Presidenti Ilir Meta uron shqiptarët për festën e Kurban Bajramit: Të mos ndalim përpjekjet për të shëruar plagët e thella të shoqërisë

231
Sigal

Në prag të festës së Kurban Bajramit, mes shumë mesazheve uruese nga personalitete të vendit tonë, nuk kishte si të mungonte dhe mesazhi urues nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili i uron shqiptarëve sa më shumë mirësi, mirëkuptim, paqe, begati dhe dashuri tek të gjithë.

“Të mos ndalim përpjekjet për të shëruar plagët e thella të shoqërisë, varfërinë, korrupsionin, padrejtësitë, arrogancën dhe arbitraritetin dhe të kujdesemi e të mendojmë më shumë për të mirën e përbashkët, jetimët, të moshuarit, të vetmuarit, të sëmurët dhe për këdo në nevojë.”,- është shprehur më tej Kreu i Shtetit, në mesazhin urues të shpërndarë në faqen e tij zyrtare në ‘Facebook’.

Mesazhi i plotë i Presidentit Ilir Meta:

Gëzuar Kurban Bajramin!

Urimet më të mira për të gjithë besimtarët dhe qytetarët shqiptarë kudo ndodhen, me rastin e kësaj feste të shenjtë dhe vëllazërore, që na fton në sakrifica për forcimin e solidaritetit mbarëkombëtar dhe kapërcimin e çdo pengese, që frenon ndërtimin e një Shqipërie plotësisht europiane!

Sa më shumë mirësi, mirëkuptim, paqe, begati dhe dashuri në familjet tuaja dhe mes njëri-tjetrit!

Të mos ndalim përpjekjet për të shëruar plagët e thella të shoqërisë, varfërinë, korrupsionin, padrejtësitë, arrogancën dhe arbitraritetin dhe të kujdesemi e të mendojmë më shumë për të mirën e përbashkët, jetimët, të moshuarit, të vetmuarit, të sëmurët dhe për këdo në nevojë.

“Tek Zoti nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre (kurbanëve) por devotshmëria dhe përkushtimi Juaj”. Kuran

Zoti ua pranoftë adhurimin dhe lutjet!