtohej Shqipëria prej Titos. Aranit Çela “Nuk i pranoi Beqir Balluku, se ka qenë i parapërgatitur, përpara se të vinte shoku Enver. Kur erdhi ai, kur erdhën jugosllavët tek shoku Enver, atëherë që kërkonin hyrjen e forcave, e kanë parapërgatitur, kërkonin tha, por mohonte këtë, që unë nuk u thashë se e mbrojta tezën e tyre. Kur vajta atje, tha shoku Enver, nuk e pranova diskutimin, sa u hap fjala, na nxori jashtë të gjithëve, kur foli shoku Enver, unë e mbështeta shokun Enver. Ne i thamë, po ti e mbështete shokun Enver, ç’do bëje ti, edhe sikur ta ketë mbështetur ky, tha se kjo është “bllof” i yti, nuk ka forca që ti të hyje këtu. Me një fjalë, që këtu del, mirëpo nuk mbaron këtu, se ai ra ngushtë, pastaj pranoi që kam qenë nën influencën politike Jugosllavëve, kanë qenë për bashkimin e ushtrive, i kam dhënë fjalën Titos, atje dhe në Beograd që ndenja, qëndrimi që kam mbajtur, nuk ka qenë i drejtë, unifikimin e ushtrisë. Mbas kësaj tregon lidhjet, që kishin me Tuk Jakovën. Kam qenë kundër dënimit të Tuk Jakovës, pranonte që kishte pasur biseda me Tuk Jakovën, për gjëra me të cilin ishte në opozicion. Tregonte raste konkrete të bisedave me të. Me Liri Belishovën, thoshte kam pasur miqësi të ngushtë, kemi hyrë në terrenin politik dhe kemi qenë dakord me ato pikëpamje, që shfaqte në atë kohë Liri Belishova për çështjen e hapjes së politikës shqiptare d.m.th pasimin e Hrushovit. Hrushovi kërkonte politikë të hapur. 

Rita Marko: Po, të dyerve të hapura, me Kongresin e XX. 
Aranit Çela: Po, thoshte Beqir Balluku, unë e kam mbështetur këtë politikë, por kam treguar, d.m.th që të kem vepruar, vetëm kam përkrahur ata e kam biseduar. 
Kryetari: Dhe n.q.s. ka treguar, kur ka qenë dakord, d.m.th ka pasur frikë, po ku mund t’i besojmë ne. 
Aranit Çela: Që nuk ka pasur rëndësi fare, kemi pasur pikëpamje sovjetike dhe për sa i përket çështjeve kryesore të politikës së përgjithshme të Partisë. Unë, tha nuk e kam besuar se, Bashkimi Sovjetik është kthyer në një vend kapitalist. Unë kam menduar gjithmonë se partia jonë i thotë këto gjëra për arsye politike dhe se në Bashkimin Sovjetik ekziston socializmi akoma, këto janë konflikte midis partive. Kam qenë, i tha për politikën e hapur, për lidhje me Perëndimin, kam qenë se mund të lidheshin marrëdhënie me BS dhe i kam shprehur këta, edhe ua kam thënë Dashnor Mamaqit edhe… 

Kryetari: Ua ke thënë, që ne të lidhim marrëdhënie me BS, marrëdhënie diplomatike, marrëdhënie ekonomike e jo politike. Të gjitha këto tablo, që i jepte ky, kishte disa pikëpyetje, në lidhje me hapjen e dyerve, si psh: Uzina “Traktori” të kishte lidhje direkt me Italinë etj, t’u lihej këtyre ndërmarrjeve me shumë iniciativë dhe bashkëveprim. D.m.th, ai qe për “vetëadministrim”, si në Jugosllavi është i njohur ky, këtë pikëpamje i tha, i kam futur në ushtri dhe në disa raste dhe jam i atij faktit, që vërtetohet aty, në krijimin e ndërmarrjeve, në decentralizimin e kompetencave të tij, kompetenca që jua ka dhënë poshtë komandave etj., janë të vërtetuara me dokumente ato, të gjithë në kundërshtim me ligjet e shtetit, këtij i kam, tha, por vetëm në ushtri, këtu kemi qenë në përgjithësi për pikëpamjet. Nga procesi gjyqësor dhe hetimor për B. Ballukun, del që nuk është fjala për veprimtari armiqësore, vetëm brenda ushtrisë dhe vetëm këto vitet e fundit, që nga letra e hapur, kjo është të paktën, që nga viti 1947, siç thotë ai. 

P. Peristeri: Dhe është fshehur kaq vjet. 
A. Çela: Për sa i përket P. Dumes, H. Çakos, R. Parllakut, vepra e tyre është e lidhur me opozicion, që nga dalja e Letrës së Hapur dhe nga shpallja e Tezave të Këshillit të Mbrojtjes. B. Balluku thoshte që, unë nuk e prisja një proçkë nga Petrit Dumja, se është një aventurier dhe pranoi që aventurizmi e ka karakteristikë, që ka qenë i pakënaqur, që ka pasur mendjen e tij, të bëjë këtë apo atë. P. Dume është një tip tamam, siç e ka karakterizuar shoku Enver, tip puçist, shumë i rrezikshëm, që mund të bëjë çdo proçkë. Hito Çako si tip, si na doli në gjyq ,na doli tamam, ashtu siç e kishte parashikuar Partia dhe shoku Enver, tip inteligjent. Ai ishte aleati i fundit i tragjedisë, d.m.th shkonte si tek Beqiri, si tek Petriti, e rregullonte me njërin, pastaj me tjetrin, ai lejonte kudo, si “xholi” në të gjitha këto punë, ysht njërin, ysht tjetrin. Petrit Dume, megjithëse e pakta i bëri një përcaktim Hito Çakos, d.m.th për të, se është më i poshtër, më i djallëzuar dhe më vagabondi. Të gjithë ne jemi të paktën, tha P. Dume, por ky nuk është njeriu i duhur, që të vriste natën, kur ti doje, apo i pabesë, njeri që mundohej, që të gjitha intrigat të përdorte, i zgjuar sa të duash. 

Kryetari: I zgjuar për intriga. Dhe këto të këqija ai i kishte, i poshtër, i zgjuar dhe njeri me vullnet për të studiuar të këqijat. Nga të gjithë ky grup, ai bënte më shumë marifete, të studiuara e të shkruara. Sa i përket R. Parllakut, ai është me rezerva karshi Partisë, por më të vogla si grup intrigues për pozitën, që mbante për aktivitetin, që kishte treguar. 

Rita Marko: Gjithnjë ama me opozicion, me rezerva. 
Aranit Çela: Me rezerva po i paraqiste, se këta nuk i kanë pasur me qëllim. I kemi bërë, kështu ishte, por unë, tha, bashkohem plotësisht me këto aktakuza, ndoshta një çikë me vonesë, po kështu është, ky ishte personaliteti i tyre. 

Në lidhje me akuzat Telo Mezini: 
Për Rrahmanin dhe Hiton nuk dolën gjë lidhjet e tyre me Koçi Xoxen e të tjerë. Kryetari: Se edhe Rrahmani ka qenë me Koçin. 

R. Marko: Këta kanë qenë agjentë këtu. 
A. Çela: Në konkluzion, në vendimin e gjykatës, del që të katër këta, për mënyrën se si e kanë zhvilluar veprimtarinë, por kontaktet, që kanë pasur dhe punën që kanë pasur dhe punën që kanë bërë, këta janë agjentë të sovjetikëve, Jugosllavëve. 

Kryetari: Metodat, mënyrat që kanë përdorur ata, ushtria është. 
A.Çela: Ata u akuzuan në pesë drejtime: Në lidhje me sabotimin dhe rolit udhëheqës të Partisë, atje doli një tabelë e qartë. Materialet e Pleniumit K.Q.P.P.SH-ja janë kundër të gjithë, nuk bisedohet për ato, por mbas kësaj kohe, duke bërë hetime të hollësishme, duke marrë dokumente, këto materiale të Partisë se, thellimi akoma më shumë në këto dokumente, tablo krejt të kapshme, por konkluzione, që dhe Partia nuk mund të heqësh asnjë presje. Ne, duke gjykuar e diskutuar, ballafaquar, na binin menjëherë në mend thëniet e Partisë dhe thoshin me njëri-tjetrin, se Tahirin e kërkonin afër, doli kjo, doli ajo që ka thënë Partia. Të gjithë një pas një, e çuditshme. Për atë situatë, që u krijua në Plenium, meqë e jetuam, të vija dhe në gjyq tek isha unë të shikoja, që ne kishim dokumentet përpara, edhe mendoja ne kemi kaq dokumente, që po shikojmë dhe po nxjerrim konkluzione, po atje në plenium të gjitha këto dokumente nuk ishin, ishte vetëm konkluzioni, është aq i saktë, aq i përpiktë, sa ç’t’u them më tepër. 

Pilo Peristeri: Syri i mprehtë shikon. 
A.Çela: Po syri i mprehtë shikon, po s’flisnim për vete ne që nuk e kishim të mprehtë. 
Telo Mezini: Është Enver Hoxha ai.
Haxhi Lleshi: U lihet në fuqi dënimi me vdekje për tradhti të lartë ndaj atdheut
Aranit Çela: Prishën dhe makineritë, që ishin për këta, se ato duhej të përdoreshin për t’i bërë gjërat afife. Kishin marrë shumë materiale dhe Koço Theodhosi ua kishte dhënë në kundërshtim me qeverinë. Kanë marrë nga rezerva shtetërore tubacione e çfarë nuk kanë bërë për nevojat e tyre, që të bënin stadiume dhe palestra. 

Pilo Peristeri: Në këto gjërat ekonomike, ata nuk pyesnin fare. 
Aranit Çela: Jo, jo atje bënin ç’të donin. 

Kryetari: Ata thoshin se ushtria ka ligjet e veta. 
Pilo Peristeri: Na vodhën, edhe një transformator atëherë. 
Rita Marko: Ehu sa lëndë druri kanë vjedhur ata nëpër sharra e gjetkë. 
A.Çela: Në lidhje me veprimtarinë armiqësore në frontin ideologjik. Këtu që, edhe ajo që doli në Plenium, po këtu janë më të kalkuluara gjërat se, kanë në dokumente. Nga dokumentet u provua se kishte një garë se kush të përkëdhelte e të shpërndante sa më shumë material revizionist. Nga një kontroll, që u bë nga qeveria dhe rezultati, që morëm në gjyq në gjashtëmujorin e parë 1974, drejtoria e zbulimit kishte shpërndarë 30 000 copë libra të vendeve kapitaliste, revizioniste, përveç saj kishte 176 000 copë libra të shpërndarë. 90% e këtyre materialeve i përkisnin botimeve sovjetike mbas 1960. 

Pilo Peristeri: Shqip apo rusisht? 
A.Çela: Kishte gjithë ato përkthime, kur i thua kështu duket si teori, por po të shikosh janë element librash. 
Kryetari: Janë harxhuar miliona lekë. 
A.Çela: Po, thasë të tërë me libra të përkthyera rregullore, të gjitha revizioniste sovjetike. 
Kryetari: Kryesorja ka qenë se edukohej brezi i ri me ideologji borgjezo-revizioniste. 
A.Çela: B. Balluku dërgonte letër reparteve e u thoshte këtyre shefave, që të lexonin përkthimin “Shikoni psikologjinë ushtarake”. Libër sovjetik i përkthyer në shqip, ishte një libër i shkëlqyeshëm. “… Si more t’u mbylltë dhe që ta lexoje atë libër ishte i poshtër vërtet dhe, sikur revizionist të mos ishte”, prapë ata kanë psikologjinë e tyre. Ishte shtet 200 milion. Ç’punë kemi me ta? 

Kryetari: Po këta ç’thonë? 
A.Çela: E kemi bërë thonin, sepse sipas koncepteve tona ka një të vërtetë absolute të dhënë me këto çështjet, që është e përbashkët për të gjithë shtetin. Petriti në mes të gjyqit mbronte ketë, që mendimi im, zoti gjyqtar në radhë të parë në ushtri është edukimi ushtarak. Po si more edukimi ushtarak?! D.m.th, në radhë të parë pushka “lufta bëhet me pushkë”. Po pushkën do ta përdorë njeriu. Një debat i tërë në gjyq me P. Dumen. Rreth kësaj teorie, haptazi i thoshte: për të ishte edukimi ushtarak, i pari dhe jo koka. Krejt armiqësore. Dalin çështjet e vjedhjeve. Janë vjedhur shumë gjëra. Të ulëta fare. Çfarë nuk është vjedhur. Vinte nga Qafezeza e Kolonjës bakllavaja në Pogradec. Donte kuleç, po çfarë kuleçësh?! Kur u demaskua Petriti, vajta unë në Pleniumin e Kolonjës, asistova në atë aktivin ushtarak të merrja të dhëna dhe vajta unë për herë të parë, që u kritikua Petriti. U shpërthye më në fund ajo dhe doli ajo paria atje me Mitraqin në opozicion, po të tjerët shpërthyen në atë plenium. Doli atje përgjegjësi i ndërmarrjes ushqimore, ishte dhe një çikë karagjoz e mu kujtua se doli në gjyq kjo e më tha mua atje “Shoku i deleguar, por kur më kërkoi Petriti një herë një kulaç, se ai kulaçi donte një miell të situr të misrit dhe 1 kg e gjysmë gjalpë dhe, si përfundim gjalpi ngeli pa paguar”. Kishin gjëra të tilla për të qeshur, vinte si në mall të babit. Ai drejtori i shtëpisë së oficerëve më tha: “Çfarë do t’i bënim ne, qengji ishte aty dhe po blegëronte dhe Petriti tha: “Zëreni dhe thereni se do ta hamë sonte”. Po u grumbulluan shumë për të ngrënë, atëherë tha: “Merreni dhe tjetrin dhe thereni”. E çdo bëja unë? Si ishte ai qen bir qeni. Çfarë s’bënte ai?” 

P. Peristeri: Po lekë për fëmijët? 
A. Çela: Jo. 
R. Marko: Merrnin ushqime se loznin me “Partizanin”. 
A. Çela: Ushqime merrnin sa të donin. Madje u gjet dhe një dokument, që po bënte ky drejtori i shtëpisë qendrore, qen bir qeni, Piro Lena që hanin pa lekë fare dhe vinin këtu me gjithë familjet dhe hanin e pinin. Nga këta kishte plot. Vetëm Beqirit i dolën gjysmë milion lekë për vjedhje dhe shpërdorim. 

R. Marko: Ai do të ketë ngrënë më shumë. 
P. Peristeri: Po këta të tjerët nuk u dënuan, apo janë më vonë? 
A. Çela: Ne e ndaluam procesin se ishte gati për t’u gjykuar, se sa u bë ky gjyq me qëllim që populli mos ta dëgjonte ato gjëra të vogla, pa gjykuar këto kryesorët. Ai gjyq do të bëhet nga java që vjen, në përgjithësi kjo ishte. 

Kryetari: Me vdekje, ashtu siç ka vendosur gjyqi. 
Rita Marko: Jemi plotësisht dakord me Gjykatën e Lartë. 
Telo Mezini: Atëherë, t’u refuzohet kërkesa për faljen e jetës. Vendoset që Beqir Balluku, Petri Dume dhe Hito Çako dënohen me vdekje (pushkatim) nga Gjykata e Posaçme ushtarake, t’u refuzohet kërkesa për faljen e jetës. Mbyllet mbledhja në Tiranë, më 5.11.1975 Sekretari i Presidiumit Telo Mezini
Vijon

Përgatiti për botim Albert Kotini
Sigal