Kujtimet e Afërditës, motrës së Margarita dhe Kristaq Tutulanit: 5 Maji dhe harresa e heronjve në demokraci

1103
Sigal

Kujtimet  e motrës së Margarita dhe Kristaq Tutulanit, mësueses Afërdita Tutulani: Sot është zbehur respekti për heronjtë

-Margarita dhe Kristaq Tutulani u pushkatuan më 6 korrik 1943 në Gosw, Kavajë

-Margaritën dhe Kristaqin i tradhwtuan, ata pas pak orësh do iknin në mal

-Margarita ishte një femër që fliste me sy, unë njërës vajzë i vura emrin e saj

-Enver Hoxha vinte çdo 5 Maj në shtëpinë tonë

-Nëna ime më shumë donte Ramiz Alinë, ai i thoshte mama

-Arsimi në Shqipëri në sistemin monist ishte i përkryer

-Babai im quhej Milto Tutulani, dhe në qeverinë e Zogut ka qenë ministër i Arsimit dhe ministër i Drejtësisë dhe ministër i Financave

-Ahmet Zogu është tradhwtar i atdheut nuk i takon bust në Tiranë

-Për figurën e Enver Hoxhës duhet të bëhet referendum

-Ahmet Zogu ka helmuar babanë tim, Milto Tutulani

Albert ZHOLI

Aferdita Tutulani

Jeta e saj ka shumë ulje-ngritje, mbushur me ngjarje nga më befasueset. Ishte në shtëpi kur arrestuan në “Mangalem”, lagjen karakteristike beratase ku kanë, o kemi ende shtëpinë. Marshall Martini, fashisti italian u tregua i pamëshirshëm për Margarita dhe Kristaq Tutulanin. Ishte dy korrik 1943 dhe 4 ditë më pas më 6 korrik ata i pushkatojnë në Gos të Kavajës. Një pushkatim makabër. Por ajo thotë se në sistemin monist familja e saj ka qenë e respektuar. Enver Hoxha dhe gjithë Byroja Politika vinin dhe e vizitonin familjen e saj në 5 Maj. Por nëna e saj respektin më të madh e kishte për Ramiz Alinë, pasi ai i thoshte mama dhe ishte shumë i dashur. Në këtë intervistë ajo thekson se duhet riparë figura e Enver Hoxhës, pasi kur vlerësohet Ahmet Zogu që shiti Shqipërinë patjetër që Enver Hoxha ka më vlera. Por befas ajo shpërthen në lot duke akuzuar Ahmet Zogun si vrasës të babait të saj Ministër i Financave në qeverinë e Zogut. Ajo thotë se babai është helmuar prej tij pasi nuk firmoste shitjen që bënte Zogu minierave, pyjeve apo tokave shqiptare.

Ju keni mbajtur mbiemrin e prindërve, pse?

Ka qenë një dëshirë e nënës time për të mbajtur mbiemrin tim dhe unë këtë dëshirë ja bëra prezent bashkëshortit kur do martoheshim. Kështu që unë sot e kësaj dite kam mbiemrin e vajzërisë.

Ju jeni nga fisi i famshëm i Tutulanajve të Beratit?

Po. Nga ai fis jam, një fis që tërë jetën e vet ja ka kushtuar shqiptarizmës. Unë jam motra e Margarita dhe e Kristaq Tutulanit, të cilët i vrau dora gjakatare e pushtuesve nazisfashistë.

Margarita dhe Kristaqi kanë mësuar në Tiranë, po ju?

Edhe unë në Tiranë kam mësuar. Kam qenë në shkollën pedagogjike. Margarita ishte në Institutin “Nëna Mbretëreshë”. Pra nëna jonë bënte çmos të na arsimonte. Arsimimi ishte kryesore për të. Kursente edhe bukën e gojës për vete për të na arsimuar dhe ja arriti qëllimit.

Kur është larguar Margarita nga Instituti “Nëna Mbretëreshë”?

Pas vitit të parë të pushtimit, pasi ajo u lidh shumë me Luftën Nacional Çlirimtare, së bashku me vëllanë Kristaq Tutulanin. Urdhri i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë ishte që ata të shkonin në Berat, që të organizonin aty lëvizjen dhe njësitet guerile të qytetit. Ajo u angazhua shumë në luftë.

Cila ishte detyra kryesore e Margaritës në këtë organizim në Berat?

Detyra kryesore ishte të organizonte të rinjtë, por sidomos gratë në këtë luftë, pasi flitej për një luftë të përgjithshme. Pra ishte viti 1940, kur kishin filluar të organizoheshin formacionet e para partizane.

Pra shtëpia juaj u kthye në bazë të rëndësishme lufte?

Sigurisht. Në atë zonë ishte shtëpia e parë e luftës. Edhe shokët ilegalw që vinin nga Tirana, në shtëpinë tonë vinin.

Çfarë moshe ka pasur atë kohë Margarita?

Në vitin 1940 ajo ishte fiks 18 vjeç, pasi ishte 6 vjeç më e madhe se unë. Por ishte e zhvilluar dhe me shumë temperament. E shihje gjithmonë në lëvizje. Ajo kishte një buzëqeshje si pranverë, një buzëqeshje të veçantë që e kishin zili të gjithë. Për këtë të veçantë dhe unë bëra diçka të veçantë kur linda.

Çfarë bëre?

Unë linda binjake dhe njërës nga binjaket ja vura emrin Margarita. Kjo ishte dhe dëshira e nënës time. Dhe unë sikur e desha më shumë këtë vajzë. Duke u rritur pashë se ajo i ngjante tamam Margaritës, motrës time. Ajo kishte sy kaq të veçantë sa unë i kam gjetur një emër të veçantë atyre syve.

Çfarë emri?

Sy që flasin vetë. Pra në sytë e saj gjeje çdo gjë të bukur. E gjeje shumë thjeshtë atë çka kërkoje. Sytë e saj flisnin sa miliona fjalë. Sy të mençur. Unë tek sytë e Margaritës thoshte mamaja ime, kuptoja çdo gjë në sy, pa më folur ajo. Pra e kuptoja dhe kur ishte e gëzuar edhe kur ishte e hidhëruar edhe kur ishte e lodhur. Komunikimi im me të ishte vetëm me sy.

Si u arrestua Margarita?

Margarita u arrestua papritur. Ata motër e vëlla duhej të largoheshin nga Berati, pasi kishin rënë shumë në sy. Aktiviteti i tyre dukej sheshit, pasi spiunët bënin punët e tyre. Por atë moment që ata duhej të iknin Sekretari i Qarkorit tha që s’mund ta lëmë Beratin pa këta njerëz, pasi këta na bëjnë punën. Pra kur diskutohej të iknin në mal apo të qëndronin, ata i arrestuan sikur t’i çonte njeri me dorë aty në shtëpi.

Kur u arrestuan?

Në dy korrik të vitit 1943 dhe i pushkatuan në 6 korrik të vitit 1943 në Gos të Kavajës, pra katër ditë më vonë. Kur ata e kishin vendosur që të iknin në mal, kur duheshin dhe pak orë, i arrestuan. E çuditshme, spiunët kishin bërë punën e tyre. Ne banojmë në lagjen “Mangalem” dhe ata erdhën dhe i kapën në shtëpi. Qëndresa ishte e madhe, por Marshall Martini që drejtonte operacion u tregua i pamëshirshëm. Më në fund të kapëm,- i tha,- tani ç’do na thuash? Do them se je një pushtues i ndyrë që koha do të gjykojë keq. Kjo ishte fjala e fundit e saj në praninë time. Pastaj ata i çuan në Kuesturë. Aty thirrën dhe nënën dhe motrën e madhe Xhenin. Ç’do bëni me ta i pyeti nëna? Ata ishin të lidhur. Gjithë Berati u shqetësua. Për disa ditë ata i torturuan shumë keq për të treguar shokët, por ata s’e bënë kurrë. Në orën 12 të drekës së datës dy, korrik i nisën për në Durrës. I torturuan dhe aty dhe i çuan në Gos, ku i pushkatuan. Pasi i pushkatuan i lanë aty, pa varr, në një tokë djerrë.

Si e morët vesh pushkatimin e tyre?

Na e tregoi bariu i fshatit. Ai nga larg e kishte ndjekur gjithë ngjarjen. Ai pasi pa që u larguan trupat e pushkatimit, shkoi tek juristi në Bashkinë e Kavajës. Ai kishte marrë vesh se kush ishin, dhe u tha dhe emrat. Të nesërmen shkoi dajoja me një shok nga Berati dhe i verifikuan që ishin ata dhe i varrosën në atë vend. Njësiti gueril i qytetit të Beratit i zhvarrosi dhe i çoi në Skrapar. Më vonë ne i morëm në Berat. Ne i morëm në vitin 1949.

Ju çfarë pune keni bërë pas çlirimit?

Unë kam qenë arsimtare, në shkollë 8-vjeçare, por dhe të mesme. Kam punuar gjithmonë në Tiranë si në shkollën “Mihal Grameno”, “Kushtrimi lirisë” më vonë dhe në shkollën e mesme “Ismail Qemali”. Kam dhënë gjithë kohën lëndën e historisë. Më vonë kur linda dy binjaket më afruan në shkollën “Hoxha Tasim” ku dhe e mbylla punën, kur dola në pension.

Si ka qenë mësimdhënia në sistemin komunist?

I përsosur. Kërkesa në maksimum. Nuk njihnim mitmarrje. Ti merrnim ne lekë nxënësve? O zot. Po ahere çfarë do u mësonin që si të vidhnin?! Në shkollë shkohet që të mësosh se si të duash, respektosh, të mos vjedhësh, të mos vrasësh. Po sot çfarë u mësojnë?

Ahere mësuesi ishte perëndi. Ne i donim nxënësit si dritën e syve. Si fëmijët tanë. Ku kishte ahere të mos shkonte nxënësi në shkollë. Bëhej nami, ore nami. Një kujdes i jashtëzakonshëm për shkollë, mjetet didaktike, laboratorët, pastërtinë. Kontrolle të përhershme. Shkolla ishte mbi gjithçka. S’kishte ahere shfaqje të tilla, që as emrin s’ua dinim.

A janë vlerësuar Margarita dhe Kristaq Tutulani në sistemin monist?

Shumë. Gjithmonë përmendeshin. Madje, ishin dhe në librat e shkollës. Ato që ata dhanë për Shqipërinë i morën vlerësimet. Nëna ime kurrë nuk kërkoi gjë për ta, por vetë udhëheqësit e kohës i kanë vlerësuar.

Ka shkuar ndonjëherë Enver Hoxha apo Mehmet Shehu në shtëpinë e nënës tuaj?

Pas çlirimit edhe nëna erdhi në Tiranë. Erdhi më para se unë tek motra e madhe Xheni, e cila ishte martuar me Frederik Nosin. Çdo 5 Maj në shtëpinë e nënës do të vinte Enver Hoxha. Por edhe në festa të tjera. E ngushëllonte nënën duke i thënë “Ata janë flakadanë të edukimit të brezit të ri. Dhanë jetën për atdhenë”. Fjalët e tij ishin mjaltë për figurën e motrës dhe vëllait tim. Mund të them se gjithë anëtarët e Byrosë Politike vinin në shtëpinë tonë. Të gjithë flisnin me një konsideratë për motrën dhe vëllanë tim, pasi e vlerësonin në maksimum atë luftë. Të gjithë familjet e dëshmorëve respektoheshin në atë sistem, le të thonë diktatorial. Sot po lihen në harresë dhe figurat ndër më të mëdhatë. Kjo është një çudi.


Po nga të gjithë kë kishte më të preferuar nëna jote?

Kishte Ramiz Alinë. I ngjiti me të dhe e donte shumë. Dhe ai gjente rast dhe vinte vazhdimisht. Mund të them se Ramiz Alinë nëna ime e donte si djalin e vet. Nëna ime quhej Kristina. Ramizi i thoshte gjithmonë mama, sa herë vinte. Kur i thoshte ashtu, ajo lotonte dhe i hidhej në qafë. Kjo mirësi e tij, e bënte shumë të ndjeshme dhe e trajtonte sikur të ishte Kristaqi gjallë. Ajo e pëlqente Ramizin se ishte i qetë, nuk tregonte egërsi, komunikonte me të gjithë. I dëgjonte të gjithë. E vlerësonte shumë luftën.

Sot mohohet lufta nacional çlirimtare, cili është mendimi juaj?

Kur dëgjoj deklarata të tilla rrëqethem. Ata që thonë kështu ose nuk kanë lexuar ose paguhen të flasin me këtë gjuhë. Unë kam qenë mësuese historie dhe e di shumë mirë se sa e ka vlerësuar bota luftën tonë nacional çlirimtare. Ajo luftë na radhiti përkrah fitimtarëve përndryshe ne rrezikoheshim të ekzistonim si shtet. Të gjithë shtet bashkëpunues me nazifashizmin, morën jo pak ndëshkime. Të gjitha ato që shpifin sot shikojnë ëndrra dhe flasin përralla për fëmijë? Kush e dogji Borovën? Kush i vrau motrën dhe vëllanë tim? Kush e bëri operacionin e dimrit që njihet nga gjithë bota? Qoftë Italia si Gjermania erdhën si pushtues. Këtë e di dhe bufi, pasi 5 Majin e feston gjithë bota. Greqia a e mohon këtë luftë? Po Serbia? Po vetë Amerika e lartëson atë luftë, madje udhëheqësit e saj çdo 5 Maj shkojnë në Moskë.

Si do ta cilësonit tekstin e sotëm të Historisë së Shqipërisë me tekstin e viteve tuaja?

Dëgjo, teksti i kohës sonë vetëm se kishte disa ideologjizma, por kurrë nuk luhej me data, kurrë nuk luhej me seriozitetin. A mohohen rrënjët e asaj historie. Për më tej figurat e Ismail Qemalit dhe të Skënderbeut në atë kohë vlerësoheshin shumë më shumë se sot. Ne në atë sistem festonim me madhështi të dy festat 28-29 Nëntori, ndërsa sot festohet apo jo vetëm një datë.

Si do ta cilësonit vendimin e fundit të Qeverisë “Rama” për vendosjen në zyrat e administratës shtetërore portretin e Ismail Qemalit?

Është vendimi më i drejtë. Ismail Qemali i përket të gjithëve, është figura që i bashkon të gjithë shqiptarët pa bindje politike, ndërsa të gjithë Presidentët shqiptarë janë zgjedhur, apo propozuar nga njëra apo tjetra parti politike, duke qenë anëtar të njërës apo të tjetrës parti. Pra nuk simbolizojnë bashkimin. Nuk ka lindur ende në Shqipëri një figurë kaq të madhe, kaq historike, kaq emblematike. Madje do thoja më shumë se kaq.

Çfarë do të thoje?

Që duhet parë figura e Enver Hoxhës. Ai ishte vërtetë diktator, por s’e mendoj kurrë që të jetë më e vlerësuar figura e Ahmet Zogut. Ahmet Zogu ka vrarë sa e sa patriotë, sa e sa kundërshtarë politikë. Ahmet Zogu ka vrarë dhe babanë tim.

Si, Ahmet Zogu ka vrarë babanë tënd?

Po. Po. Mos u habit, por dokumentet janë zhdukur.

Çfarë pune ka bërë babai juaj?

Babai im quhej Milto Tutulani, dhe në qeverinë e Zogut ka qenë ministër i Arsimit dhe ministër i Drejtësisë dhe ministër i Finacave. Ka qenë 12 vjet deputet i Beratit dhe është vrarë në vitin 1933.

Po si e ka vrarë Ahmet Zogu babanë tuaj?

Babai im ishte sëmurë dhe shkoi për vizitë në Napoli. Ai shkoi për t’u kuruar për depresion. Nuk kishte asnjë sëmundje tjetër. Madje, ne po përgatiteshim ta çonim për vizitë në një klinikë austriake e specializuar për këtë sëmundje. Në qeverinë e Zogut ai ka qenë 10 vjet ministër. Kishte mbaruar për financë në Selanik, kishte mbaruar dhe në Athinë Fakultetin e Drejtësisë dhe më pas në Napoli mbrojti një doktoraturë. Mund të them se ishte Akademiku i parë shqiptar. Pra për mua është helmuar në Napoli dhe kur erdhi Zogu e priti me të gjitha nderet. Ngriti flamurin në gjysmë shtizë, etj..

Po përse ta ketë helmuar Zogu babanë tënd?

Sepse babai im nuk i pëlqente ato pehlivanllëqe të Zogut që e kishte shitur Shqipërinë me koncesione, që nuk donte të firmoste shumë urdhra të Zogut për pasurinë e Shqipërisë. Pra babai im ishte i ndershëm dhe e donte shumë atdheun. Nuk donte të shitej Shqipëria. Pra u gjet rasti që babai im të zhdukej nga faqja e dheut. Një njeri shumë besnik, i dashur, i rregullt, i zgjuar, patriot. Ne jemi nga një familje me shumë emër që nga gjyshi.

Kush ka qenë gjyshi juaj?

Gjyshi im ka qenë Dhimitër Tutulani një ndër firmëtarët e Aktit të Pavarësisë. Ai ja kushtoi gjithë jetën atdheut dhe ashtu e edukoi dhe djalin e tij, pra babanë tim, me atdhedashuri.

(Këto kujtime  janë botuar në Telegraf në vitin 2012).