-portret pa retush-
Telegraf.al / Fisi Metaj njihet si një ndër fiset më punëtore, – në mos më punëtori -, i fshati; në tërë zonën e Çepanit është i dëgjuar si “soji i punës”. Abdurrahman Ferhat Metaj , të parin që bëri thagmë në këtë mbiemër, qysh në moshën 13 vjeç, dajua i vet Isak Jaho Basho e dërgoi emigrant në Stamboll.Ai qëndroi e punoi në Stamboll, me ndërprerje, rreth 40 vjet duke bërë lloj-lloj punësh për të siguruar bukën e gojës dhe të ardhura për familjen. Herë pas here vinte në Çepan,kur u martua,kur i vdiq gruaja e parë, kur u martua për së dyti dhe kur lindnin fëmijët. Në Stamboll prej punëve të rënda iu aksidentua njëra këmbë. Kur erdhi në fshat në vitin 1934, e pastaj nuk do të largohej kurrë prej Çepanit, ndërtoi shtëpinë dykatëshe dhe punoi për të krijuar vreshtën komplekse në tokën që quhet Zgrabovë,(edhe sot e kësaj dite) të cilën e bleu tek Maliqi i Begove.

Begatinë e jetës e shihte te puna
Me Zgrabovën, Abdurrahmani u bë i njohur në të gjithë nahijen. Veglat e punës dhe farërat i solli nga Turqia. Ujin e mori nga një vijë e gjatë prej përroit të Polenës, hapur përmes shkëmbit dhe pyllit me dinamitin, kapsollat, fitilat dhe qysqitë që kishte sjellë nga kurbeti. Tokën e punoi siç dinte ai derisa ajo bëhej “bukëvale”. Aty mbolli, e ç’nuk mbolli ! Mblidhte pleh organik nëpër hajatet e bagëtive, në rrugë e kudo që mundej dhe plehëronte të tërë arën, me parcela të gjata të taracuara, të qëndisura me pemë e me mure mbajtëse. Ai jetonte atje në Zgrabovë për gjatë nëntë muajve të vitit. Gdhihej dhe ngrysej në arë.Ndaj merrte gjithnjë me bollëk zarzavate, perime, grurë, misër, rrush dhe frute shumllojëshe.Ishte ai që solli dhe mbolli për herë të parë në Çepan, bamjen, zerdelinë, erzat. Tepricat nga konsumi i familjes i tregtonte në Këlcyrë e deri në Tepelenë. Derisa mbylli sytë, gjyshi Abdurraham Metaj nuk iu nda punës në arat e veta.Në moshën e shtyrë ai seliste pjergulla, perimet dhe zarzavatet në kopshtin pranë shtëpisë. Për të qenë më të saktë, fshati dhe tërë ata që e njihnin, qysh kur erdhi nga kurbeti e thërrisnin ‘Xha Duçka’.
Martesa e parë e tij me Fatime Qafokun, një nga mbesat e të famshmit në trevën bektashiane shqiptare Dervish Iljazit – ai që vuri themelet e Teqesë së Kulmakut(1916),- i dhuroi katër fëmijë, por ajo u shua nga sëmundje e pashërueshme.Nga martesa e dytë me Merjemën lindur në familjen e Nonajve të Muzhënckës,Skrapar,lindën gjashtë fëmijë. Por Merjema burrëreshë e rrallë, rriti dhe u përkujdes njëlloj për dymbëdhjetë fëmijë: gjashtë të saj, katër të gjetur dhe dy të kunatit, vëllait të burrit, Tahirit, të cilin e rrëmbyen ushtritë pushtuese dhe gruaja i vdiq.
Xha Duçka ishte njeri i drejtë. Në vitin 1963, kur pësova një aksident dhe mora raport për rreth një muaj, pata fatin që të bisedoja gjatë me të. isha i privilegjaur të shikoja e të luaja domino me të tek për tek dhe dyshe. Ai nuk i duronte dot hiletë , që mundohej t’i bënte ndonjëri në lojë. Bënte humor të hollë dhe fuste në muhabet herë – herë ndonjë fjalë turkçe. Ishte me të vërtetë mjeshtër në atë lojë. por ama në lodrën argëtuese ai kalonte vetëm dy orë; të shumtën e kohës edhe pse tejet i thyer në moshë, e harxhonte për t’i bërë hysmet kopshtit poshtë Mollës së Mekamit.

Atdhetar i flaktë
Një episod i fuqishëm ka mbetur në kujtesë të të gjithë çepanllinjve.Në mbarim të luftës italo-greke, në dimrin e vitit 1941, në shtëpinë e Duçkës kërkoi të kalonte natën koloneli grek, që me sa mbahet mend quhej Athanasios, me shoqëruesit e vet. Plaku i shtëpisë, atë kohë tek të gjashtëdhjetat, e priti sipas traditës shqiptare të mikpritjes. Biseduan greqisht. Xha Duçka e kishte mësuar gjuhën greke në Stamboll kur punonte bashkë me refugjatët klandestinë grekë, krahas turqishtes që e zotëronte në të folur. Koloneli i habitur e me ton qortues e pyeti:“Puu, puu, ç’paske bërë!? Paske qënë në Stamboll, në perlën e Azisë, dhe ike ? E ke lënë atë jetë qyteti , e paske ardhur këtu në këto gërxhe e gurë ?” Plaku çepanlli me nënqeshje përbuzëse iu përgjegj : “Guri peshon rëndë vetëm në vendin e tij,’ qirjes Athanasios’! Nuk ka si vendi ku ke lindur dhe ku ke varret e atyre që të kanë bërë kokën!” Koloneli i penduar : “Edhe unë mezi po pres të shkoj në Greqi, më lodhi kjo luftë e kotë…”
Organizator dhe arsimdashës
Xha Duçka ishte plak i mençur dhe organizator i zoti. Në vitin 1943,për pak kohë, ai ka qënë i zgjedhur kryetar i këshillit antifashist nacionalçlirimtar të fshatit dhe një vit më pas në shtëpinë e tij ka qënë i vendosur një pjesë e spitalit partizan për disa muaj. Si tërë çepanllinjtë, ishte arsimdashës. Një tjetër episod i fortë ishte ai i qershorit të vitit 1955. Drejtori i shkollës, Sotiraq Gjergo,që kishte marrë vesh se Rexhepi, me dëftesë me nota të shkëlqyera, ishte dërguar me dhi, shkon tek shtëpia e xha Duçkës. Plaku me shkop e priti buzagaz dhe e ftoi në odë, por drejtori u “hodh në sulm” menjëherë pas përshëndetjes : “Si ore xha Duçka e ke lënë këtë djalë pa shkollë unike?! Ai i ka notat shumë të mira dhe ti e paske shpënë me dhi ?” “Unju të llafosemi”, thotë plaku. Ndërhyri edhe e shoqja Meriema, po xha Duçka e qortoi “Mbylle gojën ti !” dhe vazhdoi me drejtorin e shkollës. “Kemi halle, mësues, duan të hanë kalamanët… djalin tjetër e kam ushtar…Tani jam në moshë pleqërie.Heshti një hop dhe tha: “Por unë… po qe se Rexhepi i merr provimet e klasës me nota të mira, me gjithë shpirt do ta le të shkojë në klasët më lart dhe hallall e pastë shkollën !” Ashtu si tha u bë. Rexhepi, me vullnet e disiplinë si i ati, vijoi shkollat dhe kreu me devotshmëri të rrallë detyrat si mësues,drejtor shkolle, komisar e komandant në njësi e reparte ushtarake. Babai i dhjetë fëmijëve, Duçka edukoi për treçerek shekulli vetëm me shembullin e vet sipas motos “Jeta është puna e dobishme shoqërore”.Ai ishte i gjezdisur, dinte shumë por fliste pak.Të gjithë djemtë e vajzat dhe shumica dërmuese e nipërve dhe mbesave kanë ecur në gjurmët e tij të punës dhe atdhetarisë.

Amaneti
Abdurrahman Ferhat Metaj është i vetmi plak i Çepanit që ka lënë më shkrim dore duke ia diktuar vajzës së tij porosi e amanete për pasardhësit,të cilat i ka pas quajtur “kujtime”.Ja se çfarë thuhet në këtë dokument: Nga 1878 deri në vitin 1913 shtëpia jonë ka qenë e mbyllur.Më 1913 jam kthyer nga jashtë dhe u hap prapë shtëpia.Me 1927 ka ardhur Merjema në Çepan,më ka gjetur me gjashtë fëmijë.Ka qenë shumë e zonja,shumë e fortë,ka punuar me mua krahpërkrah,unë jashtë e ajo brenda.Më 1935 kemi bërë shtëpitë;duke punuar e luftuar arritëm në Shqipërinë socialiste dhe u bëmë më mirë nga shokët.
Vuajtjet e Merjemës kanë qenë më të mëdha se sa të mijat.Nuset kanë ardhur këtu dhe i kanë gjetur hazër.Djem,nuse,nipër,çupa,vuajtjet e Merjemës mos i harroni!
Çupat e mija dhe mbesa ju përshëndes që jetën tuaj ta kaloni mirë,me burra dhe fëmijë ta kaloni me shëndet.Unë kam më tepër se 15 vjet,më kini shikuar pleqërinë.Sëndyqi im nuk ka ngelur bosh asnjëherë; ka qenë plot me lekë,ushqime,çokollata,llokume,biskota,karamele.Unë nga juve kam ngelur shumë i kënaqur,por mua po më mbarohet afati,unë po shkoj atje te shokët.Tek po jua them çupa,mbesa,shami të zeza të mos ketë.Unë rrojta sa më desh qejfi.Unë po shkoj i gëzuar.Shtëpinë dhe njerëzinë po e lë plot. Fatin tim dhe shëndetin tim po jua lë Gramozit dhe Ilirit.Jetën e tyre ta kalojnë me shëndet.Gjithë miqësisë po iu lë të fala.Mua kur më vdiq babai më ka lënë pesë dylym tokë.Unë ia arrita kohës që po u lë me dhjetra dylym tokë.Dhe Duçkë në Çepan nuk vjen më…”
Kështu mbyllet amaneti i tij.Ai flet më shumë se gjithçka. Xha Duçka thoshte shpesh “Vdeksha duke punuar”.Ai kish lindur,siç thuhej, në vitin 1881 dhe u shua duke punuar pranë një hereke me rrush, në 19 korrik 1981, në fshatin ku kishte parë diellin para një shekulli.Le të shërbejë ky shkrim si respekt dhe mirënjohje për Abdurraham Ferat Metaj, plakun e paharruar atdhetar e punëtor si rrallëkush në krahinën e Çepanit, fëmijët,nipërit dhe mbesat e tij.