Met Metani, “gardiani” me kasketë i portës bardheblu

2621
Sigal

Nga Bedri ALIMEHMETI

DOSSIER/ In memoriam në 85-vjetorin e lindjes të portierit, që e nisi karrierën si sulmues, por suksesin e arriti në mes të katërkëndorit

Nëse do të jetonte Met Metani, këto ditë në familjen e tij djemtë, nipat, stërnipërit e mbesat do t’i festonin 85-vjetorin e ditëlindjes. Do të qe vërtet një festë e bukur familjare, ku bilanci i arritjeve do të ishte “qershiza mbi tortë” e kësaj familjeje të madhe sportive, në mbarëvajtjen e së cilës kontribut të jashtëzakonshëm ka dhënë bashkëshortja Lirika, ose “nëna heroinë” siç e etiketojnë prej vitesh të gjithë. Por, tashmë ai ka pesëmbëdhjetë vite, që nuk është më mes tyre e, megjithatë, trajektorja e rrugës së tij sportive në futbollin shqiptar ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Kur filloi të ngjisë shkallët e mjeshtërisë së futbollit Met Metani, sigurisht nuk e pati menduar, që do të vinte një ditë e ky sport i magjishëm, do të bëhej pjesë e pandarë e familjes së tij. Madje vijon të mbetet ende i tilli. Por, veçmas këtij fakti, interesante është udha sportive e Met Metanit, i cili njihte mirë volejbollin e basketbollin, madje në këtë aspekt atë e ndihmonte shumë shtatlartësia. Ndërkohë zemra i rrihte vetëm për futbollin dhe fillimet e para i ka pasur si sulmues me Tiranën, më 1948 dhe më tej tek Erzeni i Shijakut. Pavarësisht se në rolin e sulmuesit, te Erzeni shquhet shumë si golashënues, madje vlerësohet ndër “bomberët” më të mirë të kampionatit, specialistët e vendosën përfundimisht në rolin e “gardianit” të portës. Natyrisht fillimi qe paksa i vështirë. Por, aq u desh dhe Meti u dashurua shumë pas këtij roli, të cilin nuk e ndërroi deri në fund të karrierës.

Dashuria për portën, më e madhe se e sulmuesit

Kështu në rolin e “gardianit” u rikthye sërish tek Tirana, duke luajtur për ngjyrat e saj deri më 1950. Pas kësaj kalon tek Dinamo e sapokrijuar, e cila që në pjesëmarrjen e parë në kampionatin e vitit 1950 shpallet kampione. Me Dinamon fiton edhe Kupën e Shqipërisë dhe, më 1951 rikthehet përfundimisht tek skuadra bardheblu, katërkëndorin e së cilës e mbron deri në vitin 1965, kur mbyll përfundimisht karrierën sportive. Për kohën që u aktivizua dhe për kontingjentin e futbollistëve që kishte skuadra bashkë me shokët e tij Osman Caslli, Osman Reçi, Enver Shehu, Bedri Stërmasi, Enver Rada, Besim Boriçi, Sadik Struga, Xhaferr Merja, Aristidh Parapani, Galip Çaushi, Hysni Skënderi, Aristidh Papadhopulli, Remzi Bulku etj., bëri të pamundurën për ta mbajtur skuadrën në elitën e futbollit dhe në këtë drejtim ia doli mbanë. Themi kështu sepse në ato vite, skuadrës bardheblu ia “rrëmbenin” njëri pas tjetrit sapo shfaqeshin në fushën e blertë talente të shkëlqyer si S. Halili, P. Pano, F. Frashëri, O. Mema, L. Bytyçi, P. Bukoviku, T. Gjoka, A. Mema, A. Verria, N. Xhaçka etj, me të cilët përjetoi fitimin e Kupës të 15-vjetorit të Çlirimit (1959) dhe të Kupës së Republikës në finalen e paharruar me Besën e Kavajës, më 8 prill 1963.

Specialistët e vlerësojnë më të mirin e Kampionatit

Portën e Tiranës, Met Metani e ka mbrojtur me sukses edhe në mjaft takime ndërkombëtare. Ai u dallua në turneun miqësor që bardheblutë bën në vitin 1958 në qytete të ndryshme të Bashkimit Sovjetik, duke filluar në Odesa, në Kishinjev dhe në Moskë. Pas kësaj u dallua edhe në ndeshjet për Kupën Ballkanike, ku Tirana garoi me sukses. Në ato vite falë performancës dinjitoze, Met Metani “gardiani”, që në mes të katërkëndorit të portës zuri vend gjithnjë me kasketë, pa thënë që asnjëherë dhe në asnjë ndeshje nuk mbahet mend pa të në kokë, qe vlerësuar nga specialistët ndër portierët më të mirë të kampionatit. Në detyrën delikate të “gardianit” ishte tejet i qartë e zotërues i situatave të vështira. Mbi të gjitha shquhej për lojën pozicionale, e cila padyshim ishte një nga dhuntitë e tij më të vyera.

Pas ndërprerjes së karrierës, Meti nuk iu nda skuadrës bardheblu. Në ato vite ekipet nuk kishin trajnerë enkas për portierët. Këtë Meti e bëri vullnetarisht, pasi shkonte shpesh në fushën e qytetit të nxënësve ku stërvitej Tirana dhe merrej me përgatitjen e portierëve Bujar Tafaj, Shpëtim Habibi e Gut Tafaj, që vijuan të mbrojnë më pas portën bardheblu

“Dinastia” sportive Metani, në krye qëndron Meti

Në krye të listës së kësaj “Dinastie”, në mënyrë të padiskutueshme qëndron Meti, portieri i Tiranës në vitet ’50-të, “gardiani” që e mbrojti me fanatizëm katërkëndorin bardheblu, 15 vite me radhë në një periudhë vërtet tejet të vështirë. Ndërkohë duhet thënë se, përpara Metit, si futbollist në familjen e hershme tiranase kishte spikatur i vëllai Haxhiu dhe djali i xhaxhait Nuriu, të cilët u shquan në kampionatin lokal të Tiranës. Më pas stafetën e “Dinastis” Metani, pra kur Meti u largua për herë të fundit nga fusha e lojës e morën djemtë e tij. Kështu i pari në fushën e blertë spikati Luani, djali i parë njohur nga të gjithë me emrin Ili, i cili u shqua si golashënues së pari në radhët e Shkëndisë më pas tek Tirana, ndërkohë që me ekipin Shpresa U-21 ka fituar titullin kampion i Ballkanit në vitin 1981 në Vollos të Greqisë. Si trajner, Ili ka drejtuar në kohë të ndryshme Kamzën, Turbinën, Albpetrolin, Tërbunin, Kukësin etj. Djali i dytë Blerimi, ndoqi rrugën e të atit Metit, zuri vend në roje të katërkëndorit të portës së Shkëndisë. Edhe dy djemtë e tjerë, Agroni e Altini kanë veshur fanellën bardheblu. Nëse do të shtohen këtu edhe fëmijët e e fëmijëve të Metit, kjo “dinasti” shtrihet shumë në kohë me emra të tjerë.