Si erdhi krijimi i Ballit Kombëtar Shqiptar në prill të 1939-s

2363
Sigal

Flet ish-Sekretari Organizativ dhe ish-Anëtari i Kryesisë së partisë së Ballit Kombëtar, Muharrem Xhaferi;

Cilat  janë  sipas  jush disa nga dokumentet italianë që tregojnë për organizimin e popullit tonë, në luftë kundër tij ?

Disa dokumente të komandës së karabinierisë italiane të Vlorës dërguar komandës eprore të tyre, hedhin dritë se si vepronin patriotët për të organizuar qëndresën popullore kundër pushtuesit. Njëkohësisht del e qartë se pushtuesit nuk qenë në gjendje deri në atë kohë të kuptonin se kush ishin partizanët dhe kush ishin ballistët, mbasi lufta bëhej nga i gjithë populli. Ja si shkruajnë italianët në atë kohë:

1-“Në territorin e Vlorës vazhdojnë grumbullimet për qëllime propagandistike, të bandave komuniste. Udhëheqësit dhe organizatorët partizanë të kësaj province janë avokat Skënder Muço, Ibrahim Dervishi, Abdyl Agalliu e Hysni Lepenica. Ky i fundit arratisur me 12 dhjetor.”

(shënimi ynë: Ibrahim Dervishi deri me 1943 ka qenë me Ballin)

2- “Nënprefekti i Himarës është larguar prej qendre në drejtim të panjohur.

Komisari “Koculi” ka disponuar zëvendësin e tij. Nënprefekti në fjalë duket se është kundërshtar politik i qeverisë.”

3- “Një numër i pacaktuar kryengritësish qenkan mbledhur në Gumenicë me pjesëmarrjen e të famshmit Avokat Skënder Muço; doktor Ibrahim Dervishi e të nënprefektit të Himarës, Hysni Lepenica. Ky i fundit paska marr një barrë direktiva.” Kolonel Gino Karrai

Këto dokumente janë nxjerrë nga arkivi i shtetit fondi 10 e 22 . Dosja 49 e 222

Edhe patriotët shqiptarë në atë kohë informonin me letra njëri tjetrin për ndodhitë në Shqipëri. Letra e mëposhtme tregon për aktivitetin e patriotit Hysni Lepenica. Në një letër të Tajar Zavalanit drejtuar Fan Nolit, thuhet se Hysni Lepenica po luan një rol gjithnjë e më të madh në Lëvizjen Antifashiste.

Populli në atë kohë merrte pjesë i gjithë në luftime kundër okupatorit, pavarësisht se kush e organizonte rezistencën anti-italiane. Duhet theksuar se rreshtimi i njerëzve të thjeshtë për atë kohë, nuk bëhej nga bindjet politike. Për hir të së vërtetës, shumica e luftëtarëve anonin nga Balli Kombëtar, mbasi për atë kohë kishte më shumë influencë në popull. Kështu që edhe rezultati i grumbullimit për aksione të përbashkëta varej shumë se kush i organizonte ato. Një nga vatrat më të nxehta në aksione kundër pushtuesit italian dhe bashkëpunëtorëve të tyre, ishte bërë kryesisht zona e Jugut të Shqipërisë. Kishte kohë që në zonën e Kurveleshit pushtuesit e kishin humbur qetësinë dhe në disa vende ishin eliminuar edhe postat e karabinierisë aty.

-Flitet  shumë për luftën e Gjormit, komenti  juaj?

Për arsyet e treguara më lart, italianët në bashkëpunim edhe me forcat mercenare të Halil Alisë dhe të Selim Kaloshit ndërmorën një operacion ndëshkimor për gjithçka u kishte shkaktuar popullsia e asaj zone. Si për të testuar se ç’farë situate i priste këta, në ditët e fundit të muajit dhjetor 1942, ndërmorën një mësymje në drejtim të fshatit Tragjas, duke i koordinuar lëvizjet e tyre me forcat e tjera të nisur gjatë fshatrave të Lumit të Vlorës. Mbasi plaçkitën dhe dogjën disa shtëpi në këtë fshat u nisën edhe këto në drejtim të trevës së Lumit të Vlorës, duke kaluar malin e Tragjasit arritën të hynin në atë pjesë të fshatit Gjorm. Këtu i priti ndëshkimi i popullit dhe i Zotit për çka po kryenin karshi atij populli të pafajshëm. Lajmi për këtë operacion ndëshkimor i përgatitur për këtë zonë kishte arritur me kohë në këto anë. Hysni Lepenica ishte një person që njihesh mirë nga populli për patriotizmin e tij dhe që gëzonte një autoritet të padiskutueshëm. Së bashku me shokun e tij të pandarë, Skënder Muçon kishin bërë disa mbledhje me fshatarët e kësaj zone, për t’i përgatitur për qëndresë me armë në këto fshatra. Kështu me tu vënë në dijeni se në drejtim të kësaj zone po niseshin forcat italiane me ato mercenare, populli u vu në gjendje alarmi nën komandën e trimit të sprovuar Hysni Lepenicës. Forcat italiane së bashku me ato mercenare të Halil Alisë dhe të Selim Kaloshit arrinin gati 3500 vetë. Trupat italiane ishin të përgatitura dhe të armatosura mirë. Në përbërje të tyre, përveç këmbësorisë me armë të lehta, kishin tanke dhe artileri. Aq i rëndësishëm ishte ky operacion për italianët, saqë këtë ekspeditë ndëshkimore e udhëhiqte një oficer i lartë, kolonel Franko Klementini. Luftëtarët nën komandën e Hysni Lepenicës përbëheshin nga 1600 vetë fshatarë të zonës të armatosur me armë të lehta. Në këtë betejë bashkë me forcat nacionaliste mori pjesë edhe një çetë partizane e komanduar nga Hysni Kapo. Hysni Lepenica një burrë trim dhe komandant i zoti, i ndau këto forca në tre grupime dhe i vendosi në pozicionet më të favorshme për këtë luftë. Vetë ai i priti italianët te ura e Gjormit duke manovruar forcat e tij në atë mënyrë që tërhoqi armikun në pozicione me të favorshme për ti goditur. Pikërisht në katundin Gjorm, më 29 dhjetor 1942, këto forca i hapin betejë armikut. Italianët të rrethuara nga të gjithë anët po pësonin humbje të konsiderueshme. Në gjendjen e krijuar ata nuk mund të përparonin por as që të ktheheshin dot mbrapsht andej nga kishin ardhur. Nga data 29 dhjetor 1942 deri më 1 janar 1943, italianët ngelën të gozhduar nën breshërinë e plumbave të forcave nacionaliste. Në këtë periudhë u zhvilluan 4 ditë luftime të ashpra. Një ndihmë të madhe dhanë gratë dhe të rinjtë duke furnizuar drejt në front luftëtarët me municione, ushqime dhe ujë. Gjëra të cilat në këto raste janë jetike për njerëzit në luftime, por edhe një ndihmë në anën morale që ndikon në fitore. Armiku pësoi humbje të rënda dhe u detyruan të hynte në në bisedime për t’u dorëzuar. Ndërkohë italianëve u vijnë përforcime nga Vlora. Kësisoj ata arritën të çajnë rrethimin dhe të tërhiqen në drejtim të Vlorës me humbje shumë të rënda për ta. Në fushën e betejës, armiku la 186 ushtarë të vrarë dhe robër. Këtu mbeti i vrarë edhe vetë komandanti që udhëhiqte operacionin kolonel Klementini. Kjo betejë bëri një jehonë të madhe në të gjithë vendin. Përveç këngëve të thurura nga populli për këtë betejë heroike janë edhe disa vargje, shkruar nga Dhimitër Bala, ku ndër të tjera thotë:

Ku po venë këta italianë

Ku po venë këta mercenarë.

Thonë venë, lumit parë

Le të venë, pa te ura

Gjejnë burrin përmbi burra.

Gjëmon topi tundet mali

Ulërin Selim Gjetani:

Ikni bre se na griu ura,

Paska burra përmbi burra!

Kjo betejë ishte fitore me rëndësi e të gjithë popullit të Labërisë, pasi morën pjesë të gjithë, si vëllezër pa ngjyrime politike. Dhe me siguri nëse populli shqiptar do luftonte në këtë frymë bashkëpunimi, jo vetëm lufta nuk do kishte ato përmasa katastrofale në humbjen e djemve dhe vajzave të vetë, por më pas vendi nuk do kishte arritur në gjendjen që njihet nga të gjithë. Meqë bëhet fjalë për ngjarjet në Lumin e Vlorës po përmendim edhe një fakt tjetër PKSH, në atë kohë nuk mungoi të hidhte dhe një trakt plot mburrje për komandantin trim e patriot Hysni Lepenicën (Shiko Abaz Ermenji “Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë” Romë 1968 faqe 461).

Në gazetën “ Zëri i Popullit” nr.11-12 janar 1943, Shefqet Musaraj ndër të tjera shkruan: “Populli, partizan, VULLNETARËT E LIRISË (luftëtarët e Ballit Kombëtar), luftojnë sot krah për krah të shkrirë në një shpirt të vetëm që ka për dëshirë e qëllim: lirinë e popullit shqiptar, lirinë e pavarësinë e Shqipërisë.” Por afro 10 vjet më vonë nga lufta e Gjormit, më 1951 dy gjeneralë komunistë deklarojnë se: “ Lufta e Gjormit u sabotua nga Hysni Lepenica  Por për çudinë e të gjithëve të atyre që njohin deklaratën e vitit 1951, 50 vjet më vonë dëgjojnë një deklaratë tjetër po nga këta gjeneralë të cilët deklarojnë se “…..Hysni Lepenica luftoi me trimëri në luftën e Gjormit”. (Gazeta “Kushtrimi Brezave” Nr.12, korrik 1992).Të jetë kjo brejtje e ndërgjegjes së tyre apo hipokrizi? Ka shumë të ngjarë të jetë e dyta, pasi këta njerëz me krime dhe mashtrime gëzuan të gjitha të mirat e mundshme të regjimit komunist. Këtë e themi sepse, përpara tyre dhe komunistëve të tjerë patriotë nacionalistë dhe familjet e tyre u masakruan, u pushkatuan, u dënuan me burgime të rënda duke u privuar nga të gjitha të drejtat njerëzore. Duket si paradoksale të themi se jo vetëm këta që përmendëm, por nga ideologjia e mbrapshtë komunistët nuk kursyen as vëllezërit, baballarët e tyre pa le kushërinjtë e një gjaku. Një shembull tronditës për thyerjen e traditës tonë shqiptare po e ilustrojmë me tregimin e mëposhtëm. Po japim pak rreshta që na e sjell si dëshmitar okular në librin e tij “Një dritare burgu” Petrit Velaj, ku ndër të tjera përmend edhe këtë ngjarje:“…..me 16 tetor 1943 bashkërisht me një pjesë të forcave të Ballit ishim në Tragjas. Në befasi sulmohemi nga forcat partizane…..Midis flakëve dhe krismave të mitralozave dëgjuam një ulërimë grash. Studenti i normales së Elbasanit, Lufter Hoxha, djali i të nderuarit Tahir Hoxha, me një pishë në dorë, nxori gratë nga shtëpia duke i vënë flakën shtëpisë së vet. Babai i tij, Tahir Hoxha, me vëllanë e vogël Bardhon, katërmbëdhjetë vjeçar ishte në radhët e Ballit Kombëtar, Lufteri me vëllezërit e tjerë në radhët partizane.” E gjithë kjo ngaqë babai i tij ishte ballist. Në edukatën e gjithë njerëzisë shtëpia është e shenjtë. Pjesëtarët e familjes në traditën shqiptare janë mbrojtur deri në vetë sakrifikim. Por ideologjia komuniste nuk pyeti për to dhe ajo prishje e këtyre traditave e solli vendin tonë në këtë gjendje të mjeruar.

Por të jemi realist s’ka si të ndodhte ndryshe se edhe vetë këta ishin nën gijotinën e diktatorit, që me dyshimin më të vogël për ta u ikte koka. Kemi theksuar me lart se në “Zërin e Popullit”, nr.11-12 Janar 1943 Shefqet Musaraj shkroi për betejën e Gjormit dhe për Hysni Lepenicën plot lëvdata për heroizmin e tyre. Shumë më vonë kur Enver Hoxhës nuk i nevojitej heroizmi i Hysni Lepenicës, bile i prishte punë, thirri Shefqet Musarain dhe i tha: “….ç’është ky shkrim që ke shkruar për luftën e Gjormit. Merre dhe shkruaj ashtu si ishte e vërteta.” Shefqet Musaraj një nga komunistët e orëve të para, shoku i Enver Hoxhës dëshmon se:

“… me porosi të Partisë dhe nën udhëheqjen e saj të drejtpërdrejtë, kam shkruar traktin e ditëve të para të janarit 1943 që kishte për temë luftën e Gjormit…. Mbas shumë kohësh pas vërejtjesh nga sh. Enver Hoxha e shkrova për të dytën herë (pas Luftës) shif revistën “Ylli” 1979. Dhe me të vërtetë nga ato që kishin parë në likuidimin nga Enveri të shokëve të tij më të ngushtë, nuk mund të merrte guxim për t’i kundërshtuar. Pra shikojmë që vetë Shefqet Musaraji të shkruajë të kundërtat e atyre që kishte shkruar dikur, për atë ngjarje heroike.

PAK HISTORI PËR KRIJIMIN E PARTISË KOMUNISTE SHQIPTARE (PKSH.)

 

(…dhe pjesë nga proces-verbali i Pleniumit II të KQ të PKSH)

Jo vetëm që nuk është e nevojshme por edhe po të ishte për të shkruar për të kaluarën e Partisë Komuniste Shqiptare, ka aq komunistë nostalgjik që shkruajnë për të, sa që nuk i lenë radhë të tjerëve. Veç kësaj populli do dhe duhet patjetër ta harrojë atë të zezë që hoqi nga komunizmi. Por këtë e bëj për tu treguar vendin disave që akoma edhe sot, vazhdojnë të njëjtën rrugë si i pari i tyre. Xhemil Frashëri e Gjeçoviçët me shokë, me shkrimet e tyre po i fryjnë akoma përçarjes së madhe të bërë nga idhulli i perënduar i tyre. Kur sot faktet dhe dokumentet janë të shumta që flasin hapur për të ashtuquajturën PKSH. dhe bëmat shkombëtarizuese të saj për shqiptarët. Këta e mbrojnë me fanatizëm komunizmin e tyre dhe për më tepër krijimin e kësaj partie e quajnë vepër vetëm të Enver Hoxhës e të tjera. Më tej thonë se ne nuk u udhëhoqëm nga të huajt, harron se vetë PKSH u krijua nga të huajt. Kominterni PKSH. nuk e njohu dhe nuk u lidh asnjëherë me të. Për më tepër edhe më mbrapa Informbyroja e la në përfaqësinë e Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Meqë jemi te shkrimet e z. Xhemil Frashërit do të ndalem në arsyetimin se këta njerëz nuk kanë hequr dorë akoma nga ajo rrugë që përgatit i tragjedinë për kombin tonë, me instalimin komunist gjysmëshekullor në vend. Në shkrimet e tij tingëllon një notë e fortë revanshi. Në vend që të kërkojë falje për ato çka u shkaktoi patriotëve të vërtetë duke i vrarë, masakruar, internuar me gjithë familje dhe në fund i eliminoi, ky ngre tonin duke i quajtur të pamjaftueshme ato çka u bë mbi patriotët dhe ata që udhëhoqën Ballin Kombëtar. Dhe sikur të mos mjaftonin këto ai dhe Gjeçoviçi thërrasin me të madhe, se në vitet 1990 u ngrit nga varri edhe Balli Kombëtar. Edhe për të gjitha këto shkrime e veja e diktatorit (që edhe ajo mbarte një barrë të rëndë per çka i shkaktoi këtij populli) Xhemil Frashëri merr përgëzimet e saj duke i bërë këto publike.

Lind pyetja:

-Kujt i interesojnë këto shkrime kur vetë ata që kanë hequr të zitë e ullirit, siç thotë populli nga ai regjim, nuk kanë kryer as edhe një akt më të vogël hakmarrjeje kundër Nexhmijes me shokë?

-Mos vallë edhe këtë qëndrim e injorojnë komunistët duke etiketuar nacionalistët si të paaftë?

Këto pyetje kërkojnë një përgjigje. Por vlen që përgjigja t’u jepet nga vetë qeveria demokratike e vendit tim për tu treguar njëherë e mirë vendin që u takon. Po ky historian i PKSH, thotë që lufta partizane nuk udhëhiqesh nga të huajt. Meqë kanë kaluar shumë vite mendon se u harrua që Brigada e Parë Partizane, komisar të saj kishte jugosllavin Dushan Mugosha qysh nga dita e parë e krijimit të saj. Po kështu harron se vetë Enver Hoxha u vendos përfundimisht Sekretar i Përgjithshëm i PKSH, më 18 mars 1943. Atëherë mundet të na thotë kush e udhëhoqi PKSH që nga 8 nëntori 1941 deri sa doli Enveri në krye? Nostalgjia për Dushanin dhe Miladinin që krijuan dhe udhëhoqën Partinë e tmerrit ka qenë dhe është e madhe akoma, tek ata persona që kanë punuar me ta dhe ende jetojnë. Përveç të tjerash, kjo vërtetohet edhe nga letrat që iu dërgonin, mbasi këta dy emisarë jugosllavë u larguan. Këtu po japim një nga këto letra që i dërgon e veja e diktatorit, Dushan Mugoshës më datën 7 maj 1944:

I dashuri shoku Dushan:

Me keqardhje të madhe mora vesh largimin tënd nga Shqipnija. Veçanërisht më erdhi keq që nuk mundëm të takohemi para se të ikje. Megjithëse kemi ndenj pak kohë bashkë, e ndjej mungesën tënde në mes tonë, ashtu si edhe shokët tonë më të afërt. Sigurisht, do të kujtosh jo vetëm kohën që jetove dhe bashkëpunove gjatë këtyre dy vjetëve e ma, por sigurisht do të marrë malli dhe për malet edhe fushat e Shqipërisë që i lave me djersë dhe që ju pive dhallin. Apo jo? Jo vetëm ne por gjithë populli shqiptar, do të të ketë një mik të dashur të tij e sigurisht kur të sjellë rasti të kthehesh ndonjëherë, në vendin tonë do të shohësh se me punë, do të shpërblejë atë që kini bërë. Sigurisht me bindje të plotë se do të shtojmë, gjithnjë hovin e punës, që të forcojmë e naltësojmë partinë tonë dhe ti sigurojmë edhe popullit pushtetin e tij.

Vetëm kështu do të shpërblejmë dhe ndihmën tuaj të vlefshme.

Dushan, thuaju shokëve të Jugosllavisë se shokët shqiptarë ndjekin me besim hapin e tyre dhe kërkojnë çmos që të ndjekin edhe shembullin e tyre heroik. Thuaju që gjithë populli shqiptar ndjen për popujt e Jugosllavisë dhe për luftën e tyre, një dashuri të madhe. Të gjithëve të fala shoqënore. Mos na harro. Po munde na kujto me ndonjë copë letër. Udhë e mbarë dhe u pjekshim në botën e lirë. Të vërtetat mbi Të fala shoqënore Nexhmia (Vladimir Dedijer “II sangue traditto” 1949, faqe 208- 209)

Letra të tilla të përmallshme asaj kohe iu kanë dërguar shumë udhëheqës të P.K.SH, edhe vetë Enver Hoxha, shokëve jugosllavë. Ka edhe shumë të tjera që mund të shkruash ditë të tëra për to. Por meqë përgjigjen u dha vetë populli që i përmbysi nuk ja vlen të zgjatesh me ta. Përpara këtyre që sapo u shkruan, të cilat dëshmojnë se Enveri me shokë janë udhëhequr nga jugosllavët, gjatë gjithë luftës partizane, nuk besoj se mos të kujtohen nostalgjikët e sotshëm për të kaluarën e tyre shumë të dyshimtë dhe të ulin kokën për bëmat e të parëve të tyre kriminelë.