Sigal

Marrëdhënia mes Ismail Qemalit dhe Esat Pashë Toptanit. Tentativat për vrasjen e kreut të shtetit shqiptar. Misteri i konferencës për shtyp ku vdiq Ismail Bej Vlora. Përgatitjet për ceremoninë e varrimit

Ndarja misterioze nga jeta e Ismail Qemalit- Kujt i interesonte vdekja e themeluesit të shtetit shqiptar?!

Në 100-vjetorin e vdekjes së vlonjatit që Shpalli Pavarësinë e Shqipërisë

Nga Ergys Alushi

Vijon nga numri i kaluar

A ishte Esat Pashë Toptani dhe kushurinjtë e tij në Vlorë të interesuar për vrasjen e Ismail Bej Vlorës?

Ndoshta paria e Vlorës duhet të ketë pasur hesape të vjetra e të reja për të vrarë Esat Pashë Toptanin, ndaj dhe e hodhi në short se kush do të vriste atë që në Vlorën e kohës konsiderohej si armiku më i madh i Vlorës dhe i vlonjatëve. Vlonjatët kishin dashur ta eleminonin Esadin që kur ky erdhi në Vlorë, i ftuar nga Ismail Bej Vlora për të marrë postin e ministrit të Brendshëm në qeverinë e përkohshme të Vlorës, sepse me Esat Pashë Toptanin, njihej kohë më parë. Ata të dy, bashkë me Hasan Prishtinën, Syrja Bej Vlorën e të tjerë, më 12 janar 1912, kishin zhvilluar takimin në: “Taksim” të Stambollit, ku kishin vendosur për të ardhmen e Shqipërisë, duke ndarë dhe detyrat përkatëse, nga të cilat, në ditët e ardhshme, vetëm Ismail Bej Vlora dhe Hasan Prishtina, i çuan deri në fund. Në numrin e saj të datës 5 gusht 1913, gazeta e qeverisë “Përlindja e Shqipënisë” shkruhet kështu për ardhjen për herë të parë në Vlorë të Esad Pashë Toptanit:“Zoti Esad Pash Toptani, ministri i punëvet të përmbrendshme të premten arrivi këtu mbasi si rregulloi do punë të ministriës së ‘tië qi kishte, vojti ndë Dursë prej ku do të kthehet ditën e diel. Z e tij po dukesh me shpresë të madhe për të vonën e Shqipniës e me një zell të posaçme ndë punim”
Emërimi nuk u prit mirë nga disa rrethe patriotësh në Vlorë, të cilët mendonin se Esat Pashë Toptani, kur ishte larguar nga Shkodra e kishte kryer akt tradhtar në marrëveshje për t’ua dorëzuar qytetin, malazezëve. Dorëzimi kishte ndodhur në një kohë kur malazezët po tërhiqeshin dhe forcat ndërkombëtare po i vinin në ndihmë Shkodrës së rrethuar. Plani për ta vrarë Esat Pashën sapo ai të zbriste nga anija, në Skelën e qytetit, nisi të përflitej në qytet dhe fjalët shkuan deri te Ismail Bej Vlora. Ky i fundit nuk pranoi që të kryhej një akt i tillë që sipas tij do të ishte pabesi, dhe turpi do t’i mbetej atij, qeverisë dhe Vlorës, pasi qëllimi ishte për t’i bashkuar shqiptarët për çështjen kombëtare e të mos derdhej më gjak me njëri tjetrin. Kështu që Esat Pashë Toptani, pasi mori garancitë për jetën e tij, zbriti nga anija dhe filloi punë si Ministër i Brendshëm, por pa e ndaluar veprimtarinë e tij kundër qeverisë së Ismail Bej Vlorës. Madje ai paraqiti dhe një program të ri të hartuar nga Faik Konica në mbështetje të ndryshimit të raportit të forcave në qeveri dhe në administratë. (Raporti nr.121 i Pollanc drejtuar Berhtoldit Durrës Tiranë 12.8.1913.

Në kujtimet e tij, Syrja Bej Vlora shkruan se i ishte dashur që të linte peng djalin e tij Eqeremin në sarajet e Toptanajve, që Esadi të vinte në Vlorë për të marrë detyrën e Ministrit e të mos i ndodhte asgjë e keqe.
Kur mori postin e Ministrit të Brendshëm, Esati ndërmori një udhëtim jashtë Shqipërisë dhe kur u kthye prej andej, nuk u kthye më në Vlorë, por qëndroi në Durrës, duke vazhduar të kryente detyrën e Ministrit në kundërshtim me vijën e përgjithshme të deriatëhershme të qeverisë provizore. Me vendosjen në Durrës, Esat Pashë Toptani do të krijonte qeverinë e Shqipërisë së Mesme, duke dalë kështu hapur kundër qeverisë së Ismail bej Vlorës. Largimi nga qeveria e Vlorës e Esat Pashë Toptanit dhe formimi i një qeverie të re në Durrës, shkaktoi zemërim në Vlorë, por edhe disa qytete të tjera të vendit. Kundërshtarët e tij në disa raste fajësonin edhe Ismail Bej Vlorën, që sipas tyre ishte treguar i dobët kur kishte afruar në qeveri, njeriun që një shumicë e shqiptarëve e konsideronin tradhtar, duke e dorëzuar Shkodrën te malazezët.

Dështimi i pajtimit Vlora – Toptani

Ndërkohë edhe ndërkombëtarët dështuan në përpjekjet e tyre për një pajtim të mundshëm midis Ismail Bej Vlorës dhe Esad Pashë Toptanit. Nëpërmjet “pajtimit”, shtete brenda KNK si Austro-Hungaria dhe Italia synonin bashkimin e Vlorës me Durrësin, për qëllim të interesave të tyre për portet shqiptare. Delegati francez dhe anglez në KNK ishin kundër propozimit për pajtim duke kërkuar vendosjen e kontrollit suprem të KNK duke thënë se “KNK nuk duhet të ngatërrohet në këtë luftë personash”. Delegati francez, Krajewski propozoi këtë procedurë; Ismail Bej Vlora dhe Esat Pashë Toptani të jepnin dorëheqjen dhe pas kësaj të emërohej, i pari guvernator i krahinës së Vlorës dhe i dyti, guvernator i Durrësit. Të zgjidhej dhe një guvernator për Shkodrën e të tre të vendoseshin nën kontrollin e KNK.
Pasi KNK mori pushtetin e Qeverisë së Vlorës, të 6 anëtarët e saj ndanë detyrat vepruese. Administrata e përgjithshme u drejtua nga Petroviç (Austro – Hungari) dhe Nadolny (Gjermani), Drejtësia nga Leon (Itali) e Petrojeff (Rusi), Financa nga Krajevski (Francë) dhe Lamb (Britani e Madhe). Nën këtë nivel ushtronte pushtetin administrata shqiptare e përbërë nga drejtorët: Fejzi Alizoti – i Punëve të Brendshme, Petro Poga – i Drejtësisë, Gjergj Çako – i Financës, Luigj Gurakuqi – i Arsimit, Lef Nosi –i Postë Telegrafëve.
Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit ishte pushtet ekzekutiv i dërguar nga Fuqitë e Mëdha, formimi i të cilit ishte vendosur në Konferencën e Ambasadorëve, më 29 korrik 1913, duke pasur qëllim kryesor organizimin e shtetit shqiptar. KNK-ja do të merrej me kontrollimin e administratës civile, të financave si dhe me hartimin e një projekti të hollësishëm për organizimin e të gjitha degëve të administratës së Shqipërisë, duke pasur një mandat 10-vjeçar KNK-së, i zgjatshëm në rast nevoje. Sipas procesverbalit të mbledhjes, Fuqitë e Mëdha i kishin marrë masat që bisedimet midis të dyve të zhvilloheshin në bordin e një luftëanije në detin e Vlorës. Përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha, por edhe dy shqiptarët kundërshtarë, i trembeshin një atentati të mundshëm ndaj Esat Pashës, ndaj të cilit vlonjatët ishin organizuar për ta kryer një atentat, kur ai erdhi në Vlorë për të marrë postin e Ministrit të Brendshëm. Por ky takim nuk u realizua asnjëherë dhe ngjarjet përshpejtuan e rrodhën ashtu si i njeh historia.
Esad Pasha u kthye në një nga kundërshtarët më të egër të Ismail Bej Vlorës, aq sa në ardhjen në Vlorë të vlonjatit në gusht të vitit 1914, ai do të urdhëronte arrestimin e tij sapo të zbriste në skelë, por paria e Vlorës nuk e lejoi një akt të tillë.
Por, armiqësia e Esadit me Ismailin ishin në kohë më të vjetra. Esad Toptani ishte martuar me motrën e Syrja Bej Vlorës, kushëririt të afërt të Ismailit, i cili ishte edhe ky një kundërshtar i Ismailit. Armiqësia midis dy kushërinjve u shtua edhe më tepër kur Ismail Bej Vlora erdhi në Vlorë dhe shpalli Pavarësinë e vendit, akt të cilin kishte tentuar ta kryente më parë dhe Syrjai. Aq e madhe dhe e vjetër ishte armiqësia midis Ismailit dhe Toptanit sa vite më parë një vëllai i Esadit, Ganiu, kishte tentuar ta vriste Ismail bej Vlorën me porosi të Sulltanit, pasi vlonjati i kishte dalë kundër, pasi ky ishte bashkuar me grupin reformator brenda Perandorisë Osmane. Gani Toptani mbeti i vrarë nga një person tjetër përpara se të kryente ndoshta vrasjen e Ismail bej Vlorës.
Por, paria e Vlorës, mund edhe të ketë mësuar që nëse Ismail Bej Vlora ishte helmuar, njeriu i interesuar për vdekjen e tij mund të ishte Esad Pashë Toptani, ndaj dhe vendosi për vrasjen e tij në Paris, ku prezantohej si kryeministër i Shqipërisë dhe banonte prej 20 muajsh në një hotel në Paris. Aq e vendosur ishte paria e Vlorës për të vrarë Esadin sa dërgoi një tjetër person në Paris për vrasjen e tij, kur pa se Avni Rustemi po e vononte aktin e ekzekutimit. Ndoshta ishte Esadi njeriu që nuk e donte nëpër këmbë në Konferencën e Paqes në Paris Ismail Bej Vlorën, në një luftë për influenca pushteti e kontroll territori, të nisur prej tyre, që në vitin 1913 me krijimin e dy qeverive, një në Vlorë e tjetra në Durrës.

Të tjerë të interesuar

Akti i shpalljes së Pavarësisë prej Ismail Bej Vlorës, në Vlorë, më 28 nëntor 1912, i shkaktoi jo pak armiqësi Ismail bej Vlorës. Turqit ishin të parët që nuk ia falnin. Tentativa e tyre e parë për ta eliminuar kishte ndodhur në ditët e para të muajit shtator të vitit 1901, ku mësohet se Ismail Bej Vlora kishte shkuar tek një ambasador anglez dhe bashkë me tre fëmijët e tij të vegjël i kishte dorëzuar ambasadorit edhe një letër ku i shkruante ndër të tjera “I lutem shkëlqesisë tuaj që të kini mirësinë të më ofroni mbrojtjen tuaj të lartë duke i dhënë kapitenit të anijes udhëzimet e duhura që të më nxjerrë jashtë atdheut tim, të cilin po e braktis për arsye të patriotizmit të tepruar”. Ishte koha e përndjekjes së Sulltanit ndaj Ismail Vlorës për shkak të bashkëpunimit të tij me Vezirin e Madh, Mit’hat Pashën, një reformator që pasi u dënua, u vra. Kjo solli edhe përndjekjen ndaj Ismail Vlorës.

Kur Ismail Qemal Vlora varrosej pa flamurin që ngriti vet!

Komanda italiane e pushtimit e kishte ndaluar që më 17 maj 1916 përdorimin e Flamurit Shqiptar në Vlorë, kurse më 20 gusht 1916 e kishte nxjerrë jashtë ligjit.

Ismail Qemali vdiq në një kohë kur në Shqipëri, për shkak të okupacioneve të huaja, nuk ekzistonte shtypi i lirë shqiptar. Nuk ka dyshim se vdekja e tij shkaktoi një dhimbje të përgjithshme në mbarë bashkatdhetarët. Këtë e dëshmojnë pak organe shtypi që botoheshin atë vit, ndonjëra në Shqipëri e të tjerat jashtë.
Ka qenë ora 10:20 e datës 24 janar të 1919-ës, kur Ismail Qemali, doli para gazetarëve në një konferencë për shtyp të organizuar në një sallon hoteli në Peruxhia. Ndërsa ecte për t’u ulur në tavolinën në krye të sallës, në fytyrë i fashitet një çehre e verdhë që sa vinte e i shtohej. Nuk kaluan shumë minuta dhe disa të dridhura i mbërthyen trupin. Askush nuk po pipëtinte, vetëm plaku mjekërbardhë, që me gjithë gjendjen që po kalonte, gjeti forca për të folur.
Nga goja i dolën vetëm pak fjalë dhe dukej qartë që ai po mundohej t’i lidhte me njëra-tjetrën. Në atë çast kërkoi ndihmë nga i biri, Qamili, të cilin e mbante pranë vetes si sekretar. I kërkon që të shkojë në tualet. Aty mësohet se, sapo vuri këmbën për t’u drejtuar te lavamani filloi të shkumëzonte dhe të dridhej më shumë.
Ajo gjendje nuk zgjati shumë.

Gazeta lokale e kohës “Perugia” në rubrikën “Cronaca Cittadina”, do ta niste kështu lajmin për vdekjen e Ismail Qemal Bej Vlorës; “Ieri sera 26 gennaio alle ore 23.30 …di vivere all’Hotel Brofani …ospite della citta Ismall Kemal Bey da Vlora”.
Situata që Ismail Qemali kishte kaluar ato ditë në Peruxhia të Italisë, i kishin shkaktuar një gjendje të rëndë psikologjike dhe fizike.
Edhe pse në atë gjendje, ai nuk kishte ngurruar të dilte para shtypit.
Ai donte të denonconte krerët e diplomacisë italiane, të asaj kohe, kur në Paris diskutohej fati i Shqipërisë dhe ata i kishin prerë në besë. Megjithatë, për çudinë e tij, ajo konferencë ishte organizuar nga të tjerët. Nuk u mësua asnjëherë se kush i kishte thirrur gazetarët. Plakut 75-vjeçar i kishin thënë se media kishte interes të dëgjonte nga ai se, përse në ato momente nuk ndodhej në Konferencën e Paqes në Paris. E këshilluan që të hante mirë pasi në atë konferencë shtypi do t’i duhej të fliste gjatë. Pikërisht pas ushqimit nuk vonoi shumë, ai doli në sallën e takimit dhe në atë moment jeta e tij filloi të shuhej.
Këto janë momentet e fundit të jetës së njeriut që është njohur historikisht si Kryeministri i Parë i Shtetit Shqiptar.

 

Interesi i Romës

Për të treguar se kishte respekt ndaj Ismail Qemalit, qeveria e Romës mori përsipër ta zhvillonte varrimin e Plakut të Vlorës në një ceremoni zyrtare dhe me shpenzimet e veta.
Ajo iu përgjigj menjëherë ftesës së Bashkisë së Vlorës, për ta përcjellë trupin e Ismail Qemalit për në qytetin e tij të lindjes, në Vlorë.
Varrimi i burrit të shquar në Vlorë, që konsiderohej si Ati i Pavarësisë së Shqipërisë, përveç rëndësisë politike përmbante edhe probleme politike.
Vlora ndodhej nën pushtimin ushtarak italian.
Veç kësaj, Roma e ndiente veten të sigurt, se me vendimin që do të merrte Konferenca e Paqes, që po zhvillohej në Paris, do ta aneksonte, në bazë të Traktatit të Londrës, qytetin e Vlorës së bashku me rrethinën e saj.
Pasi ta aneksonte, ajo mendonte ta përfshinte krahinën e Vlorës në provincën italiane të Puljes. Por, në Vlorë ekzistonte një frymë e theksuar patriotike për rezistencë kundër synimeve italiane.
Komanda italiane e pushtimit e kishte ndaluar që më 17 maj 1916 përdorimin e Flamurit Shqiptar në Vlorë, kurse më 20 gusht 1916 e kishte nxjerrë jashtë ligjit.

Përse u anulua sheshi i Flamurit

Këshilli Bashkiak i qytetit, ku mbisundonin patriotët, propozoi që varri i Ismail Qemalit të vendosej në sheshin qendror të qytetit, pranë selisë ku ishte shpallur më 28 Nëntor 1912, Pavarësia Kombëtare e Shqipërisë.
Por, komanda ushtarake italiane, duke u kapur pas projektit ende në studim të rregullimit të sheshit qendror të qytetit, nguli këmbë që trupi të vendosej në kalanë e Kaninës, të paktën përkohësisht, aty ku qenë vendosur stërgjyshërit e Ismail Qemalit.

Kushtet e komandës italiane në Vlorë për ceremoninë e varrimit

Komanda italiane në Vlorë mori përsipër organizimin e ceremonisë së varrimit, por vuri si kusht që gjatë procesionit të mos shpalosej asnjë Flamur Kombëtar Shqiptar, dhe të mos kishte shpërthime patriotike.
Ajo kërkoi gjithashtu të censuronte dhe fjalimet e përmortshme që do të mbaheshin.
Pas disa debatesh me parinë e Vlorës, u arrit marrëveshja e komandës italiane, me Këshillin Bashkiak Shqiptar, që gjatë kortezhit vetëm arkivoli të ishte i mbuluar me Flamurin Shqiptar.
Kryesia e bashkisë, nga ana e saj, me qëllim që t‘i kryente homazh të madh birit të shquar të Vlorës dhe të Shqipërisë, një homazh të madh pa incidente, të cilat mund të prishnin varrimin, u lëshoi një thirrje qytetarëve dhe fshatarëve të zonës së okupuar që të merrnin pjesë në varrim jo me Flamurin Kombëtar në dorë, por ta nderonin në heshtje patriotin e madh me praninë e tyre sa më të shumtë gjatë ceremonisë së varrimit.

Vijon