Hasan Halili/ Ish-ministri rrëfen investimet ndër vite në bujqësi dhe si e ringrtën Mallakastrën pas tërmetit. Takimet me udhëheqsit e kohës dhe sin a tronditi Flet-Rrufeja para kongresit

1391
Sigal

INTERVISTA/ Flet ish-minsitri bujqësisë Hasan Halili ish-Agronom në Kutë: Në tetor të vitit 1970, Enver Hoxha në Ninësh për inaugurimin e shtëpive pas tërmetit, festë e madhe

Ju tregoj takimet me Mehmet Shehun, Hysni Kapon dhe vizitën e Enver Hoxhës në vitin 1970 në Mallakastër

  Pirro Gusho, sekretarë i parë i rrethit, ishte një burrë shumë punëtorë, i pa korruptueshëm dhe më shumë se ç’duhej

– Mehmet Shehu, kishte ardhur në Çorrush për herë të fundit në vitin 1964, vit i madh krize

-1974 vizitë tjetër e Mehmetit, ndërtuam dhe një WC për Fiqiretin

– Më 31 gusht 1974 ora 09:00 mbërrin në kooperativë Mehmet Shehu, Fiqret Shehu,

– Fiqerete Shehut, që ishte drejtoresh e shkollës së partisë, sillte studentët e kësaj shkolle për “punë” në prodhim nga 15 ditë në Çorrush

– Në mbledhje Mehmeti foli gjatë sidomos për grupin “armiqësor” të Beqir Ballukut

Skënder Shehu partizani që kërkoi shtëpi të re pas tërmetit ndryshe do ankohej te Mehmeti, Enveri dhe Mao Ce Duni

Hasan Halili, ka qenë  ish-deputet i Partisë Demokratike dhe ish-ministër i Bujqësisë dhe për një vit ministër pa portofol në qeverinë Meksi në vitet 1992-1997. Në këtë bisedë ai sjell afër punën e tij si agronom, emërimin në Kut të Mallakastrës si agronom, takimet me Mehmet Shehun, Hysni Kapon dhe vizitën e Enver Hoxhës në vitin 1970 dhe takimet e shumta me Pirro Gushon-sekretari Partisë së Fierit.  

Albert Z. ZHOLI

Ku ju emëruan kur mbaruat shkollën e lartë?

Me mbarimin e shkollës së lartë bëmë zborin gjashtë mujor për oficer në Burrel, dhe e mbaruam atë më 28 gusht 1968. Vajta në shtëpi dhe pas tre-katër ditësh ika në Fier. U paraqita në komitetin e partisë të rrethit, që i kishte në nomenklaturë për emërim specialistët e lartë. Më emëruan në kooperativën bujqësore Kutë-Drizar, në rrethin e Mallakastrës. Unë nuk kisha kaluar ndonjëherë andej, por nga Sevasteri i Vlorës isha i orientuar ku ishte dhe ç’pozicion gjeografik kishte. Disa specialist të njohur fierak, kur u thashë ku më kishin emëruar, më uronin dhe me shumë kujdes, për të mos më dekurajuar, më thoshin se atje shumë agronom kishin dështuar e ikur pa e mbaruar detyrën. Kjo kishte ndodhur se ishin shumë të vështirë në të komunikuar me

banorët. Ata ishin edhe shumë ironik me të panjohurit. Më 4 shtator 1968 u nisa me autobusin e vetëm, që vinte në Fratar, qendra e lokalitetit, i cili ishte 50 km larg, me rrugë gjithë kthesa dhe  relativisht malore.  Bujqësia ende nuk  kishte hyrë në rrugën e mekanizimit dhe moderrnizimit. Problemet ishin të shumta. Sektori i dytë, ku shpërdorohej paraja e kooperativës ishte ujitja. Ishte një rezervuar që vadiste edhe Çorrushin, po ne kishim kryesorin. Rezervuari i bërë në lagjen Bregas të Çorrushit ishte me 1.8 milion m3 ujë kapacitet ujë mbajtës. Me këtë kapacitet ujiteshin një herë të vetme rreth 1500 ha., kur ne, tokë nën ujë kishim rreth 300 ha. Shpenzimet e ujitjes në vitin 1968 ishin rreth 10 milion lekë, ndërsa në vitin 1969, paguam rreth 3 milion lekë. Përfaqësues i drejtorisë së ujërave në kooperative ishte Duro Kapaj nga Drizari, me njohuri të kufizuara për punën por shumë korrekt në harxhimin e ujit për nevojat tona. Rendimentet u rritën në misër, grurë, duhan, ullinj etj. Të gjithë këta faktorë çuan që në fund të viti 1970 ne ta çonim vlerën e ditës së punës 80 lek dhe të shlyenim të gjitha detyrimet ndaj shtetit prej 11 milion lekë. Në prill të vitit 1969 në gjithë Mallakastrën ra një tërmet. Më shumë dëme u bënë në fshtrat Ninësh, Gadurov, Cërril, por dëme bëri edhe tek ne. Qeveria qendrore dhe ajo lokale, ngritën me shpejtësi brigadat e rindërtimit të shtëpive, riparimit të objekteve shoqërore, stallave etj. Grupin nga Tirana e drejtonte Sali Verdha, një njeri që njihte humorin dhe të shumat e problemeve i zgjidhte me humor. Në këtë periudhë, çdo natë behej mbledhja e hapët e organizatës së partisë, ku na thërrisnin edhe ne. Kishte ndonjë banor që donte të fitonte edhe padrejtësisht, ndërtim apo riparim, e duhej kujdes me ata për ti bindur. Në Kutë ishte një partizan i Brigadës së I Sulmuese, luftëtarë i çartur, i sëmurur në luftë nga mushkëritë dhe merrte pension goxha të madh nga kjo. Atij i kishin bërë edhe shtëpi dy –tre vjet përpara nga shteti. Ai vetëm me një çarje në cep të shtëpisë kërkonte ta bënte të gjithë shtëpinë nga e para. Në organizatë të partisë filloi të bërtiste e të kërkonte që patjetër t’i bëhej shtëpia nga e para në të kundërt do të ankohej, në parti, në komitet të partisë të rrethit, tek Mehmet Shehu, në komitetin qendror tek shoku Enver, bile edhe tek Mao Ce Duni. Deri tek Enveri ne rrinim serioz, por kur përmendi edhe Maon, ja dhamë gazit edhe kështu u mbyllë dhe ankesa e Skënder Shehut.

Në tetor të vitit 1970, vjen Enver Hoxha në Ninësh, si u prit çfarë tha?

Në tetor të viti 1970, vjen Enver Hoxha në Ninësh, për inaugurimin e fshatit të ndërtuar nga e para që ju vu emri, “fshati socialist”. Mitingu ishte madhështor. Mua, banorët e fshatit më thoshin, ikë takoje. Ku të veja unë? Edhe ajo më duhej, kështu që unë qëndrova midis nxënësve të fshatit Kutë, me të cilët bëja ndonjë shaka për moshën e tyre dhe që ata e pëlqenin atë. Kështu u mbyll edhe kjo detyrë e vënë nga partia për eliminimin e pasojave të tërmetit. E thash me lartë se kryetarë ishte Naim Zeneli, nga Kuta, një burrë, që nuk e njihte bujqësinë pothuajse fare. Ai pati një të mirë shumë të madhe në metodën e punës së tij: për të gjitha gjërat mbështeste specialistët dhe nuk i linte ata të ballafaqoheshin me organizatat partisë, këshillat apo anëtarët e kryesisë së kooperativës. Vuante nga sëmundja e gjumit, që ndonjë që nuk e njeh e tall atë që e ka, po ajo është sëmundje si gjithë të tjerat. Ne e anashkalonim këtë defekt fi zikë të tij, defekt që ja njihte edhe rrethi dhe e toleronte. Për aq kohë sa unë punova me të, nuk kam konstatuar ndonjë shenjë përvetësimi të pasurisë. Naimi kishte një vëlla, që punonte direkt në punë krahu, që jo vetëm ishte punëtorë, por edhe i sinqertë. Ndikonte pozitivisht tek cilido për mbledhjen e misrit edhe nëpër shi. Në mëngjesin e 1 nëntorit, unë, Qani Myslymi, përgjegjësi i sektori Kutë, Temo Skëndua përgjegjësi i sektorit Drizar, vemi në aksion. Ç’të shikonim, kishin ardhur 30 % e anëtarëve të partisë, 50 % e anëtarëve të kryesisë, dhe rreth 20 % të këshilltarëve që duhej të vinin. Nga që terreni ishte shumë i keq, shi binte vështirësitë ishin të mëdha, ata që duhej ta drejtonin (anëtarët e partisë të fshatit) nuk ishin. Morali ishte zero. U detyruam te tre të fillonim vetë punën. Ngarkonim misër në krahë dhe u bëmë baltë nga koka tek këmbët. Brenda orës 12:00 e mbaruam dhe ikëm në shtëpi. Unë, një fëshfëshe që kisha veshur, ja dhashë një gruaje dhe ma lau e ma ktheu të tharë. Kur pan fshatarët që u futëm ne, e vazhduan punën me inat dhe nuk dallohej më kush ishte drejtuesi e kush punëtori. Të revoltuar nga qëndrimi i tyre, në dhomën time u mblodhëm, unë Qaniu dhe Temua, dhe vendosëm të bëjmë një fletë-rrufe për anëtarët e partisë, këshilltarët dhe anëtarët e kryesisë, që nuk erdhën në aksion ditën e fillimit të punimeve të kongresit. Flet-rrufeja, ra si bombë në opinion, por populli u gëzua shumë, ndërsa dembelët filluan sherrin me Temon e Qaniun, që si u bashkuan ata me një jo anëtarë partie, bile edhe me hije në biografi , e të bëjnë flet-rrufe për anëtarët e partisë. Debati, vazhdoi gjatë, sa detyroi komitetin e partisë së Fierit të vinte në mbledhjen e popullit, që u bë në terren, ku punonim për mbjelljen e ullinjve në Zhupanat. Nga komiteti i partisë erdhi sekretarja për bujqësinë Naunka Bozo, që ishte e njohur mirë me intrigat në kooperativë. Ajo na mbështeti ne, dhe u vuri kufi rin tek “thana” dembelëve dhe formalistëve. Ky veprim dhe kjo mbështetje rriti autoritetin e drejtuesve të kooperativës. Ky veprim më prezantoi edhe mua më shumë tek autoritetet e Fierit dhe personalisht tek Pirro Gusho, sekretarë i parë i rrethit, një burrë shumë punëtorë, i pa korruptueshëm dhe më shumë se ç’duhej, hije rëndë për detyrën e tij. Unë nuk kishte javë të mos merrja pjesë në mbledhjet e brigadës traktoriste, që drejtohej nga Sali Xhaferi. Mekanikën e kishim të pakët, pjesët e ndërrimit të kufizuara, profesionist kishim pakë, nevojat për mekanizim rriteshin nga dita në ditë. Megjithëse bënim debate me Saliun në mbledhje, për mungesë korrektese nga ana e tij, për detyrat që merrte, ai asnjëherë nuk e mori atë personale dhe si kundërvënie ndaj tij, por thjesht për të plotësuar nevojat e punës në kooperativës. Drejtor SMT-je (stacioni i makinave dhe traktorëve) ishte Sifi Prifti, që merrte përsipër shumë gjëra e nuk bënte asgjë. Kjo më detyroi të vete tek Tashko Lakua, gazetari i gazetës “ Bashkimi” për Fierin dhe t’i kërkoj të shkruaj për këtë fakt. Më kërkoi ta shkruaja me dorën time si edhe ta firmos, dhe më nesërmen u botua tek gazeta. Kjo e tronditi Sifin se shkruhej për fshatin e Mehmet Shehut, e nuk bëhej shaka. Brenda javës na solli katër traktor DT- 54 dhe 75, të cilët i dhanë një frymëmarrje punëve tona, por u rrit edhe prestigji im para brigadës traktoriste.

Mehmet Shehu, kishte ardhur në Çorrush për herë të fundit në vitin 1964 apo më vonë?

Mehmet Shehu, kishte ardhur në Corrush për herë të fundit në vitin 1964, vit i madh krize për të cilën i ankoheshin moshatarët e tij dhe ai deklaroi, se nuk do të shkel më në kooperativë në rast se nuk përmirësoni gjendjen. Ai nga larg e ndiqte ecurinë e kooperativës dhe për të marrë të dhëna më të sakta në vitin 1972 dhe 1973, nëpërmjet së shoqes Fiqerete Shehut, që ishte drejtoresh e shkollës së partisë, nis studentët e kësaj shkolle për “punë” në prodhim nga 15 ditë. Vinin rreth 10-15 veta të fushave të ndryshme, filozofi , ekonomi, kulture etj. Drejtohej ekipi nga Munir Çomo, Zv. Drejtor i shkollës së partisë, nga Libohova e Gjirokastrës, një burrë shumë i komunikueshëm me të gjithë. Kur kishin pushim rrinin në dhomën time e bënin debate, në të cilat unë nuk futesha se ishin delikate për kohën. Kur mori vesh nga isha, Muniri më thotë: në fshatin tuaj më janë vrarë dy vëllezër, njëri 18 e tjetri 17 vjeç partizanë. Nëna na thoshte merrini nuset nga të doni, po nga Dukati –jo! Çuditërisht vëllait tim, i ra që të merrte gruan nga Dukati, Alema Mëhillin, motrën me baba të kunatit tim Qemal Mëhilli. Me atë, më thotë Muniri, nëna shkon shumë mirë. Studentët, merrnin pjesë në të gjitha aktivitetet, partie, këshillash, kryesie, brigadash, rinie, shkolla, nëpër shtëpia, e kudo mbanin shënime, që në fund ja përcillnin komitetit të partisë së rrethit dhe drejtoresh së tyre Fiqiretit, që me siguri ja përcillte Mehmetit. Ndërkohë unë isha takuar me të dy vëllezërit e Mehmetit, Arshiun, që banonte në Fier dhe Duron që banonte në Tiranë dhe ishte komisarë i aviacionit të Shqipërisë. Më kishin folur me dashamirësi dhe më kishin inkurajuar në punën time. Kur në fund të vitit 1971, vlefta e ditë punës arriti 105 lekë dhe u shlyen të gjitha detyrimet e trashëguara nga Çorrushi, ekonomia mori frymë dhe filloi të mendoj për më tej. Në fund të vitit 1972 vlefta e ditës së punës arriti 130 lekë dhe u sigurua fond i garantimit të pagës na lindi e drejta morale të ftonim kryeministrin e vendit, birin e Çorrushit për vizitë. Për këtë, pas konsultimeve me komitetin e partisë, u formulua dhe ju dërgua një letër, ku vihej në dijeni për arritjet dhe çfarë parashikonim për të ardhmen dhe në fund, i bënim ftesën për të na vizituar kooperativën. Ai e pranoi atë, por me një letër na e la, që, do ta caktonte kohën më vonë. Me atë letër në çantë, unë shkoja ndërmarrje më ndërmarrje, që të na ndihmonin për të zgjidhur problemet, që kishim e në kushte normale nuk na i zgjidhte njeri. Çdo ndërhyrje, që bëhej shtonte të ardhurat, pakësonte shpenzimet. U pajisëm me dy makina transporti, aq të nevojshme për distancën tonë nga Fieri. Në vitin 1974 na erdhi, lajmi, jo zyrtarë që kryeministri sivjet do të vinte, pa na thënë datën. Me ndihmën e të dy komiteteve, të partisë dhe ekzekutivit, përgatitëm tabela pas tabelash me të dhëna dhe me to u pajisëm të gjithë, që të ishim në një mëndje për çdo gjë që do të raportonim. Këto i kishte edhe rrethi. Një javë para ardhjes në kooperativë Pirro Gusho, pothuajse vinte çdo ditë merrej me detajet më të vogla të pritjes. Zyrë adaptuam një klasë të shkollës, në Çorrush, në një klasë bëmë gati një dhomë për fjetje, zyra e drejtorit të shkollës Kutë e bamë WC, të cilën e përdori një herë vetëm Fiqretja, po duhej ama. Për këtë detaj të pavlerësuar nga ne, na e dha Pirrua. Përcaktuam pozicionet e vendosjes së njerëzve, sipas detyrave dhe pëlqimit të mikut, që i merrnim me mënd. Pirro Gusho pati rolin e madh të mbarëvajtjes së kësaj vizite. Më 31 gusht 1974 ora 09:0 mbërrin në kooperativë Mehmet Shehu, Fiqret Shehu, dy djemtë e tyre i madhi dhe i vogëli, me eskortën e shoqërimit të tyre si edhe Pirro Gusho dhe nënkryetari i rrethit, Myrteza Sinoimeri, nga Gjirokastra, në vend të Myzafer Trebeshinës, kryetarit të komitetit, që kishte një detyrë të vënë nga vet kryeministri dhe nuk mund të vinte. Pas kaq vjetësh të mburresh e të thuash që nuk u kënaqëm për vizitën do të bënim hipokritin dhe disidentin pa qenë të tillë. Kishte dalë gjithë populli i Kutës dhe Drizarit në pritje në Kutë. U futëm në zyrën e sajuar, në krye Naimi, anash djathtas Mehmeti, më poshtë, Fiqereti, Xhevati, Myrteza Sinoimeri nënkryetarë i rrethit, ndërsa në krahun tjetër, majtas Naimit, Sadik Jonuzi nga Bregasi i Corrushit një moshatarë, që e pëlqente Mehmeti, e vinin me radhe, Pirro Gusho, sekretari i parë, kryetari i këshillit të bashkuar, kryetarja e gruas e frontit, rinisë etj, në një stol mbrapa tyre ishte djali i madh dhe i vogëli i Mehmetit, unë etj. Filloi Mehmeti, pas përshëndetjes, të pyes Naimin për kooperativën, ai filloi të fliste shumë i emocionuar dhe, pse të mos themi edhe i trembur, nga hija e rëndë e tij dhe nga nami i hapur si njeri i ashpër. Në një moment e pyet: “Kryetarë, sa dhi mund të mbajnë kullotat e fshatrave tuaja?. Naimi, ngeci u hutua u skuq dhe nuk po përgjigjej. Hë mo xha Sadik i tha, sa thua ti? Po, i thotë ai rreth 3000-3500 krerë. Aq mendoj edhe unë tha kryeministri. E mirë i tha Naimit, kryetari nuk duhet të dijë të gjitha, po ja pyet këta të moshuarit dhe i gjen këtatreguesi, megjithatë vazhdo. Naimi, pësoi spazmë në grykë dhe humbi mundësinë e të folurit.

U krijua një skenë pak e sikletshme për të gjithë ne. – Hë mo, fol! – i tha. Ai hiç. Ndërhyri sekretari i byrosë. Mehmeti i thotë, tani me inat: – pusho ti! Mu drejtua mua: – Hë mo na fol ti agronom, se kryetari u hutua! U ngrita më këmbë. – Ulu, – më tha, – fol ulur. – Jo, – i thashë,

– jo që jini mik, por edhe më i madh nga unë, kështu që do të flasë më këmbë. Sa pa filluar unë më pyet: – nga je? Ëhë, thashë me vete filloi drama ime. – Nga Vlora, – i thashë. – Po le ato, – më tha, – po nga cili fshat i Vlorës? – Nga Dukati, – i thashë. – Ore, mos e ke shtëpinë atje ku më futën shtatë plumba në këmbë të pantallonave mua? – Edhe dy në kapot, – i tha Fiqëreti. – Jo i thashë, e kam tek rruga Vlorë – Llogora, para se të futesh në pyllin e Llogorait. – Se mos më gënjen, – thotë prapë. I them: “gënjeshtra 40 ditë e ka për këdo ndërsa për ju e ka 4 minuta, kështu që nuk mund të gënjej”. Qeshi, ju bë qejfi me përgjigjen dhe unë fillova të flasë. Vazhdova hollësisht. Më thotë: – po, i kam parë nga aeroplani ata kanalet, po atje

pse kini mbjell qepë, sikur nuk shkon qepa atje se është fushë? – Jo, – I them, – nuk janë qepë, janë presh. – Aa po po dakord, vazhdo! Pirro Gusho, nga prapa trupit të xha Sadikut, me dorë ma bënte:

– Vazhdo, vazhdo fol!

Unë vazhdova deri në hollësi e kur mbarova i them që në rast se ju duhet më shumë për ekspozenë e bërë, jam gati. – Jo jo! – thotë, – mjaft, po dua të di kush janë më mirë: këta dajot e mi të Sevasterit apo ju? (ne dajot i kishim thirrur vet në takim, po në të njëjtën kohë kishim marrë të dhëna edhe nga Sevasteri). Ata menjëherë thonë që ne marrim 150 lekë për ditë pune ndërsa këta 140 lek, pra jemi më mirë.

– Po, – i thashë, në pamje të parë kështu të krijohet përshtypja, por treguesit e tjerë na nxjerrin neve më mirë nga të ardhurat për krahë pune dhe për frymë popullsie në vit, – dhe krahasova të dhënat e tyre me tonat.

– Hëë, mo! – u tha, – i jepni përgjigje!

Ata heshtën e pranuan rezultatet. Me të gjitha këto shpjegime që dhashë, unë kuptova që ai ishte

kënaqur. Vemi lart Mapo-s ku ishte mbledhur populli i të dy fshatrave. Rrugës diçka më tha për ullirin dhe unë e kundërshtova teknikisht.

– Ikë more, – më tha, – se ju për dhi dini!- e qeshi.

Në mbledhje foli gjatë sidomos për grupin “armiqësor” të Beqir Ballukut, që për fat të partisë ishte i vetëm. Kur iku ai, i them Xhevatit:

“i vetëm të jetë ai grupi”?

– Rri o rehat ti apo do ndonjë gozhdë, – më tha Xhevati. Aty foli shumë ashpër për italianët dhe deklaron me gojë të tij që ju e dini se në shpellë të lakuriqit në Kremenar, unë kam therur ne

dorën time 300 italian. Mu ngjeth mishtë, me këtë deklaratë.

 

Nesër do lexoni:

-Si e vrau Mehmet Shehu italianin që kishte shokë banke në vitin 1942

– Në vitin 1973, kalon për në Gjirokastër Hysni Kapua dhe njofton kuadrot e takohen në Fratar, qendër e lokalitetit.

 

 

Tregimi i Selam Karemanit

 

Këtë ngjarje, mua ma kishte treguar këtë Selam Karemani nga lagjja Bregas i Çorrushit, që fliste hapur me mua kur ishim vetëm dhe nuk gënjente kurrë. Në vitin 1942, kur u bë lufta në Selenicë, italianët u dorëzuan dhe një italian kishte kërkuar ta çonin tek shtëpia e Mehmet Shehut. Ky e kishte shokë të akademisë dhe familja e tij e kishte mbajtur Mehmetin me muaj në mos me vite në shtëpi. Partizanët e marrin oficerin me një skuadër ushtarësh dhe e çojnë në Corrush tek Shehu, që e dinte rolin e familjes së këtij italiani. Shehu e priti si djalin e tij deri sa erdhi Mehmeti, me të cilin u puthën e qafosën si u takon dhe atij i lindi shpresa se do ta shpëtonte shoku. Pas dy tre ditësh, vjen një letër nga Ballshi. Mehmeti urdhëron skuadrën të marrë italianët në një përrua pranë shtëpisë i vë në rresht dhe jep urdhër për zjarr. Partizanët, duke e ditur raportin e tij me oficerin, të gjithë i vrasin, oficerin, jo. Atëherë Mehmet merr pistoletën dhe e qëllon në ballë shokun e klasës dhe pastaj ulet në një gurë e vë duart në kokë. Vajti i ati, Shehu, e i thotë: ç’bëre more djalë, do të zërë buka që u ke ngrënë këtyre njerëzve, si e vrave shokun?! Ai, në lot e sipër i thotë të atit: i kam dhënë besën Yllit. Dhe ashtu si e parashikoi Shehu, në vitin 1981, Mehmet Shehu kryeministri i Shqipërisë për gati 30 vjet gjendet i vrarë dhe minimalisht as autopsia nuk ju bë po u varros si njeri pa identitet. Këtë tregim të xha Selamit e dëgjova pas vitit 1990, kur Selami nuk jetonte më, nga të tjerë Çorrushiot me të njëjtën përmbajtje. Pasi u mbyll mitingu, që të jem i sinqertë, qe shumë entuziast, Mehmeti takoi shumë moshatarë, me të cilët këmbente shaka e kujtime nga periudha e luftës, pastaj vajtëm për drekë në një klasë të shkollës, në të cilën morën pjesë rreth 30 veta, të ulur këmbëkryq në shilte, që i kishim marrë nga familjet e Kutës. Dreka qe me shumë dashamirësi dhe në një moment Qani Myslymi, nga Kuta ja mori këngës: Mehmet Shehu, të na rroj … Kënga vajti “gjym” dhe ai u kënaqë shumë, sa që e hodhi kapelen republike në mes të sofrës dhe këndoi edhe vet. Në Mallakastër secili duhet të marrë mirësi me një gotë raki, kështu që edhe unë megjithëse isha nga fundi i shtëpisë, duhet të merrja, po të merrja me nivelin tim jo, me autoritete. Gjej me gotë shoqëruesin e Mehmetit, Ali Cenon,

me origjinë nga Gjirokastra dhe rritur në Krujë. Ai rastësisht e kishte gotën bosh dhe këtë e pa shefi i tij që i tha: – të gjeti jo në gatishmëri! Qeshëm!… Vazhdoi dreka pa ndonjë gjë të veçantë, vec përsëri diskutuam një temë bujqësore dhe unë si i ri e kundërshtova nga ana teknike e përsëri më thotë: ik ore, se ju për dhi dini. Pas drekës ai iku në Corrush ndërsa Pirro Gusho pushoi tek dhoma ime. Unë çuditesha me Pirron se para kryeministrit rrinte si ato nuset në kohë të Turqisë para vjehrrit dhe këtë ja thashë Xhevatit, me të cilin bisedoja pa droje. Xhevati më thotë që e ka nga periudha e luftës këtë respekt, po koha tregoi se të tjera arsye e detyronin të rrinte ashtu. Në Corrush fi lloi takimi me banorët, që kishin mbushur lëndinën pranë shkollës, me burra, gra fëmijë, të rinj e të reja, të pa organizuar për të ardhur, po kishin ardhur vet. Në Corrush në këtë kohë përgjegjës sektori ishte Tafil Velikaj, nga një lagje e fshatit me emërin Shullënjas, i cili nga partia shikohej si me dyshim se i ati nuk e kishte përkrahur luftën, bile dashakeqësit thoshin që e ka luftuar atë. Në presidium ishte Naimi, si kryetarë dhe Xhevati e të tjerë kuadro. Mbledhjen duhej t’a drejtonte Naimi. Po ai vazhdoi të ishte i bllokuar nga të folurit dhe përsëri krijohet një situate që askush nuk mund të ndërhynte. Mehmeti i thotë dy herë Naimit të drejtonte mbledhjen, po ai heshte. Mehmeti u revoltua dhe thotë: “ka një djalë nga Çorrushi të drejtoj mbledhjen apo jo?” Xhevati ndërhyri menjëherë, që ishte dashamirës për Tafilin dhe i thotë: “kemi përgjegjësin e sektorit, – dhe  thirri Tafilin, që erdhi në presidium e Naimi iku e rrinte më këmbë mbrapa. – I kujt je ti? – i tha, kryeministri? – i filanit, – i tha Tafili. Atëherë Mehmeti thotë: – babai i këtij nuk ka qenë me armë në dorë në luftë, po ne jo vetëm nuk na ka penguar, por edhe na ka ndihmuar. Po si janë punët në fshat, krijohen situata të pa qenë, kështu që, më bëhet qejfi , që ky djali është përgjegjës sektori.

Tafili filloi të drejtoj mbledhjen me shumë kompetencë, duke dhënë e ndërruar fjalën folësve. Në fund e mori fjalën edhe kryeministri, që ju kujtoi baskëfshatarëve vuajtjet e luftës, përpjekjet për ngritjen e ekonomisë, foli gjatë kundër Bektash Haxhiut, personit që sipas xha Selamit e kishte çuar në shkollën teknike Mehmetin. Para darkë unë u them dajove të Mehmetit, që ishin për darkë, që të gjejnë mënyrën të më ndihmonin të transferohesha nga Kuta. Ata, si mjeshtra të zakonit, në një moment marrin një mirësi për mua dhe thonë: “po e marrim këtë mirësi për këtë djalin nga krahina jonë, që të vazhdoj të ketë suksese, po edhe këta Mallakastriot, të mendojnë se na duhet edhe ne, se shtëpia nuk mbahet me miell hua”. Mehmeti mori gotën, u mendua ta pijë apo jo, për arsyet që dihen dhe pastaj vendosi ta pijë, edhe t’u përgjigjej edhe dajove dhe thotë: “ta gëzoi Hasani, pa për atë tjetrën ne Mallakastriot jemi mësuar me miell hua”. Kjo i vu kapak punës së transferimit tim edhe dy vjet të tjera.

Në vitin 1973, kalon për në Gjirokastër Hysni Kapua dhe njofton kuadrot e takohen në Fratar, qendër e lokalitetit.

Mua nuk më njoftoi njeri e nuk kisha si të vija. Kur u kthyen ata, na njoftuan se kishin marrë miratimin e Hysni Kapos, për ngritjen e shtëpisë së Mehmet Shehut, në vendin ku kishte qenë e ishte rrënuar. Pirro Gusho, sa mori miratimin, autorizoi ndërmarrjen e ndërtimit të Uzinës së Ballshit, që nga fondet e saj të viheshin në dispozicion të kësaj shtëpie dhe të gjitha kooperativat e zonës morën përsipër detyra të veçanta, po detyra kryesore, na u la neve. Në takimet e punës në Fier, Pirua thërriste edhe mua së bashku me kryetarin e sekretarin. Ne përballuam nxjerrjen dhe transportin e gurit të zi nga vendi i quajtur Përroi i Zi, në fshatin Ninësh, në një vend të pjerrët, me transport në krahë deri në qendër të fshatit. Kooperativistët tanë e dinë ç’kanë hequr, sidomos kur u transportua guri i portës oborrit, rreth 4 m i gjatë. Skalitësit e gurit ishin nga Opari, mjeshtër të përpunimit të tij. Në momentin e vizitës së Mehmetit punimet ishin në fazën e xokulaturës. Më datën 1 shtator 1974 ne u ngritëm shumë herët së bashku me Fiqireten, ndërsa Mehmeti flinte në shkollë dhe, sipas gruas së tij çuditërisht jashtë orareve, që ai ngrihej në mëngjes. Duke ndenjur para shkollës, Fiqeretja më pyeti mua për kufi jtë e kooperativës. Ja tregova: fillon nga Poçemi, vete në Kremenar, në Fratar, në Bejar, në Krahës

dhe pastaj në Kalivaç.

– Qenka goxha e madhe, – thotë Fiqiretja. Unë shfrytëzova rastin dhe i them: “keni të drejt, ekonomia është e hapët shumë, por më e keqja është që ne na thërresin në mbledhje në Fier dhe ne, një ditë e humbasim që vemi, se një autobus ka Fratar – Fier, një ditë, që rrimë në mbledhje po nuk kthehemi dot se autobusi niset vetëm në mëngjes. Kështu që për një mbledhje harxhojmë tre ditë, kur ushqimorja në Fier shtrihet na katër ha dhe ka në përdorim dy makina të vogla”.

Heshti, por kuptoj që ekonomive, për punën u duheshin makina e jo për luks. Kështu në muajin tetor të 1974, doli vendimi i qeverisë, që kooperativat mund të blejnë makina të vogla për punën e drejtuesve. Pra me një ndërhyrje, u zgjidh një problem për gjithë vendin. Duke bërë këtë diskutim, përsëri Fiqeretja më pyet: – je i martuar? – Po, – i them. – Po ku e ke familjen? – Në Dukat, – i them. Myrteza Sinoimeri më thotë: – po mirë pse nuk e merr familjen këtu? Menjëherë hidhet Xhevat Merkaj e I jep përgjigje: “nuk e ka bërë ndonjë tjetër që ta bëjë edhe Hasani këtë”.

Xhevati e pati me ironi për Myrtezan, që edhe ti e ke familjen në Tiranë, pse nuk e sjell në Fier. Myrtezai e kuptoi edhe heshti. Kur Mehmeti u ngrit nga gjumi vajtëm tek shtëpia e tij, e ai bëri të

pa diturin e pyet: – kush po e bën shtëpinë time? -Ne, – i tha Xhevati, po i kemi marrë leje shokut Hysni vjet. – Aaa… i kini marrë leje shokut Hysni? – Po, – i thanë të gjithë. – E po mirë vazhdojeni, po këtë po e bëni si kala, unë shtëpinë e kam pasur si gjithë Corrushiot me gurë të

zakonshëm. Xhevati i afrohet Fiqiretes dhe i thotë me zë të ulët: – thuaj ndonjë fjalë ti, se po na urdhëroi ta prishim nuk e bëjmë dot më. Gratë kur duan , të nxjerrin në “selamet”. Fiqëreti thotë: – shoku Mehmet, kjo me të vërtet është shtëpia e jote, po ky muze do të bëhet i Mallakastrës

së sipërme, prandaj të bëhet kështu që t’i rezistoi kohës. – Kështu thua ti Fiqirete? Po, – i tha prapë ajo. Në këtë çast thirri projektuesin e fi lloi t’i tregonte detaje nga shtëpia, që i di vetëm ai që ka banuar më mirë se çdo arkitekt. Projektuesi mbante shënime, që u zbatuan qind për qind. Pas kësaj më drejtohet mua e më thotë: – në këto ullishte Shehu mbillte patate, perime, tërshërë,

grurë, elb, thekër. E unë prapë, kokë mushkë, i them: – për perime jam dakord, ndërsa

për drithëra nuk shkon se kanë kërkesën në një kohë për ujë me ullirin. Ik more, më thotë, – se ju për dhi dini! E unë prapë: – shoku kryeministër është hera e tretë, që më thoni

për dhi di ti, po mua do të më krijohet një telash, se do të vete në brigadë të jap porosi teknike e do të më thonë fshatarët, ikë ore se për dhi di ti, se kështu tha edhe kryeministri. Ai, jashtë natyrës së tije dhe në sy të të gjithëve më mori për qafe e më shtrëngoi fortë, pra kjo ishte dhe përgjigja për gjithçka kishte thënë e i mbylli gojën e kujtdo, që mund të më thoshte ndonjë gjë.

Vajti për mëngjes tek një kushëri i tij, ndërsa ne ikëm dhe pritëm ta përcillnim në vendin e quajtur bregu i Shehut. Atje u përshëndoshëm me të gjithë, po kur vajta tek makina “BÇ”, me të cilën udhëtonin djemtë, tek këmbët e pasagjerëve pashë dy automatikë Kallashnikov dhe shumë municion tek dyshemeja e makinës. U habita, po nuk I thashë kujt. Pasi u larguan ata, shikojmë që na dolën tre zisa me ushtarë të gardës, që kishin ndenjur gjithë natën kodrave të fshatit. Edhe

kjo përsëri qe një habi për mua. Kur Mehmeti ishte 15 vjeç, I ati e dërgon tek shehu i Kutës për

një punë. Shehu e priti me gjithë të mirat dhe e pyeti edhe për të atin. Mehmeti i thotë: mirë, o mirë është, por ka një hall, ka ca kohë që nuk dëgjon nga veshët, duhet t’i fl asësh fortë të të dëgjoj. “Allah, allah, thotë shehu. Po nga se i ndodhi”? Nga një temperature e lartë, qe vazhdoi ditë dhe pas kësaj ju shfaq kjo. Në darkë u kthye në shtëpi dhe i ati e pyet për detyrën e ngarkuar si edhe për shëndetin e shehut. Mehmeti përgjigjet: “mirë o mirë ishte, po kishte një hallë të madh”. Çfarë? – tha shehu. Nuk dëgjon nga veshët do t’i fl asësh fortë që të të dëgjoi. “Allah, allah, thotë i ati, të shkretin ç’e paska gjetur!” Pas disa ditësh ngrihet shehu i Kutës vete në Corrush tek shehu i Corrushit dhe, duke menduar se shehu nuk dëgjonte, I fl iste forte. I ati i Mehmetit thosh me vete, “oh sa keq qenka lumëmadhi me veshët dhe i përgjigjej fortë”. Po njeriu që nuk është mësuar të fl asë fortë, harron e fl etë me zë të zakonshëm dhe ata dëgjuan. – Ou, po dëgjon ti? – Po dëgjoj, po ti dëgjon. Ah arrakati e ka bërë ai, djali im

Mehmeti, se kështu bën me shumë të tjerë. Me Xhevatin ikëm në dhomë e unë më nesërmet, do të ikja në Vlorë, se më datën 28 gusht më kishte lindur djali i madh, po unë nuk

mund të ikja në atë situatë që isha. Ika më datën 2 shtator. Kryeministri sa iku nga ne e vajti në Fier dha alarmin për ushtrinë dhe rezervistët, që t’i shikonte Beqir Balluku që ishte i internuar në Roskovec. Komandant i stërvitjes ishte Mehmet Shehu, komisar Hysni Kapua. Më datën 14 shtator 1974 kunati im, Qemal Mëhilli, bëri drekë, me që kishte lindur djali i parë imi, që emrin ja kishim vënë Ismail, në emër të babait. Veç meje dhe gruas kishte ftuar edhe babanë tim edhe

vëllain e Vlorës, Arizin, ndërsa nga njerëzit e tij kishte plotë. Meqë unë kisha motorin, sa të vinte ora e drekës vajtëm në fshat me Qemalin, se kishte vdekur Mehmet Bodua, e na duhej të bënim një ngushëllim. Vajtëm, mbaruam punë, po kur kthehemi shikojmë tek Dervish Metja, kushëriri i parë i Qemalit, vëllai i dëshmorit Hasan Mëhilli, vrarë në përpjekje me gjermanët në hyrje të Pogradecit, nga Qaf Than, një tufë me makina.

– Ou uu, – tha Qemali, – do të jetë Hysni Kapua. Pritëm aty dhe kur Hysniu erdhi drejt shtëpisë pyeti, e kujt ishte kjo shtëpi e, kur i thanë e djalit të Sinan Aliut, me të cilin njihej dhe e

lidhte edhe një lidhje e largët nga Bolena, tha do të kthehem të pi një kafe këtu. U kthye me gjithë eskortë dhe i shoqëruar nga Vito Kapoja e shoqja, Gaqo Nesho, sekretari i parë i Vlorës me të shoqen, që ishin baxhanak me Hysniun. Arizi mbrapa grupit, po pranë shumë Hysniut,

i cili po ngjitej lartë, kur, në krye të shkallëve doli babai ynë. Shoqëruesi i degës së Vlorës i thotë Hysniut dajua i Halim Xhelos. Hysniu e pa me bisht të syrit dhe kur vajti tek im atë i thotë:

– Ismail, si je? Pra la të kupton shoqëruesit që këtë e njohë vet nuk ka nevojë për paralajmërim. U futëm brenda dhe Qemali fi lloi prezantimin. Unë isha nga fundi, se isha më i vogëli nga pjesëmarrësit dhe më prezanton mua: “kunati im agronom në Kutë –Corrush”.

– Ouuuu, thotë Hysniu, tek ju ka qenë shoku Mehmet dhe ka mbetur shumë i kënaqur nga arritjet tuaja dhe erdhi në stërvitjen, që bëmë shumë optimist. Unë ju përgjigja me formulën standard, që nën udhëheqjen e parties kemi arritur disa rezultate.. Më ndërpreu. – Çfarë partie më thua, pse s’ka qenë partia atje përpara? Po është puna dhe sakrifi ca juaj, që e ka çuar ekonominë në këto

nivele dhe për këtë edhe unë ju falënderoj.

Baballarët si të gjithë baballarët, shfrytëzoi rastin e i thotë, që qenka i mirë për botë, po jo për mua.

– Pse ti Ismail do që të vijë në Vlorë? Hidhet Vitua: “të vijë në Dukat shoku Hysni?”

– Rri moj Vito se nuk i di mirë punët ti, po ky të qëndroi kudo se kudo do t’i vlerësohet puna më mirë nga këtu. Unë shfrytëzova rastin se kisha dëgjuar që Gaqo Neshua nuk e donte Mënon dhe u them: shoku Hysni, keni plotësisht të drejt, se unë jam i 13-ti agronom nga Dukati, po ky që është këtu, është më i miri ndërmjet nesh. Ka njerëz, që për arsye banale, nuk e pëlqejnë.

– E shikon moj Vito, – i thotë Hysniu. Kalemja (ime motër) u nisë të bënte kafen dhe shoqëruesi u nisë prapa për kontroll, por kur Hysniu e pa, i tha Kalemes. – Bëje pa sheqer, ndërsa ti mos ec atje, se nuk më gjen gjë mua këtu, të jesh i sigurt. Piu kafen dhe megjithëse ju lutën për të qëndruar me që edhe dreka ishte e ngrehur, por nuk qëndroi. Natyrisht pas kësaj vizite, dreka u bë me më qejf nga pjesëtarët dhe sidomos nga njeriu me humor fantastik Dervish Metja, kushëriri i pare i Qemalit, që me babanë, megjithëse të kundërt në bindje, shakanë nuk

e ngatërronin kurrë me bindjet që kishte secili dhe asnjëherë nuk e rëndonin njeri tjetrin për këtë. Kur çova babai me motor në shtëpi më thotë: “kur dalin këta në miqësitë e vjetra, diçka u “shfrynë” në Tiranë, se çfarë do të kenë, nuk e marr vesh”. Ato u morën vesh shumë shpejt

kur dolën grupet “armiqësore” njëri pas tjetrit. Kështu që edhe babai e kuptoi që diçka nuk shkonte.

Në fillim të vitit 1975, u godit grupi “armiqësor” i naftës ju ishit aty.  Kush erdhi I deleguar për këtë grup dhe si rrodhën ngjarjet?

Në Fier ishte i deleguar Haki Toska. Kur Pirro Gusho, kuptoi që do të përjashtoj nga partia, do të burgosej, e do të telendisej nga njerëz pa moral, që deri dje i kishin fshirë këpucët. Do të dilnin tani t’i jepnin mend.

Prandaj me dinjitetin, që kishte, vajti në shtëpi dhe vrau veten. Menjëherë pas këtij akti u ndëshkuan ata që mendoheshin se ishin “beniamin” e tij, në një kohë që ai vetëm servilët nuk mbante afër. Intrigantët iu futën kësaj pune dhe në bujqësi, u shkarkua nga kryetarë kooperative në Hekal Gani Kapaj, kryetarë që e kishte çuar kooperativën ndër më të mirat në rreth. Me që ishte anëtarë i byrosë së rrethit e shkarkuan. Të njëjtën gjë desh të bënin me Teki Aliajn, kryetar i cooperatives bujqësore të Cakranit me 17.000 banor. Ai e gjeti kooperativën në vitin 1971 me 50 lekë për ditë pune dhe e çoi në 140 lek. Por ishte edhe ky anëtarë i byrosë me Pirron, prandaj duhej hequr dhe duhej të vazhdonin masat më tej. Në aktivin e partisë së Cakranit ngrihet nga

të parët Luan Muhameti, kryeagronom i kooperativës me origjinë nga Vlora dhe diskuton një orë e gjysmë e rrëzon të gjithë opinionin negative për Tekiun. U mjaftua vetëm me shkarkimin dhe kthimin kandidat partie, po nuk e çuan në burg. E përkrahu Siku Prifti – drejtori i fermës

së Levanit. Si i mençëm që ishte, kur të tjerët e refuzonin Tekiun për kuadro në ekonomitë e tyre sepse do të “ruanin” partinë nga “armiqtë” Siku e bëri përgjegjës sektori të perimeve, sektor që mbyllte të gjitha defi citet e fermës në aktivitete të tjera. Për të zëvendësuar Ganiun në Hekal ngarkuan Xhevat Merkajn kryetarë kooperative dhe në Kutë sollën sekretarë byroje një mësues

nga Ballshi, që quhej Skënder Mahmutaj, njeri i mirë, por përvoja e vetme e tij ishin raportet mësues- nxënës. Nga këto raporte nuk hoqi dot dorë edhe kur erdhi sekretar byroje tek ne. Shkova shumë mirë me të, përpiqej jashtë mase dhe kontribuonte aq sa dinte Në fund të vitit 1975, rezultatet qenë shumë të mira. U arrit që vlera e ditës së punës të vinte 175 lekë, si edhe u sigurua për gjashtë muaj fondi i garantimi të pagës. Ky rezultat entuziazmoi dashamirësit,

që më rekomandonin që edhe Kuta të bëhej Kooperativë e tipit të lartë. Kjo formë organizimi kishte fi lluar në vitin 1971 dhe në Fier ishte bërë e para kooperativë. e Grecallisë. Kur unë e studiova këtë variant organizimi e shpërblimi, konstatova se në këtë mënyrë pune anëtari i

thjesht i kooperativës, për të njëjtën sasi pune, që bënte në kooperativa e zakonshme, merrte 30 % më pak shpërblim në këtë të tipit të lartë. Të pranoje këtë e ta propagandoje do të thoshte të dilje kundër reformave të partisë. Unë gjithë sugjerueseve, u anashkaloja apo u thosha,

të presim të konsolidohet më mirë ekonomia, mandej e bëjmë. Me shokët që kisha besim dhe mbetën në detyra në Kutë, ja u argumentova, që në asnjë mënyrë të mos e hidhnin këtë hapë. Ata ashtu bën, dhe unë kudo që punova nuk e nxita kurrë bërjen e ekonomisë, ku më emëronin, ta kthehej në kooperativë të tipit të lartë, pavarësisht se mund të ishin arritur treguesit për ta hedhur këtë hap. Unë kisha kërkuar transferimin tim për arsye familjare. Po bëhesha me dy fëmijë dhe me grua me punë në Vlorë e unë në Kutë. Ishte sakrilegj, jo sakrifi cë. Pas ndërhyrjes tek kryetari i komitetit të rrethit, Myzafer Tebeshina ma dëgjoi kërkesën dhe përsëri, Siku Prifti shfrytëzoi rastin, dhe më kërkoi në Levan. Atëherë ishte dhënë orientimi që karakteristika e punës të të lexohej para nisjes në organet që e kërkonin. Kështu Naimi me Skënderin në dhomën time më lexuan karakteristikën shumë të mirë, por kisha shenja mëndje madhësie, që po i korrigjoja. Ndërsa marrëdhëniet me popullin e thjesht i kisha të shkëlqyera. Pra, kontradiktore, me popullin mirë me drejtuesit jo mirë, ku qëndron mendjemadhësia? E theksova këtë se, kjo më ka ndjekur edhe atëherë, që më kërkonin t’i mbaja kalin dikujt, që nuk e kisha për detyrim ligjor, e përsëri u

etiketova si mendjemadh. Me këto fenomene isha i qetë se në fund të fundit, rëndësi ka të komunikosh me ata që ke poshtë vetes, se në të kundërt pastaj je mendjemadh, pa me ata lartë, ata e kanë në dorë vet si të sillen me ata që bashkë/punojnë. Vendimi për transferim kishte ardhur, por Naimi e mbante të fshehur. Mua më njoftuan nga rrethi dhe i thashë atij se nuk është mirë që e bën këtë. Unë, sido që të jetë puna, do të ikja po ti më lë një shije të hidhur me veprimin që bën pas tetë vjet bashkëpunimi që kemi.