Mustafa Koçerri: Limoz Alimuçi, inxhinieri hartograf, diplomuar shkëlqyeshëm në akademinë ruse të Kujbishevit

17
Sigal

Telegraf.al / Në thellësi të vargmaleve të Gribës, në Krahinën e Kurveleshit ndodhet fshati i Vermikut, një fshat tipik malor, i cili që në kohët më të hershme ka nxjerrë gra e burra të zotët, të zgjuar, arsimdashës, të urtë e punëtorë, me kontribute si për fshatin ashtu edhe për vendin. Midis shumë prej këtyre njerëzve është edhe Limoz Alimuçi, i lindur dhe i rritur në këtë fshat. Babai i Limozit, Velo Alimuçi përmendet nga vermikasit si një burrë mik pritës, i gojës dhe i mprehtë, me karakter të fortë dhe si i tillë ishte burrë i dëgjuar jo vetëm në fshat, por edhe në krahinë. Ai dallohej edhe për shuarjen e sherreve dhe grindjeve si në Vermik dhe në fshatrat përreth. Atij i vdes gruaja në një kohë që Limozi ishte afërsisht tre vjeç, duke i lënë edhe një vëlla dhe një motër tjetër, të cilët u rritën nën kujdesin e babait por edhe të njerkës së tyre Akie Alimuçit. Pasi fillon shkollën fillore në fshat e përfundon atë në qytetin e Vlorës, dhe më pas nga kujdesi i shtetit të asaj kohe dërgohet për të vazhduar shkollën ushtarake “Skënderbej”. Pas përfundimit të shkollës “Skënderbej” vazhdon studimet për topograf në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” dhe në vitin 1956, po për nevoja të ushtrisë, fillon studimet në Akademinë e Inxhinierisë Kujbishev në ish-Bashkimin Sovjetik, një nga akademitë më të dëgjuara në këtë vend dhe fatmirësisht e përfundon në vitin 1961 para se të prisheshin marrëdhëniet me ish-Bashkimin Sovjetik. Në diplomën e tij, me numër 862204 theksohet, koha e studimit të Limozit në këtë akademi në vitet 1956 1961. Si në shkollën fillore, ashtu edhe në atë “Skënderbej”, Shkollën e Bashkuar dhe në akademinë ushtarake në ish-Bashkimin Sovjetik, ku ai u titullua inxhinier hartograf është dalluar nga një vullnet dhe zell i pashoq, duke qenë gjithmonë ndër të parët dhe më të mirët. Rezultatet dhe arritjet e tij kanë qenë të pasqyruara saktë edhe në dokumentet e tij personale si kuadër, ku në to dilte qartë formimi, përgatitja e tij, intelekti, marrëdhëniet me shokët dhe eprorët, gatishmëria dhe përkushtimi për detyrat etj., etj., cilësi të mira. Përvoja e fituar nga studimet në ish-Bashkimin Sovjetik, pas kthimit në Shqipëri, bëri që ai t’i përvishej punës për t’i zbatuar ato në interes të ushtrisë dhe të ekonomisë së vendit. Nevoja për harta e për punime të ndryshme topografike diktonte nevojën që Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, më 2 prill 1946, me urdhër të posaçëm të krijonte pranë tij Seksionin e Gjeodezisë dhe, më pas, po me urdhër të tij krijohet Dega e Topografisë. Po, më 2 prill 1961, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm krijohet në përbërje të Degës së Topografisë, Reparti i Hartografisë, ku Limozi do të emërohej kryeinxhinier i tij, detyrë të cilën do ta kryente deri në vitin 1964. Më pas deri në vitin 1969 kryen detyrën e shefit të këtij reparti. Në vitet 1969-1975 ai kryen detyrën e zv.shefit të degës së Topografisë Ushtarake. Për aftësitë e tij të mira drejtuese dhe organizuese dhe për nivelin e lartë profesional në fushën e topografisë, në vitin 1975 emërohet Drejtor i Institutit Topografik të Ushtrisë, detyrë të cilën e kreu deri në vitin 1978. Me përvojën dhe përgatitjen e tij ai ndikon në krijimin e institutit, në kompaktësimin e reparteve dhe sektorëve të topografisë, për të përballuar e realizuar detyrat në fushën e gjeodezisë dhe topografisë, të cilat ishin në rritje. Gjatë kohës që ai ishte në detyrën e drejtorit të Institutit gjendja e tij shëndetësore keqësohet nga zemra dhe për t’u ndihmuar lirohet nga kjo detyrë dhe emërohet instruktor për shkencën në Institut. Por për t’i dhënë një shtysë më të madhe punës kërkimore shkencore në Institut dhe për t’i paraprirë sa më mirë punimeve topo-gjeodezike dhe hartografike, në vitin 1983 në Institut krijohet sektori shkencor, ku Limozi do të emërohej shef i këtij sektori deri në vitin 1986. Gjatë kësaj kohe Limozi së bashku edhe me shokë të tjerë të këtij sektori vunë në përdorim disa pajisje të ardhura nga Kina, e që i shërbyen rritjes të botimit të hartave si dhe cilësisë së tyre. Pas vitit 1986 ai caktohet me detyrë pedagog në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve deri sa doli në pension, duke u aktivizuar kështu në edukimin e studentëve me shkencën e topo-gjeodezisë. Si një kuadër me nivel të lartë dhe me aftësi e cilësi të mira drejtuese, në kohën që ai ishte zv.shef i degës së topografisë ai zgjidhet edhe anëtar i Komitetit të Partisë MMP, ku me nivelin e kurajën e tij ai ka ndikuar në mbarëvajtjen dhe shkuarjen sa më mirë të punëve nga aparati i ati dikasteri. Limozi do të ishte një nga kuadrot që do të merrte pjesë në shumë studime e projekte si në atë të triangolacionit dhe nivelacionit të klasit I, II, III, matjeve astronomike, përcaktimin e pikës fillestare të nivelacionit shtetëror etj. Roli dhe ndihma e Limozit do të ishte edhe në krijimin e botimin e hartës në shkallën 1 me 25000. Specializimi si hartograf nuk do ta pengonte atë për të njohur dhe shkelur meritorin e vendit tonë nga lindja në perëndim dhe nga jugu në veri. Ai do të shkonte të takonte konkretisht atje ku punonin e jetonin topografët jo vetëm kur ata ishin në terren fushor e kodrinor, por edhe në majë të malit, duke parë në vend si jetonin në çadra dhe natën ndriçoheshin me fener, si ushqeheshin e si jetonin larg familjeve për muaj të tërë. Ishte ky përkushtim i kuadrove dhe specialistëve të Institutit që bënte të mundur kryerjen e atyre detyrave sa voluminoze e me saktësi, duke pasqyruar në hartat topografike çdo detaj e objekt mbi tokë dhe kjo arrihej, duke shkelur terrenin pëllëmbë për pëllëmbë. Edhe për kohën që ka qenë drejtues ai është përfshirë edhe në punimet kërkimore shkencore, duke u bërë pjesëtar i shumë referateve, kumtesave, pjesëmarrës në shumë projekte jo vetëm në interes të ushtrisë, por edhe të ekonomisë. Po kështu atij i është kërkuar mendim dhe është aktivizuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, së bashku me ish-drejtorin që zëvendësoi Limozin, Z. Përparim Lika, për të siguruar harta të sakta e të reja me sa më shumë objekte, për meritoret me troje etnike shqiptare. E gjithë përgatitja e tij profesionale në shkollën ushtarake “Skënderbej” e deri në Akademinë në ish-bashkimin Sovjetik në degën e hartografisë, nga Limozi u vunë në shërbim të topografisë por edhe më gjerë për interesa të vendit, duke punuar tërë jetën me përkushtim, për këtë është nderuar disa herë me urdhra e medalje të ndryshme. Por Limozi ka qenë edhe një njeri me vlera të shumta. Paraqitja e tij e jashtme si me uniformë ushtarak apo edhe civil të impononte respekt. Bota e tij e brendshme shprehej më së miri në pamjen e tij të jashtme. Marrëdhëniet e tij me familjen, shoqërinë dhe bashkëfshatarët kanë qenë të ngrohta, korrekte duke u dalluar për një komunikim njerëzor. Ai ishte njeri i lidhur me të gjithë, o respektonte pavarësisht se ç’punë bënin e ç’nivel e gjendje ekonomike kishin. Ai ishte jo vetëm një prind i mirë për vajzën e tij, por edhe një xhaxha i veçantë duke iu gjendur pranë katër fëmijëve të vëllait, i cili ndërroi jetë në moshë të re, duke i lënë ata në një gjendje të vështirë. Ai u interesua dhe bëri për ta njëlloj si edhe për vajzën e tij deri sa ata dolën në jetë. Shtëpia e tij do të ishte qendër jo vetëm e fisit të tij, por edhe e bashkëfshatarëve, të cilët kur kishin probleme dhe halle të ndryshme në Tiranë do të vinin e do të rrinin në shtëpinë e tij deri sa të mbaronin punë. Ai do të gjente kohë, me gjithë ngarkesën që kishte në punë e familje, për t’iu gjendur shokëve, miqve dhe njerëzve jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe, në të gjitha rastet kur ata kishin sebepe për mirë dhe në fatkeqësi. Limozi të fliste me nostalgji për fshatin e lindjes, Vermikun. Megjithëse kishin kaluar vite, në memorien e tij ishin ngulitur emrat e shumë vendeve si përrenj, qafa, ara, ledhe, shkëmbej e deri edhe gurë të veçantë që ndodheshin në fshatin e tij të lindjes. Këtë e tregon edhe fakti që ai në një hartë topografike, e cila përfshinte gjithë territorin e fshatit të Vermikut, hartë, e cila më është dhuruar mua prej tij, janë hedhur edhe disa elemente e emërtime, të cilat nuk ishin në atë hartë, ashtu sikur është hedhur edhe vija ndarëse me fshatrat fqinjë, çka tregon për një njohje të mirë të territorit të Vermikut. Për aktivitetin e tij si kuadër topograf e hartograf dhe njeri i lidhur me Labërinë e fshatin e lindjes, në vitin 2014 nga Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria” është shpallur “Mirënjohje e Labërisë” me motivacionin: “Për kontribut të shquar në shkencën e hartografisë shqiptare…Si lab që s’u nda kurrë nga jeta dhe veprimtaria e vendlindjes së tij.”

Si kujtohet dhe mbahet mend Limozi nga shokët dhe njerëzit e tij të afërm

Asim Bejaj: Puna me të madhin dhe të paharruarin Limoz Alimuçin

Ishte shtator i vitit 1968 kur unë së bashku edhe me disa shokë të tjerë që na kishte dalë bursa për në shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” në degën e topografisë na çuan për stazh para fillimit të shkollës në repartin 6802, ku në ambientet e këtij reparti ndodhej edhe dega e topografisë. Kurioziteti i punës që do të kryenim në të ardhmen na shtynte që të njihnim sa më shumë kuadro e punonjës të topografisë. E si të mos binte në sy përgjegjësi i sektorit të hartografisë, një kuadër simpatik i quajturi Limoz Alimuçi. Shef Limozi ishte diplomuar për atë profil në ish-Bashkimin Sovjetik dhe ishte hartografi më i mirë që kishte vendi ynë. Limozi ishte me cilësi e virtyte të shkëlqyera, shumë komunikues me kolegët dhe në mënyrë të veçantë me vartësit, nuk e ngrinte kurrë tonin në komunikimin me të tjerët, vetëm dallohej për një buzëqeshje të ëmbël. Në vitin 1975 dega e topografisë u ngrit në nivelin e Institutit Topografik të Ushtrisë, nga ku pati fatin që drejtori i parë i Institutit të emërohej Limoz Alimuçi. Vlerat e mira, virtytet dhe profesionalizmi që e karakterizonte në këtë post të rëndësishëm në marrëdhëniet me kolegët dhe vartësit i dolën më shumë në pah, ku gjithë efektivi i Institutit civilë dhe ushtarakë e respektonin maksimalisht. Limozi krahas kërkesës së llogarisë për ecurinë e punëve, shokëve dhe vartësve u gjendej në çdo kohë si për të mira dhe të këqija. Për këtë nuk do ta harroj që në vjeshtën e vitit 1976, një kolegut tonë me origjinë nga Kota e Vlorës, konkretisht Qamil Çelës i vdes vëllai në moshë të re. Limozi si drejtor i Institutit për t’i lehtësuar sado pak dhimbjen më mori edhe mua dhe e shoqëruam Qamilin për në Kotë të Vlorës. U nisëm natën dhe mbërritëm në Vlorë në orën 4 të mëngjesit. Pasi ndaluam te agjencia Limozi na tha, të presim deri nga ora 5 sa të hapeshin dyqanet e para për të blerë cigare. Kur zbritëm bëmë një xhiro bashkë dhe më tregoi se nuk ishte ajo arsyeja e ndalesës, por të vonoheshim që te shtëpia ku kish ndodhur fatkeqësia të shkonim kur të zbardhte dita. Kur shkuam nuk më harrohet fjalët e nënës së Qamilit që erdhi na takoi ne dhe i tha të birit që të mos qajë, se shiko kush të ka shoqëruar. Ne ushtarakët e Institutit nga muaji prill dhe deri në fund të tetorit punonim në terren, ku krahas shefave që dilnin për të kontrolluar ecurinë e punimeve në qershor të vitit 1976, na erdhi drejtor Limozi në malin e Orenjit të Voskopojës për kontroll, ku unë së bashku me Vladimir Korunin e Josif Kollcin kryenim matje astronomike. Shansi i tij qëlloi që atë natë nuk ishte vrenjtur dhe ne kryem matje, ku mori pjesë për të shuar kuriozitetin edhe Limozi. Fjeti në çadër me ne dhe kur u largua në mëngjes, duke na falënderuar për punën që bënim dhe për pritjen që i rezervuam nuk na dha vetëm dorën por na përqafoi sikur të ishim fëmijët e tij. Me Drejtor Limozin kam mbajtur marrëdhënie familjare deri në fund të jetës së tij, duke ruajtur kujtimet dhe mbresat nga më të mirat që na ka lënë.

Memush Habili: Për Limoz Alimuçin mund të kujtoj…

Ishte intelektual me kapacitet të veçantë. Në ish-Bashkimin Sovjetik kishte mbaruar akademinë shkëlqyeshëm. Ishte tip studioz, në shtëpi kishte një bibliotekë shumë të pasur, literaturë tekniko-shkencore dhe artistike kryesisht në rusisht, libra dhe manuale profesional, studime historike, biografi të njerëzve të shquar, fjalorë të ndryshëm. Mund të gjeje edhe shumë libra të fushave të ndryshme të shkencës dhe kulturës. Shumë shokë dhe kolegë i kërkonin shpesh hua libra për qëllime të ndryshme dhe ai i jepte me kusht që të ishin korrektë në kthimin e tyre. Interesohej gjithmonë për bashkëfshatarët e tij që vinin në Tiranë, sidomos për ata që vinin për studime. Ndihmonte studentët dhe i nxiste të mësonin sa më shumë. Ishte shumë i hapur me të gjithë bashkëfshatarët dhe shumë i komunikueshëm me ta. Kur vinte me pushime në fshat interesohej për këdo, por në mënyrë të veçantë për nxënësit që ishin mirë me mësime dhe nxiste prindërit e tyre që të kujdeseshin për shkollimin e vazhdueshëm të tyre. Unë e mbaj mend një herë, në verën e vitit 1960, ai erdhi në Babicë të Vogël me disa ushtarakë, mbante gradën e kapitenit të parë dhe sa qe kthyer nga ish-BS. Më takoi te shtëpia, më pyeti si shkoja me mësimet dhe më tha se kishte folur edhe tim atë, më pyeti se cilat lëndë pëlqeja dhe në çfarë drejtimi doja të studioja në të ardhmen, më propozoi të bëhesha ushtarak, unë isha i vogël dhe e dëgjoja me respekt dhe vëmendje. Shumë vite më vonë kur erdha në shkollën e lartë ai u interesua në mënyrë të veçantë për mua që të sistemohesha në degën që dëshiroja. Pastaj gjatë gjithë periudhës së studimeve më qëndronte pranë dhe më jepte shumë libra shkencore nga fondi i tij. Këtë qëndrim ai e mbante edhe ndaj bashkëfshatarëve të tjerë që vinin për studime dhe, sidomos ndaj atyre që ishin studiozë, të cilët i ndihmonte shumë. Ishte i këndshëm në biseda, sidomos kishte dëshirë të mësonte të reja nga fshati i tij dhe vazhdimisht i shoqëronte me një humor të hollë dhe duke përdorur fjalë karakteristike të humorit të fshatit të tij .Kam pasur rastin të dëgjoj biseda të tilla dhe jam habitur me interesin e tij të jashtëzakonshëm deri edhe për gjëra fare të vogla të jetës në fshat. Kështu ai ishte në korrent të ngjarjeve dhe problemeve në vendlindje. Nga Ministria e Mbrojtjes ai vlerësohej si një kuadër me kulturë, i zoti si ushtarak dhe specialist i shkëlqyer në fushën e tij si topograf. Për aftësitë e tij ai u propozua ndër të tjera si Atashe Ushtarak në Kinë, por sëmundja që e goditi para kohe e largoi nga kjo perspektivë. Nga të gjithë vlerësohej si specialist i zoti, njeri objektiv, i drejtë dhe me kulturë të gjerë. Edhe duke qenë në pension ai ruajti marrëdhëniet me institucionet dhe kolegët dhe nuk i ndërpreu studimet asnjëherë. Punimi i tij i fundit ishte harta e plotë dhe e detajuar e vendlindjes.

Reshat Lloi: Limozi ishte njeri me zemër të madhe

Limozin e njoh qysh nga viti 1965, ishte një njeri me zemër të madhe, që dallonte nga shumë të tjerë. Ai rriti, edukoi, shkolloi dhe sistemoi katër nipër e mbesa përveç vajzës së tij. Për të përshkruar figurën e tij duhen shumë kohë dhe shkrime, pasi ai ishte një njeri që me të vërtetë plotësonte të gjitha kriteret, vetitë dhe cilësitë më të mira njerëzore. Sa herë që takoheshim me të kishe kënaqësinë që të rrije sa më gjatë, sepse ai shprehte dashuri, respekt për të gjithë njerëzit që e rrethonin, për vendlindjen dhe interesohej deri në detaje e imtësi dhe me një përkushtim të veçantë. Limozi komunikonte me ne sikur ta kishim shok, pavarësisht diferencës që kishim në moshë apo në kulturë. Ai ishte me nivel të lartë kulturor dhe profesional, pasqyronte një humor të këndshëm në çdo takim e bisedë që bëje me të. Në çdo vend, kohë ai reflektonte dashuri, mirësi, sinqeritet dhe një performancë të shkëlqyer njerëzore. Për të gjitha këto e të tjera ai në memorien time do të mbetet i paharruar dhe i respektuar, përfundon Reshat Lloi.

Megjithse Limozi, më 1 prill bën 15 vjet që është ndarë nga jeta, por njerëz me vlera të tilla nuk harrohen, ata kujtohen me respekt, ashtu si kujtohet ai si nga bashkëshortja, Landa, njerëzit, shokët dhe miqtë e asaj shtëpie.