Në kujtim të arratisjes së një shkrimtari 48 vjet më parë
Në vend të hyrjes
Denigrimi i herëpashershëm, që manifestohet në mediat shqiptare për Bilal Xhaferin, shkrimtarin e Çamërisë, hapur po tregon se një dorë e zezë dhe e kujdesshme njëkohësisht zullumbërëse jo vetëm nuk po e le të qetë as në atë botëen tjetër këtë njeri që sot është “Nderi i Kombit”. Por kjo sjellje bën edhe një rivrasje tjetër të këtij shkrimtari. Duke qenë se jetojmë në Shqipëri ku çdo gjë është e mundur dhe ku gënjeshtra merr vlerë dhe e vërteta shpërfillet, është e barasvlefshme me shprehjen se gënjeshtarët janë më të përzgjedhur se sa realistët dhe të sinqertët. Por kur vjen fjala për një shkrimtar të përmasave si Bilal Xhaferi, duket se xhelozia që ai ka krijuar nuk po i le të qetë as ata që mbahen për të mëdhenj të letrave, por as ata që lehin si qentë për të “mbrojtur” kufijtë e shtëpisë se i hedhin bukë të hajë.

Përjetimet e të vërtetave për Bilalin
I ndjeri shkrimtar shqiptar me origjinë nga Ninati i krahinës së Çamërisë lindi mes hallesh dhe dertesh të jetës familjare, u rrit mes vuajtjesh të një sistemi diktatorial, por edhe u konfirmua si shkrimtar mes rrebesheve të kohës. Sipas rrëfimeve të njerëzve që e kanë njohur Bilalin si Bedri Myftari dhe Namik Mane, Ibrahim D. Hoxha apo Adriatik Kallulli etj. etj., sjell në kujtesë atë ditë të zezë të tetorit të vitit 1986 që i mori jetën shkrimtarit në Çikago të SHBA dhe më vjen të hakmerrem ndaj asaj dore që goditi dhe e çoi drejt vdekjes shkrimtarin e madh të kombit. Por nuk di se si duhet t’ia marrim hakun për Bilalin ndaj asaj dore që merr kurajon dhe shkruan mbrapshtina dhe letra sigurimsash që i bënin varrin kujtdo që nuk ishte dakord me politikën diktatoriale dhe çensurën letrare. Sido që të jetë, Bilal Xhaferi mbetet ai që njihet nga e gjithë bota letrare shqiptare brenda dhe jashtë kufijve dhe nuk ka baltë që ta njollosë madhështinë e një shkëlqimi që i dha atij gjenia e të shkruarit.
Pa dashur që ta bëj publike biografinë e Bilal Xhaferit se atë tashmë e dinë mirë rrethet intelektuale të penës, por për fatin e keq të historiografisë letrare këtë jetëshkrim të të madhit të letrave të viteve ’60 nuk e dinë ata që pretendojnë se kanë shumë mend e shumë merita për botën e letrave. Kam të drejtë të them se në tekstet e letërsisë shqiptare të shkollës 9-vjeçare dhe asaj të mesme emri i Bilal Xhaferit dhe krijimtaria e tij po vjen duke u shuar dhe duke u fshirë. Kush e bën këtë, cila mendje e ideon dhe cili penel e dizenjon një veprim të tillë, kur vepra e një shkrimtari është e pavdekshme dhe e patjetërsueshme. Ka nga ata mjeranë që gjithnjë kërkojnë ta lidhin figurën e Bilal Xhaferit me atë të Ismail Kadaresë, se ky i fundit na i paska bërë persekutim e tjera fjalë që s’janë objekt i këtij shkrimi. Ata që bëjnë [audhësi të tilla janë robër të së keqes dhe që vazhdojnë të na sjellin gjithnjë në opinion mendësi dhe praktika komuniste tipike të sigurimit famëkeq.
Kam pasur rastin që të takohem dhe ta pyes në lidhje me këtë fakt drejtpërdrejt shkrimtarin tonë të nderuar Isamil Kadare, si më 20 maj të vitit 1996 në shtëpinë botuese “Onufri” në Elbasan, ashtu edhe në promovimin e librit “Lulet e ftohta të marsit” të Ismailit në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës në Tiranë, po ashtu edhe në nëntor të vitit 2002 në Kineman “11 Nëntori” në Elbasan. Në të gjitha rastet, kam dëgjuar dhe kam inçizuar fjalët e shkrimtarit tonë të madh dhe nuk kam parë tek ai asnjë ndjesi urrejtje apo kundërvënieje, por përmes fjalëve të tij kam kuptuar se dora e zezë e persekutorëve të diktaturës enveriste e kishin piketuar dhe e kishin programuar për ta çuar deri në fund persekutimin e një familjeje të mirë çame, babain e të cilës e kishin pushkatuar që në prag të fillimdiktaturës.
Pak jetëshkrim për Bilal Xhaferin
U lind në fshatin Ninat të Konispolit më 2 nëntor 1935 në fisin e Hasan Tahsinit. Kur ishte 7 vjeç i vdes e ëma, ndërsa më 1944 i pushkatohet i ati si nacionalist. Kështu mbeti jetim me tri motrat. Bilali, mbiemrin e familjes e kishte Hoxha. Por për mall, dashuri e nderim për të atin, emrin e tij Xhaferr e bëri mbiemër të vetin, Bilal Xhaferi. Për të siguruar jetën dhe për t’u shpëtuar ndjekjeve si bir nacionalisti, largohet prej vendlindjes dhe punon korrier në Sarandë. Kryen një shkollë teknike për ndërtim, punon në Fushë Krujë në ndërmarrjes Rruga-Ura në ndërtimin e hidrocentraleve në Veri. Jeton në Shijak tek të afërmit, internohet në fshatin Hamallaj të Durrësit. Në fundgusht 1969 largohet fshehurazi prej Shqipërisë, sepse rrezikohej për t’u burgosur. Kalon në Greqi, pastaj vendoset në SHBA. Dy vjet punon në gazetën “Dielli” të shqiptarëve të Amerikës. Në tetor të vitit 1974 nxjerr numrin e parë të revistës “Krahu i Shqiponjës” që botonte Lidhja Çame në Çikago. Ai e themeloi dhe e drejtoi këtë revistë në të gjitha vitet e daljes, 1974 deri në vitin 1986. Revista mbahej kryesisht me shkrime publicistike, poezitë, tregimet dhe shënimet e tij. Nxorri 39 numra të revistës. Më 25 nëntor të vitit 1978 në Nju Jork plagoset me thikë prej njerëzish të panjohur, para se të shkonte në kremtimin e 100 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit dhe ditës së Flamurit. Në këtë kremtim, Bilali duhej të mbante referatin. Më 1981, ia djegin redaksin e revistës “Krahu i Shqiponjës” me të gjithë dorëshkrimet e tij dhe shkrimet e tjera. Në 14 tetor 1986, pas një operacioni vdes në Çikago në SHBA. Më 6 maj 1995 eshtrat e tij sillen në Shqipëri dhe varrosen në Sarandë. Bilal Xhaferri për të gjallë kishte bërë gati për shtyp këta libra,“Njerëz të rinj, tokë e lashtë”, Tiranë, 1966 “Lirishta e kuqe”, Tiranë, 1967 “Krasta Kraus”, Tiranë, 1967, i botuar në Tiranë vetëm më 1993. Në Prishtinë më 1995 u botuan veprat e tij letrare të botuara më parë dhe të mbetura në dorëshkrim në tri vëllime, “Eja trishtim”, poezi, Prishtinë, 1995, “Njerëz të rinj, tokë e lashtë”, tregime, Prishtinë 1995, “Ra Berati”, roman, Prishtinë, 1995.
Përtej biografisë së Bilalit
E gjithë jeta e tij ishte një luftë mes së mirës, ideve të lirisë dhe identitetit shqiptar të ngritur në art dhe së keqes komuniste të materializuar në tërë jetën e familjes së Bilalit, ashtu si edhe e qindra e mijëra shqiptarëve. Ikja e tij në SHBA ishte kjo një protestë e shpirtit të artistit të madh në një vend të vogël që ia ngushtoi hapësirat e shprehjes së lirisë së gjenisë së tij të një shkrimtari të spikatur dhe të niveleve të lartësive që detyrimisht e çensuroi diktatura komuniste. Çensura që iu bë krijimtarisë së Bilal Xhaferit, ishte tipike dhe e dukshme, që nisi fill pas debatit të romanit “Dasma” të Ismail Kadaresë. Ka qenë koha kur Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë që drejtohej nga Dhimitër Shuteriqi, bënte luftën e klasave brenda rradhëve të veta. Për shkrimtarët dhe artistët pjesëmarrës në takimin e diskutimit për romanin “Dasma” të Ismail Kadaresë janë ende të freskëta debatet dhe diskutimet. Shumë nga protagonistët e asaj dite mbajnë mend se i deleguari i partisë së Enver Hoxhës ishte Fadil Paçrami.
Kolegë të shkrimtarit tonë Kadare kujtojnë me dhimbje atë moment kur diskutoi shkrimtari i mirënjohur tashmë Bilal Xhaferri. Ishte një diskutim realist për romanin “Dasma” për të cilin edhe vetë Kadare pranon se është nga veprat e tij më të dobta. Por nuk ishte dakort partia nëpërmjet Fadil Paçramit. Në atë sallë ishin shumë, por guximi ishte i pakët. Nisiativën e mori Bilali i cili në substancë tha se romani “Dasma” nuk i përket traditës shqiptare dhe se atje nuk pasqyrohet realiteti shqiptar. Kaq u desh dhe me një mllef prej komunisti dhe me një mënyrë tipike staliniste Fadil Paçrami i drejtohet Bilal Xhaferrit “kush je ti more që na flet kështu, do na mësosh ti se si të bëhet letërsia, ti që ke baba të pushkatuar si armik i popullit. Ulu atje se nuk i duam mendimet e tua” e të tjera si këto fjalë që në fakt ishin një pushkatim më keq se sa i plumbit që mori babai i tij, Xhaferi. Të gjithë shkrimtarët ulën kokat, por që nuk i zbardhën ato momente dramatike që i kushtuan shtrenjtë Bilalit. Asnjë nuk i doli në mbrojtje, edhe sikur të donte ndonjë, sepse në sallë ishte Fadil Paçrami, i cili foli sikur të ishte Enver Hoxha vetë. Më pas mbledhja u mbyll. Krenaria e Bilal Xhaferrit nuk e linte këtë njeri me një botë të madhe të ulte kokën. Që nga ai moment ai vendosi të ikte. Dëshmitarë për këtë është edhe Bedri Myftari, edhe Namik Mane, edhe Ballkëze Halili, ashtu si edhe Vath Koreshi, Teodor Laço e të tjerë, ashtu si edhe vetë Ismail Kadare. Në kokën e Bilal Xhaferit, këtij martiri të letërsisë dekatente i lindi ideja të mos ia mposhte kush krenarinë ndaj dhe iku.
Kur flitet për Bilal Xhaferrin, mendja të shkon tek figurat e shquara që bënë emër në saj të talentit dhe jo përmes përkëdhelive që të bënte për interesa të veta një sistem që mbarte antivlera të mveshura me sentenca humaniste. Por, nëse me një pjesë të shkrimtarëve shqiptarë fati u tregua më i butë, me një pjesë tjetër, ku bën pjesë edhe shkrimtari i shquar Bilal Xhaferi, rëndoi pa mëshirë çizmja e diktaturës.
Por më shumë se gjithçka tjetër mbi figurën e Kadaresë rëndon mospërfillja dhe heshtja, spostimi dhe mospërfshirja e tij në elitën e shkrimtarëve. Nuk dihet se me çfarë parametrash dhe kriteresh thuren antologjitë dhe tekstet shkollore, por një gjë duhet të jetë e qartë, që vetë Ismail Kadare apo Dritëro Agolli që para se të flasnin si militantë të PS të shqetësoheshin më shumë për këtë realitet poshtërues që iu bë dhe vazhdon t’i bëhet kolegut të tyre që veçanërisht e quajnë shkrimtar të jashtëzakonshëm, porse e mohojnë përmes veprave që studiojnë brezat.
Një ditë në një bisedë me kritikun e mirënjohur Adriatik Kallullin, ndjeva se mendja e këtij studiuesi kishte shumë e shumë më tepër të drejtë të tregojë shqetësim për këtë lloj persekutimi të ri që po i bëhet Bilal Xhaferit edhe në këto kohët moderne të demokracisë.
Në të vërtetë, madhështia e Bilal Xhaferit qëndron në madhështinë e veprës së tij dhe çdo kundërvënie apo çdo nënvleftësim i figurës së tij, aq më tepër që bëhet edhe nga heshtja e pakuptimtë e Shoqatës Çamëria apo ata intersaxhinj që mbajnë mandate deputeti në Kuvendin e Shqipërisë dhe nuk dinë se emri i Bilalit është nder për çdo çam, ndaj dhe dhe kanë mbetur anonimët e një kohe në tranzicion.
Ajo që e bën më enigmatike qëndrimin ndaj shkrimtarit të madh Bilal Xhaferi është edhe fakti se vepra e tij u botua e plotë vetëm në Prishtinë të Kosovës dhe jo në Shqipëri. Është interesant edhe fakti që si është e mundur që Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë nuk bëri asnjëherë një promovim libri, asnjë përkujtim të jetës së shkrimtarit Bilal Xhaferi, a thua se ky njeri me një talent të madh dhe brilant, siç e ka theksuar edhe kritiku i respektuar Adriatik Kallulli, të ishte një njeri i zakonshëm që lind dhe vdes se kështu ia kishte caktuar Zoti, në një kohë që jeta e Bilalit u sanksionua përmes veprës së tij dhe peripecive që ky shkrimtar hoqi deri sa të shpërthente talenti i tij dhe protesta e tij antikomuniste. Është kjo arsyeja që edhe sot e kësaj dite në një formë ose në një tjetër vazhdon çensura dhe mohimi i vlerave të shkrimtarit që u bë meteor i ndritshëm në një kohë të errët.
Nuk marr përsipër t’u përgjigjem ca gojëve qenëlehës që porositen nga segmentet e ish sigurimit të shtetit që do të vdesin një ditë shumë shpejt. Por se si e konsideroi dhe si e cilësoi diktatura arratisjen e Bilal Xhaferit, këtë e jep më saktë zyrtarisht letra që Feçor Shehu, si drejtor i drejtorisë së I të hetimit në vitin 1969, i dërgonte Hysni Kapos si sekretar i KQPPSH. Të tjerat janë sajesa dhe intriga që lindin si kërpudhat dhe shuhen para së vërtetës.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzeml.Nr.2
DREJTORIA E I-rë
Nr. 2198 Prot. Tiranë, më 11 / X / 1969

KOMITETIT QENDROR TË PP SHQIPËRISË SHOKUT HYSNI KAPO
T I R A N Ë
Më 31 Gusht 1969 u arratis në Greqi Bilal Xhaferi, duke marrë me vehte edhe Selfo Hoxhën (burrin e motrës), ish i dënuar dhe internuar si armik dhe Bajram Shuaipin, të dy nga Markati i Sarandës. Nga analiza që ju bë këtij problemi del se:
Bilal Xhaferi, lindur në Ninat të Konispolit në 1935, banonte në rrethin e Durrësit, me punë në fermën e Sukthit. Babai i tij është pushkatuar mbas çlirimit, si kriminel lufte. Bilali pasi kreu 2 klasë të shkollës së mesme, ka punuar si teknik e punëtor dhe gjatë kësaj kohe është marrë edhe me letërsi. Me gjithëse dihej që kish babanë të pushkatuar si armik, i janë botuar artikuj në gazeta e revista dhe vëllime me vjersha e tregime nga ndërmarrja e botimeve. Në këtë mënyrë u popullarizua padrejtësisht, si “talent letrar”, sidomos për një roman mbi Skënderbeun që kishte dhënë për botim.
Organet tona, duke pasë parasysh biografinë e tij dhe lidhjet e dyshimta me disa të internuar në Mirditë si dhe qëndrimin jo të mirë gjatë kohës që kryente shërbimin ushtarak në Berat, qysh në vitin 1964 Bilalin e kishin marrë në ndjekje si element armik.
Mbas diskutimit armiqësor që bëri Bilali në klubin e shkrimtarëve, Ministria i vuri detyrë Degës së Durrësit, për ta ndjekur këtë objekt si përpunim kryesor dhe të arrihej në arrestimin e tij në një kohe sa më të shkurtër. Por Dega e Durrësit punoi keq. Shkaku i këtij qëndrimi, është nënvleftësimi i armikut të klasës dhe për rrjedhim mungesa e theksuar e vigjilences që nga kryetari e deri tek punëtori operativ që e ndiqte këte çështje.
Kjo mungesë vigjilence karakterizon edhe veprimet e Degës së Punëve të Brendshme Sarandë dhe të batalionit të kufirit, të cilët edhe pse u vunë në dijeni për vajtjen e Bilal Xhaferrit në Sarandë dhe kishin sinjalizime për rrezikshmërinë e tij dhe tendencën e arratisjes, nuk e vlerësuan dhe nuk morën masat e nevojeshme.
Kjo ngjarje nxorri në pah edhe një metodë shumë burokratike bashkëpunimi midis të dy degëve (Durrës-Sarandë) për ndjekjen e këtij objekti, për faktin se dega e Durrësit, nuk dërgoi një njeri kompetent që të koordinonte masat me Sarandën gjatë qëndrimit të Bilalit në Sarandë, por ajo u mjaftua vetëm me dërgimin e një telegrami të thatë. Kurse Dega e Sarandës nënvleftësoi krejtësisht masat në kufi, gjë që i dhanë mundësi këtij armiku, të realizojë më lehtë tradhëtinë e tij.
Të metat e rradhitura më sipër flasin edhe për dobësitë e aparatit qëndror, i cili në rastin e dhënë duhet të kish qënë me rigoroze në zbatimin e detyrave të vëna për këtë problem.
Konkluzionet e nxjerra nga kjo ngjarje do të punohen me të gjitha kuadrot e Drejtorisë dhe të degëve të punëve të brendshme, njëkohësisht u dhanë udhëzime për një koordinim më të mirë midis degëve të brendshme, për rastet kur elementët që janë në përpunim për aktivitet armiqësor lëvizin nga një rreth në tjetrin.
Në Sarandë ky problem u analizua në organizatën e partisë dhe ndaj kuadrove që kishin përgjegjësinë kryesore u morën masa ndëshkimore: Zv.Kryetarit të degës ju dha vërejtje e rëndë, ndërsa shefit të seksionit dhe punëtorit operativ vërejtje me shënim në kartën e rregjistrimit. Në rrugë shtetërore për këto kuadro, mendojmë të mos marrim masa te tjera. Ndërsa problemin e Degës së Durrësit, jemi duke e analizuar në kompleks edhe për disa dobësi të tjera që janë konstatuar aty.
DREJTORI DREJTORISË I-rë
FEÇOR SHEHU.
Epilog
Historia e letërsisë shqipe nuk ka njohur ndonjë shkrimtar tjetër disident si Bilal Xhaferi që në jetën e tij pati kaq shumë ngjarje që do t’ia kishte zili çdo personalitet tjetër jo vetëm në Shqipëri. Fakti që këtë poet të etnisë siç e kanë cilësuar shpesh, diktatura e ka shikuar si të ishte Kafka apo Mitrush Kuteli, siç tha profesoresha e Universitetit “A. Xhuvani”, Elvira Lumi në simpoziumin përkujtimor me rastin e 80-vjetorit të lindjes së këtij personaliteti të letrave shqipe, “Nderi i Kombit”. Ai, Bilali ishte mendjendritur edhe pse me baba të pushkatuar dhe që regjimi i kohës nuk e donte. Bilali ishte i lindur për tu bërë shkrimtar, edhe pse nuk e pranuan në Lidhjen e Shkrimtarëve. Bilal Xhaferi ishte dhe mbeti çami i jashtëzakonshëm siç e ka vlerësuar Frederik Reshpja, edhe pse sigurimi i shtetit e donte të vdekur, por ai iku në vendin e lirisë.
Tashmë vepra e tij është e përmbledhur nën kujdesin e Prof. Dr. Bashkim Kuçuku përmes botuesit Abaz Veizi dhe mbështetjes nga ish ministria e Kulturës dhe dashamirës të tjerë si Tahir Muhedini që e sponzorizuan veprën e shkrimtarit Bilal Xhaferri.


















