Ja incidentet e mia me Mehmet Shehun. Pse më akuzoi si “reaksionar”

1302
Sigal

Leonard VEIZI

(vijon nga numri i kaluar)

INTERVISTA II/ Flet Maqo Bleta, ish zv/ministri i Industrisë dhe ish-kryeinxhinieri i Kombinatit të Autotraktorëve

Nuk ishte e lehtë të punoje me një kryeministër si Mehmet Shehu. Maqo Bleta thotë se ai, jo vetëm kishte kërkesë të madhe llogarie, por ishte dhe njohës i mirë i asaj që kërkonte.

Ju thatë se keni pasur disa incidente me kryeministrin Mehmet Shehu. Për çfarë motivesh jeni përplasur”

Natyrisht vetëm për motive pune. Kur u ndërtua uzina nga Kina, u mendua për prodhimin e 6 mijë traktorëve. Pra për 6 mijë njësi traktorësh të reduktuar në 15 kuaj fuqi. Në atë kohë kërkoheshin 12 mijë njësi traktorësh. Domethënë duhej dyfishuar shifra dhe pas disa vitesh që ajo të shkonte në 15 mijë traktorë, kapacitet që nuk mund të përballohej më. Kështu u bë marrëveshja me Kinën që të zmadhohej uzina si njësi. Nga ana e tyre kinezët kërkuan dy vjet e gjysmë kohë për projektimin e saj. Një ditë vjen atje në uzinë Mehmet Shehu. Më thërret në zyrë drejtori, Pilo Peristeri. Më thotë kryeministri: “Shiko, do të të ngarkojmë një detyrë të rëndësishme dhe kam besim se do ta bësh!”. “Urdhëro”, – u tregova i gatshëm unë. “Duhet të marrësh përsipër, të projektosh zgjerimin e uzinës prej 15 mijë njësi traktorë të reduktuar në 15 kuaj fuqi”. “Po më bën një pyetje që nuk ta jap dot përgjigjen tani”, – i thashë. “Jo, jo. Kjo është detyrë”, – më tha dhe vazhdoi: “Brenda gjashtë muajve unë e dua të projektuar”. Mirëpo projekti shoqërohej dhe me porositjen e makinave. “Nuk ta jap përgjigjen”, i thashë. “E dua tani”, më tha Mehmeti. “Po mirë”, – i them, – “Më lër të shkoj në zyrë të mbledh mendjen, të jem i qetë”. Dhe kështu u bë. Shkova në zyrë. Isha i impresionuar. Imagjino t’i japësh një përgjigje kryeministrit. Dhe në qoftë se nuk e bëje ai e mbante shënim dhe kur të vinte fundi të fuste në dhe.

Cila ishte përgjigja juaj për kryeministrin?

Më në fund, si u mendova, pas nja dy orësh u ktheva përsëri dhe i thashë: “Unë dua, thashë minimumi të mos jem kryeinxhinieri i uzinës një vit edhe dua të punoj me tetëdhjetë inxhinierë”. “Çfarë thua more?!”, m’u kthye. “Ku na pret puna ne një vit. Por për sa orë e ke llogaritur të punosh?”, më tha mua. Po 8-10 orë i thashë unë. “Jo, do ta llogaritësh të punosh 16 orë” më tha Mehmeti. “Edhe për 16 orë, gjashtë muaj i takojnë”. E kështu u detyrova t’i futesha punës. Bëmë një grup projektimi shumë të fuqishëm. Punuam jo me 80 por me 61 inxhinierë. Kryeministri më dha të drejtën që me emrin të tij të firmos transferimin e inxhinierëve edhe nga uzinat e tjera. Dhe u bë një grup i fuqishëm. Edhe unë u habita kur arritëm që ta përfundonim projektin brenda gjashtë muajve, se edhe unë nuk besoja. Punonim me përkushtim të madh. Edhe në dhoma për të fjetur nuk shkonim, vetëm të shtunë të diel. Kishim dhe një ego psikologjike shumë të fuqishme. Dhe u arrit të projektohej. U porositën makinat. Vajta unë në Kinë që i porosita. Dhe u shkurtua cikli rreth 2 vjet. Dhe u mbyll pastaj zgjerimi i uzinës. 15 mijë traktorë të reduktuar në 15 kuaj fuqi. Pastaj më vonë u quajt Kombinat. U zgjerua shumë dhe kjo qe një nga arritjet më të mëdha në fushën e industrisë mekanike.

Cili ishte stimulimi për një punë kaq të madhe?

Për të konkretizuar stimulin po të tregoj diçka tjetër. Mezi po prisja t’i mburresha Mehmet Shehut se çfarë pune kishim bërë. Por ndodhi e kundërta. Kryeministri më kishte lënë një porosi që në fillim të projektit: “Shiko, uzinën do ta bësh me dy kate”. Sepse ai donte të kursehej toka bujqësore. Unë nuk i thashë gjë, nuk reagova në atë kohë. As po, as jo. Mirëpo po ta bëje me dy kate, ka ca makina që quhen ‘dobiak’, të cilat punojnë me goditje dinamike. Këto goditje i transmetohen soletës dhe kishte rrezik çarjeje. Ose përndryshe duhet që bazamenti prej betoni të kishte trashësinë një metër. Mirëpo a bëhet ai?! Domethënë soletë është më e vogël, 20-25 cm. Pra nuk e zbatova.

Çfarë ndodhi pasi Mehmeti u njoh me moszbatimin e këtij urdhri?

Mehmeti erdhi në uzinë kur ne do paraqisnim projektin. Unë e kisha bërë planimetrinë e uzinës, një maket plot ngjyra nëpërmjet një piktori që kisha mik. U bë një maket i mrekullueshëm. U grumbulluan aty mbi 20 inxhinierë, teknikë e punëtorë. Mirëpo kur pa se projekti zinte një sipërfaqe rreth nja 8 mijë metër katror Mehmetit i hipën xhindet. Unë po i mburresha duke i shpjeguar procesin teknologjik dhe gjithë detajet e tjera të projektit. “Mbarove?”, – m’u kthye Mehmeti. “Po”, – i thashë. “Kaq kisha”. “Shiko”, – m’u drejtua Mehmeti. “Më dëgjoni me vëmendje, ti Pilo dhe ju të tjerët. Kjo që ka bërë Maqo Bleta është një projekt reaksionar që ka për qëllim zaptimin e tokave”. Unë u preva. Shokët menduan, se “tani e hëngri ky, e varrosën”. Dhe i gjithi i nevrikosur u ngjit në zyrë. Unë nuk vajta në zyrën e drejtorit ku shkoi Mehmeti por në të timen. Pas dhjetë minutash më thërret Piloja në zyrën e tij, se ishte dhe Mehmet Shehu aty. Sapo u futa brenda me cinizëm m’u drejtua. “Pse nuk ke zbatuar urdhrin e kryeministrit, që uzinën ta bësh me dy kate”. Unë isha dhe pak i emocionuar, dhe i thashë vetes: “Mblidhe veten Maqo, se dy duar për një kokë janë”. “Shoku Mehmet”, i thashë. “Ti ke mbaruar shkollën e Fulcit. Edhe ti je teknik. Prandaj do më dëgjosh me vëmendje. Në qoftë se nuk kam të drejtë atëherë më dëno, por n.q.s kam të drejtë dua të më respektosh”. “Urdhëro, fol”, më tha Mehmeti. Atëherë unë iu shpjegova për goditjet dinamike të dobjakut, i tregova edhe disa tipa makinash të tjera, si çekan pneumatik me goditje deri në 5 ton.

A u bind kryeministri?

U bind por e kishte të vështirë ta pranonte. “Por megjithatë unë kisha të drejtë”, m’u drejtua Mehmeti pas shpjegimit tim, sepse ai gjithmonë kishte hallin e tokës së bukës. “Po ti ke drejtë”, i thashë unë. Megjithëse u tërhoq ai nuk pranonte të thoshte se e kishte gabim. Por ç’është e vërteta u tërhoq.

Modifikimi

Kërkesa e Mehmetit: “Vinça për bunkerët”

Duke rrëfyer incidentet e shumta me Mehmet Shehun, Maqo Bleta tregon: “Më kërkoi të modifikoja 200 traktorë “Stalinesk 80” si vinça për të ngritur kupolat që bëheshin për qendrat e zjarrit. Një kupolë peshonte 5 ton dhe duhej të ngjiteshe në majë të malit. Më thirri në qeveri, mua si zv/ministër i industrisë dhe Menduh Backën si zv/ministër i Ministrisë së Mbrojtjes. Propozimin e kryeministrit e pranova. “Por, – më tha Mehmeti, – unë dua edhe afat. Brenda 6 muajve t’i përfundoni të gjitha!” Traktorët që ishin të modifikoheshin. I thashë që do mendohesha, por nuk i kundërshtova. Pas tre ditësh, si i rashë lapsit, takohem me Mendu Backën dhe i them: Të shkojmë bashkë te kryeministri e ta sinjalizojmë se kur të ngjitet traktori në mal në një rrugë që të jetë me gropa, nga momenti i inercisë pesha e merr traktorin dhe e përmbys”. I shpjegova se si ndodhte kjo nga ana teknike. “Kë të drejtë, – më thotë Mendui, – por si t’ia shpjegojmë Mehmetit?” “Eja, se ia shpjegoj unë, – i thashë. Shkuam së bashku dhe ia shpjegova. Duke dëgjuar argumentet ai pranoi por në fund më tha: “Po, ke të drejtë. Ti vetëm do të prodhosh. E di unë ku do t’i çoj”. Edhe këta traktorë-vinça i montuam në UNB-në e Durrësit. Mehmeti erdhi aty e dhe kontrolloi partinë e parë me 100 traktorë. Ai e provoi vetë vinçin me një kupolë që ishte, jo 5-ton, por e kishte kërkuar 7 ton, të cilën e ngriti. Pastaj na mblodhi të gjithëve edhe ne menduam se do ta jepte ndonjë dekoratë për çfarë kishim bërë. Edhe e di se çfarë na tha: “Mirupafshim, keni kryer detyrën e partisë!”.

Detali

Si u prodhua ‘mbrojtësja e baltës’

“Një incident tjetër ishte një detal i traktorit që quhej ‘mbrojtësja e baltës’. Ai mund të them që ishte detali më i vështirë në uzinë, sepse që të prodhohej ai kërkohej nga stampa të ndryshme. Stampa të prerjes, përpunimit etj. Ne arritëm që t’i prodhojmë këto por mobilizova rreth 10 inxhinierë. Lamë detyrat e tjera dhe kur erdhi Mehmeti, unë kisha bërë 28 mijë copë, pra një parti, ndërsa në të dytën nja 30 mijë copë. Edhe pse na e bëri këtë? Sepse një drejtor SMT-je i Tiranës, kishte arritur të bënte në formë artizanale një copë, por për atë kishte mbi dy javë që kishte punuar, saldo këtu e ngjit aty. Ndërsa puna jonë ishte ndryshe, sepse duhet të bëheshin 30 mijë copë. “Ore shoku Mehmet, ti je teknik”, – i thashë unë, se me këtë e ngacmoja. – “Ti ke mbaruar shkollën e Fulcit dhe duhet të flasim si teknikë dhe jo si kryeministër e unë si inxhinier. Këto po nuk u futën në rrugë industriale, në rrugë teknologjike nuk mund të realizohet një parti kaq e madhe”. Në përgjithësi, Mehmet Shehu në atë kohë ka qenë shumë i egër, kërkues, por kishte një veti të mirë. Në qoftë se i argumentoje një diçka ai tërhiqej, me mënyrat e tij”, rrëfen Maqo Bleta.

Specializimi

Nga Kina në krye të Uzinës “Traktori”

Pyetjes se si u motivua emërimi si kryeinxhinier i uzinës “Traktori” menjëherë pas ardhjes nga Kina, Maqo Bleta i përgjigjet: “Që kur u nisa në Kinë, vetë programi që më bënë kinezët që unë nuk e dija atëherë, ishte për kryeinxhinier të uzinës. Se dhe vetë skema e programit bënte fjalë për organizimin e teknologjisë, projektimit, prodhimit, gjysmë brigadave të prodhimit që kishin lidhje tamam me funksionet e kryeinxhinierit. Dhe atje kur vura re së programi im ishte krejt i ndryshëm nga ai i specializantëve të tjerë, dyshova; pse këtë program?. Të gjithë inxhinierët kishin nga një specialitet. Kur erdha në Shqipëri qëndrova nja gjashtë muaj elektron i lirë, dhe u mora me sistemimin e dokumentacionit teknologjik. Sepse unë isha kryeteknolog i uzinës. Atëherë iu drejtova drejtorit të uzinës që ishte Pilo Peristeri dhe i thashë: “Shoku Pilo do të më lejosh tre muaj sikur nuk jam në uzinë të merrem me organizimin e arkivimit teknik të këtyre dokumentacioneve?”. Ai pranoi. Imagjino që erdhën rreth dy kamionë tip “Skoda”, të ngarkuar me dokumentacione. Ato ishin rreth 35 mijë lloj dokumentacionesh. Këto duheshin sistemuar, arkivuar, të gjendej ajo formë organizimi dhe sistemimit decimal të indeksimit teknik të këtij dokumentacioni në mënyrë që kush e kërkonte ta gjente. M’u desh një kohë prej tre muajsh. E organizova në një mënyrë të tillë që brenda 7 sekondave të gjendej dokumentacioni”

 

Ceremonia

Mehmeti merr përpara punëtorët me traktor

“Fatkeqësisht kur u bë ceremonia e prodhimit të traktorit të parë shqiptar, unë nuk isha në uzinë, sepse isha i sëmurë. Por më kujtohet se desh na ndodhi një aksident. Unë e ndiqja ceremoninë nëpërmjet televizionit. Mehmeti hipi në traktor, dhe në vend që t’i fuste marshin e dytë, i futi atë indietro. Mirëpo prapa ishin punëtorë. Fati, që nuk u shtyp ndonjë! Pas kësaj ai bëri ca prova. Traktori ka dy freksione. Një majtas e një djathtas. Mehmeti e shtynte freksionin për djathtas edhe traktori rrotullohej nga e majta dhe e kundërta. I bënte këto me qëllim që të shikonte reflekset dhe ngarkesën e traktorit. Kjo provë doli me sukses, nuk pati ndonjë gjë. Por edhe atje nuk na u dha ndonjë lavdërim. “Keni kryer detyrën!”, na tha Mehmet Shehu.

Simbolika

Një traktor “me forcat tona

“Të flasim realitetin, atëherë traktori, mund të themi më tepër qe një simbol për t’i treguar botës dhe Evropës se çfarë është në gjendje të bëjë Partia e Punës. Që ne çdo gjë e bëjmë me forcat tona. Ai traktor u prodhua ekzakt siç prodhohej në Kinë, por ai tek ne u bë në rrugë teknologjike, industriale kurse montimi i tij u bë në rrugë artizanale. Dhe kjo kërkonte shumë kohë. Në Kinë bëhej në një minutë tek ne zgjaste për mbi 10 ditë. E dyta pastaj, kur prodhon traktorë, për shkak të kapacitetit të vogël, mbeten pa prodhuar pjesët e këmbimit. Mirëpo më mirë të prodhosh pjesët e këmbimit se sa traktor. Se ne mund të prodhonim 30 copë në vit. Ndërsa pjesët e këmbimit prodhohen për 6 mijë, 10 mijë deri 15 mijë traktorë. Prodhimi i traktorit “me forcat tona” vazhdoi për nja 3 vjet e pastaj u la sepse nuk kishte kapacitet uzina dhe prodhoheshin në sasi të vogël”.

(Vijon nesër)

Përgatitur për “Telegraf” më 2005

NESËR DO TË LEXONI

-Tre punët që bënte Pilo Peristeri si drejtor në Kombinatin e Autotraktorëve

-Kritika e tornitorit në mbledhjen e organizatës bazë, për kryeinxhinierin

-Ndihma e Koço Theodhosit dhe Abdyl Këllezit përballë sherrit me Mehmetin