Agim Jazaj/ Vlora-copëza stërrali, të ndrin shtrati e të qesh balli

1401
Vargjet e këngës kumbojnë në vite, vijnë me klithmat e atëhershme në ditët e sotme, pas 95 viteve, duke na kujtuar Luftën e Vlorës, të 1920-ës: “Vlorë copëza stralli/Të ndrin shtati, të qesh balli”. Dhe këngët derdhen nëpër vite, këndohen në brezat, ruhen në sepetet e kohës, hapen në përvjetorët dhe shpërndahen në gjithë krahinat e Vlorës-legjendare, në gjithë vendin dhe për gjithë kombin…“Çeta e Kudhës po luftonte/Me drejtim për në Kala/Vallë kush i komandonte/Rrapo Çelua nëpër ta”… Na çojnë larg dhe na sjellin të afërt figurat e patriotëve, të atyre burrave që e donin vatanin, shitën pasurinë për të bërë Shqipërinë, antitezë e atyre që: Grabitën Shqipërinë, për të vënë pasurinë…Vargjet e poetit Ali Asllani, më thotë miku im i penës Kiço Peshatanaku, u tromaksin gjumin mëkatarëve… Koha dridhet e përdridhet/Prej gradimit katër shkallë/Nuk do mbetet gjë në dorë/Veçse vulë e zezë në ballë…
Rrapo Çelo Kudhësioti 
Një ndër patriotët, udhëheqësit dhe luftëtarët e kësaj lufte: Rrapo Çelo Kudhësioti me çetën e tij të Kudhësit, në këtë epope, la pas për brezat, epopenë. Jeta e tij, nëpërmjet veprës, i kapërceu kufijtë e fshatit, krahinës duke u bërë një figurë e madhe e kazasë, krahinës së “Kudhës së Grehotit”, të Labërisë së Vlorës, dhe të vendit, duke i rezistuar dhe apeluar kohës. Në moshën 24 vjeçare, në momentet më të vështira të atdheut, kur plaku i mençur, diplomati i Vlorës, Ismail Qemali, luftonte nëpër Europë, për të ngritur shtetin shqiptar, për të njohur kufijtë e Shqipërisë, Rrapo Çelua ndiqte me shumë vëmendje, gjithë evenimentet historike, reagimin e shteteve të mëdha dhe përkrahjen që i jepnin prijësit të Pavarësisë Kombëtare. Rrapo Çelua sqaronte se “së shpejti do të vij dita të njihen kufijtë e vendit tonë. Edhe ne do të kemi shtetin tonë, Flamurin Kombëtar, që mbajti Skënderbeu lartë për 25 vjet luftë”. Në ditët e para të Nëntorit të vitit 1912, me 300 djem e burra të krahinës së Kudhësit, të organizuar në repartin luftarak, nën komandën e tij, mbërrijnë në Vlorë, për t’i dalë përpara çdo të pa priture, në mbrojtje të Qeverisë të sa po krijuar të Ismail Qemalit. Bashkë me popullin e Vlorës, dhe të krahinave të tjera të vëndit, pritën me gëzim e krenari ardhjen e Ismail Qemalit, nga Durrësi. Me shpalljen e pavarësisë, ngritjen e flamurit në Vlorë dhe krijimin e qeverisë provizore, Rrapo Çelo dhe trimat e tij, kudhësiot u vunë në mbrojtje të kësaj qeverie të brishtë, qëndronin në gatishmëri për të bërë ç’do sakrificë. Rrapo Çelua dhe shumë burra të tjerë të krahinës, u ngritën më këmbë, rrëmbyen dyfekët, kur forcat greke zaptuan pabesisht Korçën dhe Gjirokastrën dhe mbërritën në Tepelenë e Kurveleshin e Poshtëm. 
Masakrimi i ushtrisë greke
Ushtria greke masakroi barbarisht 40 e ca burra në Hormovë më 1914, i cili hedh dhe lë si testament në faqet e librit të vet, edhe veterani i njohur i pushkës dhe i pendës Manxhar Binaj. Fundi i Luftës I Botërore, e gjeti Shqipërinë, pothuaj të coptuar. Rreziku i ndarjes së saj ndërmjet Serbisë, Malit të Zi, në veri, Italisë dhe Greqisë në Jug, ende ishte kërcënues. Pas pazarllëqeve që bën grekët e italianët në kurriz të Shqipërisë, këta të fundit, u ngulën këmbëkryq në ishullin e Sazanit, në gjirin e Vlorës, në Himarë, Kotë e deri në Tepelenë. Për të bërë të përjetshëm sundimin e tyre në këto zona, ndërtuan garnizone të fortifikuara me bunker, tela me gjëmba e llogore. Në këto kushte populli i këtyre trevave, mbeti i robëruar, i nënshtrohej shtypjes së egër, barbare. Në këto rrethana përfaqësuesit më të mirë, trimat dhe atdhetarët e popullit të Vlorës, Tepelenës e Mallakastrës, duke pasur dhe përkrahjen e gjithë popullit shqiptar, u mblodhën në Barçalla, të Tragjasit, më 3 Qershor të vitit 1920, e më pastaj në Beun, nën kryesimin e patriotit të shquar Osman Haxhiu dhe vendosën njëzëri për t’u ngritur në luftë gjithë populli, për të hedhur në det okupatorin, për të çliruar Vlorën. Në të dy këto kuvende u përcaktuan detyrat për çdo fshat e krahinë. Aty u zgjodhën dhe drejtuesit kryesor, komandantët që do të organizonin e drejtonin veprimet luftarake, në ç’do zonë, në luftën çlirimtare, të pa barabartë. Në krye të krahinës së Kudhësit, si udhëheqës e komandant, u caktua Rrapo Çelua. Thirrjes patriotike të Rrapo Çelos, për t’u ngritur në luftë kundër pushtuesit iu përgjigjën, i pari: Kanan Maze me burrrat e djemtë e fshatit Shkozë, Murat Xhelili me ata të Dushkarakut, Rexhep Sulejmëni, me ata të Vajzës, e me radhë, nga gjithë krahina e Kudhës së Grehotit. Më 2 qershor të vitit 1920, batalioni i Kudhësit, nën komandën e Rrapo Çelos, u nis për në Beun. Në këtë mbledhje historike, ku foli kryetari i Mbrojtjes, Osmën Haxhiu, i cili i’u drejtua vlonjave dhe jo vetëm me thirrjen: “Duke filluar nga ky moment, ne i shpallim luftë pushtuesit italian, që na ka zaptuar me forcë Vlorën, Sazanin, trojet tjera nga: Tepelena, Kota, e Himara”. Të gjithë pjesëmarrësit në këtë kuvend u betuan: “Të vdesim për dhënë e shtrenjtë, të vdesim për Mëmëdhenë”! Komiteti i Mbrojtjes në Beun, të Vajzës dha objektivat dhe objektet e sulmit për ç’do çetë, fshat e krahinë. Për Çetën e Kudhësit u caktuan si objekte: Garnizoni i përforcuar i Kotës, si një rajon i rëndësishëm që lidhte, Vlorën me Tepelenën dhe grykën e Mesaplikut, i cili mbrohej me një regjiment fanterie, me 150-200 trupa. Komanda e garnizonit armik të Kotës, e përfshirë në panik. Panikut i përgjigjet dhe kënga e gdhendur: “Telatë po ven e vinë/Punon Kota me Kaninë/Gjenerali me Zabinë/Se shqiptarët errinë…”
Gjithë jugu bashkë
Më 4 qershor të vitit 1920, pas organizimit të forcave të krahinës së Kudhësit, ku u përfshinë djemtë trima të Sevasterit, Shkozës, Golimbasit, Dushkarakut, Mazharit, Ploçës e Amonicës, u grumbulluan në qafën e Ploçës dhe nisën marshimin nëpërmjet Dorbërit, Harvalasë, Brusnje e Belik-Hysovedhit, në bashkëveprim me çetat e Smokthinës, Mavrovës, për të sulmuar e shpartalluar garnizonin e Kotës. Në orën 03 të natës, luftëtarët trima të Kudhësit, nën drejtimin e Rrapo Çelos dhe heroit Kanan Maze, u hodhën në sulëm. Në këtë përleshje, për mungesë të armëve dhe municioneve, u përdorën edhe sopata, hanxharë, kosa, madje edhe sfurqet. Për të përmendur është rasti i Zyber Bejto Kudhësiotit, nga Dushkaraku, i cili me një sfurk në dorë, me zvarritje, i shkoi ushtarit italian në llogore, i vuri sfurkun në fyt… Dhe kënga legjendë i këndohet legjendarit. Lufto Zyber Bejtua/Me shkopin në dorë/I shtriu të vdekur/Pushtuesit, një taborr… Më 5 Qershorit, të vitit 1920, forcat e krahinës së Kudhësit, Mesaplikut dhe të fshatrave për rreth, shpartalluan plotësisht garnizonin e Kotës. Në këtë betejë, u plagos edhe Kanan Maze, nga Shkoza, Hero i Popullit. Pas marrjes së garnizonit të Kotës, forcat e Kudhësit, nën komandën e Rrapo Çelos, në bashkëpunim me forcat e Mesaplikut, të komanduara nga Sali Murati dhe ato të Selam Musait, ndoqën këmba-këmbës, deri në qafën e Sherishtës, në Kalanë e Kaninës, në qafën e Koçiut, deri sa hodhën në det zaptuesin italian. Aksionet për marrjen e qendrave të fortifikuara dhe beteja për çlirimin e Vlorës, u realizua me një përleshje të përgjakshme. Jehona e kësaj lufte u dëgjua dhe u përhap si rrufe, jo vetëm brenda Shqipërisë, fqinjëve, por edhe në kancelaritë europiane. Populli i vogël shqiptar, pa përkrahjen e askujt, u ndesh me një armik të pa barabartë, si në numër, ashtu dhe në armatim. Në këtë luftë frontale, që zgjati 3 muaj, u derdh gjak me okë, për të lulëzuar kjo tokë…Vlora u çlirua, zaptuesit u hodhën në det. Këtë betejë e gjejmë të gëdhëndur në vargjet e rapsodit, në këngë e skalitur në mendjen e popullit: “Qaf’e Koçiut moj grykë/Ç’hata bëre atë ditë/Me topa me alitrik/Katërqindë e ca shehit/Katërqindë e ca të vrarë/Vallë qysh e dhanë xhanë/ Pa bukë e pa njeri pranë… 400 luftëtarë ranë për çlirimin e Vlorës, në Luftën e 1920-s dhe mbetën në memorien e kombit. 
Sigal