Dalan Buxheli*/ Ja si luftuan trimat partizanë në betejën e “Tendës së Qypit”!

1251
Sigal

Në ndihmë të partizanëve, erdhën banorët trima e liridashës të zonës

 …Secili prej nesh ishte i shqetësuar për të zbatuar në kohë urdhrat e komandës, për këtë arsye marshonim me shpejtësi të madhe. Terreni ishte malor dhe tepër i thyer,  lëvizja kryhej nga poshtë-lart përmes shkurreve e përrenjve, me qëllim që të arrinim sa më parë objektivin e caktuar. Duke iu ngjitur pjerrësive nga ana e Dëshnicës, nga drejtimi i Tendës së Qypit, vinte oshtima e predhave të topave dhe mortajave gjermane. Kuptohej qartë që së shpejti do të ndesheshim me forcat gjermane. Ata synonin të krijonin kushte për forcat e tyre që vinin nga qafa e Liçokut për të kaluar lehtësisht e pa rrezik gjatë xhadesë, pa  pësuar goditje nga forcat partizane në krahë. U munduam që distancën që na ndante nga Tenda e Qypit ta përshkonim në një kohë relativisht të shkurtër. Me urdhër të “Karadakut” kaloi me vrap që të kapte kreshtat e kodrave të Lëndës së Qypit, përpara se të arrinin kundërshtarët. Afër Tendës së Qypit, pararoja jonë u ndesh me trupat e shokëve të batalionit III-të. Njohëm Mefail Rozanin, Piro Gazepin e të tjerë. Gjithsej ishim nëntë luftëtarë dhe kur pamë gjakun që kishte rrjedhur nga trupat e tyre, u mbushëm me shumë urrejtje për armikun. Pa humbur kohë, Karadaku shkoi të merrte urdhrin… Batalioni kishte arritur në kohën e duhur dhe fitorja në luftim do të na buzëqeshte neve e jo hitlerianëve. Ndërkohë nga luftimi kishin dalë të plagosur komandanti i Batalionit të III si dhe ushtarë të tjerë. Me urdhrin e komandantit të brigadës, dy kompanitë e para dhe të dyta do të kalonin në kundërsulm për asgjësimin e armikut që po ngjitej përpjetë nga drejtimi i Çorovodës për të dalë në Tendën e Qypit.  Gjermanët porsa diktuan forcat tona hapën zjarr me të gjitha armët por kundërsulmin tonë nuk kishte forcë që e ndalte, ishte i fuqishëm si tufan që përlan çdo gjë që ka përballë. Partizanët nuk përmbaheshin në sulm, deri dhe në ndeshje trup me trup me nazistët gjermanë. Me bomba dore luftuan kundër hitlerianëve Zeno Sulçja, Luto Berimi, Zeno Bine, Nehdi Taka e të tjerë. U përhap panik e hutim i madh, nëpër pozicione mbetën të vrarë ndërsa të plagosurit tërhiqeshin zvarrë ose rrokulliseshin tatëpjetë pjerrësive të kodrave. Me gjithë humbjet e rënda… organizoi forcat dhe kaloi në krahun tonë të majtë, ku luftimi u ndez dhe mori karakterin e një ndeshje etike. Në vijën e parë të përleshjes me gjermanët ndodhej dhe partizania e parë Neta Dumi nga Gjirokastra, nga një plumb i saj mbeti i vrarë një nazist. Në krahun e majtë ndodhej komunisti Sulo Buxheli nga Kuçi. Atij i’u mbaruan fishekët dhe mbeti vetëm me një granatë në dorë, ku sulmoi drejt nga mitralozi armik që pengonte ecjen përpara, i asgjësoi, mori mitralozin dhe filloi të godiste Gjermanët duke lënë shumë nazistë të vrarë. Kur e panë gjermanët se mitralozi i tyre ra në duart tona, vunë në përdorim…, një predhë e saj goditi Sulon. Ago Topulli, nipi Çerçiz Topullit, u ndodh midis një skuadre gjermane, por nuk u tremb, u ndesh me ta e asgjësoi tre prej tyre. Për fat të keq një plumb nazist e mori në ballë dhe gjaku tij i pastër vaditi tokën mëmë. Ndërsa errësira e natës po mbulonte vendin, armiku ishte vënë në drejtim të Çorovodës. Duke parë arritjen e qëllimit tonë, shpartallimin e hitlerianëve dhe se ata nuk ishin më në gjendje të ndërmerrnin veprime luftarake, komandanti i Brigadës dha urdhër që të ndalonim veprimet luftarake. Morëm materialet që gjetëm të ngarkuara në 70 mushka, të cilët gjermanët i lanë nëpër pyjet e kodrat e Tendës së Qypit. Këto mushka ata ua  kishin grabitur popullit nëpër fshatra, ku hitlerianët kishin kryer masakra, vrasje e plaçkitje. Qëndruam në majë të malit gjithë natën në gatishmëri, bashkë me ne qëndroi dhe komandanti i Brigadës Mehmet Shehu. Ai tregoi kujdes të veçantë që partizanët të mos ngrinin ftohtit.

 

*Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës Kombëtare “Dëshmorët e Atdheut”

Beteja e Tendës së Qypit, ndër më të rëndësishmet e kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga partizanët shqiptarë, nisi më 19 janar 1944. Rreth orës 15:00 kolona gjermane e përbërë nga batalioni i parë i regjimentit 54, kompania e tretë  e regjimentit 227 dhe bateria e tretë e regjimentit të artilerisë së divizionit 100, mbasi përshkuan Oparin dhe Tomorricën, pasi pushkatuan 114 vetë të pafajshëm në Vlushë, Turbohovë, Kapinovë, Krushovë e gjetkë, mbërritën në Çorovodë.  Në orën 16:00 të 19 janarit pasi vendosën baterinë  e artilerisë në pozicione zjarri në sheshin e qytezës, hapën zjarr kundër kompanisë së parë të batalionit të dytë  të Grupit të Tretë të Skraparit  që kishte zënë pozicion luftimi në Kala… Në të gdhirë të datës 20 janar kolona gjermane nisi marshimin drejt Tendës së Qypit…. Këtu luftimi u zhvillua i rreptë, me volum të madh zjarri nga të dy palët. Trupat gjermane në sulmin e parë dështuan dhe u detyruan që të hapnin të gjithë forcat e tyre në formacion luftimi… Në këto luftime për kapjen dhe mbajtjen e Tendës së Qypit, ranë trimërisht midis të tjerëve Ilmi Xhaferi nga Muzhencka, Ali Zaimi nga Dobrusha, Njazi Nishica, Fatushe Kadiu nga Veleshnja, Haki Kapaj nga Gjerbësi i Mallakastrës. Po kështu edhe nga forcat e Br1S ranë dhjetë vetë. Midis të plagosurve jo të paktë nga rradhët partizane ishin edhe Zylyftar Veleshja, Iljaz Sevrani, Naim Therepeli, Abaz Rogu, Tahir Murrizi nga Vendresha e tretë, dhe disa nga partizanët e Br1S. Gjermanët lanë 100 të vrarë e shumë u plagosën…