Hile Lushaku: Saktësime – Halim Gjakova apo Halim Tetova?

56
Sigal

Emrat Halim bej, Halim beu, Halim bej Gostivari, Halim be Tetova-Dëralla janë identifikuar si një person: i quajtur herë si Halim be Gostivari, herë si Halim be Tetova e herë si Halim be Dëralla, i biri i Mehmet pashë Dërallës! Historianët nuk bënë përpjekje për t’i saktësuar por i futën në histori me emrin që i gjetën. Duke shkruar librin “Drejtorët e Përgjithshëm të Policisë”, dyshova se nuk ishin të sakta të dhënat në publikime dhe ishin të paqarta ato në burimet arkivore. Nuk gjeta askund në dokumentet historiografike të studiuesve të Shqipërisë të saktësuar Halimët, që më dilnin në gjashtë forma. Nga komunikimet me studiues në Kosovë gjeta inkurajim dhe angazhim prej tyre. Me rekomandim të Neritan Kolgjinit komunikova me studiuesin Riza Sadiku, i cili u shpreh me sinqeritet se nuk mund të jepte përgjigje kërkesës time për të saktësuar Halimët e ngatërruar. Ai më lidhi me burrin e nderuar, prof.dok Muhamet Pirraku, historian i thekur dhe me shumë njohje. Në përgjigjen e parë ai më shkroi “Nuk jam në gjendje të ju ndihmoj, hëpërhë”. Pas dy ditëve profesor Pirraku më shkroi: “Jam shumë i sigurt se Halim be Gostivari është, sa di unë, në lidhje me Hamdi e Sadik be Gostivarin, kurse Halim be Dëralla ka të bëjë me Dërallët e Gradecit (Tetovë). E di se ka ekzistuar edhe Halim be Jakova, duhet të ishte në lidhje me Idriz Jakovën e Ibrahim Jakovën”. Në ditët në vijim, nga z.Pirraku më erdhi e-maili: “…ka një libër për Ibrahim Jakovën, ushtarak. Nuk ka për Halim bej Jakovën. Autori është Prof. Dr. Hakif Bajrami. E kam pyetur për Halimin dhe nuk ka asnjë të dhënë. E kam pyetur edhe një koleg, që ka doktoruar me Komitetin e Kosovës, Lush Culaj, as ai nuk di gjë për Halim bej Jakovën. Ndërsa vijoja hulumtimet në Arkivin e Shtetit, Profesor Pirraku, i angazhuar maksimalisht në zgjidhjen e dilemës time më shkroi: “…e ftova me telefon Prof. Dr. Masar Rizvanollin, që është mbi 70 vjeç. Merret me fatin e personaliteteve të Gjakovës dhe më tha: “Kurrë nuk kam dëgjuar për Halim be Jakovën…!”

më duroi por edhe “më jepte detyra”, ndërsa unë postoja çdo ditë zbulimet e reja. Një ditë më shkroi se “u tërhoqa nga dy Halimët”. I shkrova mbi një faqe e-mail, duke e sqaruar se cili jam (mund të më kishte konsideruar “leshko” ose “kurioz delirant”), qëllimin tim dhe ku kisha arritur. Nuk kaluan tre orë dhe më shkroi: “Tashti jemi më afër njëri-tjetrit. Mos u gajloni se më mërzitni. Të kërkosh dije është detyrë njerëzore. Problemin e dy Halimave të Iliridës do ta zgjidhim”.

Sistemova të gjitha të dhënat burimore dhe hartova trungun gjenealogjik të dy Halimëve dhe u binda se kemi dy Halimë. I shkrova profesorit: Kam hulumtuar për të “gjetur gjilpërën në kashtë” dhe kam provuar se Halimët janë dy, i pari Halim bej Jakova, është Halim bej Gostivari, kam dokumentin e vdekjes, datë 1 (ose 3) gusht 1927, i ndjeri ka lënë tre djem, që nuk po u gjej dot asnjë adresë, ndërsa i dyti është Halim Tetova (Dëralla), i cili ka lënë tre vajza, vdekur më 1932. Të dy janë varrosur në Tiranë,  . Gjeta nipin, Çezar Agimi dhe Tomorr Gostivari (nipi i Sadik Gostivarit, vëlla i Halimit). Plotësova pemën gjenealogjike të Gostivarëve dhe njoftova profesor Pirrakun: Halim Gostivari e ka vëlla Sadik Gostivarin. Halim beu është Halim Jakova (Gjakova), martuar dy herë. Me gruan e dytë (Gjylije) pati djemtë: Skënderi (nuk la trashëgimtarë); Mit’hati (lindur në Gjakovë më 13 dhjetor 1918, la fëmijë Halimin, vdekur; Çezari i gjallë, punon në Ministrinë e Bujqësisë, dhe Raxhi (nuk di nëse është i gjallë apo i vdekur); Manushi, la tre fëmijë: Astriti, vdekur; Lemanja, vdekur dhe Feliksi, që jeton në Tiranë. Vëllai i Halimit, Sadiku, ka punuar në polici në kohën e hershme dhe të Zogut (kam pak shënime për këtë person), pati dy djem, Zenelin dhe Qazimin. Sot njihet në Tiranë Tomorr Gostivari, djali i Qazim Gostivarit, nipi i Halim Jakovës (Gjakovës-Gostivarit), pensionist por punon si funksionar në kryesinë e Partisë së Ballit Kombëtar. Sipas Çezarit (çuditërisht me mbiemër tashmë “Agimi”), me të cilin jam takuar, Manushi, djali i tretë i Halimit, ka ruajtur dokumente për jetën e Halim bej Jakovës, të cilat, sot, i administron Feliksi…I kam ftuar për kafe, pres përgjigjen e tyre. Lidhur me këtë informacion, shpresoj të gjej ndonjë fill për të shkuarën e atij burri me mbiemër Gostivari dhe Jakova (Gjakova).

 

Më kërkoi të thellohesha, ndërkohë më shkroi: “…me kënaqësi mund të ju them se jeni i vetmi që po ma impononi të mësoj gjëra të reja në pleqëri”.

Të nesërmen më porositi: Në një të ardhme duhet një shkrim sqarues për opinionin shkencor në thumb të sqarimit të defekteve të Culaj, Cana, Bajrami (kosovarë) dhe tek dy historianët e Iliridës-Xhemaili e X-si, se paraqitja e personit, i quajtur Halim, me tre mbiemra, nga viti 1912: Halim be Jakova, Halim be Dëralla dhe Halim be Gostivari flasin për dy Halima me aktivitet fort të kundërt, se Halim be “Dëralla” nuk është Halim be “Gostivari”!?! Ju dëshiroj zbulime të reja për aktivitetin e tyre në fushat me të cilat janë marrë, Gostivari punë policie nga viti 1913, kurse Dëralla punë qeveritare, së paku nga 1919. Të përbashkët e patën vetëm luftën, më 1912, kundër Perandorisë Osmane. Shëndet, suksese, Xhaxhi Meti. Gjithashtu, më porositi të heq pjesën kritike që i bëja një studiuesi që ngatërronte Halim Gostivarin me Halim Dërrallën për rolin e tyre më 24 dhjetor 1924, ku shkruhej se Halim bej Dërralla, së bashku me Abdurrahim Reken, nga Dibra, miq të Davidoviq (kryetar i Partisë Demokratike), kanë ndihmuar Ahmet Zogun në organizimin e forcave për rrëzimin e qeverisë noliste dhe ardhjen në pushtet të Legalitetit. Kjo e dhënë ishte botuar në gazetën “Bashkimi”, nr. 20, datë 17 tetor 1924 dhe në gazetën “Ora e Maleve”, nr. 44, datë 25 tetor 1924, ndërsa studiuesi shënonte Halim Gostivari. Më inkurajoi të mos mërzitemi për “ të pavërteta të sinqerta e harresa pa keqdashje për Halim Gjakovën-Gostivarin”.

1) Halim Gostivari është nipi i Ibrahim Gostivarit, kurse Halim Dëralla pati gjysh Hasan pashë Tetovën.

2) I ati Halim Gostivarit quhej Jusuf, i panjohur për ndonjë ofiq apo titull, kurse i ati Halim Dërallës qe pashai shquar, gjenerali Mehmet Tetova (Dëralla), ushtaraku i karrierës, këshilltari i Sulejman Vokshit në Lidhjen e Prizrenit, kryeqeveritari lokal i Prizrenit në pragshpalljen e pavarësisë, ministri i parë i Luftës në qeverinë e Ismail Qemalit, një prej ideatorëve të krijimit të strukturave të sigurisë kombëtare, me kontribut të shquar në fushën ushtarake e të milicisë shqiptare, përfshirë edhe Policinë, në shtetin e sapo-krijuar shqiptar.

3) Amësia e Halim Gostivarit ishte Minushe, kurse Halim Dëralla ishte i gruas së parë të Mehmet pashës, që vinte nga Shipkovica e Shkupit. Halim Dëralla u rrit nën përkujdesen e njerkës, Nadide, (çeçene nga Dagistani), gruaja e dytë e Mehmet Dërallës.

4) Halim Gostivari u lind më 1878, kurse Halim Dërralla më 1879, të dhëna këto nga dokumente zyrtare (Vitlindja e Halim Gjakova-Gostivari është shënuar në certifikatën e gjendjes familjare, lëshuar zyrtarisht nga Bashkia e Tiranës, më 01.06.2000, në bazë të regjistrit themeltar të lagjes “S.Pasha”, nr.385, të vitit 1923, kurse vitlindja e Halim Dëralla-Tetova është shënuar në foton e tij nga fotostudio që ka prodhuar fotografinë.

5) Halim Gostivari u lind në Rrugën e “Gostivarëve”, në “Mëhallën e Mahmut Pashës”, në Gjakovë, kurse Halim Dëralla u lind në Gradec, të Tetovës.

6) Halim Gostivari pati dy gra. Pasi i vdiq e para e mori Gjylijen (turkeshë). Edhe Halim Dëralla qe martuar dy herë, fillimisht me turken Emine Turhan Zadê, pastaj me shqiptaren nga Shkupi, e quajtur Kadrie.

7) Halim Gostivari pati vëlla Sadik Gostivarin, kurse Halim Dëralla pati vëlla Mynypin e motrat Zyhra, Emine, Fatime e Qamile (me gruan e parë të Mehmet Pashës) dhe Gajurin e Hysenin si dhe motrat Haxhere e Nigjare (me gruan e dytë).

8) Halim Gostivari pati 4 fëmijë, Skënderi lindur më 1916; Nihati (i thirrur edhe Mit’hati), lindur më 1918; Manushi, lindur më 1922 dhe vajza e vetme Lemane (nuk i dihet vitlindja, vdekur në pranverën e vitit 1923), kurse Halim Dëralla pati vetëm 3 vajza: Enise dhe Emnushi (Emine) me turkeshën dhe Melushi (Meleqe), me shkupjanen.

9) Halim be Gostivari ka mbajtur edhe mbiemrat “Jakova” e “Gjakova”, e fëmijët e tij edhe mbiemrin “Agimi”, kurse Halim beg Dëralla është njohur edhe me mbiemrin “Tetova”.

10) Halim Gostivari shkoi në Vlorë me grupin e kosovarëve të prirë prej Isa Boletinit, kurse Halim Dëralla shkoi me të vëllanë, Mynypin, në formacionet e luftëtarëve të udhëhequr nga i ati, Mehmet Pashë Tetova-Dëralla, duke udhëtuar së bashku në një rrugëkalim dhe në të njëjtën kohë, pas takimit në Dibër të Madhe, më 30 tetor 1912, (këtu qëndruan rreth 20 ditë), u nisën më 21 nëntor; rrugëtuan nga Dibra në Borovë, në Rupnik, në Librazhd, në Elbasan, vijuan në Belsh (nëpër Dumre), në Lushnjë, në Imeshtë, në Mbrostar, në Fier dhe në Vlorë..

11) Halim Gostivari u caktua në janar 1913, nga qeveria e Ismail Qemalit, në postin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, kurse Halim Dëralla qëndroi në krye të luftëtarëve besnikë që shoqëruan 69 vjeçarin Mehmet Dëralla, duke u dislokuar përkohësisht në garnizonin e Shkozës, pranë Kotës, në Vlorë, ku Mehmet Pasha kishte vendosur forcat e armatosura të qeverisë së Vlorës.

12) Në 6-mujorin e dytë të viti 1913, Halim Gostivari kreu detyra administrative dhe njëkohësisht u caktua në grupin e juristëve që punuan nën drejtimin e ministrit të Drejtësisë, Pjetër Poga, për hartimin e akteve normative për problemet e rendit e të qetësisë, kurse Halim Dëralla me të vëllanë, Mynipin, u dërguan në Tetovë (Pollog) nga Mehmet Pasha, për të drejtuar veprimet e luftëtarëve të tij në vendlindje, duke pasur në këtë rast edhe përkujdesjen e Ismail bej Qemalit dhe mikut të tij Aqif Pashë Elbasani.

13) Në periudhën e drejtimit të shtetit shqiptar nga Këshilli Ndërkombëtar i Kontrollit (janar-mars 1914), Halim be Gostivari, së bashku me të vëllanë, Sadikun, punuan në strukturat e sigurisë publike, kurse Halim be Dëralla qëndroi në vendlindje, ku u kthye përkohësisht edhe i ati, Mehmet pasha, pas dorëheqjes më 14/27 dhjetor 1913, për shkak të pakënaqësisë së tij ndaj qeverisë së Ismail Qemalit.

14) Në kohën e qeverisë së Ëiedit, Halim Gostivari mbështeti me armë qeverinë e Turhan Pashë Përmetit dhe iu bashkua grupit të kosovarëve të përfshirë në “Komiteti i Fshehtë”, në Durrës, ndërsa Halim Dëralla u angazhua për administrimin e pronave të veta në Pollog, mbasi i ati, Mehmet Pasha, erdhi përsëri në Durrës, ku u përfshi aktivisht në mbështetje të Ëiedit, madje qe caktuar, nga Ëiedi e Turhan Pasha, si ndërmjetës për të negociuar me “rebelët”.

15) Në shtator 1914, Halim Gostivari shkoi e u strehua përkohësisht në Shkodër, ku ishte pak kohë edhe gjenerali Mehmet Pashë Dëralla me familjen (gruaja e dytë me fëmijët), kurse Halim Dërralla vijoi qëndrimin në vendlindje, në Tetovë.

16) Me pushtimin e Shkodrës, nga ushtritë serbe, Halim be Gostivari emigroi në Turqi, qëndroi disa kohë edhe në Austri, e pastaj u kthye në Gjakovë dhe në fillim të vitit 1918 është në Shkodër, në grupin e patriotëve që krijuan Komitetin e Mbrojtjes së Kosovës (1 maj 1918), kurse Halim be Dëralla vijoi të merrej me problemet e administrimit të qeverisjes lokale serbe në Tetovë dhe u kujdes për pronat e veta.

17) Në kohën e qeverisë së Durrësit, Halim Jakova-Gostivari kthehet përkohësisht në Shkodër dhe u angazhua për fuqizimin e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, e pastaj në Durrës, ku mori kryesimin e degës së Komitetit të “MKK” dhe emërohet drejtor i Përgjithshëm i Qetësisë (Policisë), kurse Halim bej Dëralla-Tetova caktohet prefekt (ose kryekomunar) në Prizren, ku qëndroi dy apo tre vjet.

18) Halim Gostivari qe deputet në kuvendin shqiptar në periudhën 1922-1923, kurse Halim Dëralla vetëm pas ikjes nga Tetova në Tiranë, pikërisht në periudhën 1930-1932.

19) Halim Ibrahim Jusuf Gostivari ka kryer detyra administrative të shumta në Shqipëri në periudhën 1921-1924, ndër të cilat evidentohen ato të drejtorit të Shtetit Civil; drejtorit të Postës në Shkodër, më 1920; Inspektorit të Përgjithshëm, në Ministrinë e Brendshme; prefektit në Berat e në Vlorë, etj, kurse Halim Mehmet Dëralla ka kryer aktivitet administrativ vetëm në territorin e Kosovës dhe të Iliridës, madje ka qenë deputet i “Xhemijetit”, etj, në Parlamentin e Beogradit. Nga vendlindja u detyrua të largohet në vitin 1930, meqë ra në kundërshtim me pushtetin jugosllav.

20) Halim bej Jakova-Gostivari ka qenë përkrahës i Revolucionit të Qershorit më 1924, kurse Halim be Dëralla-Tetova ka mbështetur aktivisht rikthimin në pushtet të Ahmet Zogut, me përkrahje të armatosur Jugosllave, gjë e cila shënoi në një anë divorcin e Gostivarit me Zogollin e në anën tjetër lidhjen e ngushtë të Dërallës me Zogollin.

21) Halim Gostivari emigroi i ndjekur nga Ahmet Zogu, më 1924, u rikthye pas “faljes” më 1925, por mbeti pa punë, u “mëshirua” për pensionim 40 ditë para vdekjes, më 1927, kurse Halim Dëralla gjeti strehë në Shqipëri pas përndjekjes serbe në Jugosllavi dhe u mirëprit e u përkrah politikisht nga miku i tij, mbreti Ahmet Zogu (Pas ardhjes në pushtet, më 25 dhjetor 1924, Zogu, i mëkuar nga Davidoviqët e Pashiqët, ndërmori masa shkatërrimtare kundër krerëve të Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës, ku përmend Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Hysni Currin, Bedri Pejanin, Halim Gostivarin, Rexhep Mitrovicën, etj, etj.)

22) Halim Gostivari u shua më 1 gusht 1927, në Tiranë, pas një sëmundje “të rëndë”, kurse Halim Dëralla u shua më 6 mars 1932, në Tiranë pas një sëmundje “të vuejtun për disa kohë”.

23) Të dy Halimat janë varrosur në Tiranë, fillimisht pranë Xhamisë së Et’hem beut, më pas te “Varri i Bamit”, deri më 1967, por sot të dy prehen në varrezat e Sharrës, pranë ish-Kombinatit të Tekstileve (Halim Gjakova është në të njëjtin varr me Gjylien), kurse Halim Dëralla ka varrin në parcelën numër dy (një varr me fotografi).

24) Në ceremoninë mortore të Halim be Gostivarit ka folur miku i tij kolonjar, Bajram Fevziu dhe studenti “kosovar” Xheladin Tufa, kurse në përmortjen e Halim be Dërallës ka folur deputeti shkodran, veterani Kolë Mjeda.

25) Për vdekjen e dy Halimëve kanë shkruar, në shtypin e asaj kohe, Shyqyri Gjakova, nipi i Gostivarëve, për Halim be Gostivarin, në gazetën “Telegraf”, më 7 gusht 1927, kurse Jonuz Tafilaj, për Halim be Dërallën, në gazetën “Besa”

26) Halim Gostivari ka pasur aktivitet publicistik (në botimin e gazetës “Shkupi”, gazetës “Populli” e gazetës “Shtypi”) dhe qe përkrahës i alfabetit latin, ndërsa Halim Dëralla ka qenë pjesëmarrës në kongresin e Dibrës, më 1909, në përkrahje të grafisë arabe për shkrimin e gjuhës shqipe.

27) Halim Jakova-Gostivari ka qenë pjesëmarrës në kryengritjet e viteve 1910 e 1911, kurse Halim Dëralla në këtë periudhë ka qenë nën përkujdesjen e pashait, në shërbim të perandorisë osmane, përkrahës i padishahut. Të dy Halimët morën pjesë në Kryengritjen e Madhe të vitit 1912, në Shkup.

28) Halim be Gostivari evidentohet të ketë pasur edhe aktivitet me ylemanë myslimanë, kurse Halim be Dëralla nuk rezulton në këtë përfshirje, ndonëse ishte “myhyb” i shehut të “Teqjes së Bektashinjëve”, në Tetovë.

29) Halim Gostivari është dekoruar me dekret presidencial të Shqipërisë nr.547, datë 03.06.1993, me “Urdhrin për veprimtari patriotike të klasit të parë”, me motivacionin: “Udhëheqës, organizator, i penës dhe pushkës për realizimin e programit të Komitetit Kombëtar të Mbrojtjes së Kosovës”, ndërsa Halim Dëralla nuk rezulton të jetë dekoruar nga autoritetet kompetente shqiptare, ndonëse është dekoruar i ati, pashai Mehmet Tetova-Dëralla.

30) Halim Jakova-Gostivari, i braktisur nga Zogu, u pensionua pak ditë përpara vdekjes, kurse Halim Dëralla, ka fituar pension pas vdekjes. Familjarët e të dy Halimëve, pas vdekjes së tyre, kanë përfituar pension “Jetik”.

31) Halim Gostivari i përket lagjes së shqipdashësve e shkrimit shqip, ku bënin pjesë shumë pjesëtarë të klubit të Shkupit, duke u radhitur ndër partizanët e Rilindjes Kombëtare, kurse Halim Dëralla, në këtë drejtim ndiqte Rexhep Efendi Vokën, ithtarë i shkrimit arab për shqipen.

33) Halim Gostivari e Halim Dëralla u diplomuan në Robert Kolezh, përkatësisht, i pari për drejtësi dhe i dyti për diplomaci (një burim i dytë përmend drejtësinë për të dy).

34) Halim Gostivari pati trup mesatar, kurse Halim Dëralla qe trupmadh, i pari mbajti shpesh “fes” të aristokracisë osmane me ngjyrë të zezë e gështenje, kurse i dyti barti “fes” osman me ngjyrë gri, të preferuar nga “bektashinjtë”.

35) Halim Gostivari nuk trashëgoi ndonjë pasuri të madhe, madje e humbi për çështjen kombëtare edhe atë që ia la i ati, Ibrahim Jusuf Gostivari, në Gjakovë, kurse Halim Tetova trashëgoi pasuri të krijuar nga disa breza pashallarësh, në shërbim të Perandorisë Osmane.