Reshat Kripa*/ Propozimet për 70-vjetorin e çlirimit të vendit, “Zërat e korbave të zinj”

709
Sigal

Më vjen keq për politikanët e sotshëm që kanë nostalgji për Enver Hoxhën

Kur isha në moshën e femijërisë, historinë e Shqipërisë e njihja siç ma kishte mësuar historiografia totalitare që studiohej në shkollat tona. Sipas saj, çdo luftëtar nacionalist më shfaqej si Sali Protopapa i filmit “I teti në bronz” apo si ballistët e filmit “Kur zbardhte një ditë”. Por pata fatin, e theksoj pata fatin, që Zoti i Madh dhe i Madhërueshëm më mori mendjen dhe u ngrita kundër atij sistemi duke shpërndarë trakte në rrugët e qytetit tim. U arrestova dhe u dënova. Në burg pata fatin të takoja ata burra të rrallë që, në ato kondita, kur karakteri im nuk ishte formuar ende, të më tregonin të vërtetën e këtij vendi dhe rrugën nëpër të cilën duhej të ecja. Ndaj them se pata fatin, pasi atje mësova të vërtetën historike dhe këtë të vërtetë e regjistrova në memorien dhe ndërgjegjen time për të mos e harruar kurrë. Më falni për këtë hyrje pak të gjatë, pasi ndonjërit mund të mos i interesojë. Por u detyrova pasi dëgjova për disa iniciativa të shfaqura nga një personalitet i klanit në pushtet.

Më është bërë zakon të hap faqen e internetit dhe të lexoj lajme të ndryshme. Midis tyre lexoj një lajm të publikuar, ku shkruhet: Propozime për 70-vjetorin e Çlirimit. Dërguar më 12/01/2014-09:03!

Duke marrë indicie nga prononcimi i (këtu përmendet emri i një personaliteti, që mua më vjen rëndë ta përmend, pasi për moshën që ka, nuk e besoja se do të ishte kaq i indoktrinuar nga e kaluara e përmbysur) lidhur me kremtimin e 70-vjetorit të çlirimit të atdheut nga okupatorët nazi-fashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre, si qytetar i këtij vendi me ndjesi liridashëse dhe njëkohësisht si pasardhës i një luftëtari antifashist, parashtroj propozimet e mia konkrete për çka duhet bërë për këtë jubile, në nderim të kontributit të dhënë dhe gjakut të derdhur gjatë Luftës Antifashiste, nga e cila populli ynë u radhit përkrah fitimtarëve të koalicionit anglo-sovjeto- amerikan. Dhe më poshtë vijojnë propozimet e tij. Nuk dua t’i përmend pikat e këtij propozimi, pasi më neveritin. Ato janë gjithsej 17, por mua më duket se edhe vetë diktatori Enver Hoxha nuk do të guxonte të publikonte propozime të tilla, po të ishte gjallë. Nuk do t’i publikonte pasi ishte ai vetë që i eliminoi ish shokët e tij më të ngushtë. Një miku im i vjetër më thotë: Ne kot e dënojmë Enver Hoxhën, pasi ishte ai që na i mori hakën. Ai i vrau të gjithë ata që na vranë ne.

Para syve të mi dalin shumë figura të shquara të lëvizjes antifashiste të zhdukura nga skena politike ende pa u restauruar pushteti totalitar dhe më vonë, pas vendosjes së tij. Më dalin parasysh figurat e Hysni Xhindit, Fejzo Gjomemës, Mustafa Gjinishit, Ramize Gjebresë, Shefqet Bejës, Liri Gegës, Dali Ndreut, Beqir Ballukut, Hito Çakos, Petrit Dumes, Kadri Hazbiut, Feçor Shehut. A nuk ishin këta që vranë njerëzit tanë? Shoh këto figura dhe i jap të drejtë mikut tim. “Kuçedra” pasi u ngop me gjakun e nacionalistëve filloi të hante edhe bijtë e vetë. Gjithmonë në faqet e internetit lexoj një deklaratë të një personaliteti tjetër të Majtë, një ish- ministër i qeverisë së Djathtë, të rrëzuar më 23 Qershor, tani një funksionar i së Majtës, (me falni por, me padijeninë time,  nuk e kuptoj se si një individ me bindje të Djathtë apo të Majtë, papritur dhe pakujtuar të kthehet në kahun e kundërt. Një gjë të tillë mund ta bëjë vetëm një sharlatan). Ky individ, pjesëmarrës në kremtimin e përvjetorit të një prej brigadave partizane, deklaron se, Lufta Nacionalçlirimtare na paska qenë farkëtimi i miqësisë me demokracitë perëndimore. Nuk e kuptoj se për cilën miqësi e ka fjalën zotëria. Mos vallë për atë “miqësi” që, pas marrjes në pushtet u kthye në armiqësi? A nuk ishte imperializmi anglo-amerikan armiku më i egër i “pushtetit popullor” të vendosur në Shqipëri? Kjo nuk është një shprehje e imja, është e paraardhësve të tij si dhe atyre vetë, që iu zunë duart kallo nga duartrokitjet frenetike në mbrojtje të atij sistemi.

Ndaj dua t’ju them: Heshtni! Çlirohuni nga indoktrinimi i një ideologjie të përmbysur, në rast se doni të mbeteni në historinë e këtij vendi. Sot jeni në pushtet dhe marrëzia e këtij populli ju dha shumicën absolute. Mos e shfrytëzoni këtë fakt për të himnizuar një periudhë, të cilën po ky popull e rrëzoi në fundin e vitit 1990. Shpeshherë dëgjojmë udhëheqësit tuaj të thonë se këtë të drejtë jua paska dhënë populli me votën e tij. Dëgjoni anekdotën e mëposhtme dhe gjykoni: Diktatori Neron dogji Romën. Populli u ngrit në revoltë dhe rrethoi pallatin perandorak. Perandori, i trembur, thirri këshilltarin e tij Senekën dhe e pyeti:

Si do t’ia bëjmë?

Seneka iu përgjigj:

Hidhua fajin të krishterëve

Në atë kohë krishterimi kishte fare pak kohë që kishte lindur.

Por, a do të më besojnë?- pyeti Neroni.

Dhe Seneka i ktheu përgjigjen lapidar:

Populli beson çdo lloj gënjeshtre që i serviret!

Mos e harroni këtë përgjigje, të nderuar zotërinj! Populli vërtet sot u dha këtë përgjigje, por nuk e di nëse do ta keni nesër apo jo. Unë kam bindjen se, pas largimit nga kjo jetë të brezit tonë dhe bijve tanë, nipërit dhe mbesat tona do të kenë në ndërgjegjen e tyre një botëkuptim tjetër të historisë, një botëkuptim në përputhje me të vërtetën historike të vendit. Por do të ishte në nderin tonë që ky botëkuptim të mbizotëronte sot, pas njëzetetre vjetësh nga rivendosja e sistemit demokratik. Ndaj mjaft më me përralla për ditën e çlirimit dhe përkujtimin e saj. Ajo nuk është dita e çlirimit. Ajo është dita e skllavërimit të këtij populli. Është dita e mbi 6.000 të vrarëve pa faj, mbi 17.000 të burgosurve politikë, mbi 30.000 familjeve të internuara politikisht, mbi 400.000 të përndjekurve politikë. Atëherë, për çfarë çlirimi bëni fjalë? Për atë “çlirim që vrau, burgosi, internoi dhe përndoqi mijëra qytetarë shqiptarë? Për atë “çlirim” që e ndau Kosovën dhe trojet e vjetra shqiptare, nga toka mëmë? Për atë “çlirim” që na ndau nga bota demokratike? Për atë “çlirim” që hëngri edhe bijtë e vetë? Për atë “çlirim” që varfëroi deri në palcë një popull të tërë? Kjo është ajo dita e “çlirimit” që ju kërkoni ta ngrini në qiell. Në mbyllje, më lejoni të citoj disa vargje lapidar të të pavdekshmit Ali Asllani, shkruar mbi 70 vjet më parë:Koha dridhet e përdridhet,do vij’dita që do zgjidhet/ Dhe nga trasta pem’e kalbur, doemos që jasht’do hidhet!/ Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë/ Nuk do mbetet gjë në dorë veçse vul’e zez’në ballë!

Po mundët, këtë mos e harroni!

 Kryetar i Shoqatës Antikomuniste

të të Përndjekurve Politikë

Demokratë të Shqipërisë