Kongresi i Lushnjes, akti themelor kushtetues për Pavarësinë e plotë të Shqipërisë

451
Sigal

Qëllimi i Kongresit ishte studimi i situatës së brendshme dhe të jashtme të vendit dhe masat që duhet të merreshin për shpëtimin nga rreziku i copëtimit të Shqipërisë

Kongresi i Lushnjes, akti themelor kushtetues për Pavarësinë e plotë të Shqipërisë

(21-31 janar 1920)

Përgatiti: Albert Z. ZHOLI

Kongresi i  zhvilloi punimet në shtëpinë e patriotit lushnjar, Kaso Fuga. Në atë Kongres morën pjesë delegatë të zgjedhur nga e gjithë Shqipëria. Qëllimi i Kongresit ishte studimi i situatës së brendshme dhe të jashtme të vendit dhe masat që duhet të merreshin për shpëtimin nga rreziku i copëtimit të Shqipërisë. Delegatëve u uroi  mirëseardhjen në Kongres, Ferit Vokopola, që ishte delegati i Prefekturës së Beratit, Lushnjes dhe Skraparit. Pas Vokopolës, fjalën e mori patrioti i famshëm i asaj kohe, Aqif Pashë Elbasani. Aqif Pasha ju përgjigj shkurt të gjitha pyetjeve të bëra nga delegatët duke mbyllur kështu ceremoninë e hapjes së Kongresit. Kongresi i Lushnjes, që njihet si një ngjarje e madhe e historisë së kombit tonë u mbajt prej 21-deri më 31 janar të vitit 1920, në të cilin u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Gjatë ditëve të punimeve Kongresi zgjodhi këshillin e lartë prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta. Kryeministër u zgjodh Sulejman Delvina.

Mbas ceremonisë së hapjes, u bë ndarja e deputetëve nëpër grupe (komisione) të ndryshme, të cilat filluan nga puna menjëherë. Në mbledhjen e dytë të kongresit, e cila u mbajt më datën 24 janar, u zgjodh si Kryetar i Kongresit Aqif Pashë Elbasani. Po atë ditë nga ana e delegatëve u mbajtën fjalime të ndryshme mbi vrasjen e patriotit Abdyl Ypi, i cili kishte qenë një nga iniciatorët e mbajtjes së atij kongresi. Abdyl Ypin e kishin vrarë njerëzit e qeverisë së Durrësit, pak ditë përpara mbajtjes së asaj mbledhje, me qëllim që të frikësonin delegatët për të mos marrë pjesë në Kongresin e Lushnjes.

Mbas këtyre fjalimeve, me vendim unanim nga të gjithë delegatët u vendos që t’i dërgohej një telegram ngushëllimi familjes së Abdyl Ypit dhe pas formulimit të atij telegrami, u mbyllën punimet e asaj dite për të filluar më 30 janar. Mbledhja e tretë që u mbajt atë ditë, vendosi mbas shumë diskutimesh që të bëheshin protestat më të ashpra, kundër vendimit të Fuqive të Aleatëve, për zbatimin e Paktit të fshehtë të Londrës, i cili ishte mbajtur më 26 prill të vitit 1915-të, pakt i cili sanksiononte copëtimin e Shqipërisë. Pas këtij vendimi, mbledhja analizoi qëndrimin e qeverisë së Durrësit, si në situatën e brendshme, ashtu dhe në atë të jashtme. Nga kjo analizë u nxorr  si konkluzion se ajo qeveri kishte dalë dhe kishte vepruar jashtë programit të dhënë prej Kongresit të Durrësit, që ishte mbajtur në 25 dhjetor të vitit 1918-të. Po ashtu ajo qeveri kishte penguar mbledhjen e Senatit, që ishte vendosur në Durrës dhe me administrimin e saj të keq, e kishte futur vendin në një anarki të madhe e kishte çuar në krijimin e një situate të acaruar politike. Nisur nga këto, ajo qeveri ishte përpjekur me çdo kusht për ta penguar mbajtjen e Kongresit të Lushnjes.

Për këtë arsye, Kongresi vendosi unanimisht rrëzimin e qeverisë së Durrësit, e njëkohësisht zgjodhi imzot Luigj Bumçin, Mehmet Konicën dhe Dr. Turtullin, si përfaqësues legjitimë të popullit shqiptar, në delegacionin e Konferencës së Paqes në Paris. Në mbledhjen e katërt që u mbajt më 30 janar, kongresi zgjodhi si anëtarë të Këshillit të Lartë, imzot Bumçin, Aqif Pashë Elbasanin, Abdi Toptanin dhe Dr. Turtullin. Pas kësaj u zgjodh dhe përbërja e qeverisë së re, e dalë nga ai kongres e cila kryesohej nga kryeministri Sulejman Delvina. Pas Delvinës, në atë qeveri u zgjodhën dhe Ahmet Zogu, Ministër i Brendshëm, Mehmet Konica, Ministër i Punëve të Jashtme, Hoxhë Kadria, Ministër i Drejtësisë, Ndoc Çoba, Ministër i Financave, Sotir Pecci, Ministër i Arsimit, Ali Riza Kolonja, Ministër i Luftës, Eshref Frashëri, Drejtor i Përgjithshëm i Punëve Botore dhe Idhomeni Kosturi. Në mbledhjen e pestë që u mbajt më 31 janar pasdite, kongresi zgjodhi anëtarët e Senatit dhe u vendos që delegatët të mos shpërndaheshin derisa qeveria të merrte në dorë frenat e shtetit. Pas kësaj mbledhje, atë pasdreke të 31 janarit të vitit 1920-të, kongresi u dha fund punimeve të tija, duke vendosur Tiranën, për kryeqytet të Shqipërisë.

Menjëherë pas përfundimit të Kongresit në Lushnjë, po atë pasdreke të 31 janarit, Ahmet Zogu që u zgjodh Ministër i Punëve të Brendshme, u dërgoi të gjitha prefekturave një qarkore nga qyteti i Lushnjes, me anë të së cilës i bënte të ditur popullit shqiptar arsyet për mbajtjen e Kongresit Kombëtar të Lushnjes dhe u shpjegonte atyre vendimet, që mori ajo mbledhje historike, për shpëtimin e Shqipërisë nga rreziqet që e kërcënonin.

Mendimet që shfaqën disa delegatë, për të qëndruar në qytetin e Lushnjes deri sa të stabilizohej disi situata anarkike e krijuar nga qeveria e Durrësit, i kundërshtoi hapur Ministri i Brendshëm Ahmet Zogu. Mes të tjerash ai ju tha delegatëve:  “ Vendimet e Kongresit do të zbatohen domosdo dhe pa vonesë, kjo gjë lyp guxim dhe punë, prandaj unë po nisem për në Tiranë, ju po të doni rrini këtu”. Kështu, siç dhe ishte parashikuar, gjatë udhëtimit të tij për në Tiranë, Ahmet Zogut dhe njerëzve që e shoqëronin, ju pre rruga në Kavajë nga ana e forcave italiane që ishin të armatosura me topa e mitraloza. Një oficer italian ju doli përpara Zogut e njerëzve të tij dhe ju dha urdhër atyre që të ndërprisnin marshimin. Ahmet Zogu e kundërshtoi hapur oficerin italian duke i thënë : “Unë nuk njoh tjetër autoritet, përveç Kongresit të Lushnjes”. Pas një debati të ashpër që desh kaloi në konflikt të armatosur, oficeri italian u tërhoq së bashku me gjithë forcat që kishte nën komandë dhe i hapi rrugën Ahmet Zogut që të hynte në qytetin e Kavajës. Në atë qytet, Ministri i Brendshëm Ahmet Zogu, qëndroi për disa ditë, duke emëruar nënprefektin dhe disa nëpunës të vegjël administratës vendore. Hyrja e Ahmet Zogut në Kavajë, e shqetësoi shumë qeverinë e Durrësit, e cila duke e kuptuar që me anë të forcës nuk mund që ta ndalonte dot Zogun, filloi që të përdorte dredhitë, duke i dërguar atij një delegacion për të hyrë në bisedime. Delegacioni që u dërgua nga ana e qeverisë së Durrësit, i propozoi Ahmet Zogut, që të transferohej kryeqyteti për në Vlorë dhe të thërritej një kongres tjetër kombëtar atje, për të biseduar lidhur me situatën në vend e masat që duhet të merreshin për stabilizimin e situatës në Shqipëri. Mbi këtë propozim, që ju servir Zogut, qeveria e Durrësit, vinte kusht dhe kërkonte anullimin e të gjitha vendimeve të Kongresit të Lushnjes. Pas pak orësh nga vajtja e delegacionit të Durrësit për bisedime me Ahmet Zogun, ai delegacion u kthye shpejt në qytet, pasi Zogu refuzoi kategorikisht, që të bisedonte rreth atyre propozimeve. Shqipëria ishte njohur si shtet i pavarur, me 1913, por gjysma e saj kish mbetur jashtë kufijve, përbrenda ziente anarkia më e plotë. Kundër Qeverisë të Ismail Qemalit në Vlorë, mbinte Qeveria e Esad Toptanit në Durrës. Aventurierët e brendshëm menduan se gjetqn shesh të bëjnë rrëmujë, ndërsa armiqtë e jashtëm, të pangopur me ato pjesë që kishin rrëmbyer, u sulën mbi shtetin e ri gjysmak me qëllim që ta copëtonin fare : Greket e shkretuan Toskërinë me zjarr e me hekur, serbet shkelin Shqipërinë e veriut, malazezet hyjnë në Shkodër mbas një qëndrese heroike te atij qyteti. Patriotet shqiptare nuk dinin se nga t’i jepnin. Forcat e errësirës përbrenda ishin te shumta dhe armiqtë e jashtëm ishin tepër te forte për atë popull te vogël. Një princ gjerman që u dërgua si mbret i Shqipërisë prej fuqive te mëdha, zbriti në Durrës në mars te vitit 1914 dhe u shtrëngua te largohej në shtator te atij viti. Lëvizja e Rebeleve në Shqipërinë e mesme dhe vërsuljet e grekeve në Shqipërinë e jugut po e bënin te pamundur organizimin e një shteti shqiptar.