Kastriot Caka: Përse u quajt tradhtar Demir Staravecka, Komandanti i Çetës së Kolonjës dhe pasojat e familjes së tij?

24
Sigal

Qamil Kanxha, i biri i Demir Staraveckës, persekutohet një jetë të tërë, ai rrëfehet për vuajtjet, burgun dhe vrasjen e të motrës, vdekjen e vajzës, pa i shkuar asnjë njeri në varrim

Nga Kastriot Caka

Një ndër ata që i ka prirë këtij fisi dhe ka bërë histori në familjen Kanxha është, Komandanti i çetës së parë të Kolonjës, Demir Staravecka njeriu që luftoi pa reshtur, pa e kursyer asnjëherë as jetën për interesat e larta të Atdheut, por që më në fund iu mohua çdo meritë.

Rrënjët e familjes Kanxha janë në Staraveckë të Skraparit

Staravecka ky fshat që shtrihet në thellësi të maleve të thepisura aty ku mbi kokë ka Lirsën e bukur me ahe të lartë dhe përkarshi Qafën e Martës ka pasur burra trima dhe fisnik. Staravecka ndodhet në kufirin midis Korçës dhe Skraparit, një fshat i bukur, i shtruar dhe i veshur me blerimin e livadheve, me ahet shekullorë në lartësinë e fshatit Helmës që ndodhet në krah. Këtu u lind Demiri, ndaj djemtë e Qamil Kanxhës dhe nipat e komandant Demir Staraveckës nuk e harrojnë vatanin e tyre, aty ku u linden, aty ku vuajtën, aty ku gjyshi i tyre Demiri, luftoi dhe bëri histori, aty ku prindërit e tyre Qamili dhe Dashamira i rritën me shumë mundime. Pikërisht ky fshat mban në gjirin e tij eshtrat e të parëve, gëzimet, hidhërimet, dhimbjet dhe shpirtin e trazuar. Familja Kanxha, një familje me vlera të mëdha, por që është lënë në hije, ndonjëherë dhe është baltosur, pikërisht këtu qëndron dhe meraku i djemve të Qamilit që kjo histori të mos shtrembërohet, por të kthjellohet dhe ti jepet vendi që i takon.

Si i rezistoi Qamili kohës së persekucionit dhe ligësive të asaj kohe?

Gati gati të gjithë e kemi njohur Qamilin, të birin e Demirit, njeriu që u nda nga jeta para një viti. Qamili me ardhjen e Demokracisë la Staraveckën e tij të dashur, vendin ku lindi dhe jetoi një jetë të tërë, me të mirat dhe të këqijat e saj dhe u vendos në qytetin e Durrësit. Ai la mbas një fëmijëri të vuajtur, la pas një brengë të madhe që nuk e shijoi dot jetën si fëmijët e tjerë, nuk u shkollua lirshëm, nuk qeshi dhe qau si të tjerët, nuk u gëzua e luajti si të tjerët. Ai një gjë të tmerrshme dhe të rëndë e mësoi që fëmijë, që ishte jetim, që s’kishte baba, që babanë ia kishin vrarë, ndonjëherë shkarazi i dëgjuan veshët edhe fjalë të mira për babain e tij, se ishte trim në Luftë, se babai i tij ndihmonte të varfrit, se babai i tij kishte qenë trim dhe i shkolluar, se babai i tij që në atë kohë kishte kulturë perëndimore, se ai kishte studiuar në disa universitete, se ishte dhe diplomat në Turqi dhe Francë. Pikërisht këto dhe shumë të tjera, Qamili djali i vogël 4 vjeçar që mbeti jetim, i dëgjonte në mënyra të ndryshme por edhe nga nëna e vet, apo nga të afërmit. Në këtë shpirt fëmije trazoheshin shpirtrat dhe ai sa nuk pëlciste. Vuajtja dhe brenga nuk ishin brenda një dite, por ajo brengë shpalosej në të gjitha ditët, muajt dhe vitet e jetës së tij. Jo të gjithë njerëzit e shikonin me sy të keq djaloshin, kishte nga ata që i shprehnin keqardhje dhe mirësi, por ishin të pafuqishëm përpara forcës së pushtetit dhe nuk mundën t’i jepnin dot asnjë mbështetje. Qamili biri i luftëtarit, sa vinte e rritej, rritej si fëmijë pa andralla të këqija, rritej pa mllefe, për vetë natyrën që kishte. Ishte i dashur dhe i qeshur si dielli, i pafajshëm sa s’ka më, dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe. E me gjithë cilësitë e shkëlqyera të djaloshit, koha nuk e linte të qetë, shpesh turbullohej rrjedha e jetës, shpesh nuk mund ta linin rehat, jo të gjithë kishin si Qamil Kanxha (Staravecka), një histori persekucioni Si i tillë siç thotë dhe vetë ai, – Unë fillova të kuptoja, se tani jeta po bëhej e vështirë. Edhe pse doja të isha larg mllefeve, thotë Qamili – dhe doja të shihja punën time, përsëri ishte e pamundur. Një ditë atë e futën në burg, fshati u detyrua nga frika të ngrinte duart lart në gjyq dhe ta dënonin me 2 vjet burg. Në burg i vjen lajmi i tmerrshëm se vajza i kishte vdekur, se gruaja, që për të ka qenë një mbretëreshë, e lë vajzën të vdekur dhe bashkë me 2 -3 shoqe venë e hapin varrin. Motrën ia rrëmbeu një oficer sigurimi dhe kur e sheh pisk, se mund ta lironin nga detyra, e vret dhe e sjell në fshatin e tyre Staraveckë, me pretekstin se ishte vetëvrarë. Po kush vallë do të jepte shpagim për këtë gjë? Kush vallë do ta mbështeste Qamilin djalin e vetëm të asaj shtëpie? Përveç zotit s’kishte asnjë forcë tjetër që ta shpëtonte, por edhe në këtë rast zoti nuk ekzistonte për të, ishte i mundur përpara forcës së errësirës. Përse mbi Qamilin të binin kaq halle dhe askush të mos kishte mëshirë? Kjo është çështja që përpara tij shfaqej pyetja: “Të rrosh apo të mos rrosh?!” Por Qamili ky burrë me eshtër ia doli, nuk u përkul, nuk u ligështua, zhbiroi çdo ligësi dhe padrejtësi, duroi, këmbënguli, punoi pa pushim, shpalosi vlera, e detyroi edhe armikun ta bënte mik. Sjellja e tij ishte shembullore, sepse u përmbajt, e mbajti dëshpërimin, zemërimin dhe mynxyrën një jetë të tërë brenda shpirtit. Ky njeri i vuajtur duke qenë i zoti arriti, jo vetëm t’i afroheshin njerëzia, por dhe ta respektonin. Me punën dhe zotësinë e tij, e bëri jetën më të mirë se të tjerët, rriti dhe edukoi një tufë fëmijësh, jo me mllefin, por me dashurinë për jetën dhe me ndjenjën e paqes dhe mirëkuptimit. Ishte pikërisht Qamili ai që nuk i tregoi gishtin asnjë njeriu, as gjoksin edhe kur lufta me vdekjen mbaroi, as atëherë që ai kishte të drejtën t’u kërkonte shpagim për vuajtjet që i kishin sjellë, por përkundrazi ai u mësoi fëmijëve rrugën e drejtë, atë të njeriut që mbart vetëm vlera njerëzore dhe jo armiqësi.

Në vitet e mëvonshme kur “Liria” zbriti tek Qamili, ai nuk u hakërrye asnjëherë

Përkundrazi fajtorët kur kalonin para tij ulnin kokën të turpëruar. Në vitet që Qamili jetoi në Durrës ishte një nga njerëzit e nderuar dhe të respektuar, ishte ai që me sjelljen e tij dhe vlerat që kishte, kur mbylli sytë erdhën dhjetëra e qindra njerëz për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Familja e Qamilit sot është një familje e nderuar që ka shumë miq e shokë, jo vetëm ata nga Skrapari por nga gjithë Shqipëria. Djemtë e tij: Fatmir Kanxha, Kastriot Kanxha, Armando Kanxha, Sokol Kanxha, Vladimir Kanxha, Krenar Kanxha dhe vajza Flutura Kanxha, tashmë janë bërë me familje, kanë fëmijë dhe jetojnë të lumtur. Fëmijët e tyre: Xhensila, Erjona, Florjani, Joana, Vulla, Danieli, Anjeza, Brunilda, Ermira, Dionisi, Ledjona, Keoleni, Noemini, dhe Dajana e vogël, mësojnë nëpër shkolla, mësojnë shumë mirë, për të ecur në gjurmët e të parëve të tyre, që me dijen e tyre dhe mençurinë kanë bërë histori. Ata kaq duhet të dinë që rrjedhin nga një familje e nderuar e Qamil Kanxhës (Staravecka), që me kohë kanë luftuar si evropianë dhe perëndimorë. Djemtë e Qamilit në Durrës me punën e tyre kanë bërë emër të mirë, edhe në fushën e biznesit, njerëz të thjeshtë, të dashur, të sjellshëm dhe komunikues në shoqëri. Familja e tij ka pasur dhe ka shumë miq e shokë. Në Staraveckë ka pasur lidhje gjaku me Ferit Sinanin, Sani Sinanin, Fari Halilaj, Riza Halilaj, Ahmet Balën, Mustafa Halilaj, Riza Halilaj, Ismail Halilaj, Hajdër Sinani si dhe shumë e shumë miq të tjerë në rrethe. Ftohtësia dhe largesa që qëndronte në ato vite, midis tyre dhe Qamilit, jo se kishin gjë me të, por ishin pasojat e sistemit.. Kështu bënte dhe Qamili, ngrihej që në mëngjes, shkonte në punë, mbyllte gojën, ulte kokën, korrigjonte veten në çdo moment, se çdo gjë mund t’i merrej për keq dhe pastaj e priste dera e burgut.

Familja Kanxha, sot shpërndan mesazhet e paqes…

Kështu ishte dhe jeta e familjes Kanxha; e lodhshme, e vuajtur, tronditëse, por më në fund një rreze drite buron nga qielli dhe ngroh e ndriçon këtë familje që një jetë të tërë është lodhur dhe sakrifikuar me një mllef, me një merak, dhe me një hije që e ndiqte pas. Por vjen një kohë që e vërteta del në shesh, askush nuk e errëson të vërtetën, ajo vonon por nuk harron. Demir Staravecka, vdiq shpejt, gjë që nuk pati mundësi të linte kujtime, sepse vepra e tij nisi në luftë dhe mbaroi në luftë. Ndryshon shumë jeta e luftëtarit tjetër Xhelal Staravecka që është bërë një libër shumë voluminoz për faktin se Xhalali jetoi deri në vitet ’70, në mërgim dhe i shkroi në qetësi të plotë kujtimet e jetës së tij. Demiri pati një jetë “furtunë” dhe u fik në një ditë mes krismave. Do kishte qenë ndryshe po të kishte qenë gjallë, sepse të vërtetat, peripecitë, dhe gjithçka që e fundosi atë, do ta kishte sqaruar vetë, ndërsa ai i mori me vete të gjitha dhe nuk pati prova dhe dëshmi aq bindëse sa të kthjellonte këtë enigmë që vjen akoma vërdallë dhe nuk thuhen ca të vërteta. Familja do ishte ajo që do gërmonte dhe do të pyeste më tepër për fatin e babait të tyre, të këtij njeriu që e kaloi jetën në luftë, mes krismave të plumbave dhe një ditë u fik duke ia përbaltur gjithçka të mirë. Por ishte e vështirë në ato vite që i biri Qamili, të gërmonte për të vërtetat e babait të tij, sepse ta mbyllnin gojën dhe shkoje shumë shpejt në burg, prandaj atij iu desh të heshtte dhe të përballonte, persekucionin, burgun dhe mundimet e tjera një jetë të tërë. Qamili ishte njeri me kurajë, i zoti, i zgjuar dhe i guximshëm që shpesh revoltohej, ngrinte zërin dhe përleshej me dashakeqët. Babai, njeriu që të ka bërë kokën nuk mohohet kurrë edhe si ta ketë fundin, ndaj Qamili e thoshte me krenari që ishte biri i Demirit, sepse Demiri kishte qenë komandant në luftë dhe njerëzit flasin për trimëri. Situata të tilla kritike i kanë vuajtur shumë njerëz, dhe janë të dhimbshme, fatkeqe, më shumë për faktin se njeriu një jetë ka dhe është mëkat që t’ia privosh atë, t’i mbyllësh dritën dhe ta zhytësh në errësirë. Janë shumë shpirtra nga kjo familje që u torturuan shpirtërisht, u është mbyllur çdo dritare, u është zënë fryma dhe u ka ikur një pjesë e mirë e jetës. Kohërat kanë kaluar dhe frika tani është vrarë, por kjo familje ka mbetur kaq paqësore, tek përcjellin mesazhet e paqes në komunitetin ku jetojnë dhe në gjithë hapësirën shqiptare me imazhin e paqes dhe mirësisë.

Familjen tonë e persekutuan, motrën ma vranë, mua dhe nënën time na izoluan

Qamil Kanxha (Staravecka), rrëfehet para vdekjes: “Sistemi kishte ligje të ashpra. Lufta e klasave ishte një gangrenë e madhe, po të guxoje të flisje mbi ty do të binin telashe të mëdha, pasojat binin mbi të gjithë familjen dhe fisin. Edhe pse babai ynë Demir Staravecka, sakrifikoi një jetë të tërë në luftë për interesa e Kombit, por një ditë u harruan të gjitha, u shpall armik e tradhtar dhe familja jonë jetoi një kalvar vuajtjesh pa fund në vitet e monizmit. Dhimbjen e rëndë e ndjeu nëna ime, Jemineja. E mbetur vetëm me ata fëmijë si gogla, nuk ishte e lehtë të jetoje. Dhimbjen e parë e pësoi vajza e Demirit, Mejtimja, pra motra ime. Ishte viti 1951. Ajo vajzë ishte rritur dhe nga bukuria e rrallë që kishte iu afruan shumë djem. Mes tyre edhe Sinan Hoxha nga Staravecka me detyrë oficer i sigurimit në rrethin e Gramshit. Sinani ndiqte çdo lëvizje të saj dhe një ditë shkoi në Staraveckë i shoqëruar nga 2 policë erdhi për ta marrë. Vajza nisi të qante, por ai më mori dhe mua me vete, që të mos shqetësohej. Pas një muaji mua më solli në fshat kurse Mejtimen e mbajti. Ajo nuk e donte Sinanin, por kush ta ndihmonte të ikte prej tij? Si duket nga kontradiktat që kishin, pas 6 muaj ai e solli Mejtimen të vdekur në Staraveckë me pretendimin se ajo ishte vetëvrarë. Por atë e kishte zënë plumbi nga mbrapa kokës dhe nuk kishte njeri të merrej me të vërtetën. Atë e mbuloi dheu dhe kjo histori u harrua. Si dukej atë e detyruan të ndahej prej saj, sepse Demiri babai, iku nga çeta i pakënaqur dhe ai sajoi këtë vrasje për të mos e larguar nga organet e sigurimit. Babai la 4 fëmijë, Mejtimen që u vra në vitin 1951, Trëndafilen, Nazimenë që e vrau rrufeja në vitin 1946 dhe mua që më la 4 vjeç. Shtëpia e Demir Staraveckës, babait tonë, ka qenë mikpritëse dhe ka ndihmuar Luftën në atë periudhë kur Demiri ishte Komandant i çetës së Kolonjës. Aty vinin e rrinin nga 6 muaj vajzat e Petrit Dumes. Vetë Petrit Dumja dhe Josif Pashko kanë ngrënë bukë në shtëpinë tonë. Ndërsa unë u rrita me një hije që më ndiqte pas.

Më ishin ndaluar çdo e drejtë, as të shkollohesha, as të zgjidhesha në asnjë forum

Unë nuk duhej të vazhdoja asnjë lloj shkolle, edhe pse deri në klasën e 7-të isha i shkëlqyer. Një ditë, u mendova edhe pse isha i ri në moshë, por mbi të gjitha isha fare i pafajshëm dhe i dërgova letër Enver Hoxhës, ku i kërkoja të shkollohesha. Nuk dihet deri ku vajti ajo letër, por përgjigja ishte negative. Unë isha i destinuar dhe i dënuar që të qëndroja brenda atyre kornizave që kishte sistemi. Po më duhej patjetër të shkollohesha dhe me vullnetin tim u shkollova pa vajtur në shkollë, lexova pa fund literaturë që kjo më shërbeu më shumë se një universitet. Me zotësinë time munda të çaja vetë dhe në vitin 1959 shkova në Durrës, por nuk më lanë, atëherë shkova dhe u punësova në Elbasan. Por hafijet, që më ndiqnin, informuan me shpejtësi dhe më largojnë nga puna. Por punës nuk iu ndava asnjëherë, shkova më tutje, deri në Maliq, që atëherë ishte rreth më vete. Atje u sistemua në punë në zyrat e Komitetit Ekzekutiv. Po si mund të qëndroja atje kur kisha njollën nga pas? Madje u çuditën si mund të ngjitesha deri në zyrat e pushtetit, prandaj ndodhi ajo që më kishte ndodhur në vendet e tjera. Më në fund ishte e pamundur, errësira e sistemit mi kishte mbyllur të gjitha rrugët që më afronte zotësia ime dhe pastaj u ktheva në fshatin tim, Staraveckë. Në vitin 1959 u mobilizova në një repart artilerie në Shkodër, ku u kualifikova dhe si topograf. Unë e doja rregullin e ligjin, me të cilin isha dhe shumë korrekt. Isha i shkëlqyer në veprimet ushtarake dhe zbatoja me përpikëri rregulloret ushtarake. Këtë e vërteton, një stërvitje e përbashkët mes një kompanie të reparteve të Vlorës dhe repartit autonom, që u zhvillua në Voskopojë si kompanitë më shembullore. Këtë stërvitje e drejtonte gjenerali Todi Naço. Në atë stërvitje që u kurorëzua me qitje, unë dola shkëlqyer duke asgjësuar objektivin menjëherë. Kur vajtën të shikonin tabelat e qitjes, u bëri përshtypje qitja ime dhe gjenerali kërkoi ta dinte kush ishte ky ushtar. Më morën dhe më shpunë te gjenerali, i cili më puthi në ballë dhe më tha: “Kështu i do Atdheu bijtë e tij”. Si shpërblim i asaj qitje gjenerali më akordoi 15 ditë lejë pranë familjes. Por sa u ktheva në repart më thërret komandanti i togës së drejtimit dhe komunikon anulimin e lejes. Përse e bëri këtë? Atë ditë unë kisha dalë në qytet pa lejë për një hall dhe ky lloj komandanti më kishte parë, i kishte hipur biçikletës dhe shkoi në repart e njoftoi se Qamili ka dezertuar nga ushtria! Një shpifje që nuk kishte asnjë bazë, vetëm e vetëm se isha djali i Demir Staraveckës.

Mbështetjen e Dashamirës, (bashkëshortes) e kam ndjerë në ditët më të vështira kur më arrestuan. Unë isha në burg, më vdes vajza dhe asnjë nga fshati nuk shkon në varrim.

Ajo nuk ishte vetëm grua për mua, por edhe nënë, edhe baba,, edhe vëlla. Ishte zotësia e saj që rriti dhe edukoi e vetme 7 fëmijë që u bënë zotër të vetes dhe gëzojnë bashkërisht. Por në Staraveckë filluan gëc, vëcet. Operativi i zonës i asaj kohe ndiqte çdo veprim timin dhe priste vetëm rastin të më prangoste. Dhe ma gjetën rastin që kishin kohë në kërkim. Një ditë të vitit 1965, kur do të ndahej prodhimi në natyrë, unë vajta të merrja hakun e punës, sipas radhës që ishte caktuar, por roja i fushës, e kundërshtoi, se nuk e kisha radhën. Unë u nervozova dhe e shtyva me dorë tutje për të marrë të ardhurat, vetëm kaq. Aty u ndodh operativi i zonës dhe e bëri denoncimin në vend me objekt rrahje. Atë ditë binte shi dhe më shoqëruan me dy të armatosur për në Çorovodë në këmbë. Kur u paraqita në Degën e Brendshme, ata më thanë të paraqitesha ditën e dytë sa të bëheshin veprimet me prokurorin. Por sa u paraqita më komunikuan urdhrin e arrestit. Ndërsa unë prisja të më pyesnin përse e rraha rojen, ata më kërkonin lidhjet me të tjerët në linjën biografike. Për këtë shkak kaq pa kuptim më mbajtën në hetuesi gjashtë muaj. Kur dola në gjyq që ma bënë në fshat u dënova me dy vjet heqje lirie, të cilin e vuajta tek burgu 313 dhe në Bulqizë. Aty ndjeva dhimbjen më të thellë, gjatë gjithë jetës time, sepse gruaja kishte lindur vajzë, dhe mbas 1 viti mora vesh se vajza më kishte vdekur pa e parë njëri tjetrin. Me gjithë dhimbjen që kishte gruaja, la vajzën e vdekur në shtëpi dhe vajti me të shoqen e Rizait, Fariut dhe Saniut, hapën varrin dhe e varrosën vajzën. Asnjë nga fshati nuk mori pjesë në varrim. Pra, kalvari i vuajtjeve të mia nuk pati fund. Familja jonë ka qenë më shumë e lidhur me Luftën sesa kundër saj. Meritat e familjes tonë i kanë ditur të gjithë, mirëpo, një zemërim i Demirit, një ikje nga çeta mbasi ai kishte krijuar një histori më vete me luftën, duke dhënë shumë e shumë, ku rrezikoi kushedi sa herë kokën, kur ai u ndesh dhëmb për dhëmb me fashistët dhe bandat e kriminelëve, nga opinioni dhe sistemi që ishte në fuqi, mbahej mend vetëm një ikje e Demirit nga çeta, që kjo ndodhi në fund kur vendi ishte në prag të çlirimit. U harrua gjithçka, Lufta, u harrua që në shtëpinë tonë ka qenë strehuar Misioni anglo- amerikan, por u propagandua se kjo shtëpi ka njollë në biografi, madje nuk do vajtur as për një sebep. Me ndryshimin e sistemit dhe me ardhjen e Demokracisë familja jonë ndryshoi, u vra frika dhe çdo gjë e keqe që na ndiqte pas, hafijet u zhdukën njëherë e përgjithmonë, fituam lirinë e fjalës, njerëzit shprehen lirshëm dhe për babanë tonë, shprehen për meritat që ai ka pasur që kurrë nuk i ka rënë njeriu më qafë, por vetëm i ka ndihmuar njerëzit e varfër, ua merrte drithin bandave kriminale dhe ua jepte fshatarëve, që herë herë vinte dhe jetën e tij në rrezik. E megjithatë njerëzit e ndershëm nuk e harrojnë këtë fakt, ne kemi sot shumë miq që na duan e i duam, sepse e dinë të vërtetën.