Mustafa Koçerri: Komiteti i veteranëve dhe pasardhësve të LANC, në rrethin e Vlorës vatër e edukimit atdhetar e patriotik

154
Sigal

Shekuj me radhë që në kohën e heroit tonë kombëtar Skënderbeut e më pas në periudhën e Rilindjes Kombëtare, kryengritjet e viteve 1910, 1911, shqiptarët kanë luftuar për liri e pamvarësi, përpjekje këto që u kurorëzuan me ngritjen e flamurit më 28 nëntor 1912 nga plaku i urtë vlonjat Ismail Qemali. Por edhe pse u shpall pamvarësia, Shqipëria ishte përsëri lakmi e fuqive pushtuese si në vitin 1915 duke arritur kulmin më pas me Kongresin e Lushnjës dhe Luftën e armatosur të Vlorës më 1920. Më pas kjo rezistencë dhe luftë me përmasa edhe më të mëdha e më të organizuara filloi më 7 prill 1939 deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë më 29 Nëntor 1944. Sa e sa jetë njerëzish i janë përkushtuar kësaj toke, kanë luftuar për ta mbrojtur dhe e kanë larë me gjakun e tyre. Për të mbrojtur vlerat e idealet e këtyre luftëtarëve sakrificat e tyre, për të propaganduar karakterin e drejtë të luftrave të shqiptarëve, për të nderuar e respektuar aktet heroike dhe të rënët në luftë, për të trasmetuar te brezat pasardhës këtë histori të shkëlqyer të popullit tonë, janë krijuar komitetet e vetaranëve të luftës në të gjithë rrethet e vendit. Për të na njohur më mirë me jetën dhe aktivitetin e Komitetit të Veteranëve dhe pasardhësve të LANC për rrethin e Vlorës, nënkryetari i saj zoti Bekim Pipa në një takim të këndshëm me të na tregon për punën e këtij komiteti. Por më parë le të bëjmë një përshkrim të shkurtër të kësaj familje.

Familja e Pipajve në Matogjinë të Vlorës ka dhënë kontribut të veçantë për lirinë e pamvarësinë e Shqipërisë.

Krisma e pushkës e familjes së Pipajve është ndier dhe ka buçitur jo vetëm në teritorin e Shqipërisë, por edhe në trojet shqip folëse. Familja e Pipajve nga Matogjini i Vlorës është me emër jo vetëm në fshat, por edhe në krahinë e më gjerë. Aktiviteti atdhetar i kësaj familje fillon qysh në vitin 1847 e deri në ditët e sotme. Gjyshi i Bekimit, Boro Pipa në vitet 1908,1911 ka qenë pjestar i kryengritjeve dhe luftrave të popullit shqiptar kundër turqve. Ai është mbështetës dhe kontribues në ngritjen e flamurit më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali. Ai ka marrë pjesë në luftën e Greshicës. Gjithashtu ka qënë pjesmarrës në luftën e Janinës bashkë me vëllanë e tij Rrapo Pipa. Është pjesmarrës në kuvëndin e Bacardhasë, Mesaplikut dhe Beunit. Për aktivitetin e tij patriotik në shërbim të kombit në vitin 1962 është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Kjo familje edhe në luftën NACL ka dhënë një kontribut të madh e të veçantë. Babai i tij Miftari dhe xhaxhai i tij Veiz Pipa kanë qënë organizatorët dhe aktivistët e parë të kësaj epopeje të re që po fillonte. Veiz Pipa është zgjedhur komisar i Çetës Zigur Lelo të Smokthinës më 5 qershor 1943. Nga plagët e marra në luftë, i cili është plagosur tre herë ka qenë invalit i luftës. Pas çlirimit ai ka kryer detyra të rëndësishme deri në këshilltar i kryeministrit shqiptar. Bekim Pipa në vitet 1953 1957 kryen shkollën e mesme pedagogjike në Tiranë. Ai ka punuar me zell duke përhapur dije dhe edukuar shumë e shumë breza fëmijësh në shkolla, në fshatra e në zona të thella të rrethit të Vlorës. Për punë të mirë ai është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe nderuar me certifikatën Mirënjohje e Labërisë. Ka kryer detyra të rëndësishme në organizatën e rinisë dhe atë të partisë të punës. Me daljen në pension aktivizohet në organet e veteranëve të LANC për Vlorën. Në konferencën e 20 zgjidhet në kryesinë e këtij  komiteti, dhe në konferencën e 21 zëvëndës kryetar i komitetit të veteranëve për Vlorën, detyrë, të cilën ai vazhdon ta kryejë. Dua të theksoj se në rrethin e Vlorës si familja e Pipajve që përmënda më lartë ka edhe shumë e shumë të tjera me kontribute të veçanta në shërbim të vendit duke dhënë edhe gjakun nga pjestar apo të afërm të tyre, ndaj edhe ato të gjithë meritojnë respekt dhe nderim. Si njohës i mirë i Vlorës dhe krahinave dhe përvoja që ka në këtë komitet zoti Bekim na rrëfen, për gjëndjen, punën e mirë, që bëhet dhe jetën e këtij komiteti.

Misioni i veteranëve dhe pasardhësve në rrethin e Vlorës është ruajtja e vlerave dhe idealeve të LANC.

Misioni i njohjes, ruajtjes dhe mbrojtjes së vlerave të LANC për veteranët dhe pasardhësit e tyre në rrethin e Vlorës është një detyrë me karakter historik dhe me vlera të larta atdhetare e patriotike. Ky mision është në themel të punës dhe të programeve të çdo organizatë. Për të kryer sa më mirë këtë mision ato punojnë në solidaritet e përkushtim të plotë. Këto vlera të larta Komiteti i veteranëve dhe pasardhësve i ka patur dhe i ka në themel të punës dhe objektivit kryesor të saj. Komiteti i Veteranëve dhe pasardhësve të LANC në rrethin e Vlorës, përbëhet nga 76 organizata në qytet dhe në fshat. Ajo ka në përbërje të saj 800 anëtar, nga të cilët 19 janë veteran dhe 781 pasardhës së familjeve të veteranëve. Nga të gjitha organizatat punohet me përkushtim në disa drejtime, por sidomos në edukimin atdhetar e patriotik dhe në pranimet e shtimin e numërit me anëtar të rinj. Në punën dhe aktivitetin e komitetit dhe organizatave një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe drejtuesit kryesor të saj, që me krijimin e këtij komiteti deri më sot, si Namik Xhafa, Siri Dine, Elham Ademi, Lefter Kasneci, Ziqiri Mero, Dhori Strati, Muharrem Veshi. Seit Jonuzi, dhe zoti Balil Banushi, i cili kryen aktualisht detyrën e kryetarit. Ai edhe pse është në gjëndje jo të mirë shëndetësore, punon dhe interesohet me përkushtim dhe gjithë shpirt për mbarëvajtjen e punëve të këtij komiteti. Pas datës 20 korrik 1957 që është krijuar ky komitet, numëri i veteranëve pjesmarrës ka ardhur në rënie  për arsye të ndarjes nga jeta… por në saj të punës së mirë të bërë ky numër është shtuar me pjesmarrjen e anëtarëve të rinj nga familjet e veteranëve. Kjo tregon për punën e mirë të bërë prej tyre në edukimin e brezave për ruajtjen e vlerave të LANC, ndaj të gjithë vlonjatët duhet t’i jenë mirënjohës punës së këtij komiteti dhe organizatave, që e përbëjnë atë. Edukimi atdhetar i brezave është kryer në disa forma, si me ceremonitë me rastin e festave, datave historike, 28, 29 Nëntori, 5 Maji, dita e çlirimit të Vlorës, përkujtime të datave të rënies së dëshmorëve, takime me nxënësit e shkollave etj. Këto aktivitete janë kryer sipas programit vjetor të këtij komiteti dhe në bashkëpunim të plotë me shoqatat, drejtorinë arsimore e atë të shkollave dhe me gjithë organet e pushtetit lokal. Në aktivitetet e shumta të organizuara nga komiteti i veteranëve dhe pasardhësve të Vlorës do të përmendja atë kushtuar 4 Heronjve të Topanasë, Hajredin Bylyshi, Hiqmet Buzi, Bajram Tushi dhe Mumin Selami. Për të kujtuar e respektuar emrat e tyre, aktin e lartë atdhetar e patriotik dhe sakrificën sublime duke dhënë jetën për atdheun, me rastin e 80 vjetorit të rënies së tyre më 18 tetor 1942, në kino teatrin ‘Petro Marko’ është zhvilluar një aktivitet me pjesmarrje të gjërë, ku janë mbajtur disa kumtesa dhe është folur për jetën, aktivitetin dhe aktin e lartë heroik të tyre. Po në kino teatrin e Vlorës më 20 maj 2023 është organizuar dhe zhvilluar një mbledhje përkujtimore kushtuar ditës së krijimit të çetave partizane në rrethin e Vlorës. Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë nga të gjitha zonat e Vlorës, nga Prefektura, Qarku dhe Bashkia dhe janë mbajtur disa kumtesa si nga Z. Skënder Spahiu, drejtor i Muzeut Vlorë, Z. Fuat Kokallaj shef i propogandës në Komitetin e veteranëve dhe pasardhësve. Në programin e këtij komiteti janë edhe shumë aktivitete, ku midis tyre po përmend atë të pjesëmarrjes në 80 vjetorin e formimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NCL më 10 korrik 1943.

Heronjtë dhe dëshmorët e Luftës NCL janë: nderi dhe krenaria e Kombit.

Vlora dhe krahinat e saj e kanë treguar veten që në krye të herës se është një trevë me vlera të larta atdhetarizmi, patriotizmi, trimërie, guximi, bese, mbajtjen e fjalës, se për interesat e atdheut, populli i Vlorës nuk ka pyetur as për jetën e tij. Në luftën e vitit 1920, e cila ishte e përmasave kombëtare shkëlqyen udhëheqësit popullor dhe pati një pjesmarrje të gjërë nga Tepelena, Mallakastra, Kurveleshi, Tirana, Durrësi, Berati, Korça, Gjirokastra etj. Kjo luftë u kurorëzua me fitore të shqiptarëve. Më 2 shtator 1920 ushtria italiane u tërhoq dhe më 3 shtator 1920 forcat e armatosura kryengritëse  hynë fitimtare në Vlorën e çliruar. Për çlirimin e Vlorës dhe të krahinave të pushtuara dhanë jetën shumë dëshmorë, ku midis tyre disa janë shpallur Heronj të Popullit Selam Musai, Zigur Lelo, Kanan Maze, Sali Murati. Me emrat e këtyre heronjve janë pagëzuar shumë çeta e formacione të ushtrisë NACL. Por për popullin e Vlorës pjesëmarrja në Luftën NCL arriti kulmin e saj ku morën pjesë burra e gra, djem e vajza. Në periudhën dhjetor 1942 deri gusht- shtator 1943 u krijuan 14 çeta partizane, të cilat më vonë u inkuadruan në formacionet më të mëdha  ushtarake. Vlora në epopenë e lavdishme të Luftës NACL i ka dhënë vëndit 1136 dëshmor. Nga dëshmorët e rënë në Luftën e 1920 dhe atë NACL 25 prej tyre janë shpallur Heronj të Popullit, midis tyre po përmendim disa: Hiqmet Buzi, Hajredin Bylyshi, Bajram Tushi, Mumin Selami, Ali Demi, Kastriot Muço, Hysen Cino, Perlat Rexhepi, Zaho Koka, Kozma Nushi etj. Vlen të përmëndet se nga heronjtë e rënë 3 prej tyre janë vajza si Qeriba Derri, Persefoni Kokdhima dhe Zonja Curre. Sot në rrethin e Vlorës jetojnë 19 veteranë të LANC, nga të cilët pjesa më e madhe janë në gjëndje shëndetësore jo të mirë. Edhe pse në këto kushte unë u uroj jetë sa më të gjatë, pasi janë njerëz me vyrtyte të larta. Ata të Vlorës dhe të tjerët në rrethe janë nderi i Kombit. Ja emrat e disa prej tyre, Manxhar Binaj, Luftar Petroshati, Mihal Rista, Miftar Bakiu, Selfo Zotaj etj. Në respekt të veprës së tyre, Komiteti i veteranëve dhe pasardhësve të Vlorës, mban lidhje të vazhdueshme dhe interesohet për ta, duke bërë edhe vizita në familjet e tyre. Po si paraqitet gjëndja e lapidarëve dhe pllakave të bazave të luftëS? Komiteti dhe organizatat kanë evidentim të saktë dhe tregojnë interes e kujdes për mirëmbajtjen e tyre. Në qytetin e Vlorës kanë qënë 65 baza të luftës  dhe 315 baza në fshat. Po kështu në qytetin e Vlorës janë 61 shtëpi bazë e luftës dhe 269 shtëpi në fshat. Në qytetin e Vlorës janë 36 pllaka përkujtimore në qytet dhe 60 në fshat. Kur udhëton nëpër qytetin e Vlorës apo në fshatra do të shohësh njëri pas tjetrit lapidar. Kështu në qytetin e Vlorës janë 8 lapidar dhe 55 në fshatra, përveç shumë e shumë të tjerëve si për krijimin e çetave, batalioneve, Br. 5 Sulmuese, luftës 1920, luftës së Drashovicës etj, çka tregon se teritori i saj është larë me gjakun e dëshmorëve të rënë në luftë. Zoti Bekim Pipa na flet me shifra të sakta për gjëndjen e lapidarëve, nga njohja dhe evidencat, që kanë na thotë se 17 prej tyre kanë nevojë për riparim të përgjithshëm. Kujdes më të mirë për mirëmbajtjen e simboleve të luftës kanë treguar Bashkitë e Vlorës, Himarës, ndërsa ajo e Selenicës ka disa lapidarë, që kanë nevojë për riparime si ai në Velçë, në Gjorëm, lapidari i Heroit të Popullit Abas Shehu dhe një në qendër të fshatit. Le të shpresojmë që Bashkia e Selenicës krahas punëve të tjera do të marrë masa e të fillojë punën për riparimin e tyre. Por vlen të përmenden rastet ku vetë banorët interesohen për simbolet e luftës. Kështu në fshatin Matogjinë nga banorët Dhimitër Gucaj, Bujar Pipa dhe Artan Hoxha u bë riparimi i tre lapidarëve, që kishin nevojë. Në fshatin Romës, Bashkia e Selenicës në bashkëpunim me Komitetin e Veteranëve dhe pasardhësve dhe organizatën bënë riparimin e pllakës së lapidarit. Këto raste tregojnë se ekziston mundësia si nga bashkitë, organizatat dhe komiteti i veteranëve për t’i patur në gjëndje sa më të mirë këto simbole të luftës. Lapidarët simbolizojnë jetën e dhënë nga dëshmorët, gjakun e derdhur për liri. Ata dhanë jetën, neve na kërkohet pak punë për mirëmbajtjen e tyre. Edhe mirëmbajtja e tyre ka lidhje me edukimin e brezave, sepse tregon respektin ndaj të rënëve dhe luftës në tërësi. Mirëmbajtja e tyre është e rëndësishme pasi duhet të njihet edhe nga brezat pasardhës, që historia të mos humbasë.