Javer Malo/ Enveri në konferencë shtypi: Do mbrojmë territorin me çdo çmim

1471
Sigal

(vijon nga numri i kaluar)

Në tribunat e shtypit përshtypja që bëri ky fjalim ishte shumë e madhe. Kjo u pasqyrua që atë ditë në gazetat pariziene të mbrëmjes. Gazeta “Së Suar” (Ce Soir) shkruante: “Sigurisht nuk ishte e kotë që zëri i Shqipërisë të dëgjohej në këtë tribunë nga ku ajo ishte sulmuar shumë herë nga delegati grek, Caldaris. Zoti Enver Hoxha i dha përgjigjen e duhur Caldarisit”. Gazeta “Le Monde” e titullonte shkrimin e saj: “Enver Hoxha ekzalton rezistencën popullore shqiptare”, ndërsa gazeta “Liberte Suar” thoshte: “Enver Hoxha foli në një frëngjishte të shkëlqyer dhe theksoi se në Shqipëri nuk ka asnjë pëllëmbë toke të huaj”. Toni i gazetave të mëngjesit të datës 22 gusht ishte i njëjtë. Gazeta “Ymanite” titullonte: “Enveri, Hero i Shqipërisë”, dhe nën të shkruante një koment të gjatë. Një gazetë tjetër e asaj kohe “Fran-Tirer” (Franc-Tireur) shkruante: “Ndërhyrja e Enver Hoxhës pruri një notë të re në Konferencë. Shefi i qeverisë shqiptare është një nga figurat më interesante të luftës. Profesor, ai ka qenë komandant i 70.000 partizanëve. Popullariteti i tij është shumë i madh në Shqipëri. Gazeta tjetër e madhe e mëngjesit, “L’ob” (Aube) shkruante: “Viktimë e parë e agresionit fashist, populli i vogël shqiptar është mbrojtur malit në mënyrë legjendare”. Prania dhe fjala e Heroit të Shqipërisë, siç e quante shtypi e parizian shokun Enver, në Konferencë e ngriti lart luftën dhe emrin e vendit tonë. Ato ishin një grusht i rëndë për Caldarisin dhe përkrahësit e tij. Përshtypja ishte gjithashtu e madhe në ethet e diplomatëve. Në një relacion dërguar Ministrisë së Jashtme me datë 24 gusht, domethënë, tri ditë pas fjalimit, Kahreman Ylli shkruante: “Paraqitja e fjalimit u bë me një ton të gjallë e të prerë dhe, me gjithë kohën e gjatë që mbajti, u ndoq me vëmendje prej të gjithë pjesëmarrësve, qoftë edhe prej kundërshtarëve tanë. Fjalimi krijoi një atmosferë shumë të mirë; shumë favorizuese, u prit me kënaqësi të madhe nga miqtë tanë, por bëri dhe një përshtypje të thellë sigurisht edhe në armiqtë tanë, të cilët ndoshta dhe nuk e shpresonin një gjë të tillë. Fjalimi u konsiderua si një nga fjalimet më të mira (në mos më i miri), që është mbajtur në Konferencë, me një ton të prerë dhe pa ekuivok, ose, si i konsideron shtypi dhe disa rrethe të ndryshme, me një stil të veçantë”. Kahreman Ylli ishte një vëzhgues i hollë dhe shkruante thjeshtë e qartë. Ato që thoshte në atë relacion ishin të përpikta. Njëzet e ca vjet me pas, po në Paris, ma kanë përmendur këtë fjalim edhe gazetarë, edhe diplomatë, ndër të cilët Kuv de Myrvili, ministër i Jashtëm i De Golit, i cili në Konferencën e Paqes ishte anëtari më i zoti dhe me aktivi i delegacionit francez. Por prova më e mirë e përshtypjes dhe e efektit që bëri fjalimi ishte reagimi i vetë Caldarisit. Në seancën e 22 gushtit ne e pamë atë të ngjitej përsëri në tribunë për t’iu përgjigjur shokut Enver Hoxha, duke përdorur gënjeshtra e falsifikime, që Konferenca tashmë i kishte dëgjuar në ndërhyrjet e tij të mëparshme. “Dje, – e filloi fjalimin ai, -përfaqësuesi i një sateliti tjetër të orëve të para erdhi këtu të rivendikonte një vend aleat”. Pasi u dha kështu toni, mund të kuptohet lehtë përmbajtja e fjalimit të përfaqësuesit grek.

Njeriu që tregoi gjatë Konferencës përbuzjen më të madhe për lëvizjet partizane në Evropë, deshi për një çast të… aneksonte edhe partizanët shqiptarë! Për të, partizanët shqiptarë, për të cilët foli përfaqësuesi i Shqipërisë, ishin grekë që luftonin për bashkimin me atdheun e tyre dhe se të 28.000 dëshmorët e Shqipërisë ishin “vorioepirote” të masakruar nga shqiptarët! Caldarisi shkoi aq larg në këtë fjalim, saqë edhe një korrespondent i gazetës athinase “To Vima”, që ishte në tribunë të shtypit, tregoi një shenjë neverie dhe revolte. Por Caldarisi kishte në Konference një kundërshtar të një shtati tjetër, që i ndiqte këmba-këmbës veprimet e tij. Sapo mbaroi Caldarisi, në tribunë u ngjit përfaqësuesi i Ukrainës. “Delegati grek pyeti se ç’bënë shqiptarët, kur italianët sulmuan Greqinë”, tha ai. “Por më lejoni të pyes se ç’bëri qeveria greke kur agresorët italiane sulmuan Shqipërinë e vogël me një milion banorë?”. Duke mbajtur në dorë një numër gazetash franceze të prillit të 1939-ës, që ngrinin lart luftën e popullit tonë, ai i tundi ato në drejtim të Caldarisit dhe pastaj të Konferencës. Ndjeva në atë çast një kënaqësi dyfishe, jo vetëm se Caldarisi mori një përgjigje të mirë, por dhe se në atë përgjigje një rol tepër të vogël, rolin e korrierit, e kisha luajtur dhe unë. Një natë më parë shokët e delegacionit më kishin dhënë në Hotelin e Luvrit një numër gazetash me porosi që t’ia shpija delegacionit të Ukrainës në rrugën e Fezanterisë (Eue de la Faisanderie), në Parisin 16. Por përgjigjen e plotë dhe aq shumë të fuqishme, Caldarisi do ta merrte me 24 gusht. Atë ditë, në ora 3 pasdreke, shoku Enver mbante në Hotelin e Luvrit një konferencë shtypi përpara një numri të madh gazetarësh, midis tyre edhe 3 gazetarë grekë, të cilët qëndruan të qetë gjatë gjithë kohës që vazhdoi konferenca. Askush nuk u orvat të prishte rregullin e qetësinë dhe të gjithë dëgjuan me vëmendje udhëheqësin shqiptar. “Eh, pra, zotërinj, – thoshte ndër të tjera Kryeministri i Shqipërisë së re në atë konferencë, – populli shqiptar luftoi trimërisht kundër italianëve dhe gjermanëve, krah për krah me aleatët e mëdhenj. Populli shqiptar u çlirua vetë me forcat e tij, me ushtrinë e tij të çelikosur në zjarrin e betejave… Shqipëria, zotërinj, është e sigurt për një gjë, se të gjitha do të sqarohen për sa i përket asaj dhe se çdo gjë e ka për të fituar të drejtën e saj. Nga ana tjetër, Shqipëria ka për të vënë të gjitha forcat e saj për forcimin e paqes, për bashkëpunimin e ngushtë dhe të sinqertë ndërmjet kombeve të bashkuara, për forcimin e paqes dhe të miqësisë ndërmjet popujve të Ballkanit, por do të mbrojë me vendosmërinë më të madhe independencën e saj, sovranitetin e saj dhe integritetin territorial kundër kujtdo që do të donte t’ia cenonte. Populli shqiptar, duke vepruar kështu, është i bindur se i ka dhënë njerëzimit kontributin e tij modest,”

Kërkesa për rishikim territoresh

Manovrat e Greqisë në prag të referendumit për monarkinë

Në seancën e 30 gushtit, në vigjiljen e referendumit, atëherë kur askush nuk e priste, pamë të ngjitej në tribunë njëri nga anëtaret e delegacionit grek, Dragumis, dhe të thoshte se tri ditë më parë delegacioni i tij i kishte kërkuar me shkrim Sekretariatit që t’i paraqiste Konferencës një projekt-rekomandim lidhur me nenet 21 e 26 të Traktatit të Paqes me Italinë. Meqë Sekretariati nuk e kishte pranuar këtë kërkesë delegacioni grek i drejtohej Konferencës që ta vinte kjo në rendin e ditës. Thelbi i kësaj kërkese ishte që Konferenca të shqyrtonte “disa çështje territoriale të mbetura pa zgjidhje” midis Greqisë e Shqipërisë. Me gjithë kundërshtimin e delegacionit të Bashkimit Sovjetik, e në këtë rast edhe të atij të Francës, projekti grek mori shumicën e votave dhe u vu në rendin e ditës. Sekretariati caktoi si datë për diskutimin e saj gjashtë shtatorin. Por erdhi e iku gjashtë shtatori, kaluan ditë e javë dhe as delegacioni grek, as ndonjë delegacion tjetër, nuk u kujtuan të flisnin për këtë çështje. Ndërkohë mbreti dhe oborri i tij ishin kthyer shëndoshë e mirë në Greqi. Edhe Caldarisi mund të kthehej tani i qetë në Athinë. Nëse në betejën diplomatike në Paris shefi i monarkofashistëve grekë pësoi fiasko të plotë përpara qëndrimit të vendosur, plot zgjuarsi, guxim e trimëri, të udhëheqësit të Shqipërisë demokratike e Popullore dhe të përkrahësve e miqve të saj, në tokën greke, ku referendumi i zhvilluar në një situatë të sëmurë krize dhe nën bajonetat e huaja përfundoi në favor të mbretit, ai pati sukses. U pa se vënia në rendin e ditës të Konferencës e kërkesës greke ishte një manovër për të lehtësuar kthimin e mbretit në Greqi. Ajo u vu rendin e ditës për të mos u ngritur më kurrë. Më 16 shtator shoku Enver u largua nga Parisi. Atë ditë para se të nisej ai i bëri edhe një deklarate shtypit, në të cilën thoshte: “As Konferenca e Parisit, as Konferenca e të Katërve, as çdo konferencë tjetër qoftë, nuk mund të marrin në shqyrtim kufijtë e vendit tonë brenda të cilëve nuk ka asnjë pëllëmbë tokë të huaj. Kufijtë tanë janë të padiskutueshëm dhe askush nuk do të guxojë t’i prekë. Që të mund të marrin një pëllëmbë tokë të vendit tonë, grekët duhet të vënë në lëvizje të tjera mekanizma përveç Konferencës së Parisit. E gjithë bota ta dijë se i gjithë populli shqiptar nuk lejon që të diskutohen kufijtë e tij dhe toka e tij”

Propaganda

Fjalimi i Enverit shpërndahet si broshurë

Fjalimin e shokut Enver në Konferencën e Paqes e botuam dhe e shpërndamë në Konferencë dhe në organet e shtypit menjëherë. Sapo kryetari i delegacionit shqiptar zbriti nga tribuna, më thërriti Kahreman Ylli dhe më tha të gjeja një .. shtypshkronjë për ta shtypur në broshurë fjalimin. U nisa për në rrugën e Luvrit në numrin 37, ku kishte redaksinë dhe shtypshkronjën gazeta “Së Suar”. Ata e morën përsipër shtypjen e tij. Kur i pyeta se ç’ditë mund të shkoja ta merrja, çudia ime ishte e madhe, kur dëgjova të më thoshin pas 2-3 orësh. Vonuam më shumë ne sa e futëm nëpër zarfe, sa e dërguam në Konferencë dhe sa e çuam nëpër redaksi sesa shtypshkronja ta shtypte, të bënte korrekturat dhe ta lidhte në broshurë. Ishte vepra e parë kjo që ne botonim, jo vetëm në Francë, por në përgjithësi në botën e jashtme. Konferenca e Paqes, gjithmonë në lidhje me Shqipërinë pati ende peripeci të tjera. Muajit gusht po i vinte fundi. Konferenca do t’i zhvillonte tani punimet e saj më tepër në komisione.

Atmosfera e nxehtë në vendin fqinjë

Parisi dëgjon psalmet e dhespotit të Athinës që kërkonte kthimin e mbretit

Por larg Parisit, në Greqi, atmosfera ishte e nxehtë. Shprehje e temperaturës së lartë që tregonte barometri në Athinë ishte edhe gjendja e delegacionit grek në Konferencë. Ai dukej tani më i eksituar se zakonisht. Përfaqësuesit e Greqisë i gjeje në sekretariatin e Konferencës, në korridoret e saj, në redaksitë e gazetave, në pritjet diplomatike, gjithmonë në bisedime, gjithnjë të shqetësuar. Me një shtator grekët do të shkonin në një referendum për të votuar, nëse në tokën e lashtë, ku është thënë se ka lindur demokracia, do të kthehej apo jo monarkia aq shumë e kontestuar. Populli grek dhe elitat drejtuese të Greqisë kanë qenë gjithmonë të ndarë, të paktën që nga fillimi i shekullit, në monarkistë dhe në republikanë. Lufta ndërmjet dy kampeve ka qenë e gjatë dhe shpeshherë e ashpër. Borgjezia liberale; ishte përleshur disa herë me borgjezinë konservatore, të grumbulluar rreth pallatit. Afër mbretit dhe pallatit qëndronin gjatë gjithë kohëve kokat më të nxehta të megaliidesë, të gatshëm për çdo pazarllëk me fuqitë e mëdha dhe për çdo aventurë politike apo ushtarake që do të lejonte shtrirjen sa më larg të kufijve të Greqisë. Përfaqësuesin më të devotshëm të partisë monarkiste dhe në përgjithësi të monarkofashizmit në vitin 1946 ne e kishim në Paris dhe e shihnim çdo ditë në Konferencë. Që nga Parisi ai duhej të vepronte në mënyrë të tillë që kthimi i mbretit në Greqi të ishte i sigurt. Ç’mjet më të fortë do të kishte për të hutuar popullin grek në prag të referendumit sesa një “colpo” në Konferencë, një “suspens” lidhur me zgjerimin e kufijve të shtetit grek drejt veriut? Temjani që despoti Damaskinos përhapte në katedralen e Athinës dhe psalmet e despotëve të tjerë nëpër kishat greke, në të cilat bashkonin në një të vetme Krishtin dhe mbretin, mund të bindnin ata që ishin të bindur. Por popullin grek dhe demokratët e vërtetë ishte vështirë t’i bindnin. Duke sjellë ndër mend tani pas shumë vitesh ato qëndrime atë gjendje të ethshme të delegacionit grek në Konferencën e Paqes me sulmet e vazhduara kundër Shqipërisë, të forcohet akoma më shumë mendimi, se prapa tyre fshihej në të vërtetë edhe një komplot i madh kundër vetë popullit grek dhe demokracisë greke.

Përgjigja kategorike

Enveri i bie grekut të dëgjojë amerikani

Shoku Enver i dha një përgjigje sa kategorike edhe të prerë Caldarisit, e nëpërmjet tij përfaqësuesve të Anglisë dhe të SHBA-së. “Nëse Shqipëria është një vend aleat – tha shoku Enver në drejtim të shefit të delegacionit grek, – dhe nëse e ka merituar plotësisht këtë cilësim, z. Caldaris përgjigjen tonë për këtë e ka në fjalët që sapo thashë më parë: Populli shqiptar flak poshtë me përbuzje akuzën poshtëruese të delegatit grek, që e padit vendin tim si sulmues. Populli shqiptar nuk e ka sulmuar kurrë popullin e ndershëm grek, nuk i ka shpallur kurrë luftë. Përkundrazi, e ka simpatizuar kauzën e tij që ishte njëkohësisht dhe kauza e popullit shqiptar, sepse që të dy popujt kishin pësuar të njëjtin fat, duke qenë se kishin të bënin me të njëjtin armik. Me në fund shoku Enver shfaqi pikëpamjen e Shqipërisë dhe bëri vërejtje lidhur me projekt-traktatin e paqes me Italinë. Ishte një fjalim i fuqishëm, plot kurajë e dinjitet. Gjer atëherë, konferenca të tilla ishin mësuar të dëgjonin nga përfaqësues të popujve të vegjël kërkesa e rivendikime të bëra me një gjuhë diplomatike të matur deri në përvujtëri. Përfaqësuesi i Shqipërisë së re përdori një gjuhë e një stil që i afrohej akt-akuzës. Kjo gjuhë e ky stil do të karakterizonin më pas në konferenca e në tribuna të tjera diplomacinë shqiptare. Ne disa shënime, të shkruara në vitin 1968 dhe që botohen në vëllimin e 4-t të “Veprave të zgjedhura” të tij, shoku Hysni Kapo e karakterizon kështu këtë fjalim të rëndësishëm: “Kurrë ndonjëherë në historinë shekullore të popullit shqiptar s’kishte ndodhur që zëri i Shqipërisë të ngrihej i fuqishëm dhe të dëgjohej me aq vëmendje si në Konferencën e Paqes në Paris. Askush nuk mund të guxonte t’i kufizonte të drejtën përfaqësuesit të lavdishëm të popullit tonë, udhëheqësit të madh të luftës dhe të fitores së vendit të shqiponjave. Edhe kur kryetari i seancës, Ernest Bevini, i trullosur nga logjika e fjalëve dhe e fakteve që i paraqiti aq të fuqishme dhe të argumentuara shoku Enver, u mundua t’i priste fjalën, buçitën zërat e protestës nga salla, midis të cilëve dallohej i fuqishëm zëri i përfaqësuesve të atdheut të lavdishëm të Lenin-Stalinit që dha më shumë për shpëtimin e njerëzimit nga murtaja fashiste”.