Mustafa Koçerri: Tre vëllezërit Etem,Toto,dhe Asllan Çapi që u vranë në masakrën gjermane të okupacionit të dimrit 1943-1944 në Vermik të Kurveleshit

20
Sigal

(Me rastin e 80 vjetorit të rënies)

Telegraf.al / Edhe pse kane kaluar 80 vjet nga masakra gjermane në operacionin e dimrit 1943-1944 në Vermik të Kurveleshit, ajo nuk është harruar e shuar në mendjet e banorëve vermikas e në mënyrë të vecantë në mëndjen e atyre njerëzve që e kanë përjetuar, pasi pasojat e tij kanë qenë të tmerrshme, me vrasje, djegie, shkatërrime dhe plaçkitje. Ndaj të shkruash apo të kujtosh këto ngjarje si ajo e ndodhur në fshatin Vermik është sa vlerësim dhe respekt për ata që janë vrarë, por edhe për të nderuar dhe mos harruar gjakun e tyre. Në një takim e bisedë miqësore me Fadil Çapin me banim në fshatin Babicë ai flet e tregon sa me emocion e respekt për të gjithë bashkfshatarët e aq më teper për ato familje vermikase që patën pasoja të rënda me të vrarë dhe me djegie e shkatërrime gjatë periudhës së luftës. Midis shumë familjeve vermikase që u vranë, dogjën dhe plaçkitën ajo e fisit Çapi e pësoi më rëndë. Në këtë masakër të përgjakshme u vrane tre vëllezërit Etem Çapi, Toto Çapi, dhe Asllan Çapi. Me të tre të vrarët tregon Fadili kemi qënë një zjarr, i kam njerëz të afërt. Etemin e kam gjysh,  ndërsa Toton dhe Asllanin i kam xhaxhallarë. Unë kam qenë i vogël, por i mbaj mend të tre më kujtohen sikur i kam edhe sot. Edhe pse Fadili ka qenë në një moshë të vogël 4-5 vjeç në operacionin e dimrit, ai thotë se ngjarjet ishin kaq të rënda e tronditëse dhe kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në mendjen time. Operacioni i dimrit në vitet 1943-1944 kishte si qëllim të godiste forcat partizane në fshatrat e Labërisë dhe te ato të Kurveleshit. Më 31janar 1944 tregon Fadili një batalion me ushtar gjerman u fut në Grykën e Vermikut dhe Këndervica po me drejtim Vermikun. Sapo arritën në shtëpitë e para në lagjen Manastir,filluan të djegin e shkatërrojnë. Banorët e fshatit Vermik në këto kushte filluan të largoheshin për në male. Gjermanët vranë disa banor pleq dhe gra të cilët nuk mund të lëviznin dot si Hajro Mezurin, Miase Gega, Hajdin Mezurin etj. Forcat gjermane në këtë operacion i udhëhiqte Balli, pasi ata e njihnin mirë zonën dhe banorët. Pasi dogjën të gjithë fshatin, vranë njerëz të pafajshëm dhe shkatërruan çdo gjë gjermanët u nisën për në Kurvelesh. Familja Çapi bashkë më 8-9 familje të tjera vermikase ishin larguar nga fshati dhe ishin vendosur në mal për t’i shpëtuar kësaj vale tërbimi të forcave gjermane që vetëm shkatërronin dhe vrisnin kush u dilte përpara. Pozicioni i vendosjes së fshatit favorizonte strehimin e banorëve në raste të tilla. Në këto male ishin strehuar dhe kishin zënë pozicione dhe forcat partizane të ushtrisë sonë NÇL. Përveç fukarallëkut e skamies dimri i acartë i atij viti, ku bora shkonte deri në një metër e gjysëm e bënin edhe më të vështirë përballimin e kësaj masakre. Nga vendi ku ishim fshehur fshatin e kishim afër 2 km larg tregon Fadili dhe ne pamë tymin dhe flakët që mbuluan të gjitha shtëpitë dhe kasollet e fshatit. Na dhëmbte shpirti kur i shikonim! Ato ishin mundi dhe djersa, ishin ndërtuar me sakrifica dhe vështirësi të mëdha. Gjyshi i Fadilit nuk kishte shkuar në mal me të tjerët. Ai kishte merak për mallin që kishim për 300 zgjoj bletë dhe dy kope me dhën dhe dhi mbi 300-400 kokë. Atë ditë gjyshi i Fadilit Etemi nuk u vra. Ai kishte mundur të fshihej dhe i shpëtoi masakrës. Por ai nuk mundi të shpëtonte as bletët, as bagëtitë, pasi ballistët dhe ushtarët gjerman bënë kërdinë. Atë ditë në fshat kishin ardhur edhe xhaxhai i Fadilit, Barjam Çapi invalid i luftës NÇL dhe dy kushurinjtë Zyber dhe Mehmet Çapi, të cilët ishin partizan në Br. E V sulmuese. Pasi dogjën e shkatërruan ushtria gjermane në 3 shkurt kaloi lagjen Bletaj të Vermikut për të vazhduar më tej me fshatrat e Kurveleshit. Duke parë pasojat e rënda që lanë në fshat, katër pjestarë të fisit Çapaj (dy vëllezër dhe dy kushurinj) Barjam Çapi, Goxho Çapi, Zyber Çapi dhe Mehmet Çapi me inisiativën e Barjamit vendosën të dilnin përpara forcave gjermane në vendin e quajtur Buza e Luadhit. Por rruga për të shkuar deri atje ishte disi e gjatë dhe ata nuk mundën t’i zinin pritë dhe kështu batalioni gjeman kaloi pa hasur në  rezistencën e banorëve vermikas. Ndërkohë ata shohin se një skuadër me ushtar gjermanë,7 ushtarë dhe 1 oficerë ishin duke u ngjitur lartë, ata ishin praparoja e ushtrisë gjermane. Skuadra gjermane e diktoi pritën që kishin përpara nga banorët dhe hodhën sinjal gjurmëlënë për t’u lidhur me batalionin që kishte kaluar,por nuk mundën të lidheshin dot për shkak të kushteve të terreni, të cilët ishin më poshtë. Në këto kushte prapavija gjermane duke parë se nuk mund të kalonte, u kthye poshtë andej nga kishin ardhur. Banorët e fisit Çapi e njihnin mirë vendin dhe me shpejtësi arritën të bënin pritë në vendin e Zall Troçila. Në këtë vend filloi përplasia midis katër vermikasve dhe ushtarëve gjerman, e cila vazhdoi deri në orët e mbrëmjes, ku mbetën të vrarë  gjashtë prej tyre. Dy ushtar që nuk u vranë ikën poshtë në drejtim të fshatit Vermik. Në ndjekje të tyre erdhën edhe disa bashkfshatar të tjerë, të cilët u bën pritë. Ushtarët gjerman nuk mundën të kalonin dot dhe ranë në shkëmbinjtë e Poshtimës. Këtë akt heroik të fisit Çapi populli e përjetësoi në vargje:

Në vitin 44 shkurti shkretë ishte tre!

U qepa malit përpjetë

nga katundi vija re.

Ç’të shikoje tym e flakë;

zjarri qoshe më qoshe.

Shumë të vrarë e të plagosur,

të tjerë mbetur mbi dhe.

Edhe hakën ua morëm…

Pa shkuar dy ditë a tre

Barjami pritën ua zuri.

Në Luadh përmbi Prezë

vranë një skuadër gjermane,

ëë vinte praparoje

 

Hakmarrja dhe vazhdimi i masakrës gjermane

Batalioni gjerman që kishte arritur në Kurvelesh me t’u informuar për çka i kishte ndodhur praparojës u kthye menjëherë më 4 shkurt për në fshatin Vermik. Familja Çapi bashkë me disa familje të tjera vermikase, kishin zbritur në fshat dhe ishin strehuar në një dhomë si më e mira nga ato të shkatërruarat e djegurat të Balil Tushit. Edhe pse kushtet e motit ishin shumë të vështira; borë, akull, dhe mjegull ushtarët gjerman kishin udhëtuar natën dhe në mëngjes herët arritën në fshat për t’u hakmarrë dhe u panë 20 mt larg shtëpisë. Ata si të tërbuar sa u futën brenda hapën zjarr dhe filluan të vrisnin njerëzit tanë tregon Fadili. Babai i Fadilit, Goxhua në darkë kishte gjetur pak mjaltë në një zgjua blete dhe e kishte përzier me pak miell në formën e një qulli për të mbajtur shpirtrat gjallë. Ai pak ushqim që kishte mbetur në fundin e një ene u spërkat me gjakun e njerëzve tanë që u vranë nga ushtarët gjerman. Përveç edhe disa bashkfshatarëve vermikas u vranw edhe vëllezërit Etem,Toto dhe Asllan Çapi. Ata që nuk u vranë brenda u nxorën në oborr, të mëdhenj e të vegjël dhe i rreshtuan. Në këtë kohë vjen dhe skuadra e pushkatimit. Një ballist që e udhëhiqte aksionin gjerman pyeti a ka njeri nga familja e Temo Tushit këtu? Po ju përgjigj nënë Havaja jam unë e shoqja. Ai e pyeti- tregon Fadili- Ku është Temua? Nuk është këtu ka dalë në majë ju përgjigj nënë Havaja. Më pas ai foli me komandantin gjerman dhe u tërhoqën duke lënë të vdekurit përtokë. Për shkak të kushteve të vështira atmosferike trupat e të vrarëve, pas 4 ditëve u morën dhe u varrosën. Akti i trimërisë i vëllezërve Çapi është vlerësuar, ata janë nderuar me dekorata, medalje dhe urdhëra nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë. Në shenjë respekti ata janë shpallur Dëshmor të Atdheut dhe trupat e tyre prehen në varrezat e dëshmorëvë të Vlorës. Së fundmi falenderoj birin e këtij fisi, Fadil Çapi për interesimin dhe që më ka nxitur mua për të kujtuar dhe respektuar tre dëshmorët e ketij fisi me këtë shkrim.