Ç`DO THOSHTE SOT për Shqipërinë, FAIK KONICA

616
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

nga Shpendi Topollaj

Pas 122 vjetësh fjalët mbeten aktuale: “Shqiptari duket si i bërë për të qenë lodër e një mashtrimi të përjetshëm: një fatalitet i dhimbshëm rri pezull mbi këtë popull të mjerë”.

Pasi ndërroi jetë në 15 dhjetor 1942, në moshën 67- vjeçare, për Faik Konicën po mbushen 179 vjet nga lindja e tij. Kjo kohë, ka qenë mëse e mjaftueshme për të pranuar njëzëri se, ai ishte njëri nga intelektualët atdhetarë, shkrimtarët dhe diplomatët më të shquar që Shqipëria ka nxjerrë. Shumë, mundet të mos e kenë lexuar të tërin, ca dinë vetëm disa anekdota të tijat, por kjo nuk i pengon aspak të mos e kujtojnë atë me respektin më të madh, për të mos thënë edhe me krenari, ashtu sikurse ndihej edhe ai vetë për të shkuarën tonë, për gjakun iliro – shqiptar të Diokletianit, filozofit Julian e Justinianit, të cilët i quante nga përfaqësuesit më dinjitozë të kombit tonë “…i cili kishte një qytetari të tij kur stërgjyshërit e frëngjve dhe të anglezëve visheshin me lëkura bualli dhe rronin të futur në shpella”. Duke ditur se ishte disi tekanjoz, i drejtpërdrejtë dhe i guximshëm, aq sa polemizonte me Nolin e madh dhe mbretin Zog e quante malok e analfabet, bisedën time imagjinare me të, vendosa ta ndërtoj rreth atyre që vetë ai kishte pohuar për së gjalli.

– Faik be! Nuk dua të bisedoj me ju si shkrimtar, se ndihem keq, por lejomë të flasim si kolonjarë, pasi origjina ime është nga Novosela.

– Ore! Mos je ai oficeri që i ke thënë njëherë Skënder Luarasit se Kolonja ka bërë për Shqipërinë, atë që bëri Skënderbeu për Evropën?

– Po. Dhe ai u kënaq shumë, por shtoi: Ah! Sikur këto fjalë t`i thosh dikush që nuk është nga Kolonja.

– Mirë paska thënë. Pas shekullit të XV – të në Konicë, vërshuan shumë nga Kolonja, Leskoviku dhe Frashëri, si punëtorë bujqësie. Aty ka qenë edhe shtëpia e Hankos, nënës së Ali Pashait. Në gjithë shekullin e XIX – të e deri nga fillimi i të XX -it në teqenë e Konicës, zhvillohej fshehtazi një veprimtari kulturore që nxiste dashurinë për atdhe dhe urrejtje ndaj sundimit osman. Shumica e popullit musliman, kur u bë shkëmbimi i vitit 1923, u larguan. Janë dhe dy fshatra të tjerë Korsacka dhe Pilkati që është i banuar nga shqiptarët ortodoksë. Greku ka punuar shumë për t`i asimiluar dhe deri diku, ja ka arritur. Nuk e harroj Vojdomatin, lumin që merr rrugë nga Pindi…

“Është për të ardhur keq kur sheh se pak a shumë vendin tonë e kanë harruar edhe sot. Ose më drejtë, e shohin si koloni të tyren. Si mund të japë urdhra një ambasador, sikur të ishte guvernator, tamam si Francesko Jakomoni gjatë pushtimit fashist?”

– Më 3 janar të vitit 1899 tek “Albania” keni shkruar se: “Shqiptari duket si i bërë për të qenë lodër e një mashtrimi të përjetshëm: një fatalitet i dhimbshëm rri pezull mbi këtë popull të mjerë”. A nuk u duket se edhe tani pas 122 vjetësh këto fjalë mbeten aktuale?

– Më shumë se aktuale, pasi ne kemi përvojë jo të vogël dhe nuk na falet të mbetemi ende të tillë. Duhet të kishim nxjerrë mësime nga historia jonë, të paktën. A nuk ka qenë e mjaftueshme “miqësia” me italianët, jugosllavët, rusët e kinezët?

– Ashtu është. Ju dikur keni shkruar për këtë dhe keni thënë diçka të pamohueshme: “Shqiptarët e mjerë presin që Evropa të vijë sot a nesër t`i shpëtojë. Është nevojë të themi, të bërtasim të vërtetën: Evropa shqiptarët i ka parë për të egër e për të humbur”. Paradoks apo jo, kur të parët e tyre…

– Ishin shpellarë thuaj. Ata çuditërisht edhe sot, ashtu pak a shumë na konsiderojnë. Natyrisht që bota ka ndryshuar shumë dhe Shqipëria nuk është ajo e një shekulli më parë, por kanceleritë evropiane asnjëherë nuk morën mundimin të ndreqin me kurajë gabimet e gjyshërve të tyre që e trajtuan Shqipërinë si plaçkë tregu. Na kanë lënë të ndarë në disa shtete dhe nuk e kuptoj frikën a ligësinë e pengimit të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Kjo është jashtë çdo dyshimi një vepër mizore, por ama edhe politikanët tanë i ke parë ndonjëherë të prononcohen për këtë? Sikur kanë turp, sikur druhen, sikur mendojnë se do t`i quajnë shqiptaro – mëdhenj a nacionalistë. Ose, ose, si prishës të ekuilibrave në Ballkan. Nuk thosh më kot Bismarku se “Politika prish karakterin”. Serbit e grekut nuk duan t`ia prishin qetësinë. Kanë politikat e tyre dhe nuk i dihet asnjëherë se ku i del tymi.

Dhe nuk është vetëm kjo. Ata këtu në emër të traktateve po bëjnë ligjin. Del një zyrtar i huaj a ambasador dhe fjala e tij, është fjala e Zotit. Po shteti a duhet të ketë një dinjitet, një sovranitet, fundja.

– Jo, fundja, a duhet të ketë një reciprocitet në marrëdhëniet me të tjerët. Duhet ta dish se unë studimet e larta në vazhdim i kam kryer në Universitetin e Harvardit në SHBA. Atje kam kryer dhe detyrën e ambasadorit të vendit tonë. Shqipërinë e varfër dhe të vogël, thuajse nuk e njihnin fare, por mua më vunë në krye të të gjithë ambasadorëve të tjerë: kam qenë Dekan i Ambasadorëve. Por edhe ambasadorët amerikanë te ne, si ai i pari Ulysses Grant Smith që erdhi në 22 shtator 1922, si Charles Hart që e pasoi në 1925, asnjëherë nuk i imponoheshin qeverisë tonë. Model i një ambasadori plot dije dhe mik i madh i shqiptarëve, një njeri që i dinte mirë se deri ku shkonin detyrat e tij qe Herman Bernstein, të cilin e kam pasur mik besnik. Ai mbajti qëndrimin dashamirës ndaj popullit tone dhe shprehte admirim për mbretin Zogu i Parë. Madje, ai kishte shumë konsideratë për të, dhe jo si unë që e pata sharë, dhe kudo që shkoi i mbronte si askush interesat tona. Dha kontribute sidomos për arsimin dhe e donte megjithë shpirt përparimin e kombit tonë. Megjithë këtë, italianët e shihin me dyshim veprimtarinë mëse normale të tij. Më kujtohet sesi një herë ambasadori italian në Washington, Augusto Rosso mbaj mend se quhej, i shkruante Romës se, më duket se ambasadori amerikan i tejkalon kufijtë e detyrës së vëzhguesit, për të hyrë në atë të këshilltarit politik e promovuesit, edhe në fusha të tjera. Dhe vazhdonte: “Çfarë do të mendonte Washingtoni sikur një Ministër italian, në vende si Kuba ose Nikaragua të fillonte të bënte “politikë aktive”. Në analizat e tij brilante ai kujton me neveri se Shqipërinë e kanë pas njohur me emrin “Toka e harruar e Evropës” dhe bënte thirrje për investime dhe turistë në “Cepin e fundit të pazbuluar të Evropës”. Por është për të ardhur keq kur sheh se pak a shumë vendin tonë e kanë harruar edhe sot. Ose më drejtë, e shohin si koloni të tyren. Si mund të japë urdhra një ambasador, sikur të ishte guvernator, tamam si Francesko Jakomoni gjatë pushtimit fashist.

“Në analizat e tij brilante ai kujton me neveri se, Shqipërinë e kanë pas njohur me emrin “Toka e harruar e Evropës” dhe bënte thirrje për investime dhe turistë në “Cepin e fundit të pazbuluar të Evropës”. Por është për të ardhur keq, kur sheh se pak a shumë vendin tonë e kanë harruar edhe sot”

Kam dëgjuar se shumë shkojnë e kërkojnë zgjidhje të problemeve që kanë në ambasadën amerikane. Gabim, shumë gabim. I shkruajnë asaj për ç`do hall që kanë. Ku ka ngjarë kjo? Frenat janë lëshuar deri atje sa edhe drejtësinë po e komandojnë ata. Jemi miq, u duam shumë, ndofta më shumë se kushdo, por jo deri këtu. Pastaj, kanë të drejtë edhe të tallen, se faji, yni është.

– Po ajo loja me “Persona non grata” si u duket Faik be?

– Mirë e the, loja. E do shqip: nuk ka më keq. Lojë e pandershme me shqiptarët. Askujt nuk i duhet se ç`bëjnë vetë shqiptarët me këdo, qofshin këta dhe liderë, se kështu po i quani ju ata tani. Kush ka faj, le të marrë atë që i takon nga populli i tij, po qe se e meriton. E jo të themi: e di ai babai atje larg. Këtu mesa di unë ka voluntarizëm, për të mos thënë arbitraritet. E si  mund të ndërmarrë dikush, kushdo qoftë ai, në atë vend demokratik, një veprim të tillë? Për të përkrahur palën tjetër, apo për të futur ngatërresa. Mjaft të tilla kemi. Ju e dini mirë se shpallja “non grata” e një njeriu me reputacion gjatë përmbysjes së komunizmit dhe viteve të demokracisë, nuk kalon lehtë. Të paktën gjysma e popullit e vlerëson lart atë dhe nuk mund të pranojë që ai të poshtërohet pa fakte. Merret edhe si shpallje lufte ndaj forcës politike që ai ka përfaqësuar. Dhe luhet me djallëzi, lehtësisht të kuptueshme, kur thuhet se ne nuk japim fakte, por kemi opinione nga çfarë thonë gazetat e ku di unë. Pra nga thashethemet. Ai për shumicën e shqiptarëve ka qenë simboli i orientimit nga miqësia me SHBA. Ju ndofta nuk e dini se sa drejtues të lartë të partisë komuniste dhe punonjës sigurimi, kanë marrë shtetësinë amerikane! Kjo të çorodit dhe nuk ke sesi t`u shmangesh shumë pyetjeve.

– Ju keni thënë se “Liria është të jetë njeriu zot i vetvetes, pa ndonjë urdhërues mbi kokë”. I qëndroni kësaj mesa duket edhe tani. Unë desha t`u sjell në kujtesë vitin 1964, kur Presidenti i Pakistanit Muhamed Ajub Khan, dhjetë vjet para se të vdiste  thosh: “Me qenë mik i SHBA -së është e rrezikshme, me qenë me ta neutral është me interes, kurse me qenë armik me ta, nga një herë është e dobishme”. Dimë ç`është bërë në shumë vende të botës, ku ata kanë pasur interesa. Po ne u kemi hapur dyert deri bazave ushtarake të tyre dhe i quajmë seriozisht aleatë strategjikë…

– Ndofta nuk e ke dëgjuar, por e di se ç`ka thënë vetë Presidenti Ronald Reagan për politikën? E ka quajtur profesionin e dytë më të vjetër në botë dhe se tani po ndërgjegjësohem se i ngjan më shumë të parit. Por më pyete në i qëndroj asaj thënies për lirinë e njeriut. Po të përgjigjem që i qëndroj gjithçkaje kam thënë në këtë drejtim. Më kujtohet se kam shkruar edhe një vjershë për këtë.

– Lejomëni t`u them nja dy strofa: “E në vend tuaj të rroni / Si të doni e si të thoni!”

– “Nuk ju lanë as pakë nderë / Q`e keni pasur përherë”.

– Ç`doni të thoni Faik be?

– Ti o kolonjar, e kupton fare mirë. Shqipëria duhej të qe në BE para shumë vendeve të tjera. Vuajti ajo gati gjysmë shekulli nën çizmen komuniste. Gjithmonë e ka dashur Perëndimin dhe i ka qenë mirënjohës si askush SHBA-së. Ka qenë Amerika me në krye Presidentin e nderuar Wilson, që e shpëtoi nga copëtimi përfundimtar, për të kënaqur orekset e fuqive të mëdha. Pastaj, si mund të mos e vlerësojmë futjen e saj në luftë në krye të forca të NATO -s, me falangat barbare serbe, dhe që në bashkëpunim me gjithë UÇK-në i dhanë fund dhunës më të pashoqe mbi një popull të pafajshëm, ku nuk duhet harruar edhe kontributi i jashtëzakonshëm, i burrit të urtë e të mençur, Ibrahim Rugova. Por kjo s`do të thotë që të mbajmë sehir kur ata, që prej tridhjetë vjetësh luajnë si macja me miun me ne: keni bërë përparime, por do t`u vemë dhe ca detyra shtëpie. Ka një kufi çdo gjë, siç ka një kufi edhe durimi e sedra e një populli. Në kuadrin e marrëveshjeve, traktateve apo interesave të përbashkëta, ne me korrektesë i përmbushim zotimet dhe detyrimet tona. Ne na quajnë muslimanë, e për këtë nuk na pranojnë, gabojnë rëndë. Unë me kohë e kam thënë se “Shqiptarët janë tolerantë për besimet e tjera dhe ndoshta, ky është i vetmi vend në Evropë, ku nuk ka pasur luftëra fetare”.

– Po mos ndofta ende besojnë se ne i kemi sytë nga Lindja? Se edhe kjo mund të ngjasë. A nuk e dinë ata se Rusia mban qëndrimin pro serb, në çështjen e ndjeshme të Kosovës? Si mund t`u lëpihemi atyre?

– Ashtu është. Por ama, kujtdo i duhet bërë e qartë, se vendin tonë do ta bëjmë po ne, bijtë edhe bijat e tij. Ajo thënia e Euripidit, atij poetit nga Salamina, se ty të pëlqejnë këta, vlen edhe për ne shqiptarët: “O, kurrë mos u lodh për ndihmën që i jep atdheut”. Ti e sheh vetë; unë kam 79 vjet që kam vdekur dhe përsëri ngrihem nga varri për të thënë dy fjalë për vendin tim.

“Kam dëgjuar se shumë shkojnë e kërkojnë zgjidhje të problemeve që kanë në ambasadën amerikane. Gabim, shumë gabim. Frenat janë lëshuar deri atje sa edhe drejtësinë po e komandojnë ata. Jemi miq, u duam shumë, ndofta më shumë se kushdo, por jo deri këtu. Pastaj, kanë të drejtë edhe të tallen, se faji, yni është.”

– Po, keni deklaruar se “Palla ime është penda; atë pallë të dobët kam, me atë përpiqem t`i shërbej atdheut. Fiunt scriptores nascuntur heroes (shkrimtarët bëhen, heronjtë lindin). Ti që leve trim, bëje fora një herë jataganin për nder të Shqipërisë”. Lejomë tani Faik be, t`u pyes në i ndiqni zhvillimet letrare te ne? Keni thënë se “Qytetaria është zbukurimi i mendjes dhe e flakta dëshirë për lirinë. Le të ecim me hap titani drejt bukurisë së mendimit”.

– Bukur e paskam thënë. Sa për letërsinë, patjetër që e ndjek me shumë dëshirë. Si të mos e ndjek. Po ku ka tjetër rrugë veç kulturës për t`i treguar botës identitetin e atdheut tënd. Në kushtet kur mbrojtja jonë garantohet nga aleatët, pra kur për të buxheti nuk rëndohet, Ministra e Kulturës a si e quani ju, duhet të jetë shumë e rëndësishme. Asaj i duhen dhënë fondet e duhura që të nxisë, të përkrahë dhe promovojë artistët, sportistët e sidomos shkrimtarët. Mua më duket se edhe për ata që shkrinë jetën për ndriçimin e mendjeve, nuk tregohet interesi i duhur. Do t`ua gjejnë se s`bën ndonjë të metë dhe kaq mjafton t`i denigrojnë e t`i harrojnë. Gjithkush ka edhe anët e veta të errëta, madje edhe Hëna. Ti më pyete për letërsinë e sotme. Dëgjo, jam i lumtur që keni fatin e madh të keni një gjeni si Ismail Kadareja. Çdo gjë që ai ka shkruar mban erë Shqipëri e cila identifikohet me të. Keni humbur shumë edhe me ikjen e Dritëroit. Por jeta kështu është. Tani nuk po përmend emra, pasi do më zemërohen ata që nuk i zura me gojë. Se mjaft më janë zemëruar sa qeshë gjallë. Rëndësi ka që sot bëhet një letërsi dinjitoze e cila nuk ka pse të turpërohet para asaj evropiane. E keqja është tjetër kund; lexohet pak. Kjo do parë e do ndrequr.

– Ju Faik be keni shkruar edhe një stigmatë për disa që pak a shumë i keni quajtur kalemxhinj apo ngatërrestarë.

– Jo. Jo, i kam quajtur hyzmeqarë të penës.

– Po, këta hyzmeqarë të pendës i quani se ushtrojnë zanatin e larove të pendës. Mendoni se edhe sot ka të tillë?

– Si nuk paska! Apo nuk i shihni sesi dalin e lehin çdo natë nëpër televizione disa prej tyre. Të zgjuar janë, se i zgjuar është edhe shejtani. Por çorodisin miletin duke mos folur ndershmërisht, por sipas avazit të atyre që i paguajnë. Kjo nuk është gazetari. Faj ka edhe publiku që i beson ata. Irlandezi Oscar Wilde thosh për këtë: “Publiku ka dëshirë të pangopur të mësojë gjithçka, përveç atyre që ia vlen të mësojë. Gazetaria e di këtë dhe, duke pasur ndërgjegje tregtare, kënaq kërkesën”. Ajo që më çudit më shumë, është mbrojtja prej servili që i bëjnë qeverisë, edhe kur ajo gabon. Të përsëris diçka që e kam thënë një herë? “E kam zemrën aq të mbushur me lot, sa s`qaj dot”.

Vijon në numrin e rradhës të gazetës “Telegraf”…