Dilaver Goxhaj/ Kush e propozoi Konferencën e Rambujesë dhe kur?

947
Përgjigjen e kësaj pyetje na e jep vetë ambasadori amerikan i asaj periudhe në Shkup dhe i ngarkuari nga Departamenti i Shtetit për bisedimet me përfaqësuesin politik të UÇK-së, zoti Kristofer Hill: “Francezët ishin tejet të interesuar që të ishin nikoqirë të takimit dhe ne, në anën tjetër, nuk ishim aspak të interesuar. Organizimi i bisedimeve paqësore kurrë nuk ka qenë iniciativë e SHBA-ve”. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe, pasi historikisht dihet se çfarëdo plani që mund të ketë dëshirë ta propozoi Rusia, duhet së pari të shqyrtohet nga Franca dhe Anglia, -shkruan ish-ministri i jashtëm i Anglisë Eduard Grey- dhe, në rast se ata pajtohen, atëherë u paraqitet nga këto të tria Fuqive të tjera. Dhe kjo nismë franceze u nxit ngaqë ngjarjet e Dhjetorit 1998 dhe të fillim-Janarit 1999 në Kosovë ishin të tilla, që ia rritën shumë prestigjin UÇK-së e në mënyrë të veçantë Adem Demaçit, i cili po shkonte drejt bashkimit të të gjithë faktorit politik në Kosovë. Prandaj, duhej bërë diçka urgjente që t’i ulej rejtingu Adem Demaçit, duke mos e lënë të arrinte atë objektiv, i cili do të bëhej i mundur përmes Asamblesë Qytetare, pasi ishin bindur se Demaçi ishte i aftë të vinte në lëvizje shtresa të gjera të shoqërisë. Dhe për këtë zgjodhën metodën e përdorimit të mjeteve të zakonshme: Realizimin e Konferencës së Rambujesë para se të mblidhej Asambleja Qytetare e Kosovës. Mirëpo, francezëve u duhej edhe mbështetja e amerikanëve. Prandaj ata qysh herët kishin marrë masa që të bënin për vete Anglinë, një nga shtetet partnerë të përhershëm të SHBA. Për këtë qëllim diplomacia franceze pat afruar Veton Surroin, të katapultuarin e Anglisë prej studios së BBC në Londër drejt e në Prishtinë, me ndihmën e së cilës arriti të prezantohej si intelektuali më me zë në Prishtinë dhe poligloti më i preferuar nga diplomatët e huaj. Paralel me këtë, Franca afroi edhe Austrinë, përmes ambasadorit Petriç.
Dhe qëllimit iu arrit
G-8, porsa u njoh me atë projekt-marrëveshje e paraqiti planin me një shpejtësi marramendëse, si kurrë më parë, duke e rrethuar të ardhmen e Kosovës me një aureolë, në sajë të së cilës edhe përbërja e delegacionit të Kosovës u duk me të vërtetë si thelbi i vullnetit të mirë dhe i arsyes së shëndoshë. Të gjithë argumentet e asaj projekt–marrëveshjeje kishin një logjikë aq të thellë, saqë dukej sikur po të mos i pranoje, do të bëje një gjë të paarsyeshme.
Lind pyetja: Përderisa amerikanët edhe pse “nuk ishin aspak të interesuar për organizimin e bisedimeve paqësore” në ato momente, atëherë përsëri e pranuan atë propozim francez? Kosova, në ato momente ishte një pikë gjeografike sa e rrezikshme aq dhe e lakmueshme, jo vetëm prej rusëve dhe sllavët në tërësi, por edhe prej amerikanëve, pse jo edhe për vendet e fuqishme islamike, por sidomos prej gjermanëve, të cilët ishin i vetmi shtet që e kish ndihmuar dhe po e ndihmonte materialisht UÇK-në, duke i siguruar gjithë mjetet e nevojshme të komunikimit modern (ndërlidhjen) të papërgjueshëm, por edhe shpenzimet që bëheshin me ato mjete, ku vetëm këto të fundit arrinin në 1 (një) milionë e 200 mijë marka gjermane[3]). Amerika e kuptoi se po të vonohej do ta merrnin atë çështje në dorë ose gjermanët ose rusët, ndaj ajo ishte e detyruar të kapej me thonj. Megjithatë, nëse amerikanët do të formulonin rezervat e tyre në ato momente, për atë konferencë, atëherë do të ishte një prishje e asnjanësisë dhe një ndërhyrje në të drejtat e palëve. Vetëm kur të bisedohej për kushtet e paqes, atëherë Amerika do të formulonte kërkesat e saj. Kjo duhet të jetë arsyeja që amerikanët pranuan të ishin dakord për pavarësinë e Kosovës, por jo për bashkimin e saj me Shqipërinë, sikundër ishte programi politik i UÇK-së. Ndërsa mosbashkimi i Kosovës me Shqipërinë është një program politik e diplomatik ndërkombëtar i caktuar. Demaçi ishte i vetmi që e kuptoi se në ato momente çështja e Kosovës kishte rëndësi jo vetëm për amerikanët dhe Ballkanin, por për të gjitha fuqitë e tjera Europiane. Ndaj dhe ai ato ditë Janari 1999, pas shkëmbimit të robërve midis UÇK-së dhe Ushtrisë Serbe, (e cila u shoqërua me masakrën e Reçakut), mori urgjentisht rrugën drejt Tiranës, duke e vlerësuar si momentin më deçiziv që të mund të hynte në lojë Tirana, me qëllim që diskutimi të bëhej midis përfaqësuesve të Shqipërisë dhe Serbisë. Ky hap diplomatik i Demaçit kërkonte t’i thoshte diplomacisë botërore se Kosova është Shqipëri dhe, si e tillë, vetëm asaj i takon të bisedojë për bijën e saj. Dhe, nëse nuk pranohej ky kusht, Shqipëria të ishte pa tjetër e pranishme në bisedime. Mirëpo faktet treguan se Tirana nuk i kishte ato lloj mendësi, aftësi dhe ato këllqe. Si rrjedhojë, Demaçi u kthye nga Tirana ashtu si Skënderbeu 532 vite më herët nga Papa Pali II i Vatikanit, në Janarin e vitit 1467. Një koincidencë interesante: të dy shkuan për të kërkuar ndihmë në të njëjtin muaj e në të njëjtën moshë gjashtëdhjetëvjeçare tek të vetmit ku kishin shpresë se do të ndihmoheshin dhe, çuditërisht, të dy u kthyen po njësoj, të zhgënjyer! Kur e pa se ky variant ishte i pamundur për Tiranën, atëherë Adem Demaçi kërkoi që problemi i Kosovës të shtrohej me ndërkombëtarët më vete, i shkëputur nga çështja serbe, pasi vetëm kështu kishte të ngjarë që çështja e bashkimit me Shqipërinë mund të zgjidhej përfundimisht. Ai e bëri këtë propozim ngaqë zgjidhja që jepte projekt-marrëveshja e Rambujesë ishte një zgjidhje që i imponohej Kosovës, duke e lënë në dorën e politikanëve kosovarë të joshur për pushtet, përderisa ata i pranuan ato kushte. Edhe në këtë pikë dështuan bisedimet e Demaçit me diplomatët amerikanë dhe kjo për shkak të mos mirëkuptimit midis tyre. Por Demaçi përsëri nuk dekurajohet. Ai, duke shfrytëzuar faktin që UÇK-ja “ishte faktor më i fuqishëm luftarak, sesa kur kishte hyrë në luftë” e që kulmoi me shkëmbimin e robërve midis asaj dhe ushtrisë serbe, si dhe i entuziazmuar edhe në ecurinë për realizimin e Asamblesë Qytetare, e ndjente veten më të sigurt, ndaj dhe po bënte të pamundurën që të shtyhej në kohë ajo konferencë ndërkombëtare dhe nuk bëri të kundërtën: të afronte mbledhjen e Asamblesë Qytetare dhe të mos e linte atë për në afatin e fundit, në 10 Shkurt. Duke qenë se Demaçi nuk e kish atë forcë që të shtynte Mbledhjen e Rambujesë, ai nuk duhej të harxhonte kohë duke shkuar në Tiranë, pasi e njihte politikën e saj, por të shkonte në SHP dhe tek Rexhep Qose, dhe më pas tek forcat e tjera politike në Prishtinë, për të realizuar sa më shpejtë mbledhjen e Asamblesë Qytetare. Edhe në këtë pikë francezët u treguan më të shkathët se Demaçi. Ishin ata që kishin menduar që t’ia hiqnin Demaçit mbështetjen e Shtabit të Përgjithshëm, pasi vetëm në këtë mënyrë realizohej plotësisht ideja e sabotimit të Asamblesë Qytetare. Dhe kjo u bë e mundur prej tyre, duke bërë për vete zëdhënësin e atij shtabi, Jakup Krasniqin. Nëse shkëputej Jakup Krasniqi nga Demaçi, shkëputej edhe Shtabi i Përgjithshëm, pasi Jakupi ishte figura më autoritare e UÇK-së, si për UÇK-në edhe për Demaçin. Nëse nuk shkëputej Jakupi nga Demaçi, realizohej Asambleja Qytetare. Bazuar në ecurinë e ngjarjeve, kuptohet se kjo detyrë duhet t’u jetë ngarkuar z.Hashim Thaçit, Xhavit Halitit dhe Kadri Veselit, të cilët ato ditë ndodheshin në Tiranë[4]). Bindja e Jakupit nga Hashimi dhe kthesa prej 180 gradësh e Jakupit, lidhur me Asamblenë Qytetare, duhet të jetë rrjedhojë e ndonjë premtimi tepër tundues, duke shfrytëzuar paqartësinë e programit politik të UÇK-së, të cilin nuk pati kohë ta korrigjonte as Adem Demaçi. Mirëpo edhe Jakupit i duhej një “arsye” e fortë për ta bërë atë kthesë që të mund të ishte i besueshëm për masën e UÇK-së dhe për publikun. Dhe ajo u gjet: Anulojmë Asamblenë, pasi “me potencialin dhe organizimin e tashëm ushtarak, UÇK-ja nuk mundet të ngadhënjej në luftë”[5]), sikundër i janë shprehur z.Jakup e z.Ramë Buja në Rambuje z.Blerim Shala. Jo më kot ekziston parimi: Nëse lufton, duhet të kesh besim në fitore; në të kundërt… kapitullon shpejt.
Sigal