Bejo Hoxha: Si e gjeta Sazanin në vitin 1953 kur u emërova komandant baterie.

640
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Kujtimet e ish oficerit të lartë të Mbrojtjes Kundërajrore  Bejo Hoxhaj- Vizita e Hysni Kapos në shkollën e oficerëve ishte mbresëlënëse

– Në ishullin e Sazanit kishte dy kodra, kodra Stalin dhe kodra Salvadore.

– U caktova si komandant baterie në  kodrën Salvadore.

– Në Krime shkova me një vapor, që kishte ardhur Hrushovi në Shqipëri dhe quhej “Pompjeta

Ai ka mbajtur  vazhdimisht shënime. I ka lënë ashtu në vite, pasi  jeta e tij është e mbushur me ngjarje. Qysh në rininë e tij filloi shkollën për oficer kundërajror dhe më pas disa kurse në B.S, për raketa dhe për artileri kundërajrore. Kur rrëfen ai herë pas here hesht që të mbledhë mendimet. I ka rënë kryq e tërthor Shqipërisë, që nga Sazani e deri në Shkodër. Më shumë në repart se sa në shtëpi. Reparti për të ishte shtëpia e parë. Në reparte kaloi moshën më të bukur të jetës. Por ai tregon bukur udhëtimet për në Krime, qëndrimin në Stamboll dhe për më tej  stërvitja një vjet e gjysmë në Siberinë e largët, ku shihje vetëm akull. Asnjëherë nuk e kishte besuar se do të jetonte mbi një vit në një vend ku temperatura ishte minus 30 gradë dhe ku ishe i detyruar të pije çerek litër konjak ose vodkë. Por një nga ditët më të bukura të tij mbetet viti 1973 kur në Hamallaj,  zhvilluan qitjen e parë me raketa V 750, si në kushte lufte. Dolën shkëlqyer. Ai veçon se raketat kundërajrore V 750 ishin raketa shumë cilësore, por që donin përgatitje dhe gatishmëri të lartë. Në punën e tij, një detyrë të veçantë quan atë të Komandantit të Garnizonit të Tiranës. Mendoi se do ishte më mirë, pro gaboi. Probleme pa fund. Në këtë garnizon përgatiti dhe shtratin e topit ku u vendos arkivoli i Enver Hoxhës. Por në të gjithë bisedën ai veçon për rëndësinë që i kishte dhënë partia mbrojtjes kundër ajrore. Ajo ishte një mbrojtje e fortë, unike dhe e shkallëzuar në gjashtë nivele, apo lartësi.

Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al :

Labëria është krahina me më shumë oficerë ndër vite. Po ju kur e filluat shkollën si oficer dhe ccfarë mbani mend nga ajo shkollë? Kush nga udhëheqësit e kohës ka ardhur aty?

Kjo është e vërtetë. Labët e kanë pasur profesion të parë të qenit oficer. Shkollën e fillova në vitin 1950 dhe e mbarova në vitin 1952. Shkova në Shkollën e Bashkuar Enver Hoxha. Atëhere ashtu ishte shkolla 2 -vjeçare pasi kishte shumë nevojë për kuadro. Komandant Shkolle kishim Qazim Kapisyzi. Kërkesat ishin të mëdha, disiplina e madhe. Por ne ishim të privilegjuar në atë kohë. Ka ardhur Hysni Kapo. Ai gëzonte respekt të madh. Kur erdhi ne e pritëm me nderime dhe me parakalime. Hysniu na tha se ju jeni ata që do keni fatet e atdheut në dorë. Pasi bëri përshëndetjen ai shkoi me komandantët e shkollës për të biseduar. Unë në atë kohë isha 20 vjeç.

Ku të emëruan kur mbarove shkollën?

Kur mbarova shkollën na dhanë një muaj pushim dhe në muajin tetor unë u paraqita në Vlorë tek Komanda e Brigadës aty. Kur u paraqita më thanë se që nga Shkolla e Bashkuar je caktuar në Sazan, pra në Ishull, konkretisht në kodrën Salvadore. Në ishullin e Sazanit kishte dy kodra: kodra Stalin dhe kodra Salvadore. Unë megjithë një shokun tim Petro Markon (jo shkrimtarin, por oficer). Në atë kodër italianët kishin lënë një bateri 756 mlm prodhim të tyre. Ajo pikë ishte dominuese, ku në mëngjes aty mund të shikoje Barin, kaq e lartë ishte. Por ishte dhe pikë strategjike, pasi kishte lartësi dhe mund të vrojtoje dhe mund të hapje zjarr lehtësisht. Por ne i hoqëm topat italianë 76 mlm dhe vendosëm topat 20 mlm gjerman. Ne vendosëm topat 20 mlm pasi topat 76 mlm nuk kishim kunjat për zmbrapsje. Kishin vështirësi në zmbrapsje që mund të sillnin dëmtime edhe të vetë ushtarëve.

Sa vjet qëndrove dhe si ishte ndërtuar aty regjimi i oficerëve?

Unë aty qëndrova dy vjet 1952-1954. Aty ishim shumë të kufizuar. Ishte garnizon më vete. Aty kishte më shumë ushtarakë, por kishte dhe civilë. Pjesa perëndimore ishte e thepisur ku thellësia e detit arrinte deri në 100 metër. Por ajo pjesë ishte e minuar dhe kishte shumë shenja xheniere, ku thuhej “Kujdes, zonë e minuar”. Ne aty thuajse jetonim në repart me ushtarët. Aty rrinim, aty hanim, aty luanim. Ishim në kulmin e rinisë dhe asgjë nuk kishim për argëtim. Thuajse ishim në gjendje lufte. Unë isha komandant toge. Kushte të vështira. Ushqimet vinin me traget nga Vlora. Vetëm ti mirrje ushqimet nga anija ishte shumë e vështirë. Por kryesorja ishte mungesa e ujit. Uji vinte nga Vlora me cisterna dhe as mund te flitej për ujë të freskët. Italianët kishin bërë cisterna dhe mblidhnin nëpërmjet kanalizimeve ujin në cisterna prej betoni, ku e filtronin. Ne shumë herë pinim dhe ujë jo të pijshëm. Në Sazan kishte dhe shumë lepuj, por nuk na linin t’i vrisni, por fshehurazi edhe i vrisnim. Pesë muajt e parë ne nuk lëvizëm nga Sazani. Një ditë vjen Petrit Dume. Ne i ngritëm si problem që duam dhe pushim. Ai na tha që njëherë në muaj të shkoni me traget në Vlorë. Pra për dy vjet mund të kem dalë 10 herë në Vlorë ku takoja njerëzit e mi dhe shokët.

Ku shkove pas vitit 1954?

Më erdhi transferimi ku do të shkoja tek Rrapi Treshit në Tiranë ku do të jepja mësim tek shkolla e instruksionit, pra për kundërajror. Aty gjeta  topa 76 mlm prodhim çek, kishte topa 37 mlm, 12, 7 mlm dhe 20 mlm. Unë isha përgatitur për të gjitha kalibrat. Kështu  unë dhashë mësim një vit deri në vitin 1955. Aty kishte kushte më të mira, por dhe kontrolle të shpeshta nga Ministria. Pas një viti më vjen transferimi për të shkuar komandant baterie aty afër dhe pa mbushur muajin më del bursa për në B.S., Tashmë kishte hyrë viti 1956. Ishim rreth 16 veta nga kundërajrori që shkuam në shkollë në B.S., në Krime, në një qytet të vogël të tij, qytet bregdetar.

Me se shkuat në Krime?

Shkuam me një vapor që kishte ardhur Hrushovi në Shqipëri. Ishte viti 1956. vapori quhej “Pompjeta”. Ishte vapori më i mirë i B.S., së asaj kohe. Kur erdhi në Durrës u shkulën të gjithë që ta shihnin. Kur shkuam, qëndruam pak në Stamboll dhe në Rumani. Stambolli na habiti. Një mrekulli. E shikonim dhe nuk ngopeshim. U nisëm për Sevastopol. Në Sevastopol na pritën me disa mikrobusë dhe na çuan tek vendi ku  do mësonim. Paraprakisht na çuan tek një muzeum “Panomama” ku kishte qindra piktura dhe shfaqeshin filma nga lufta e parë dhe e dytë botërore. Në shkollë na priti një kolonel, i cili na ndau në dhoma katërshe. Ishin kushte shumë të mira, nuk krahasoheshin me shkollën e Bashkuar. Kishte rregull dhe pastërti.

Përse mësove aty?

Aty mësuam për topat e rëndë kundërajror të drejtuar, 57 mlm, 100 mlm dhe 130 mlm. Mësimi bëhej me nivel. Deri në vitin  1957 qëndruam këtu dhe më pas na çuan në Siberi. Kështu ishte planifikuar.

Përse ju çuan në Siberi?

Atje duhet të mësonim për raketa kundërajrore tokë ajër. Ato ishin instaluar aty për efekt sigurie dhe ruajtje sekreti. Aty ishin raketa V-750. Ishin raketat e fundit ruse shumë të mira. Këtu qëndruam një vit e gjysmë. Aty ishte 30 gradë nën zero. S’kishim ku të shkonim. Ishim si në burg. Aty kishte vetëm akull. Ndaj ju përkushtuam më shumë mësimeve. Veshja ishte veshje ariu. Të mbuluar kokë dhe këmbë. Nuk dallohej se kush ishte grua dhe kush burrë. Pasi dukeshin të gjithë njëlloj. Aty kishte nga të gjithë vendet ish komuniste. Për një vit e gjysmë ne mësuam shumë gjëra për raketat. Por mësimin e  bënim brenda në auditorë. U kthyem në vitin 1959. Kur u ktheva më caktuan në shkollën e instruksionit  në Pezë Helmës për raketat. Do jepja mësim për frekuencën e ulët. Këto frekuenca kishin kabina më vete. Ushtarët ishin të gjithë me shkollë të mesme ose që kishin ngelur në shkollën e lartë. Akoma tek ne nuk kishin ardhur raketat, por stërvitja bëhej njëlloj. Kishte shumë kërkesë llogarie.

Kur erdhën për herë të parë raketat?

Raketat për herë të parë erdhën në vitin 1960, dy grupe të prodhimit rus. Plani i vendosjes së tyre ishte i ndryshëm. Një grup u vendos ne Grec në kodrat e Pezës së Madhe, ndërsa grupi i dytë  në Sukth mësimore. Ishin raketa tokë ajër V 750. Këto e kishin rrezen e veprimit 35 klm. Ndërsa si lartësi deri në 20 klm. Unë në këtë kohë u caktova të shkoj në Krujë, në malin e lartë, por u kthye, pasi motorët aty nuk punonin mirë nga të ftohtit dhe u kthyen në Sukth. Këtu shkova unë, tek mësimoret. Në Sukth qëndrova një vit dhe më vonë në vitin 1961 shkova në Grec të Pezës së madhe ku u caktova Komandant i Baterisë Radioteknike. Në këtë kohë krijova familje. Isha 28 vjeç.  Këtu xhenjua kishte bërë disa shtëpi për ushtarakët. Në Grec shkova si Shef Shtabi i Grupit dhe më vonë Komandant Grupi.  Këtu qëndrova deri në vitin 1967, këtu linda dhe fëmijët.

Kush ka qenë Komandant i Mbrojtjes Kundërajrore dhe a kishit shumë gatishmëri të lartë?

Komandant kishim Arif Haskon, shumë i përgatitur, shumë i aftë, shumë ushtarak i zoti. Ne ishim më shumë në gatishmëri se në shtëpi. Kushtet më të këqija i kishim për ujë. Më shumë rrinim në repart se në shtëpi. Në vitin 1968 ne ikim nga Grec- Pezë dhe vijmë në Petrelë.

Si shkuat dhe përse shkuat në Petrelë?

Duhej një pozicion më i lartë, më i madh. Para se të shkonim në Petrelë ne shkuam dhe bëmë rikonicion me helikopter. Shikuam në gjithë zonën e Durrësit dhe të Tiranës. Ato donin 6 dynym tokë, pasi ajo ishte një uzinë më vete. Aty në Petrelë pamë një kodër, kodrën më të madhe të zonës. Aty e vendosëm grupin. Aty ulëm kodrën 15 metër. Por edhe me këto ndryshime ne vendosëm 4 shtretër lëshimi raketash, dy i lamë mënjanë. Nuk i vumë në gatishmëri luftarake, por ia lamë gjysmë në gatishmëri. Njërin e lamë për stërvitje. Këtu qëndrova deri në vitin 1973 si komandant grupi. Zhvilluam disa stërvitje të rëndësishme. Gatishmëria ishte maksimale.

A keni bërë qitje në këtë kohë me raketë, ku e bëtë dhe cili ishte vlerësimi?

Po, bëmë një qitje luftarake me raketë luftarake në Hamallaj. Ishte viti 1973. Unë isha Komandant Grupi i raketave në Petrelë. Rraketa ishte  V 750 dhe e graduam asgjësimin në 20 klm. Bëmë një qitje të shkëlqyer. Ishte një qitje që askush nuk e besonte. Në qitje erdhi Hito Çako. Hito na falënderoi dhe tha se këtë rezultat do ia raportoj Enver Hoxhës. Nqs nuk do pëlciste në 20 klm kjo raketë do përshkonte rrugën mbi 35 klm dhe mund të sillte probleme, por ne dolëm shkëlqyer.

Pas grupit ku shkove?

Shkova në poligonin e Artilerisë kundërajrore në Rrapin e Treshit ku kishte  dy zv/ komandant një për aviacionin dhe një për qitje me raketa. Unë isha zv/komandant i Poligonit për qitje me raketa. Ishte viti 1974. Këtu qëndrova deri në vitin 1976.  Në këtë kohë kishin dënuar komandantin e rrugës së Vaut të Dejës dhe më çuan mua. Ishte koha kur vendi im i punës u suprimua. Isha i lirë ndaj më çuan aty. Ishte një front i vështirë. Aty bëra disa muaj. Kur  filloi dimri ne si ushtri u larguam. Ishte një detyrë nga më të vështirat.

Kjo do të thotë që u largove nga profesioni?

Jo fill pas kësaj detyre të përkohshme më çuan Komandant regjimenti të raketave në Laç. Nuk e pranova dhe  duke pasur parasysh kërkesat e mia më çuan Shef Operativ të Regjimentit në Vorë njëkohësisht dhe Shef i Stërvitjes. Ishte viti 1979 dhe vazhdova deri në vitin 1981. Ky regjiment kundërajror kishte mitraloza 14.5 mlm, topa 100 mlm dhe topa 57 mlm. Ky ishte Regjiment Rezervë i Ministrisë së Mbrojtjes.

Çfarë të veçante bëre në këtë Regjiment?

Aty gjeta shumë shokë të mirë, kuadro të përgatitur.  Por aty kishte një mangësi në komandë, ajo nuk ishte shumë e kompletuar. Unë mendova të bëja  një vendkomandë që t’i përshtatej vendkomandës së raketave, ku isha më parë (pasi tashmë kishte vetëm topa kundërajror). Kjo donte shumë punë, por dhe lekë. Duheshin shumë materiale elektrike. Më dhanë një ndihmë të madhe. Brenda në komandë oficeri duhej të shikonte dhe komandat me flamur në raste se ndërpritej energjia. Duheshin ca llamba me sinjale të veçanta. Ne bëmë një mësim tregues për këtë. Në këtë mësim tregues erdhi dhe Simon Ballabani. Për këtë racionalizim mua më nderuan me një dekoratë. Njëkohësisht unë bëra dhe një  mënyrë komunikimi ndryshe në rast të ndërprerjes së ndërlidhjes që në kushtet e luftës është e mundshme. Unë bëra disa mjete komunikimi të reja të panjohura, nëpërmjet dy flamujve, që do të përdoreshin nga komandantët  për shumë komanda të ndryshme. Kjo ide pati shumë sukses. Njëkohësisht hodha idenë dhe të koalidimit të armëve në të thatë, jo me ato procese kornizë. Kjo solli shumë shkurtim kohe në përgatitjen për koalidim, pasi më parë qitjet me armët e këmbësorisë nuk dilnin mirë.

Këto racionalizime a patën jehonë?

Patën. Thash për atë ndryshim të komandës më dekoruan, ndërsa këtë koalidim në të thatë e pashë më vonë në një tekst qitjeje luftarake, por jo me emrin tim. Ndërsa në vitet 1992 kur erdhën ushtarakë të NATOS tek ne pyetën për komandën e Vorës se kush e ka bërë këtë realizim. Oficerët që ishin nuk thanë të vërtetën. Punën time e morën të tjerët.

Më vonë ku  të çuan?

Në Tiranë, në garnizonin e Tiranës, aty ku është sot Lulishte 1 Maji. Thashë se do isha më mirë, por dola më keq. Këtu isha Shef i Garnizonit. Këtu ndjenja deri sa dola në pension. Kur e kujtoj nuk e besoj. Garnizoni kishte probleme nga më të ndryshmet. Aty kishte dhe shumë civilë jo vetëm ushtarakë. Nuk kishte ditë pa probleme. Rashë në breshër. Në këtë repart nuk kishte kurrë qetësi. Na thërrisnin edhe në mes të natës për çdo problem. Ishte koha dhe kur ushtria nuk e kishte më atë vigjilencë apo rregull dhe disiplinë. Të dilnin probleme kur nuk e prisje. Pastaj ne ishim në qendër të Tiranës dhe çdo veprim binte në sy.

Historiku i Mbrojtjes Ajrore

Brigada e parë e Mbrojtjes Ajrore ishte e dislokuar në Selitë, Tiranë. Kjo Brigadë ishte arma më e vjetër e FASH, e krijuar që në vitin 1931 me disa topa të prodhimit italian. Më vonë, pas Luftës së Dytë Botërore, Mbrojtja Kundërajrore mori në përdorim rraketa dhe topa KA të tipeve dhe kalibreve të ndryshme. Artileria kundra-ajrore përbëhej nga topa të drejtuar me radar të kalibrave 100mm, 85mm,  57mm, 37mm, 2omm, 14.5 mm si dhe njësi të shumta me mitroloza kundra-ajror 12.7mm. Gjithashtu, radarët e vëzhgimit të largët apo të afërt do të zëvendësoheshin me radar perëndimor të firmës Locheed-Martin . Operacionet e para luftarake të FASH u ndërmorrën nga Regjimenti kundërajror “Ali Demi”. Në Gusht të vitit 1948 njësitë KA goditën dhe rrëzuan një avion grek të tipit “Spitfire” që kishte shkelur hapësirën ajrore shqiptare për mision spiunazhi. Avioni grek u shkatërrua dhe piloti u gjet i vdekur. Në gusht të vitit 1949 njësitë KA të po këtij regjimenti goditën dhe rrëzuan një avion tjetër grek gjatë Provokacioneve të gushtit. Avioni Grek, i dëmtuar nga zjarri KA, u detyrua të ulej në fushë ku u kap nga njësitë luftarake shqiptare. Piloti grek u kap dhe u burgos si rob lufte. Njësitë fluturuese të FASH panë aksionin e parë luftarak të tyre në vitin 1957. Më 23 Dhjetor të këtij viti, një avion luftarak amerikan i tipit T-33 shkeli hapësirën ajrore shqiptare. Dy avionë të tipit MiG-15 u ngritën nga baza ajrore e Kuçovës, të pilotuar nga Anastas Ngjela dhe Mahmut Hysa. Avioni amerikan u rrethua dhe u detyrua të ulet në pistën e pambaruar të aeroportit të Rinasit. Avioni u sekuestrua dhe piloti Amerikan u kap rob. Piloti Amerikan u lirua më 11 janar 1958, ndërsa avioni u vendos në muzeun e kështjellës së Gjirokastrës, ku ndodhet edhe sot. Më 31 dhjetor të po këtij viti, vetëm disa ditë më vonë nga ky incident, një avion tjetër i huaj shkeli hapësirën ajrore shqiptare. Ky ishte një avion transporti i tipit DC-7 i Independent Air Travel që po fluturonte nga Gjermania drejt Singaporit. Dy avionë të tipit MiG-15 u lëshuan për ta kapur. Transportuesi u rrethua dhe u detyrua të ulej në aeroportin e Kuçovës.Të 5 pilotët dhe avioni civil u liruan më pas më 4 Janar 1958, mbasi u vendos që ishte vetëm një gabim navigacioni. Më 31 dhjetor 1958, një avion tjetër i huaj u kap nga avionët reaktivë të bazës së Kuçovës. Ky ishte një C-54D “Skymaster” që përdorej nga CIA për të transportuar armë në Indonezi. Avioni u detyrua të ulej në bazën e Kuçovës, dhe më pas pilotët dhe avioni u liruan për t’u kthyer në Angli. Një fitore e rëndësishme kjo e FASH.