Alfabeti nuk është element thelbësor i identitetit tonë, mos e bëni atë gabim!

688
Sigal

Akademik Artan Fuga

Një ditë pas deklaratave se alfabeti është ditë e rëndësishme e identitetit kombëtar, ka reaguar profesor Artan Fuga. Me anë të një komenti, ai këshillon që mos bëhet ky gabim, pasi alfabeti nuk është element thelbësor i identitetit tonë. Sipas profesor Fugës, alfabeti në vetvete është shumë i rëndësishëm, por thekson se duhet të heqim dorë nga dogma e albanologjisë staliniste se alfabeti është element i qenësishëm i identitetit tonë.

“Alfabeti është kanali!

Jo mesazhi!

Çdo student në komunikim e mëson këtë që në semestrin e parë!

Alfabeti nuk është element thelbësor i identitetit tonë!

Mos e bëni atë gabim. Shkronjat e alfabetit mund të shprehin çfarëdo përmbajtjeje, madje edhe atë më antishqiptaren! Shkronjat e alfabetit janë thjesht shënja, kode, me të cilat mund të shprehen të gjitha përmbajtjet kuptimore madje edhe ato më idiotet.  Sigurisht ata burra dhe gra që zgjodhën alfabetin latin kontribuan shumë, heroikisht, për të na dhënë drejtimin evropian dhe emancipues, por megjithatë identiteti ynë ka qenë edhe para sesa të ishin gërmat e alfabetit, në kulturën gojore, para sesa shqiptari ta njihte shkrimin. Edhe analfabetë, si të gjithë popujt, ne ishim në identitetin tonë! Në thelb ai është paraalfabetik! Alfabeti ynë nuk është specifika e identitetit tonw, sepse ai është latin, kaq! Ka shqiptarë të mëdhenj, që kanë shkruar me alfabetin arab, turk, grek, por kjo nuk i ka penguar të jenë shqiptarë të mëdhenj, që u përulemi për atw që kanë bërë që ne të jemi këta që jemi. Alfabeti në vetvete është shumë i rëndësishëm, por të heqim dorë nga dogma e albanologjisë staliniste se alfabeti është element i qenësishëm i identitetit tonë. Alfabeti është tërësi kodesh materiale.  Mos ngatërrojmë kanalin me mesazhin që kanali përcjell! Se pastaj pas 100 vjetësh po qe se është kështu, meqë përdorim teknologji kompjuterike, gjuhë programore kompjuterike, ta zemë japoneze, do thonë për ne se shqiptarët ishin të frymëzuar si komb nga Japonia!”