Hyqmet Zane: Të vrarët dhe të zhdukurit pa varre të Çamërisë, nuk i shkruan asnjë histori. Përse ?

631
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Bëhet kujdes që çështja çame të mos përmendet, që viktimat e Çamërisë të mos bëhen publike

Historia e Shqipërisë që po flitet  e po shkruhet, a do të flasë ndonjëherë për atë periudhë, kur pas atij 27 qershori 1944, mbetën të vrarë mijëra njerëz jo vetëm të pafajshëm, por edhe me varre masive nga genocidi grek? Por sikur të mos mjaftonte kjo, nga grekët edhe sigurimi komunist, vranë djemtë e Çamërisë, që nga Çamëria, në Kllogjer e deri në Vlorë, Fier, Berat, Lushnje, Elbasan, Durrës, Peqin e Rrogozhinë, Kavajë e Shijak, e deri në Tiranë, është një rrugëtim i gjatë që ka përshkuar populli i vrarë dhe i dëbuar i asaj pjese të kombit me emrin “shqiptar”.

Jo vetëm mbi 3000 viktima martirë të Çamërisë nga gjenocidi grek, jo vetëm rreth 3000 viktimat e pafajshëm të mbetur në fushën e Kllogjerit, jo vetëm edhe rreth 1000 viktimat e gjenocidit komunist në Shqipëri, por mbi të gjitha vrasja me poshtërimin dhe denigrimin, me persekutimin dhe shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, janë një mal i madh holokausti i gdhendur në kujtesën e një populli, jo vetëm brenda territorit shqiptar, por edhe më tej. Është një Zot dëshmitar, por dhe dëshmitarët okularë që na sjellin në mendje momente të dhimbshme të çdo genocidi që vuajti në mënyrën më të pashembullt një popullatë e tërë, me të vetmin faj pse ishin shqiptarë të devotshëm, donin flamurin kuq e zi dhe flasin gjuhën shqipe, më të vjetër të Ilirisë.

Një ekspozitë e para disa vjetëve  titulluar “Kërkojmë një varr”, menjeherë të shkon mendja tek një fakt i vërtet dhe i pamohueshëm: sa shumë viktima pa varre! Sapo u largova prej andej me një ndjesi dhimbjeje të trazuar keqas, një telefonatë më tërhoqi vëmendjen. Ishte Genti Ademi, djali i Përparim Shaban Ademit, që më pyet me trishtim “po portreti i gjyshit tim, pse nuk është këtu, a di gja ti vëllai im ?”. Ashtu si çdo shqiptar që vuajti genocidin komunist, tragjedia çame është e disaplanëshe, shumëdimensionale dhe me një lumë viktimash. Për fatin e keq, emrat e tyre harrohen çdo ditë dhe çdo vit. Me dashje apo pa dashje, memoria kombëtare, po fshin si për t’u bërë qejfin grekëve, që përkundër realitetit tonë të dhimbshëm, me varret e tyre, grekët i gjen kudo nëpër Shqipëri. Shqetësimin e kam tek mosvendosja e portreteve të viktimave të këtij genocidi të shqiptarëve të Çamërisë tanimë, në asnjë nga stendat e muzeale. Përse, me ç’qëllim, kush janë autorët, kush bën kujdes që të mos i bëhet publicitet këtij realiteti edhe për këtë popullatë të martirizuar? Ka vërtet një përgjigje, por për më tej do të doja të trajtoja një fenomen që është gjithashtu bashkëudhëtar i jetës shqiptare. Kur shkojmë në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, përballemi me emrat e dëshmorëve, vetëm të kohës së Luftës II Botërore dhe për pjesën komuniste të tyre. Kujt nuk kishte biografinë e mirë, atij i hiqej emri dhe nam e nishani nuk i gjendej, edhe pse ai shqiptar i mire, mund të kishte rënë për lirinë e atdheut. Por kombi është i madh dhe historia jonë është e shtrirë në kohë dhe në hapësirë. Përse emrat e dëshmorëve që kanë dhënë jetën andej kufirtit, dhe që ishin antifashistë, dhe luftuan për komb e atdhe, të radhitur në brigadat e batalionet shqiptare dhe antifashiste, nuk janë në këto varreza?

Por më shumë se kaq…

Bëhet kujdes që çështja çame të mos përmendet, që viktimat e Çamërisë të mos bëhen publike, mundësisht të harrohen, që personalitetet e Çamërisë të mos promovohen, që historia e Çamërisë të mos shkruhet, që shkrimtarët e mirënjohur të saj të mos jenë prezent në tekstet shkollore. Përse kështu ?  Për më shumë, do të doja të kujtoja faktin se si amerikanët i kanë të skalitura jo vetëm në kujtesën e tyre, por edhe në varret një për një, edhe në platforma mermeri dhe, ç’është më e rëndësishmja, emrat e ushtarëve të vrarë në luftra të ndryshme, emrat e viktimave që vdiqën në Kullat binjake, i lexojnë çdo vit, i kujtojnë me një ceremoni brilante dhe të përvauajtshme, brenda së cilës ka mirënjohje dhe nderim, ka dhimbje dhe kujtim.

Tirane-Gjyqi i Teme Sejkos me shoket e tij.Foto:Atsh

Por le të vijmë tek një fakt.

Më 28 korrik 1960, në orën 11 të asaj dite të zezë, në të gjithë qytetet e Shqipërisë ku kishte komunitet çam, u bë arrestimi i të ashtuquajturve eksponentë të grupit të Teme Sejkos dhe Tahir Demit. Ishin 63 pjesëtarë të komunitet çam e të tjerë më pak që u pushkatuan, u burgosën, vdiqën në burgje dhe internime e sa e sa tmerre si të Kmnerëve të Kuq. Që në një formë a në një tjetër, janë bërë edhe publike bëmat kriminale të Enver Hoxhës dhe bandës së tij sllavo-greke. Mes atij grupi spikasin dy persona, Taho Sejko dhe Shaban Ademi. I pari vëllai i Teme Sejkos dhe i dyti bashkëpunëtor i Tahir Demit, një patriot i mirë dhe një burrë trim. Thuhet se në kohën kur Mihallaq Ziçishti, Shim Kolli dhe Nevzat Hasnedari vajtën në mënyrën më poshtëruese për të arrestuar Tahirin në zyrën e tij, ai nxorri koburen në mbrojtje te nderit të vëllai të tij nga Çamëria. Ishte një gjest burrëror dhe dinjitoz. Dhe Shaban Ademi u arrestua nga banda. Por as në gjyq nuk doli, as hetime nuk i bënë, se nuk u mor vesh fare çfarë ndodhi me këtë burrë Çamërie. Shaban Ademi ishte nga fshati Koskë, pikërisht andej nga edhe ishte atdhetari i mirënjohur Muharrem Rushiti dhe luftëtari i shquar Haki Rushiti. Pra, kemi një njeri që sigurimi e zhduku pa gjurmë, pa nam e pa nishan. Të njejtën veprim u bë edhe me Taho Sejkon në Shkodër, saqë nga ajo kohë na vijnë copëza kujtimesh se i bënë kështu e ashtu, por e vërteta dihet vetëm nga kriminelët që e zhdukën dhe Zoti i plotfuqishëm që merr hak. Janë edhe të tjerë të vrarë si Adem Ismaili, të vdekur nga torturat apo të vrarë me plumb pas koke. Të tillë në të gjithë Shipërinë ka edhe shumë të tjerë. Unë mendoj se janë pjesa më vitale e personaliteteve, që nuk u nënshtruan ndaj kërkesave të xhelatëve, që u kërkonin mohimin e orgjinës dhe të dinjitetit e sa e sa të tjera.  Për këta burra lypset një varr memorial si nderim për figurën e tyre dhe pafajësinë e vrarë pabesisht. Ku dhe si duhet realizuar një gjë e tillë, kjo është çështje procedurash teknike edhe shtetërore, por para së gjithash, është një detyrim i Shoqatës “Çamëria” dhe i vetë shtetit, nëse vërtet themi se jemi shtetas shqiptarë, siç edhe jemi. Se përkundër këtij fakti, do të duhet të jemi në kozmos, se andej greku nuk na pranon, këndej shteti shqitpar nuk na konsideron, atëherë ku të gjendemi ne? Vërtet është një shqetësim serioz dhe i madh.  Ishte ky shqetësim edhe i nipit të Shaban Ademit, se ku është portreti i gjyshit të tij të zhdukur e pa varr, pa emër dhe i mbetur në anonimatin e një kohe të shkuar. Shaban Ademi e Taho Sejko janë pjesa e persekutimit të martirëve të Çamërisë dhe të Shqipërisë, ndaj dhe do të duhej të ishin portretet e tyre mes të persekutuarve pa varre.  Nëse do ta shtrijmë mendimin, do të doja që të dija se ku janë emrat e dëshmorëve antifashistë të luftës, ku janë emrat e martirëve të gjenocidit? Asgjëkundi, sepse komunizmi jo vetëm na vrau, por edhe na la pa atdhe e dinjitet, por kërkohet sot, të na lenë edhe pa histori. Ata ishin pjesë e historisë sonë mbarëkombëtare dhe si të tillë meritojnë nderim dhe përkujtim. Të njejtat fjalë do të doja të thoja edhe për emrat e viktimave të Çamërisë dhe ata të Kllogjërit. Taho Sejko dhe Shaban Ademi mbeten tipikë në atë kohë dhe në këtë kohë, ata nuk u gjykuan për ndonjë krim, ata nuk kishin asnjë faj, ata ishin bij të Çamërisë që jetonin e punonin mes vëllezërve të tyre me kontribute antifashiste, por me të vetmin faj, vetëm e vetëm se nuk ishin grekë, por shqiptarë të mirë. Nëse grekët e Athinës nuk lejojnë asnjë çam, jo më të ngrejë varret e gjyshërve të vrarë e të rënë për flamur e atdhe, por as të hyjnë në tokën e Çamërisë, atëherë, në këtë vend që jetojmë sot si shqiptarë mes shqiptarëve, ku do jenë varret e atyre që lanë jetën birucave të hetuesisë së sigurimit të shtetit, apo që u vranë për atdhe ? Detyrimisht këtu, mes të gjithëve dhe të nderuar si të gjithë të tjerët.

Epilog

Thuhej e thuhet ndonjëherë se, regjimi i Enver Hoxhës ishte i rregullt me dokumentacionin. Por në rastin e të ashtuquajturit “Grupi i Teme Sejkos”, ka një shkresë të sigluar “Sekret” nga Ministria e Punëve të Brendshme, që e ka dhënë Dega e Brendshme e Drejtorisë së Policisë për vitin 1961, ku thuhet se “nuk ka evidence, pasi shkresat janë djegur në bazë të instruksionit të të Kolegjit që flet mbi administratën, kurse regjistrin për këtë qëllim, e kanë krijuar në fillim të vitit 1962”.  Skandal. Edhe lopë e kuaj të ishin këta 34 persona që janë ekzekutuar sipas listës së parashtruar dhe firmosur nga n/kolonel Koli Shuke, shefi i sekretariatit të MPB, do të kishin mbajtur një procesverbal. Shkresa e sigluar “Sekret” për Listën e personave të ekzekutuar më 1961-1962,  janë 34 vetë, mes të cilëve edhe emrat e njohur si Taho Sejko dhe Teme Sejko, Tahir Demi, Shaban Ademi dhe Beqo Plaku, Hajri Mane dhe Ali Xhelo Arapi, e të tjerë. Jo me shumë koment, këta të ekzekutuar, mund të kenë përfunduar ashtu si  dhe Teme Sejko me kazëm në kokë pas shumë mënxyrave që ka hequr deri në veprimin e fundit që bënë kriminelët e Enver Hoxhës në emër të tij, me porosinë e tij, për interesat e tij dhe për kënaqësinë e një njeriu që jetoi e vdiq si makbethian.