Histeria shtetërore ndaj ushtarakëve dhe padrejtësitë e filluara që nga 1996

737
Është i njohur fakti që në kuadër të reformës në FA të RSH, pjesa më e madhe e ushtarakëve dolën në lirim (rezervë). Ata lanë vendet e punës në moshën më vitale dhe në një kohë që ishin kryefamiljarë dhe në shumë raste kishin dhe barrën kryesore për mbajtjen e familjes me të ardhurat (rrogën e tyre). Dalja në rezervë nënkupton që në rast se Atdheu ka nevojë, ata kanë detyrimin dhe janë të gatshëm të rikthehen në detyrë. Është kjo arsyeja që shteti për këtë kategori ushtarakësh ka nxjerrë një sërë ligjesh dhe aktesh nënligjore për trajtimin e tyre, pas largimit të padëshiruar nga puna. Në nenin 52, pika 2 të Kushtetutës të RSH thuhet: “2. Kushdo, kur mbetet pa punë për shkaqe të pavarura nga vullneti i tij dhe kur nuk ka mjete të tjera jetese, ka të drejtën e ndihmës në kushtet e parashikuara në ligj”. Siç theksuam dhe më lartë, papunësia e ushtarakëve është absolutisht e padëshiruar prej tyre, ndaj dhe shteti në zbatim të detyrimit kushtetues të cituar më sipër ka nxjerrë një sërë ligjesh, filluar me statusin e ushtarakut më 1991, VKM, nr, 225 të vitit 1992, ligjin nr. 8087, date 13.03.1996, të ndryshuar me ligjin nr. 8521, datë 30.07.1999, statusin e ushtarakut nr. 9210, datë 23.03.2004, ligjin nr. 9418/2005 të ndryshuar me ligjin nr. 9481/2006, ligjin 10142 të vitit 2009 etj. Në të gjitha këto ligje në nenin nr. 1 të tyre janë shprehur se qëllimi i tyre është t’u sigurojnë përfituesve ushtarakë, përfitime mbi ato që parashikon ligji për sigurimet shoqërore në RSH. Pra kjo nënkupton që ushtarakët në pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, përfitojnë të gjitha ato të drejta që përcakton ligji për sigurimet shoqërore në RSH, plus të drejtave të tjera që parashikojnë ato. 
Shkeljet e Institutit të Sigurimeve Shoqërore
Ndonëse legjislacioni, me përjashtime të vogla, është i qartë për mënyrën e trajtimit të ushtarakëve në rezervë, zbatimi i tij nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe strukturat vartëse të tij, Drejtorit Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, bëhet duke e shkelur haptazi atë. Shkeljet po i evidentojmë kanë filluar nga 1996 kur doli ligji 8087, për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të FA të RSH. Ky ligj u vu në zbatim nga sigurimet shoqërore vetëm pas tre vjetëve e konkretisht në 1 Janar 1999! Për mëkeq sigurimet shoqërore në zbatimin e nenit 11 të këtij ligji, i cili përcakton formulën e llogaritjes të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, e shkelin atë. Sipas këtij neni pensioni i parakohshëm llogaritet: “a”- 50% të pagës referuese për 15 vjet vjetërsi për ushtarakët (burra) dhe 12 vjet vjetërsi për ushtaraket (femra). “b” –Për çdo vit, mbi vjetërsinë e sipërcituar, pensioni rritet me 2% të pagës referuese, por kjo nuk duhet të kalojë pensionin maksimal të pleqërisë në shkalle vendi”. Sigurimet shoqërore që në fillim kanë keqinterpretuar e keqzbatuar këtë dispozitë. Llogaritjen e kanë bërë që të dyja shumat të parashikuar në shkronjat “a”+”b” nuk duhet të kalojnë pensionin maksimal!!. Siç theksuam dhe më lartë pensioni ndahet në dy pjesë “a” dhe “b”. Kufizimi është për masën e pensionit të parashikuar në shkronjën “b” dhe jo për të tërë masën e pensionit, sikundër vepron ISSH dhe Drejtorit Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Jo vetëm juridikisht por dhe nga ana gramatikore po të analizojmë formulën e llogaritjes të pensionit të përcaktuar më lartë, rezulton se kufizimi i masës të pensionit të parashikuar në shkronjën “b” është vetëm për këtë pjesë dhe nuk i shtrin efektet për masën e pensionit të parashikuar në shkronjën “a”. Po të ishte kështu ligjvënësi nuk kish përse ta ndante pensionin në dy pjesë, por do të shprehej në një pjesë me kufizimin që tërë masa e pensionit të mos kalonte masën e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi. Lidhur me këto shkelje shumë ushtarakë në respektim të ligjit ju janë drejtuar gjykatave me kërkesëpadi, ku kanë paditur DRSSH dhe kanë fituar gjyqet në të gjitha shkallët e janë ekzekutuar vendimet, disa janë ende në proces gjyqësor. Por me keqardhje konstatojmë se disa gjykata kanë filluar të ndryshojnë qëndrimet e tyre për këtë problem. Kështu në shumë vendime shkeljen e përmendur më lartë gjykata e kanë pranuar filluar nga data 01.01.1999 deri në kohën që ushtaraku del në pension pleqërie. Këto janë vendime të drejta. Së fundi me krijimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative qëndrimet kanë ndryshuar, kështu fillimi i shkeljes të ligjit nga disa gjykata fillon nga vitit 2004 me hyrjen në fuqi të statusit të ushtarakut nr. 9210/2004, i cili në nenin 49 të tij shfuqizon kufizimin e masës të pensionit të parashikuar në shkronjën “b”. 
Shkeljet më të rënda
Këto vendime janë të padrejta për arsyet që shpjeguam më sipër. Shkeljet më të renda ISSH dhe Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore janë bërë pas daljes të ligjit 10142/2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të FA të RSH…”. Me daljen e këtij ligji, ISSH me një shkresë pa asnjë bazë ligjore, niveloi të gjitha pensionet e ushtarakëve duke i ulur ato! Kjo u arsyetua deri në mbërritjen e dokumenteve për secilin ushtarak nga dikasteret qendrore, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme… Lidhur me ligjin 10142/2009 pati reagim nga të gjitha shoqatat e ushtarakëve dhe Avokati i Popullit, te cilët e çuan çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Kjo Gjykatë me Vendimin e saj nr. 33, datë 24.06.2010, vendosi të lërë në fuqi nenin 29 të ligjit 10142/2009 me arsyetimin se ky nen që përcakton rillogaritjen e pensioneve të parakohshme të ushtarakëve ka më shumë se një mënyrë interpretimi, njëra nga të cilat, ajo e rillogaritjes për t’i rritur pensionet është kushtetuese, kurse çdo interpretim tjetër, që do të çonte në uljen e pensioneve është antikushtetues, pasi cenon sigurinë juridike për të drejtat e fituara etj. Qeveria e asaj kohe, ndonëse Kryeministri deklaroi se Shqipëria ka bum ekonomik dhe renditet pas Gjermanisë, nxori aktin normativ për zbatimin e ligjit 10142/2009 në kundërshtim me vendimin e GJK nr. 33/2010. Meqenëse shumë oficerë me vendime gjykate po fitonin gjyqet, u sajua një farsë gjyqësore një e ashtuquajtur “Shoqata e Xhenierëve të Shqipërisë) ju drejtua me kërkesë GJK për shfuqizimin e aktit normativ. Me vendimin nr.2 datë 18.02.2013 GJK e rrëzoi kërkesën dhe arsyeton se buxheti i shtetit nuk përballon pensionet e ushtarakëve, prandaj ato duhet të rillogariten duke i ulur! Mendimi ynë është se ky vendim i GJK është marrë plotësisht në trysni nga qeveria, duke shkelur dhe Kushtetutën. Po ashtu GJK si dhe në rastet e tjera, duhet të kishte thirr dhe shoqatat e tjera të ushtarakëve si palë të interesuara, gjë që nuk u bë. Kështu, ushtarakët që aderojnë në të gjitha shoqatat e tjera, që përbëjnë shumicën absolute, u dënuan nga GJK pa qenë pjesëmarrës në gjykim. Themi u dënuan, pasi vendimi nr.2 /2013 i saj i jep fuqi aktit normativ duke shtrirë efektet mbi pensionet e tyre. Pra për një problem, pensionin e parakohshëm të ushtarakëve, kemi dy vendime të Gjykatës Kushtetuese të RSH; Vendimi nr.33, datë 24.06.2010 dhe vendimi nr. 2, datë 18.02.2013. Në referim të Kushtetutës RSH, Vendimet e Gjykatës Kushtetuese të RSH, hyjnë në fuqi ditën e botimit në fletoren zyrtare, ato kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare (neni 132 i Kushtetutës). Në praktikën e deritanishme gjyqësore për këtë problem, gjykatat në gjykimet e tyre marrin parasysh vetëm vendimin nr.2, datë 18.02.2013 të GJK, kurse vendimin nr. 33, datë 24.06.2010, nuk e marrin fare në konsideratë! Pra vendimet e GJK merren në konsideratë në mënyrë selektive, njeri jo tjetri po! Kjo është e papranueshme jo vetëm në jurisprudencën e RSH, por edhe në atë të vendeve më të prapambetura të globit. Për këtë problem Organizata e Punonjësve të Policisë në Lirim ju drejtua me kërkesë (GJK) me objekt “Sqarim dhe interpretim i Vendimeve nr. 33, date 24.06.2010 dhe nr. 2, date 18.02.2013 te Gjykatës Kushtetuese të RSH. GJK me vendimin nr. 132, datë 14.10.2015 ka vendosur mospranimin e kërkesës për shqyrtim në seancë plenare, me arsyetimin se: Nuk vihet në lëvizje gjykata nga kjo organizatë pasi nuk ka qenë palë në gjykim!!. Ky arsyetim dhe vendim është në shkelje të nenit 134 shkronjat ‘f” dhe “g”. Sipas pikës 2 të këtij neni ku thuhet:”2. Subjektet e parashikuara nga nënparagrafi dh, e, e, f dhe g të paragrafit 1 të këtij neni mund të bëjnë kërkesë vetëm për çështje që lidhen me interesat e tyre”. Kërkesa që është drejtuar GJK është plotësisht e bazuar në pikën e sipërcituar te nenit 134 të Kushtetutës. Në qoftë se do të qëndronte ky arsyetim i GJK, që kërkuesi nuk legjitimohet se nuk ka qenë palë ndërgjyqese (gjë që nuk qëndron, e sqaruam më lartë), me të drejtë lind pyetja që përse ky vendim nr.2/2013 i GJK shtrin efektet mbi kërkuesin!?
Vendimet e GJK, nuk duhet të përjashtojnë njëra-tjetrën
Ligjërisht të dy vendimet e GJK kanë të njëjtën fuqi ligjore, ato nuk mund të përjashtojnë njeri-tjetrin dhe si të tillë duhet të zbatohen secili në kohën e vet, çka do të thotë që të gjithë ata ushtarakë që e kanë përfituar pensionin e parakohshëm në kohën që ka qenë vendimi nr.33, datë 24.06.2010, do ta marrin në respekt të këtij vendimi, kurse ata që e kanë fituar pas vendimit nr.2, datë 18.02.2013 do ta marrin në respekt të këtij vendimi. Për këtë GJK duhet të bënte sqarimin dhe interpretimin e dy vendimeve të saj. Po ashtu Gjykata e Lartë e RSH duhet të bëjë një vendim unifikues, ku të udhëzojë ndër të tjera dhe zbatimin e dy vendimeve të GJK dhe problemeve të tjera të cituara më lart. Shkelje ligjore bëhen nga disa gjykata, të cilat me vendimet e tyre rrëzojnë kërkesën për indeksimin e pensionit të parakohshëm dhe kërkesën tjetër për dëmin e shkaktuar për mospagimin në kohë të diferencave të papaguara që burojnë nga shkelja e ligjit, bazuar kjo e fundit në nenin 450 të Kodit Civil të RSH. Projektligji që po përgatitet për faljen e “detyrimeve” të ushtarakëve për periudhën nga data 01.07.2009 e deri në momentin e rillogaritjes të pensionit të ushtarakëve, nuk zgjidh problemin, zgjidhja e plotë përfundimtare e problemit është shfuqizimi i aktit normativ, i cili u ka dëmtuar rëndë interesat ekonomike ushtarakëve, gjë që u premtua dhe gjatë fushatës zgjedhore. A do të ketë zgjidhje përfundimtare, ligjore dhe dinjitoze të problemit të trajtimit të ushtarakëve në rezervë e pension? Premtimet janë dhënë dhe ata shpresojnë ende, për më tepër që së fundi është artikuluar nga organet dhe strukturat kompetente nevoja e organizimit të shërbimit rezervist, në rast situate emergjente. Një gjë duhet të kemi të qartë, që mbrojtja e Atdheut, në radhë të parë është detyrë e shqiptarëve dhe si të tillë ish ushtarakët të brumosur vet dhe familjet e tyre me ndjenjën e Atdhedashurisë, do të jenë të parët që do të përgjigjen, prandaj kërkohet që, ndaj tyre, të mbahet qëndrim korrekt, duke respektuar të gjitha strukturat e shtetit ligjet që normojnë të drejtat e tyre. 

Sigal

Ferjat Janushaj
& Fadil Canaj