Në 76-vjetorin e fitores mbi nazizmin

407
Sigal

Në kujtim të luftës më të tmerrsme. Mobilizuese për ushtarët sovjetik dhe të gjithë popullin u bë motoja: “Çështja jonë është e drejtë! Armiku do të thyhet! Fitorja do të jetë e jona!” Heroizmi i Ushtrisë së Kuqe, Marshalli Zhukov, 20 milion dëshmorët dhe 500 mld USD dëme me kursin e 1941

 

Mobilizuese për ushtarët sovjetikë dhe të gjithë popullin u bë motoja: “Çështja jonë është e drejtë! Armiku do të thyhet! Fitorja do të jetë e jona!”

Në kujtim të luftës më të tmerrshme

(Me rastin e 76-vjetorit të fitores mbi nazizmin)

Shtatëdhjetegjashtë vite më parë u shpartallua fashizmi gjerman. Mbi rajhshtagun gjerman në Berlin, u ngrit Flamuri i kuq i Fitores. Duke kremtuar këtë datë, ne jo vetëm nderojmë brezin e fitimtarëve, por edhe përpiqemi të nxjerrim mësimet e duhura nga e shkuara historike jo fort e largët dhe të vlerësojmë gjendjen e sigurisë së vendit në kushtet e sotme të vështira.

Çfarë ishte lufta e kaluar për popullin sovjetik?

Ajo ishte një luftë ku vendosej fati për jetë a vdekje i Bashkimit Sovjetik. Në altarin e fitores u vunë viktima kolosale. Njëzet e shtatë milionë  jetë vetëm të shtetasve të BRSS. Pushtuesit gjermanofashistë shkatërruan dhe dogjën 1710 qytete dhe qendra banimi sovjetike, mbi 70 mijë fshatra të mëdhenj e të vegjël. U shkatërruan më shumë se 6 milionë shtëpi, gati 32 mijë ndërmarrje industriale, 84 mijë shkolla, teknikume, shkolla të larta dhe institute kërkimore shkencore, 40 mijë spitale. Mbetën pa strehë 25 milionë njerëz. Lufta e Madhe Patriotike ishte më shkatërrimtarja, që kishte provuar Rusia. Komisioni i Jashtëzakonshëm Shtetëror për përcaktimin dhe hetimin e krimeve të pushtuesve gjermanofashistë dhe aleatëve të tyre shqyrtoi afër katër miliardë akte mbi dëmet e shkaktuara popullit sovjetik gjatë pushtimit. U llogarit, që vetëm dëmi i drejtpërdrejtë, arrin 679 miliardë rubla (me çmimet e v. 1941), ose 128 miliardë dollarë amerikanë. Në tërësi dëmi material, që iu shkaktua Bashkimit Sovjetik gjatë viteve të luftës, arrin 2569 miliardë rubla, ose një e treta e pasurisë kombëtare ose rreth 500 miliardë USD, gjithmonë  me çmimet e vitit 1941. Nuk ka vend në botë, që të ketë paguar të tillë çmim kolosal për fitoren mbi fashizmin gjerman. Kjo fitore shpëtoi nga vdekja jo vetëm popujt e BRSS, ajo shpëtoi nga murtaja e murrme të gjithë planetin. Sot merr aktualitet të veçantë sqarimi i shkaqeve, burimeve, ecurisë dhe pasojave të Luftës së Dytë Botërore. Për këtë na detyron gjendja ndërkombëtare e ngatërruar, e barsur me konflikte të reja ushtarake.

Më 22 qershor 1941, Gjermania fashiste sulmoi Bashkimin Sovjetik

Lufta e Madhe Patriotike nisi më 22 qershor 1941, me sulmin e pabesë të Gjermanisë fashiste kundër Bashkimit Sovjetik në kushtet kur, Lufta e Dytë Botërore, e nisur më 1 shtator 1939, zhvillohej me ritëm të plotë. Në të merrnin pjesë nga njëra anë Anglia, Franca, SHBA, nga tjetra – Gjermania hitleriane dhe aleatët e saj. Lufta e Dytë Botërore tërhoqi në orbitën e saj 61 shtete. Veprimet luftarake u zhvilluan në territorin e 40 vendeve, si dhe në dete dhe oqeane. Gjermania fashiste arriti të vërë në shërbim të synimeve të veta agresive rezervat njerëzore dhe materiale gati të të gjithë Europës. Në Vermahtin gjerman shërbenin një numër i konsiderueshëm shtetas të vendeve të tjera europiane (austriakë, francezë, kroatë, flamandas, gjermanë të Sudeteve, bullgarë, çekë, polakë, estonë, letonë, lituanezë, etj.). Në forcat e armatosura të Gjermanisë kishte 8 divizione të huaja, në trupat SS – 26 divizione vullnetare. Gjithsej mbi 1 mln 800 mijë vetë, shtetas të vendeve të tjera shërbenin në Vermaht dhe në trupat SS. Hyrja e BRSS në luftë me Gjermaninë jo vetëm i rriti përmasat, por ndryshoi edhe karakterin e saj. U krijua koalicioni antihitlerian, antifashist për nga thelbi i tij. Në këtë koalicion Bashkimi Sovjetik luajti rol vendimtar në shpartallimin e Gjermanisë fashiste. Në gusht të vitit 1945 u zhvillua operacioni i suksesshëm strategjik i Mançurisë, gjatë të cilit Ushtria e Kuqe shpartalloi njërin prej grupimeve më të fuqishme japoneze – armatën e Kuantunit. Japonia kapitulloi. Lufta e Dytë Botërore përfundoi. Lufta e Madhe Patriotike e viteve 1941-1945 ishte luftë e drejtë, me karakter mbrojtës. Bashkimi Sovjetik luftonte për lirinë dhe pavarësinë e tij në aleancë me vende të tjera të koalicionit antihitlerian. Ajo qe luftë kundër fashizmit, kundër ideologjisë raciste të nazizmit. Që në orët dhe ditët e para të luftës udhëheqja më e lartë politike dhe ushtarake sovjetike zhvilloi një punë kolosale organizative, për ta kthyer ekonominë e vendit në shina të luftës, për ta bashkuar popullin dhe ushtrinë për t’i bërë ballë agresorit. Ditën e dytë të luftës, më 23 qershor, për udhëheqje strategjike u krijua Shtabi i Komandës së Përgjithshme. I gjithë pushteti i plotë u përqendrua në duart e Komitetit Shtetëror të Mbrojtjes, të krijuar më 30 qershor, me në krye J.V.Stalinin. Më 3 korrik, në fjalën e mbajtur në radio, J.V.Stalini analizoi shkaqet dhe karakterin e Luftës së Madhe Patriotike të saponisur, parashtroi masat, që duheshin marrë, për likuidimin e rrezikut, që i kanosej vendit; tregoi, se në luftë kundër fashizmit gjerman na përkrahin popujt e Europës dhe Amerikës; shprehu besimin te fitorja mbi armikun. Mobilizuese për ushtarët sovjetikë dhe të gjithë popullin u bë motoja: “Çështja jonë është e drejtë! Armiku do të thyhet! Fitorja do të jetë e jona!”

Më 10 korrik, me vendim të Komitetit Shtetëror të Mbrojtjes, Shtabi i Komandës së Përgjithshme u kthye në Shtab të Komandës së Përgjithshme Supreme me në krye J.V.Stalinin. Në të bënin pjesë: V.M.Molotovi, G.K.Zhukovi, S.K.Timoshenko, S.M.Budjoni, K.E.Voroshilovi, B.M.Shaposhnikovi; më 19 korrik J.V.Stalini u emërua Komisar i Popullit për mbrojtjen, kurse me 8 gusht – Komandant i Përgjithshëm Suprem i forcave të armatosura të BRSS

Më 10 korrik, me vendim të Komitetit Shtetëror të Mbrojtjes, Shtabi i Komandës së Përgjithshme u kthye në Shtab të Komandës së Përgjithshme  Supreme me në krye J.V.Stalinin. Në të bënin pjesë: V.M.Molotovi, G.K.Zhukovi, S.K.Timoshenko, S.M.Budjoni, K.E.Voroshilovi, B.M.Shaposhnikovi; më 19 korrik J.V.Stalini u emërua Komisar i Popullit për mbrojtjen, kurse me 8 gusht – Komandant i Përgjithshëm Suprem i forcave të armatosura të BRSS.

Për shkak të rrezikut të lindur për rajonet ekonomikisht të rëndësishme, në thellësi të vendit (në Urale, Siberi, Povollzhje, Azi e Mesme) u shpërngulën qindra ndërmarrje industriale, rezerva ushqimore, vlera materiale dhe kulturore, qindra institute shkencore, biblioteka, muzeume. Në luftën kundër pushtuesve fashistë u ngrit praktikisht i gjithë populli sovjetik. Që më 22 qershor u miratua dekreti i Presidiumit të Sovjetit Suprem të BRSS për mobilizimin e 13 moshave. Në çastin e sulmit të Gjermanisë kundër BRSS në shërbim ushtarak ishin 4,5 mln vetë. Gjatë viteve të luftës në ushtri dhe në flotë shërbyen 34,5 mln njerëz. Nga numri mesatar vjetor i forcave të armatosura prej 11,4 mln njerëz 6,7 mln ishin në ushtrinë aktive. Në frontet e luftës më shumë se 800 mijë ishin femra. Qindra mijë vetë u futën në njësitë vullnetare dhe reparte të policisë popullore. Vetëm gjatë verës dhe vjeshtës së vitit 1941 mbi 40 divizione të milicisë popullore hynë në luftë kundër armikut me cilësinë e njësive të pavarura. Vendin e mbrojtën njerëz të të gjithë popullsive dhe kombësive, që banojnë në BRSS dhe të gjithë flijuan në altarin e fitores. Të dhëna interesante u morën mbi bazën e analizës së përbërjes të kombësive të 200 divizioneve pushkatare, të cilat në vitin 1944 numëronin mbi 1 mln vetë. Në përbërje të tyre ishin: rusë – 58,3%, ukrainas – 22,27%, bjellorusë – 2,66%, uzbekë – 2,02%, kazakë – 1,57%, armenë – 1,36%, estonë – 1,01%, taxhikë – 0,46%, kirgizë – 0,36%, turkmenë – 0,4%, letonë – 0,29%, lituanezë – 0,14%. Gjatë luftës u krijuan divizione kombëtare: kazake – 3, nga 1 – leton, lituanez, azerbaixhanas, bashkir, gjeorgjan, armen, korpusi eston dhe njësi të tjera kombëtare. Miqësia e popujve të BRSS, e formuar mbi bazën e rendit socialist, qe ndër faktorët më kryesorë të qëndrueshmërisë dhe forcës së shtetit, falë të cilës vendi i bëri ballë dhe fitoi në luftën më të vështirë. Forcat e armatosura sovjetike gjatë luftës zhvilluan mbi 50 operacione të grupimeve të fronteve, gati 250 operacione fronti dhe 1000 – armate. Dhjetëra mijë beteja dhe luftime, gjatë dhe si rezultat i të cilave u shpalos epërsia e artit ushtarak sovjetik, niveli i lartë i udhëheqjes strategjike dhe mjeshtërisë luftarake të efektivit komandues, politik dhe e të gjithë luftëtarëve të ushtrisë dhe flotës. Nga numri i përgjithshëm i humbjeve në njerëz, që pësoi ushtria gjermanofashiste në Luftën e Dytë Botërore, më shumë se 73% i përkasin frontit sovjetik-gjerman. Pikërisht këtu u shpartalluan forcat kryesore të Gjermanisë dhe aleatëve të saj – 607 divizione, kur nga trupat anglo-amerikane 176 divizione. Forcat e armatosura të BRSS shkatërruan edhe pjesën dërrmuese të teknikës luftarake të kundërshtarit.

Operacioni strategjik i Moskës nisi më 5-6 dhjetor 1941. Në pjesë të veçanta të frontit gjermanët u zbrapsën nga 100 deri 250 km drejt kufirit perëndimor. Në thelb, kjo ishte disfata e parë e madhe e vermahtit në kuadrin e Luftës së Dytë Botërore

Çlirimi i territorit të BS, operacionet strategjike të Moskës, Stalingradit, Kurskut,  Bjellorusisë dhe mësymja për  çlirimin e vendeve të Lindjes dhe Ballkanit.

Operacioni strategjik i Moskës nisi më 5-6 dhjetor 1941. Në frontin me gjatësi 900 km Ushtria e Kuqe kaloi në mësymje. U arrit qëllimi kryesor: trupat e Vermahtit u zmbrapsën nga Moska në largësi të parrezikshme. Në pjesë të veçanta të frontit, gjermanët u zbrapsën nga 100 deri 250 km drejt kufirit perëndimor. Në thelb, kjo ishte disfata e parë e madhe e Vermahtit në kuadrin e Luftës së Dytë Botërore. Fitorja e Ushtrisë së Kuqe në këtë betejë davariti mitin mbi pathyeshmërinë e Gjermanisë. Në prill 1942, Moska dhe qarku i Moskës u çliruan plotësisht nga trupat gjermane. Nisi kështu çlirimi i territorit sovjetik nga pushtuesit. Në nëntor 1941 nisi beteja e Stalingradit. Ushtria e Kuqe i dha goditje të fuqishme nga krahët grupimit të trupave gjermane, çka bëri, që ato të bllokohen. Në janar 1943 grupimi u rrethua plotësisht dhe Ushtria e Kuqe nisi likuidimin e tij. Beteja e Stalingradit përfundoi më 2 shkurt 1943. Ushtria gjermane pësoi humbje të rënda në të vrarë dhe të plagosur. Gati  100 mijë ushtarë dhe oficerë me në krye feldmarshallin Paulus u zunë rob. Fitorja e Ushtrisë së Kuqe në betejën e Stalingradit pati rëndësi kolosale. Ajo i dha mundësi Bashkimit Sovjetik të ndryshojë ecurinë e luftës, të marrë iniciativën strategjike për të mos e lëshuar deri në fitoren e plotë mbi Gjermaninë fashiste. Rrethanë tjetër ishte fakti, që aleatët e Gjermanisë, Turqia dhe Japonia, hoqën dorë nga planet për të hyrë në luftë kundër Bashkimit Sovjetik. Në korrik-gusht 1943 u zhvillua beteja e Kurskut, e cila u bë pjesë përbërëse e planit më të rëndësishëm strategjik të fushatës verë-vjeshtë 1943. Ajo përfshiu operacionin strategjik mbrojtës të Kurskut (5-23 korrik) operacionet mësymëse, të Orlovit (12 korrik-18 gusht) dhe të Bjellgorod-Harkovit (3-23 gusht). Grupimet e trupave gjermane në këto drejtime u shpartalluan. Për nga përmasat, forcat dhe mjetet pjesëmarrëse, rezultatet dhe pasojat ushtarake-politike, beteja e Kurskut vlerësohet si njëra ndër betejat kyçe të Luftës së Dytë dhe Luftës së Madhe Patriotike. Kthesa rrënjësore në ecurinë e Luftës së Madhe Patriotike e nisur në Stalingrad u krye. Më 23 qershor deri më 29 gusht 1944 u zhvillua operacioni strategjik i Bjellorusisë, gjatë të cilit u çlirua territori i Bjellorusisë, Polonisë Lindore dhe një pjesë e Priballtikut. Ushtria gjermane pësoi humbje të rënda. U shpartallua plotësisht grupimi i armatave “Qendra”, më i madhi grupim ushtarak i Vermahtit. Grupimi i armatave “Veriu” u vu në rrezik disfate të plotë. U krijua mundësia për mësymjen e mëtejshme të trupave sovjetike me synim çlirimin e Polonisë dhe përparimin e mëtejshëm të Ushtrisë së Kuqe drejt Gjermanisë dhe Ballkanit. Për afër 7 muaj Ushtria e Kuqe çliroi Rumaninë. Në gusht 1944 u zhvillua operacioni me rëndësi të veçantë strategjike Jaso – Kishinevsk, gjatë të cilit u asgjësuan forcat kryesore të grupimit të armatave “Ukraina e Jugut” dhe doli nga lufta në anën e Gjermanisë hitleriane Rumania. Operacioni Jaso – Kishinevsk ndikoi ndjeshëm në ecurinë e mëtejshme të luftës në Ballkan. Në fillim të shtatorit 1944 Ushtria e Kuqe filloi çlirimin e Bullgarisë. Çlirimi i Bullgarisë krijoi mundësi për çlirimin e Jugosllavisë. Në shtator-tetor 1944, si rezultat i operacionit mësymës të Beogradit, trupat e Ushtrisë së Kuqe në bashkëpunim me ushtrinë nacionalçlirimtare jugosllave shpartalluan grupimin gjerman të armatave “Serbia”, çliruan rajonet lindore dhe verilindore të Jugosllavisë me kryeqytetin e saj Beogradin, duke krijuar kushte të volitshme për zhvillimin e operacionit të Budapestit. Menjëherë pas operacionit të Budapestit, në mars 1945 u zhvillua me sukses operacioni mësymës i Bolotonit. Në fillim të vitit 1945 Ushtria e Kuqe nisi çlirimin e Polonisë. U zhvilluan 5 operacione mësymëse: Visla-Oder, Prusia Lindore, Pomerania Lindore, Silezia e Sipërme dhe Silezia e Poshtme. Operacioni më i madh mësymës dimrin e v. 1945 ishte ai Visla-Oder. Kjo i dha fund çlirimit të Polonisë nga pushtuesit fashistë gjermanë dhe krijoi kushte të favorshme për mësymjen drejt Berlinit. Operacioni mësymës i Berlinit i dha fund Luftës së Madhe Patriotike. Ai është ndër betejat më të mëdha dhe më të përgjakshme të Luftës së Dytë Botërore.

 

Më 20 prill 1945 nisi sulmi i suksesshëm mbi Rajhshtag dhe deklarata e  Mareshallit G.K.Zhukov

Më 20 prill 1945 nisi sulmi i suksesshëm mbi Rajhshtag. Armiku u asgjësua. Më 8 maj 1945 u nënshkrua akti i kapitullimit pa kushte të Gjermanisë. Falë sukseseve luftarake të Ushtrisë së Kuqe, u krijuan kushtet e domosdoshme për krijimin e sistemit Jalta-Potsdam të marrëdhënieve ndërkombëtare të së drejtës, të cilat për shumë vite përcaktuan rendin botëror. Kur flasim për faktorët, që siguruan fitoren në Luftën e Madhe Patriotike, duhet theksuar roli thelbësor, që luajtën partizanët dhe guerilasit. Gjatë tre viteve të luftës në prapavijat e armikut vepruan mbi 6000 çeta partizane dhe grupe ilegale, ku luftuan mbi 1 mln partizanë dhe ilegalë. Në disa qarqe dhe rajone të pushtuara, me përpjekjet e popullatës dhe falë lëvizjes partizane, u ruajt pushteti sovjetik, pati disa zona dhe rajone partizane, ku pushtuesit nuk arritёn dot. Ata ishin shembull frymëzimi për vendet e tjera të pushtuara nga fashistët. Veç kësaj, partizanët sovjetikë luftuan në radhët e çetave partizane të Jugosllavisë, Polonisë, Çekosllovakisë, Bullgarisë dhe vendeve të tjera. Bashkimi internacionalist i popujve në luftë kundër agresionit fashist është një ndër dukuritë karakteristike si të Luftës së Madhe Patriotike, ashtu dhe të gjithë Luftës së Dytë Botërore. Në botimin e dytë të “Kujtime dhe meditime”, që përkoi me 30-vjetorin e fitores në Luftën e Madhe Patriotike, mareshalli G.K.Zhukov shkruan: “Kudo që u ndodh njeriu sovjetik, në front, në prapavija të vendit, në prapavija të armikut, në kampet fashiste, kudo, ai bën sa i lejojnë mundësitë, për të afruar orën e fitores. Dhe askush nuk e ul dot rëndësinë e heroizmit në luftë dhe në punë të popullit sovjetik gjatë Luftës së Madhe Patriotike!

Detyra jonë kryesore, si përfaqësues të brezit të sotëm, qëndron në ruajtjen e të vërtetës historike mbi këto faqe më të tmerrshme të historisë së njerëzimit. Ne duhet të mos harrojmë heroizmin e njeriut të thjeshtë, partizanit dhe punëtorit të prapavijës, ushtarit sovjetik, ushtarakëve dhe partizanëve të vendeve të tjera, që u vunë në një rresht, për t’i dhënë bashkërisht goditjen dërrmuese atëherë armikut të përbashkët, fashizmit. Dhe sa më gjatë ta kujtojmë heroizmin, të mësojmë sa më shumë për ato kohë të vështira, aq më fort do e urrejmë luftën dhe do bëjmë ç’është e mundur për ruajtjen dhe forcimin e paqes, për të ardhmen më të mirë të brezave tanë. Neofashizmi dhe neonazizmi nuk duhet të kenë vend në tokë.