Flet për herë të parë Agim Seiti, djali i gjeneralit: E kam njohur nga fotografia, shkodranët e mbajnë në gojë
Libri i Gjokë Vatës: Ja të vërtetat për Hilmi Seitin
Një truk i sigurimi të shtetit të kohës së diktaturës, eleminoi fizikisht një njeri të dëgjuar për bëmat e tij pozitive në kryeqendrën e antikomunizmit, në Shkodër. Hilmi Seiti jeton edhe sot e kësaj dite për atë çfarë e njohën dhe e përjetuan shkodranët, çamin energjik dhe të besës. Bisedoja para rreth 20 vjetësh me një ish të përndjekur politik, Lutfi Sejko, si pjesë e të ashtuquajturit grup armiqësor të Teme Sejkos dhe Tahir Demit dhe, në rrëfimet e tij autentike, më ka treguar shumë e shumë ngjarje të ndodhura dhe, që ai ka qenë një dëshmitar okular.
Lutfiu ishte nga qyteti i Filatit prej familjes së Sejkatëve dhe në kujtesën e tij, ka mbetur si një njeri që më ka thënë të vërteta që ngjisin në kujtesë, veçanërisht edhe për figurën e Hilmi Seitit. ishte një pjesëtar i organeve të sigurimit të shtetit. Ai sillej krejt ndryshe, jo ashtu siç e njohim ne këtë organ të diktaturës së proletariatit.
Edhe çdo shkodran që takoja rastësisht dhe merrte vesh që isha nga Çamëria, menjëherë më përmendte emrin e Hilmi Seitit, duke më folur me superlativë për sjelljen e tij prej babaxhani duke thënë “Hilmija”, që kishte gjithnjë raste, të ndihmonte këdo për t’i dhënë mundësinë të ndërtonte jetën në familje.
Një zonjë nga Shkodra, e vjetër në moshë, më telefonoi me ndihmën e Hektor Sejkos dhe më tha se “Hilmija mbetet për mu një burrë i naltë. Aj na trajtonte ne, si motra edhe pse ishim të persekutume nga regjimi. E kam rujt në kujtes mënyrën si aj sillej me na, dhe asnjëher nuk niva kand të më thoshte i fjalë për Hilmian.Aj ishte burrë prej Çamërie”.
Atë 26 prill 1960, pasi ishte kthyer nga Tirana, dhe pas një bisede me sekretarin e parë në Shkodër, Hilmi Seiti ndërroi jetë. Lajmi mori dhenë, funerali i këtij burri të Çamërisë ka qenë i madh dhe i veçantë, shumë njerëz që shprehnin pikëllim për këtë vdekje të papritur të këtij njeriu të respektuar. Sot me të drejtë mund të themi se ajo që ndodhi me Hilmi Seitin, ishte prologu i një genocidi të ri që do të zbatonte sigurimi i shtetit dhe udhëheqja e asaj kohe ndaj çamëve dhe çdo personaliteti të kësaj krahine, që padiskutim, kishin kontribute dhe ishin djem nga familjet më të mira të Çamërisë.
Në një përvjetor të ndarjes nga jeta,Agimi, djali i Hilmi Seitit, që nuk e njohu babanë e tij, se ishte motak, e kujton kështu babain e tij:
“Babanë e kam parë për vite të tëra vetëm në fotografi: i pashëm, i thjeshtë, sy të zgjuar dhe autoritar. Dy vjet më parë, një mik më thotë: “Hilmiu shfaqet për pak fraksione edhe në një dokumentar”. Të them të drejtën, nuk po i besoja veshëve… Hyra në internet dhe … e pashë: modest, profesional… Dy sekonda – një jetë. Mjafton. Nuk kam patur guximin t’ja them nënës time. I vogël e shikoja në ëndërr. Dëgjoja për babain, më përqafonin. E kërkoja, më tregonin. Pyesja nënën time. Më tregonte sa humor kishte, sa i dashur ishte. Të gjithë (rreth meje) tregonin. Vitet kalonin por njerëzit nuk rreshtnin, tregonin… “Si të quajnë? Çfarë e ke Hilmi Seitin? Ka qenë burrë! E ka dash e gjithë Shkodra… Mori vesh se filani donte të arratisej…E thirri … i tha shko të fillosh punë…”. Me dhjetra histori njerëzish të thjeshtë që, vazhdojnë edhe sot. Nuk besoj të jenë të shumtë ata njerëz të cilët duke mos e njohur babanë e tyre të gjallë, t’a kenë njohur aq mirë në marrëdhënie me të tjerët dhe në punën e tij. Një punë mjaft delikate. Gjithmonë në lëvizje, në dinamikë, me shumë detyra komplekse dhe reflektime, të kuptuarit e jetës dhe përballje. Përballje me servilë e të regjur. Përballje me njerëzit, eprorët, me veten. I rritur jetim, larg shtëpisë, ndër ata çamë të mitur të ndihmuar nga paria e Çamërisë për të shkuar në shkollë. Nëpër konvikte, në Luftë, në internim, në luftë me jetën, i vetëm dhe njëkohësisht me shumë shokë e miq, por që në asnjë çast nuk pranonte hipokrizinë.
Pas viteve 90-të, u shkrua periodikisht në gazeta të ndryshme dhe e vërteta mbi vdekjen e babait tim filloi të kristalizohet dhe të përputhet me dyshimin e hershëm të nënës time. Mësuam që Hilmi Seiti, ishte kritikuar rëndë, për zbutje të luftës së klasave. Mësuam që, zyrtarisht, Hilmi Seiti “nuk gjente gjurmë të veprimtarisë armiqësore të klerit në Shkodër” megjithëse kjo i ishte kërkuar që në fillimet e viteve 50-të. (“Veprimtaria armiqësore” u vërtetua në vitet 60-të deri sa u shembën edhe kisha e xhamija). Ridëgjuam, atë që dinim, që megjithë profesionin specifik që kishte zgjedhur, ndryshe nga shumë drejtues të lartë të Sigurimit e Policisë, Hilmi Seiti kishte ditur të bënte dallimin ndërmjet mjerimit dhe ideve. Babai im, Gjeneral-Major Hilmi Seiti e kishte zgjedhur rrugën e tij dhe si njeri me integritet dhe me një inteligjencë të rrallë, u përpoq të bënte më të mirën në atë mori djallëzirash e mizorish gati mesjetare të kohës. Por ai nuk mund të bënte çmendurira. E vetmja çmenduri që bëri im atë ishte që, nuk e shiti Çamërinë, që nuk mundi të pranonte tezën antishqiptare se çamët, ky popull kaq i zgjuar, vital dhe patriot, ishin në shërbim të Greqisë. Eleminimi i tij ishte pa dyshim vepër e kupolës drejtuese të shtetit komunist dhe i hapi rrugën, jo vetëm realizimit të “komplotit çam”, por edhe spastrimit të brezit intelektual e të shkolluar çam, që me aq kujdes e vështirësi ishte formuar nga paria dhe familjet aq punëtore të Çamërisë. Kjo qe goditja e rradhës dhe më e ndyra që merrte popullsia atdhedashëse çame, por që këtë herë i vinte nga nuk e priste dhe për më tepër, e etiketonte si të pabesë.
Krejt rastësisht më ra në dorë libri “Ditari i kujtimeve të mija” të shkruar nga Gjokë Vata. Një miku im, shkodran, Anton Daka, biri i një familjeje të nderuar që iu privua jeta në liri në kohën e dikaturës, si babait të tij, Nikolla Daka, më takon me shumë dëshirë duke më rrëfyer për këtë libër, brenda të cilit autori flet me shumë respekt për gjeneral Hilmi Seitin. U befasova dhe e shfletova menjëherë këtë libër, aq më tepër kur mora vesh se, autori ishte i verbër.
Fragmente nga libri “Ditari i kujtimeve të mia”, të Gjokë Vatës:
Fragmente nga libri….
“Çudi – foli Marku,- edhe autoritetet e këtij mut shteti mundohen me e nxanë piska njani-tjetrin. Mantho Bala të njeh shumë mirë, por e zemëron përkrahja që t‘jep Hilmi Saiti. Sado e vogël qoftë shpresa e luftës së karrierës, mundohen me e shfrytzue. Këta e luftojnë njani-tjetrin me brryla të padukshëm e nënkambca të pahetueshme. Pak me i shkit kamba Hilmi Saitit, mundohen me ia nxanë kryet me derën edhe me përkrahjen që të kanë dhënë ty. Jo ma, mund të pyes kush si po shket Hilmi Saiti. Kur shkitën ma të rrangut, po ky?”.
“Ia tregova Hilmi Saitit sjelljen e autoriteteve me ty, ai ma priti:
“Nuk është në nderin e luftës së klasave përndjekja e Gjokës”.
Këto fjalët e ma të plotfuqishmit të Shkodrës, po t’i hapnin dykapakësh dyert e të gjithave insitucioneve e me çka pava në të, po të jep dorën, me u ngjitë shpejt e shpejt aty nga u shkite.”
“Filip Gjergji u ka dhanë rrugë fjalëve të Hilmi Saitit e ato janë përhapë ma shpejtë se do përhapeshin me një trasmetim radiofonik. Arsyetimet e gjeneral Hilmisë, pranohen në mënyrë të pakundërshtueshme nga të gjitha autoritetet e qytetit, prandaj qëndrimi i Hilmisë ndaj meje është ba qëndrimi i të gjithëve ose asht e shtime.”
“Disa kangë e valle gjatë shfaqes u duartrokitën ngrohtësisht nga publiku. Përgëzimin e parë në skenë ma dha Hilmi Saiti. Në çastin e shtrëngimit të dorës duartrokitjet e publikut shpërthyen ma të fuqishmet. Këto duartrokitje synonin dy qëllime: me më shprehë përgëzimin ma të ngrohtë e dëshirën e rehabilitimit tim. Shembullin e Hilmi Seitit kush e dashtë e kush pa dashtë e ndoqën të gjithë autoritetet e pranishme. Veprimit tim muzikor iu akordue çmimi i parë i festivalit. Ky çmim, – tha Hilmi Seiti, – duhet me përmbushë angazhimet që kam marrë me emrin tand. Ky angazhim do t’u japë zemër përpjekjeve të mija me ta hapë rrugën drejt ngjitjes, ndonse ecja mund të jetë e ngadaltë, qëllimi do arrihet siç dëshirojmë”.
“Mark Tatiqi më tha : Në popull ka nisë me u folë keq për ty. Dhania e dorës e Hilmi Seitit interpretohet si bamja e lëshimit të ndytë, që të hapë rrugën e favoreve të spiunit. Përgojimi i gojëkëqijve ma shndërron gëzimin në vuajtje, e në krahin e këtij përgojimi, ka nisë me ndejë edhe dyshimi im, mos vallë përkrahja e Hilmi Seitit lidhet me ndonjë kushtëzim politik? Prenk Jakova më tha : – Shtrëngoju fort, për duart e Hilmi Seitit, thashethemsat i kanë me u dëfrye thashethemet e tyne. Hilmi Seitit i ka ardhë te hunda ky numër i të rekrutumve, e jo ma me të përfshi edhe ty në ta. Ti nuk i ke kushtet me shërbye në atë soj rekrutimi”.
“Gjokë, – më tha Keli me një ton keqardhës,- paraqitjen e shfaqes ma kanë urdhnue me ta ba pa përmend ty dhe Nikollë Dakën. Vetëm emnat e Filipit e të Nevruzit, – më tha, – ke me i prezantue si drejtues muzike e vallesh. Këtë prezantim e ka porositë komiteti i partisë së Shkodrës. Me këtë porosi ka shumë mundësi me u synue nji qëllim djallzor. Me të nxitë një reagim të papërmbajtun e humbja e torues tande, me u përdor si justifikim para Hilmi Seitit, për me ta ndërpre përkrahjen. Nuk kam ç’të them më shumë për me ta kuptue ti ma miri”.
“Kam sjellë e kam përshtjellë ndër mend mohimin e autorsisë së veprimit tand muzikor, – më tha Filipi mbas shfaqjes. – Ndoshta vetë Hilmi Seiti e ka dhanë këtë sygjerim për me të ndihmue me ia mbërrit qëllimit tand një hap mbrapa e dy përpara”.
“Gjatë shëtitjes së zakonshme në Fushë Çelë, ndigjova tue më thirrë një za i panjohun. Si ndalova burri m’u afrue e më tha:
– Shoku Hilmi Seiti më çoi me të thirrë, e ke në kafe “Moska”. Hilmi Seiti u ngrit nga tavolina e më doli përpara. Më shtrëngoi dorën në mënyrë miqësore e më urdhëroi me ton ushtarak: – Nesër të pres në orën 10 në zyrën time, po të pëlqeu të pish diçka në tavolin me mua, urdhëro me gjithë qejf”.
“Si me përpikmërinë e çdo takimi arrita pak para orarit me hi tek Hilmi Seiti. Më mori përdore dhe shkuam bashkë në zyrën e tij.
Më ke gjetur në një valë befasish me punë, – filloi ai, – prandaj më duhet të flas shkurt e shkoqur. Je duke bërë disa gabime të pafalshme, megjithatë po mos t’i falja nuk do të thërrisja këtu. Megjithatë ta dish mirë këtë, unë jam një, e shteti është shumë. Ti e të gjithë e dimë mirë, unë nuk jam ai njësh i mrekullirave të shtetit, jam i priviligjuari i kryerjes së detyrave që më ngarkojnë. Avokat mbrojtës i atij që e sulmon vetë veten, nuk mund të bëhem. Unë të kam thirrur që të të porosis që t’i pushosh sulmet kundër vetes tënde. Këtij shteti nuk janë të zotët t’i bëjnë gjë jo ti e shokët tuaj, por sikur të luanim mendësh as unë e kolegët e mij. Shteti ynë është kampi socialist, e kampi socialist, është shteti ynë. E ke zhytur veten nën sipërfaqen e ujit dhe po s’e nxorre dorën në sipërfaqen e tij, unë s’kam si ta kap dorën e të nxjerr në breg. Ju veriorët keni një thënie “tepria ka mrekullinë”. Ti si verior, a e respekton këtë si thënie? I vetmi shans shpëtimi i yti është të luftosh armiqtë e tu të shtirur si miq, dhe në këtë luftë mua më ke përkrah”.
“Gjatë shëtitjes së mbramjes në shëtitoren e Shkodrës më ndali Hilmi Seiti.
– Si kalon?
– Mirë, – u përgjegja unë.
– Unë e di sa mire, se jam në kontakt të vazhdueshëm me gjithçka ndodh rreth teje, por java e ardhshme, është java e zgjidhjes përfundimtare të problemit tand. Rrogën e shtatorit do ta marrësh në estradën profesionale të Shkodrës.
– Shoku general, nuk di si me ju falenderue.
– Faleminderimin tand e dua me punë e jo me fjalë.
Gjatë rrugës për në shtëpi më rastisi prap me ndeshë Hilmi Seitin
– Dëgjo këtu, – më tha,- kur shkon në Fushë Arrëz?
– Pasnesër
– Nëse ke për të dorzuar gjë në vatrën e kulturës, dorzoje sa më pare, e kthehu në Shkodër. Duam të bëjmë ashtu siç ka thënë i moçmi “me e rrahë hekurin sa është i nxehtë”, jo se i lëmë të luajnë fjale, por më mire, ja, ku është, se ja, ku do jetë”.
“Në orën 10 padreke u nisa në Fushë Arrëz. Me të arritë në Pukë, shoferi ndali makinën e më ftoi me pi një kafe me të. Sapo hymë në kafene, nji klient pyeti tjetrin me za të ngadaltë:
– Si shpjegohet kjo vdekje e Hilmi Seitit, kaq e menjëhershme?
U drodha i tanë.
– Hilmi Seiti?- e pyeta shoferin, si të mos priste kureshtja me pyetë kënd ma tej. E mashtroi komunizmi mendova, e vuni mish e shpirt në shërbimm të atij mashtrimi. Sjellja me mue e disa të tjerë qe shenjë pendimi. Ndoshta ai shenjë është ba shkaktar i vdekjes. Bamirsia e tij ndaj meje m’u jep shkas lutjeve të mija për të. E nëse lutjet janë të papranueshme, lutjet nuk dënohen”.
Vitet ikin shpejt, por historitë tronditëse që kanë ndodhur në kohën e diktaturës, veçanërisht me çamët, janë të paharruara për vetë specifikën që ato patën.
*** Dy
Si u përdor kapedani çam Daut Hoxha si pretekst i Luftës italo – greke
Dosja e Zezë e Greqisë ndaj Çamërisë ….
Vrasja e Gjeneral Telinit, 23 gusht 1923
Gjenerali italian Telini së bashku me Riza Kolonjën dhe përfaqësues të palës greke u caktuan nga Konferenca e ambasadorëve për të vendosur kufijtë mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ushtaraku italian u akuzua nga qeveria greke se po mbështeste pretendimet e Shqipërisë. Në ditë kur vendoseshin piramidat kufitare në Kakavijë, Telini vritet së bashku me katër ushtarë në rrugën Janinë-Kakavijë. Qeveria greke e dënoi vrasjen, por fajtorët nuk u gjendën asnjë herë.
Fan Noli për Çamërinë, 22 gusht 1924
Zhvillimet në Çamëri e detyruan qeverinë Shqiptare të ngrejë çështjen në Lidhjen e Kombeve. Kryeministri Fan Noli, në një seancë për Shqipërinë, denoncoi hapur masakrat e ushtarëve grekë në jug të vendit. Ai kërkoi që të mos kryhej ndërrimi i popullsisë dhe çamët të mos silleshin në Shqipëri, pasi nuk kishte vend ku të sistemoheshin. E vetmja zgjidhje, thotë Noli, është që çamët të vendosen në tokat e minoritetit grek në Gjirokastër dhe këta të fundi të shkojnë në Greqi.
Incidenti mbretëror, prill 1939
Greqia ishte i vetmi vend që mund t’i siguronte mbretit Zog një largim të shpejtë pas pushtimit fashist.Kryeministri Metaksa e pranoi familjen mbretërore të kalonte në Greqi. Por ndërsa mbreti, mbretëresha dhe princi niseshin me tren nga Follorina rreth 500 ushtarë hipin në tren dhe kërkuan çarmatimin e shoqëruesve të mbretit. Në kujtimet e saj, Mbretëresha Geraldinë shkruan se Greqia kish një plan për ta izoluar familjen mbretërore në një ishull të Greqisë si garanci për marrëveshjet që kish me Italinë. Sipas saj vetëm gjendja e rëndë shëndetësore e princit Leka bërë që grekët të mendoheshin për pasojat që mund t’u sillte vdekja e një princi në tokën e tyre.
Internimi i burrave çamë, 4 gusht 1940
Pas shpërnguljes dhe terrorit ndaj popullsisë çame, grekët për të evituar protestat ndoqën dhe rrugën e internimeve. Qeveria greke krijoi komisione që përzgjidhnin popullsinë ku veçonin meshkujt që ishin për luftë dhe i internuan në ishujt e humbur të detit Egje. Sipas dëshmive, trajtimi i tyre ishte i njëjtë me atë që nazistët u bënin hebrenjve. Dhe si për ironi pushtimi gjerman i Greqisë në 6 prill 1941 i liroi çamët e internuar, por kur u kthyen në fshatrat e tyre nuk kish mbetur askush.
*
Shqipëria në Luftën Italo-Greke, 1940
Pak e çuditshme, por lufta Italo-Greke ka nisur pas vrasjes së një shqiptari çam. Daut Hoxha ishte udhëheqës i një çete atdhetarësh që luftonte kundër sundimit grek. Me fashistët nuk ka pasur kurrfarë lidhje. Për kokën e tij Athina kish vënë 500 mijë dhrahmi. Hoxha u vra nga disa mercenarë të paguar nga grekët dhe Italia, e cila kërkonte një shkak, dhe cilësoi këtë vrasje si një dhunim të të drejtave çame. Italianët, duke ditur se ai ishte njeri që nderohej shumë nga çamët, emrin e tij e përdorën për të ndezur zemërimin e çamëve.
*
Grekët nuk e njohën qeverinë e Enver Hoxhës, me pretendimin se ai ishte njëmysliman që do të persekutonte minoritetin ortodoks në jug të vendit.