Hazis Gjergji: 80 vjet më parë/ DEMONSTRATAT E STUDENTËVE QË RRËZUAN QEVERINË FASHISTE TË TIRANËS

566
 

Sigal

Demonstrata e 28 tetorit 1941 në Tiranë. 

 (Sipas dokumenteve të armikut) 

 

Rinia studentore shqiptare ishte ngritur e para në demonstratat e ditëve të para të pushtimit të Shqipërisë nga legjionet fashiste të Benito Musolinit, më 7 prill 1939; ishte ngritur në çdo përvjetor të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe do ta shpërthente zëmërimin e saj pikërisht në përvjetorin e marshimit fashist mbi Romë, më 28 Tetor 1941. Sipas kujtimeve të ish-studentëve të shkollave të kryeqytetit, autoritetet fashiste organizuan në Kinema “REX” (The Reigning King), ish “Nacional” dhe më pas “17 Nëntori”, një mbledhje solemne për të ngritur lart “madhështinë” e Perandorisë Fashiste, çka i ngriti në këmbë studentët, që shpërthyen dyert dhe vërshuan në qendër të Tiranës me thirrje zemërimi për lirinë dhe pavarësinë e humbur të Shqipërisë.

Këshilltari i Përhershëm i Ministrisë së Instruksionit, Mario Morandi, kishte siguruar nga burimet e tij 36 emra të studentëve dhe të rinjve, që ishin treguar më aktivët në demonstratë. Në krye të listës së tij, dërguar Komandës së Legjionit të Karabinierisë Mbretërore të Tiranës dhe për dijeni: Sekretarisë së Mëkëmbësisë së Përgjithshme, këshilltarëve të përhershëm të Këshillit të Ministrave dhe Drejtorisë Qendrore të Policisë në Tiranë, figurojnë 7 maturantë të Liceut Shtetëror të Tiranës:

Skënder Hajro, Galip Hatibi, Rexhep Mahmud Shpati, Nuri Huta, Xhavit Qesja, Drit Çaushi, Jorxhia Haxho.

Në lidhje me Skënder Hajron dhe Jorgjia Haxhon, këshilltari Morandi theksonte se ministria e tij ishte e bindur që kishin marrë pjesë në demonstratë, por nuk mund të ndërmerrnin asnjë veprim, pasi praktikisht, qysh përpara datës 20 tetor ata të dy nuk ishin më studentë të Liceut. Më tej, këshilltari ai ka shënuar emrat e mëposhtëm:

Ibrahim Mahmut Turdiu, Ibrahim Zverku, Petrit Agolli, Ludovik Shllaku, Tonin Ndoca, Anton Zadrima, Kapo Kapaj,  Telo Mino Mezini, Hamid Kruja, Rahim Pengili, Muharrem Çorati, Jakup Frashëri,  Pal Prifti, Arqile Dilo, Hilmi Çausholli, Hysen Begeja, Zenel Baboçi, Bardhyl Pogoni, Gjergj Frashëri, Skënder Ali Begeja, Siri Kodra, Adem Deliu, Pëllumb Koka, Musa Keta, Tomorr Jarani, Asllan Tagani, Ali Zhuri, Teki Kalltani, Sali Toptani, Sokrat Hobdari, Varvara Rusi.

Fashisti Morandi shprehet shumë i sigurtë se Bardhyl Pogoni, Tomorr Jarani dhe Sali Toptani kishin marrë pjesë në demonstratë, pasi për ta kishin ardhur edhe informacione nga burime të tjera, të cilat do t’i vinte shumë shpejt në dispozicion. “Për të tjerët,” shkruan ai, “kjo komandë do të vazhdojë hetime të mëtejshme dhe do të marrë në pyetje të dyshuarit, në mënyrë që kundër tyre të bëhet e mundur edhe procedimi”. Ministria e Instruksionit kishte siguruar gjithashtu me anë të agjentëve të saj një listë prej 17 studentësh, të cilët nuk figuronin në listën e hartuar nga Komanda e Karabinierëve Mbretërorë, kundër të cilëve i kërkoi Ministrisë së Arsimit “të merreshin masat e duhura”. (AQSH, F. 153, V. 1941, D. 103, fl. 61-62)

Informacionin e Ministrisë së Instruksionit e përpunoi vetë ministri i Arsimit, Ernest Koliqi. Në përfundim të studimit, më 11 nëntor 1941, ministri fashist Koliqi i dërgoi Drejtorisë Qendrore të Policisë dy shkresa brënda ditës. Në shkresën e parë shkroi se maturantët: Galip Hatibi, Nuri Huta, Gani Mati, Agron Çorati dhe nxënësi i klasës VII, Dhimo Dhima ishin “shtysat kryesorë të demonstratës së zhvillueme më 28 Tetuer k.v. [këtij viti] e se mendojnë me provokue edhe të tjera demonstrata në t’ardhmen, ose më 28 Nanduer k.v.” (AQSH, F. 153, V. 1941, D. 103, fl. 84)

Në shkresën e dytë ministri Koliqi deklaron: “Kemi nderen të Ju njoftojmë se kjo Ministri, në lidhje me ngjarjen e 28 Tetorit dhe në bazë të hetimeve të zhvillueme prej organeve të saj mbi vendimet përkatëse të Këshillave Diciplinore të dy Instituteve të Mesme të Tiranës (Liceut të Shtetit dhe Shkollës Normale Femnore) dhe të dy Konvikteve Shtetnorë të Tiranës, ka vendos masat ndëshkimore për fajtorët si vijon:

Nga Liceu i Shtetit të Tiranës përjashtohen për 3 (tre) vjet nga të gjitha Shkollat e Mbretnisë: 1. Bardhyl Pogoni; 2. Tomorr Jarani; 3. Sali Toptani. Nga Shkolla Normale Femnore e Tiranës përjashtohet për 3 (tre) vjet nga të gjitha shkollat e Mbrenisë: 1. Saveta Shantoja.”

Gjithashtu, nga Shkolla dhe Konvikti Femëror i Tiranës u përjashtuan pa afat 9 studente: Drita Malile, lindë në Delvinë e banuese në Gjirokastër; Polikseni Thoma, lindë në Sarandë e banuese në Tiranë; Edibe Mirzade, lindë në Strugë e banuese Tiranë; Persefoni Todri, lindë në Elbasan e banuese në Elbasan; Ramize Gjebrea, lindë në Berat e banuese në Berat; Liri Belishova, lindë në Ballsh e banuese në Tiranë; Eleni Terezi, lindë në Korçë e banuese në Korçë; Margerita Totokoçi, lindë në Korçë e banuese në Korçë dhe Olimbi Progri, lindë në Korçë e banuese në Tiranë.    

Nga Konvikti Mashkullor i Tiranës u përjashtuan nga të gjithë Konviktet e Shtetit    përgjithmonë, si dhe nga të gjitha Shkollat e Mbretnisë për dy (2) vjet 9 studentë: Faslli Rexhepi, lindë në Vuthaj (Guci), viti 1925; Teme Sejko, lindë në Konispol, v. 1922; Veli Deva, lindë në Gjakovë, v. 1924; Janaq Kilica, lindë në Fier, v. 1925; Petro Kagjini, lindë në Sheper (Gjirokastër); Nuhi Kërxhalliu, lindë në Bicaj (Kosovë), v. 1924; Safet Kurti, lindë në Lushnjë, v. 1923; Murat Angoni, lindë në Gjirokastër, v. 1924 dhe Eshref Pumo, lindë në Gjirokastër, v. 1924. (AQSH, F. 153, V. 1941, D. 103, fl. 87-88)

Këshilltari fashist Mario Morandi i dërgoi Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë edhe 36 emra të përfshira në listën e hartuar nga Karabinieria, që nuk korrespondonin me studentët. Pas pesë ditësh verifikimesh të hollësishme, më 13 nëntor 1941, drejtori i Përgjithshëm i Policisë Fashsite të Shqipërisë, Zef Kadarja, i dërgoi kuesturës së Tiranës urdhrin e mëposhtëm:

“Âsht vërtetue se personat e poshtëtreguem kanë marrë pjesë në demonstratën e datës 28 Tetuer k. v. [këtij viti], si shtytës kryesorë dhe se kanë ndërmend të shkaktojnë edhe të tjera, në të ardhmen, ose për 28 Nëntorin vazhdues.”

Morandi rekomandon edhe masat përkatëse për secilin person:

  1. a) zonjushat Kaliopi Prifti e Jorgjija Haxho të dërgohen në vendlindjen e tyne me letër – nisje të detyrueshme: me detyrim të mos largohen nga vendi ku kanë me u dërgue pa auktorizimin e Auktoritetit të Qarkut të S.B. [Sigurisë Botore], auktorizim që ka me muejt me ua dhânë mbasi të jetë marrë pëlqimi i kësaj Drejtorije Qendrore. – Prindërit e tyre të difidohen (it. e deformuar: të këshillohen, të paralajmërohen) me verbal nga ana e Auktoritetit kompetent të mos lanë me u largue vajzat prej atij vendi pa auktorizimin e naltëpërmendun dhe të sillen mirë tue mos zhvillue asnji aktivitet propagandistik, se për ndryshej kanë me u marrë masa policore edhe kundra prindërve.
  2. b) djelmoshat Galip Hatibi, Nuri Huta, Gani Mati, Agron Çorati e Dhimo Dhima të ndalohen menjëherë edhe t’i proponohen Komisjonit kompetent për internim policor.
  3. c) Kuestura të sigurohet në se me të vërtetë personat e poshtëtreguem, që nuk i përkasin ambientit shkollor, kanë marrë pjesë apo jo në manifestimin në fjalë:

1) Skënder Hajro, 2) Rexhep Mahmut Shpati, 3) Xhavid Qesja, 4) Driti Çaushi, 5) Cuk Lini, 6) Skënder Hasani, 7) Dilo Koço, 8) Myrteza Pengili, 9) Filip Ekonomi, 10) Mustafa Greblleshi, 11) Thoma Karagjozi, 12) Sadik Peqini, 13) Tomorr Frashëri, 14) Hilmi Inku, 15) Abdullah Dibra Harullah, 16) Skënder Mersini, 17) Safet Musarçja, 18) Mehmet Ali Toptani, 19) Ali Bakiu, 20) Telo Vasil Dilo, 21) Grub Lleshi, 22) Adem Tagani, 23) Gani Kodra Dibra, 24) Hysen Osman Begeja, 25) Mërkur Çelo, 26) Mihal Çuno, 27) Aristotel Ndim, 28) Nazim Batolli, 29) Fadil Vokopola, 30) Baftjar Xhindi, 31) Petrit Kokobobo, 32) Like Toptani, 33) Ferim Xhenglini, 34) Ismail Ceni Vokli, 35) Vasil Perikliu, 36) Dula Sidki, 37) Ali Lauti, 38) Haxhi Petrela, 39) Besa Theodosi, 40) Ajete Rusi.

Kundra atyne që rezulton se kanë marrë pjesë në manifestimin duhet të merrni këto masa:
I) me ndalue menjiherë ata me moshë madhore, tue ja proponue Komisjonit kompetent për internim policor.

  1. II) ftoni prindërit e atyne që janë të mitur dhe i difidoni (it. e deformuar: të paralajmërohen, të qortohen, të këshillohen) me verbal që t’imponohen pranë fëmijëve të tyne tue i shtrëngue me ndejtë urtë, se për ndryshej do të randojnë masa policore edhe mbi prindët.”

Të njejtat masa ndëshkimore duheshin marrë edhe ndaj studentëve të përmendur nga këshilltari i përhershëm i Ministrisë së Instruksionit, Mario Morandi. Personat e dërguar në vendlindjet e tyre që largoheshin pa autorizimin e urdhnuem, duhej ndalue menjëherë e procedue si mosbindësa të urdhrave të autoritetit, në bazë të dispozitave ndëshkimore në fuqi. (AQSH,F.153,V.1941,D.79.fl.466-467)

Dy ditë më pas, më 15 nëntor 1941, Kuestori i Tiranës, Kamber Qafmolla, iu përgjigj Drejtorisë Qendrore të Policisë dhe Kompanisë së Brendshme të Karabinierisë Mbretërore të Tiranës, se zyra e tij ka parashikuar masat e shënuara përbri çdo emri:

1) Anton Zadrima, i Filipit…lindur në Kattaro, më 1921, me qëndrim në Tiranë… ju difidue i ati. (difidue – it. e deformuar: u paralajmërua)
2) Sokrat Hobdari, i të ndjerit Mark…lindur në Tiranë, më 1921, ku edhe banon… student, u paralajmërua personalisht.
3) Varvara Rusi, 19 vjeç, e Andreas…, lindur në Tiranë…, i ati i tij thotë se nuk ka qenë.
4) Hysen Osman Begeja, 21 vjeç…lindur në Tiranë, student i klasit VI të gjimnazit… iu paralajmërua i ati.
5) Tomor Frashëri, i të ndjerit Sabri…, lindur në Pogradec, më 1925, me qëndrim në Tiranë…, nëpunës pranë “Tonko”, u paralajmërua.
6) Shaqir Kasandhi, i Isufit…, lindur në Gjinokastrë më 1922, me banim në Tiranë, pranë bujtinës “Kapri”, student, u paralajmërua…
7) Gani Mati, i të ndjerit Adil…lindur në Mat, vjeç 23, student, me banim në Tiranë… asht në burg, në dispozicion të kësaj Kuesture.
8) Bardhyl Pogoni, i Petritit… lindur në Tiranë, më 10 kallnuer (janar) 1925, me banim në Tiranë… i asht paralajmërue i ati.
9) Hasan Jero, i Arifit… lindur në Selanik, më 1912, me qëndrim në Tiranë… dentist… u paralajmërua.
10) Vasil Perikli, i të ndjerit Polikron. lindur në Përmet, më 4.12.1921, orthodoks, me qëndrim në Tiranë, pranë bujtinës “Ballkan”… u paralajmërua.
11) Ismail Bega, i Hysenit… lindur në Tiranë, 1921, student këtu… i paralajmëruar.
12) Enver Hoxha, 32 vjeç, i Halilit… lindur në Gjinokastrë, me banim në Tiranë, rruga e Dibrës, tregtar – për t’u arrestuar, ka qenë i paralajmëruar.
13) Nazim Batalli, i Myslymit… lindur në Fier, më 1917, banues në Tiranë… nëpunës pranë Drejtorisë së Shtypit e Propagandës, i paralajmëruar.
14) Skënder Begeja, i Aliut… student, vjeç 17, lindur e banues në Tiranë, rruga “Çerçiz Topulli”, i paralajmëruar.
15) Dule Sitki, i të ndjerit Shaqir… lindur në Gjakovë, 23 vjeç… student në Liceun e Shtetit Tiranë, i ati i tij ka thënë se biri i tij nuk ka marrë pjesë.
16) Dilo Koço (Kostandin), i Vasilit… 25 vjeç, lindur në Labovë të Gjinokastrës, banues në Tiranë, në rrugën Dibra… student universitar, u arrestua dhe u la i lirë datë 28.10.1941, ju paralajmërua i ati.
17) Mehmet Tufina, i Hysenit… lindur në Tiranë, ku edhe banon…, vjeç 20, tregtar, ju paralajmërua i ati.
18) Muharrem Çorati, i të ndjerit Ferit…, lindur në Vlorë, vjeç 21, banues në Tiranë… student i paralajmëruar…
19) Teki Kaltani, i Sabriut…, lindur në Mallakastër (Berat), 1925, student këtu, banues në rrugën Dibra, 123, u ndalua dhe u la i lirë më datë 28 tetor, u paralajmërua.
20) Pal Prifti, i Kristos… lindur në Kolonjë të Korçës, më 5.4.1920, këtu banues në bujtinën “Ballkan”, student i Liceut, u paralamërua.
21) Niazi Hatibi, i Mynirit… lindur në Dibër të Madhe, vjeç 19, me banim në Tiranë…, student i paralajmëruar.
22) Tonin Noca, i Kolës…, lindur në Gjakovë, vjeç 20, këtu banues në rrugën Sopoti, nr. 5, student, u paralajmërua.
23) Petrit Agolli, i Miftarit…, lindur në Tiranë, më 14.9.1925, … student i paralajmëruar.
24) Jakup Frashëri, i Bajramit…, lindur në Korçë, vjeç 18, këtu banues në rrugën “Çiano”, 191, student, u paralajmërua i ati.
25) Rrahim Pengili, i Mehmetit…, lindur në Krujë, 20 vjeç, këtu banues në rrugën Sh. Gjergjit, nr. 31, i ati asht avokat, i paralajmëruar.
26) Aristotel Ndimi [Ndini], i Stavros…, lindur në Vlorë, 19 vjeç, banues në Tiranën e Re, i paralajmëruar.
27) Merkur Çelo, i Qerimit…, lindur në Shkodrë, vjeç 21, student, banues në lagjen “Sulejman Pasha”, rruga “Hoxha Tahsin” 54, u paralajmërua ati.
28) Fehim Xhuglini, i Tefikut …, lindur në Dibrë, vjeç 17, student, këtu banues në rrugën “Saraçi”, u paralamërua i ati.
29) Filip Ekonomi, i Anastasit…, lindur në Kolonjë, në katundin Bezhare, 19 vjeç, me banim pranë konviktit priftnuer orthodox… u paralamërua.
30) Tomor Jerani, i Ramazanit…, lindur në Tiranë, vjeç 18, student, u paralajmërua i ati.
31) Musa Keta, i Muhedinit… lindur në Tiranë, vjeç 21, student…, u paralajmërua.
32) Hilmi Çausholli, i Ganiut…, lindur në Tiranë, vjeç 18, student…, i ati thotë se nuk ka qenë.
33) Galip Soil, i Xhemalit…, lindur në Tiranë, më 9.5.1923…, u paralamërua. (AQSH, F. 153, V.1941, D. 103, fl. 112-114)

-vijon nesër-