Harallamb Kota/ Tanzimati, shpallja e Kushtetutës së Turqisë dhe rilindja e shqiptarëve

3021
Etapa e parë e Tanzimatit zgjati 17 vjet (1839-1856) e ndihmoi në forcimin e pushtetit perandorak, dobësimin e pushteteve lokale dhe zëvendësimin e nëpunësve shqiptar me ata turq. Reformatorët nuk përgatitën asnjë akt në dobi të popujve të robëruar. Ata ndoqën një politikë shoviniste të shtetit të madh ndaj kombeve të pushtuara. Këta të fundit, reformat i panë me syrin e një populli të ripushtuar, e si një forcim të zgjedhës robëruese. Për shqiptarët, të cilët ishin qeverisur në mënyrë autonome gjatë pashallëqeve të mëdha shqiptare, shembja e tyre dhe zbatimi i reformave tanzimatiste, ishte një pushtim i dytë i vendit. Zëvendësimi i nëpunësve vendas me nëpunës të huaj, që flitnin vetëm me gjuhën e dhunës e të kërbaçit, shërbimi i detyrueshëm ushtarak e gjyqet e korruptuara, acaruan më tej kontradiktën kombëtare e shoqërore. Shqiptarëve nuk iu njohën të drejtat e kombeve të tjera. Ata nuk kishin të drejtën të hapnin shkolla në gjuhën shqipe. Përkatësia fetare u ngatërrua me përkatësinë kombëtare. Shqiptarët u ndanë në turq, grekë e katolikë. Në regjistrat osman, shqiptari mysliman shënohej turk, shqiptari ortodoks shënohej grek ose vlleh dhe shqiptari katolik shënohej latini. Fshatarësia e krishterë shqiptare u quajt me termin “Raja” dhe në vend të shërbimit ushtarak, paguante taksën e çlirimit nga ky shërbim. Edhe fshatarësia myslimane shqiptare nuk përfitoi nga tanzimati. Detyrimet kryesore mbetën po ato. Në vend nuk u vendos rregulli e qetësia, për të cilat ishte e interesuar në radhë të parë borgjezia zejtaro-tregtare. Reformat nuk morën parasysh kërkesat kombëtare të popullit shqiptar, ndaj u pritën me armë. Populli shqiptar më 1840 u hodh në disa kryengritje të mëdha antiosmane, të cilat në vitet 1843-1845 përfshinë Prizrenin, Prishtinën, Gjakovën, Rrafshin e Dukagjinit, rrethet e Shkupit e Kumanovës, krahinën e Pologut dhe të Dibrës. Më 1847 shpërtheu kryengritja e madhe e fshatarëve të Shqipërisë së Jugut. Kuvendi i përfaqësuesve të krahinave kryengritëse shpalli formimin e besëlidhjes që u quajt “Lidhja Kombëtare Shqiptare”. Porta e lartë përdori forca të shumta ushtarake dhe i shtypi me gjak e terror këto kryengritje. Gjatë periudhës së parë të tanzimatit, u shfaqën intelektualë e patriotë shqiptar, që filluan të mendojnë për ta shpëtuar Shqipërinë. I pari që mund të përmendim është Naum Bredhi (Veqilharxhi). Një shembull tjetër i intelektualit dhe patriotit të kësaj periudhe është Jeronim De Rada dhe pas tij Thimi Mitko. 
Periudha e dytë e Tanzimatit (1856-1876), nisi në janar të vitit 1856, pas memorandumit që Anglia dhe Franca i dorëzuan sulltanit. Dekreti Perandorak u publikua në shkurt 1856 dhe përmbante po ato masa që nuk u realizuan në periudhën e parë. Si rezultat i disa ndryshimeve në ligjin mbi tokën, çifligjet po fitonin gjithnjë e më shumë tiparet e pronave kapitaliste dhe në to po zinte një vend më të dukshëm puna me mëditje. Masat gjysmake, nuk ndryshuan gjendjen e fshatarësisë, e si pasojë u forcua lufta e saj dhe shpërthyen kryengritjet kundër taksave të rënda e zgjedhës feudale. Hov të ri mori “Lëvizja Kombëtare” e popujve të shtypur të Ballkanit. Krahas intelektualëve dhe patriotëve shqiptar, që ushtronin veprimtarinë e tyre jashtë vendit, u shfaqen dhe intelektualë shqiptarë, që aktivitetin e tyre e zhvillonin brenda hapësirave të Perandorisë osmane, të cilët filluan të organizohen në shoqata shkencore, kulturore me veprimtari botuese. Kostandin Kristoforidhi qysh në vitin 1864, ishte përpjekur për krijimin e një shoqate kulturore shqiptare në Stamboll dhe kishte përgatitur një alfabet të shqipes për të nxitur hapjen e shkollave shqipe në Shqipëri. Në vitin 1871, intelektualët shqiptar u mblodhën në Stamboll dhe vendosën që të studiojnë kulturën, historinë, letërsinë, gjuhën, alfabetin e folklorin shqiptar. Por reformatorët turq nuk u treguan aspak të gatshëm, që këtë të drejtë tua njihnin edhe shqiptarëve. Shtetarët osman ngulmonin që shqiptarët t’i njihnin sipas besimit fetar dhe për rrjedhojë myslimanët të mësonin nëpër shkolla turqisht, katolikët latinisht, ndërsa ortodoksët greqisht e vllahisht. 
SHPALLJA E KUSHTETUTËS TURKE
Tanzimati kishte përfunduar dhe klasa politike turke po përgatiste ndryshimet e mëdha. Lëvizja Iluministe kushtetuese në Turqi, filloi në vitin 1870 dhe pas shumë përpjekjesh, në 23 dhjetor 1876 u pranua në fund Kushtetuta e parë në historinë e perandorisë. Pas shpalljes së kushtetutës, u zgjodh parlamenti i parë osman. Rreth 60% e deputetëve ishin myslimanë. Ndër deputetët e zgjedhur nga krahinat shqiptare, dalloheshin Abdyl Frashëri, Kostandin Kristoforidhi, Mihal Harito, Mehmet Ali Vrioni, Jusuf Podgorica, etj. Në janar të vitit 1878, deputeti i Janinës, Abdyl Frashëri paraqiti një projektligj për reformat arsimore dhe tha: “Në Shqipëri nuk ka asnjë fshat që të ketë shkolla. Ky popull i mjerë, për arsye të injorancës, nuk ka mundësi të japë një dëshmi të shkruar. Në këtë injorancë, si do të qytetërohemi dhe si do të përparojmë? Kur nëna është injorante, si do ta rrisë fëmijën me karakter të fortë?” Kur ushtria osmane pësoi disfatë nga ushtria ruse më 1878, sulltan Abdyl Hamiti në mesin e shkurtit, shpërndau parlamentin për një afat të pacaktuar. Kushtetuta formalisht nuk u anulua por Lëvizja Kushtetuese pësoi disfatë.
RILINDJA E SHQIPTARËVE
Më 3 mars 1878, u nënshkrua Traktati i Shën Stefanit. Shqetësimi i shqiptarëve arriti në kulm kur me nënshkrimin e tij, Rusia fitimtare i shkëpuste Turqisë në favor të Bullgarisë, Serbisë e Malit të Zi, mjaft vise shqiptare. Në krye të protestave popullore u vu Komiteti i Stambollit ose “Shoqëria e Shkronjëzave”, krerët e të cilit ishin: Abdyl Frashëri, Pashko Vasa, Ymer Prizereni, Zija Prishtina, A.Koronica, Iliaz Dibra, Jani Vreto, Sami Frashëri etj., të cilët shpalosnin në faqet e shtypit europian dhe në selitë diplomatike të Fuqive të Mëdha, platformën e të drejtave kombëtare të Shqiptarëve dhe vendosmërinë e tyre për t’i realizuar me çdo kusht këto kërkesa. Më 10 qershor 1878, në kushtet e sundimit osman e të krizës lindore, me nismën e Komitetit të Stambollit, me delegatë të ardhur nga mbarë krahinat shqiptare, u themelua organizata e parë politike e ushtarake mbarëshqiptare “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”. Organi më i lartë i saj, ishte Këshilli Përgjithshëm me kryetar Iliaz pashë Dibra, me funksione legjislative. Lidhja mori përsipër të zgjidhte tre detyra themelore që shqetësonin në atë kohë opinionin e mbarë shqiptarëve; të afirmonte në arenën ndërkombëtare kombin shqiptar si subjekt i të drejtave kombëtare; të kundërshtonte copëtimin e trojeve etnike shqiptare të vendosur në Kongresin e Berlinit në favor të monarkive fqinje ballkanike; të realizonte bashkimin e mbarë trojeve etnike shqiptare në Ballkan, në një formacion shtetëror autonom, në kuadrin e Perandorisë Osmane, si hapi i parë për të krijuar shtetin shqiptar të pavarur dhe demokratik. As më parë dhe as tashmë, asnjë nga Fuqitë e Mëdha nuk e përkrahën formimin e një shteti shqiptar. 
Në Kongresin e Berlinit
Edhe në Kongresin e Berlinit që u mblodh më 13 qershor 1878, Fuqitë e Mëdha nuk i morën parasysh të drejtat kombëtare të Shqiptarëve. Ato i bënë korrigjime Traktatit të Shën Stefanit, i shkëputën Bullgarisë territoret e premtuara shqiptare, por nga ana tjetër i premtuan Greqisë aneksimin e viseve shqiptare të Çamërisë. Situatat e krijuara i diktuan patriotëve shqiptar që të mblidheshin në një kuvend të ri. Më 1 nëntor 1878, nën kryesinë e I. P. Dibrës, në të cilin morri pjesë edhe Abdyl Frashëri, me cilësinë e përfaqësuesit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për Toskërinë, u mbajt Kuvendi Shqiptar i Dibrës. Para mbledhjes, Abdyl Frashëri u bëri thirrje banorëve të Dibrës të linin mënjanë hakmarrjen dhe armët t’i drejtonin vetëm kundër armiqve të jashtëm, që po rrezikonin pavarësinë e vendit. Kuvendi i Dibrës miratoi një rezolutë në trajtën e një memorandumi, i cili përmbante 5 pika që shtroheshin edhe në programin e Komitetit të Stambollit: -Formimi i vilajetit të bashkuar të Shqipërisë; krijimi i administratës me nëpunës shqiptarë; zhvillimi i arsimit në gjuhën shqipe; përdorimi i një pjese të konsiderueshme të buxhetit për përparimin e arsimit dhe për ndërtime botore, etj. Ky memorandum në formën e një rezolute, ju paraqit Portës së Lartë në fillim të shkurtit 1879, por ajo nuk e mori parasysh. Abdyl Frashri dhe Kryesia e Lidhjes së Prizrenit, ndjenin nevojën e një organi politik ekzekutiv. Pa humbur kohë, Abdyl Frashëri në fillim të muajit qershor të motit 1880, organizoi Kuvendin ndërkrahinor të Frashrit, ku morën pjesë përfaqësues të krahinave të Shqipërisë Juglindore: Përmet, Skrapar, Korçë e Kolonjë, që administrativisht vareshin nga vilajeti i Janinës dhe i Manastirit. Kuvendi miratoi propozimin për formimin një qeverie qendrore për krejt Shqipërinë, e cila do të merrte në dorë administratën e mbarë vendit dhe do të përfaqësonte interesat kombëtare shqiptare. Mbarëvajtja e këtij Kuvendi dhe krijimi i situatave të reja, brenda dhe jashtë perandorisë, ishin inkurajuese dhe duhet të shoqëroheshin me kërkesa më maksimale. Për këtë arsye Abdyl Frashëri thirri në Gjirokastër në 23 korrik 1880, një tubim të madh mbarëshqiptar, ku morën pjesë delegate nga të gjitha trevat shqiptare. Në Kuvendin Kombëtar të Gjirokastrës, u trajtuan çështje me rëndësi kombëtare që ishin: autonomia e Shqipërisë në përbërje të Perandorisë Osmane, qoftë edhe pa dëshirën e kësaj të fundit, që do të arrihej nëpërmjet kryengritjes së armatosur; koha më e përshtatshme, do ishte çasti kur Perandoria Osmane të pranonte pushtimin e trojeve shqiptare nga ushtritë greko-malazeze. Në këtë rast “Lidhja Shqiptare e Prizrenit” do merrte në dorë pushtetin politik, do ta shpallte veten Qeveri të Përkohshme dhe do të merrte disa masa: zëvendësimin e nëpunësve turq me “shqiptarë pa dallim feje”; administrimin nga qeveria e përkohshme e të ardhurave fiskale për nevojat e Lidhjes; hartimin e kushtetutës që të përmbante një varg të drejtash demokratike; vendosjen e rendit dhe qetësisë në mbarë vendin; sulltani të kishte të drejtë vetëm për të emëruar guvernatorin e përgjithshëm të Shqipërisë autonome, ndërsa kjo do i paguante Portës së Lartë një tribut vjetor me të holla e do të ndihmonte me një kontingjent të caktuar ushtarësh; perandoria osmane do të detyrohej të mbronte ushtarakisht Shqipërinë nga çdo agresion i jashtëm. Kuvendi i Gjirokastrës shënoi një hap të rëndësishëm përpara drejt formimit të shtetit kombëtar shqiptar. Në zbatim të këtyre vendimeve, në fillim të vitit 1881, Këshilli Përgjithshëm i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit krijoi nga ana e vet një Komitet Kombëtar (Qeveri të Përkohshme) të pajisur me pushtet ekzekutiv. “Kuverna e Përdorme” ose Qeveria e Përkohshme e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, përjashtoi nga Këshilli i Përgjithshëm anëtarët e pavendosur për shpalljen e autonomisë së Shqipërisë në kuadrin e Perandorisë Osmane dhe miratoi përbërjen e re të Komitetit Kombëtar. Komiteti ose Qeveria përbëhej prej 10 anëtarësh. Kryetar u zgjodh Ymer Prizreni dhe nënkryetar Sh. Spahiu. Abdyl Frashëri u ngarkua me detyrat e punëve të jashtme dhe Sulejman Vokshi me ushtrinë. Qeveria u përpoq të përhapte kryengritjen çlirimtare në viset e tjera të vilajetit të Kosovës, formoi njësi të rregullta e dha ndihmesë ushtarake. Në viset e çliruara, ajo ngriti një administratë të vetën. Gjatë janarit 1881, forcat ushtarake të Lidhjes çliruan Shkupin, Mitrovicën dhe Prishtinën. Me qeverinë e përkohshme u lidhën edhe qytetet e tjera si Peja, Ferizaj, Vuçiterni etj. Nëpunësit osman u dëbuan nga këto qendra ku u vendos autoriteti i Lidhjes. Garnizonet e dobëta osmane u detyruan të mbylleshin në pika të caktuara, prej nga ku nuk mund të dilnin pa dorëzuar më parë armët. Forcat e Lidhjes Shqiptare zunë urat e hekurudhat, në mënyrë që të pengohej ardhja e përforcimeve ushtarake osmane. Shoqëria e trenave me qendër në Shkup, mori urdhër të mos transportonte trupa dhe municione për ushtrinë osmane. Në shkurt autoriteti i Qeverisë së Përkohshme u shtri edhe në Tetovë, Gostivar e Dibër. Administrata e re që u ngrit në viset e çliruara u pastrua jo vetëm nga funksionarë në shërbim të Sulltanit, por edhe nga përfaqësuesit e qarqeve të moderuara. U morën masa të rrepta kundër veprimeve arbitrare e shpërdorimit të funksioneve pushtetore nga nëpunësit e pandërgjegjshëm dhe u ndoqën me ashpërsi të gjithë keqbërësit e arratisur. Masa të rrepta u morën edhe kundra bejlerëve pro osman, të cilët u përpoqën të minonin pushtetin e ri dhe disa prej tyre u arrestuan. Këto arritje të rëndësishme për kohën, ndikuan edhe në Shqipërinë Jugore. Qeveria e Përkohshme filloi të përgatiste reparte vullnetarësh për të ndihmuar kryengritësit e vilajetit të Janinës në rast rreziku nga Greqia, e cila mund të hidhej në veprim. Këto ngjarje shqetësuan jo vetëm Portën e Lartë, por edhe Fuqitë e Mëdha. Ata ndërhynë pranë qeverisë osmane dhe asaj greke, që t’i jepnin fund çështjes së kufirit turko-grek, me qëllim që Porta e Lartë t’i kishte duart e lira, për të shtypur kryengritjen e armatosur të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pas nënshkrimit të protokollit turko-grek, të marsit 1881, ajo dërgoi forca të mëdha ushtarake në Kosovë. Pas betejave të ashpra në Slivovë, Shtime’ e Curralevë dhe pas pushtimit të Prizrenit e Gjakovës nga ushtria osmane, Qeveria e Përkohshme u shpërnda. Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte organizata e parë patriotike që mori përsipër të zbatonte programin madhor të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, çlirimin e atdheut dhe formimin e shtetit kombëtar; grumbulloi në gjirin e vet të gjithë Shqiptarët, pavarësisht nga përkatësia fetare, krahinore dhe shoqërore; kombinoi për interesa kombëtare lëvizjen e armatosur me aksionin diplomatik dhe veprimtarinë kulturore; shkriu në një llogore të vetme, qëndresën kundër Fuqive të Mëdha, Perandorisë Osmane dhe monarkive të fqinjëve për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të realizuar autonominë e Shqipërisë. Si e tillë ajo ushtroi një ndikim të thellë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe mbeti në historinë e Shqipërisë si e para Qeveri Kombëtare shqiptare, duke shërbyer si shembull frymëzimi për shqiptarët gjatë kryengritjeve të ardhshme. Populli shqiptar, nën drejtimin e Lidhjes, u ngrit në mbrojtje të tërësisë territoriale të atdheut të vet dhe detyroi Fuqitë e Mëdha të merrnin vendime pas vendimesh. Shqipëria u bë plaçkë tregu për të kënaqur oreksin e monarkive ballkanike. Flotat e fuqive evropiane ndihmuan flotën osmane t’i dorëzonte Malit të Zi Ulqinin dhe Tivarin. Kështu ndodhi dhe gjatë ratifikimit të kufirit greko-shqiptar. 
Sigal