Ashtu si në shumë zona të vendit, edhe në Skrapar e Tomoricë, pas viteve 1900–1912, vepronin tetë çeta patriotike në Çepan e Skrapar: çetat e Lace Backës, Jace Gjergjovës, Mahmut e Servet Zaloshnjes, Tefik Vendreshës, Sulejman Spatharës, Avni e Muço Kapinovës, Ali Cepanit dhe Sokoll Radëshit.
Mustafa Bakiasi (Kapinova), Veteran

Sa më shumë kalojnë vitet, aq më lart ngrihet vepra e patriotëve tanë, sepse historia e popullit shqiptar shfaqet gjithnjë e më madhështore para syve tanë.
Heroizmi tradicional i shqiptarëve, dhe veçanërisht i popullit të Skraparit, nuk është shuar kurrë. Kjo fotografi na kthen 115 vite më parë, në një kohë kur ideologët e Rilindjes Kombëtare kishin arritur në përfundimin se çlirimi nga pushtuesit osmanë mund të arrihej vetëm me armë në dorë. Ashtu si në shumë zona të vendit, edhe në Skrapar e Tomoricë, pas viteve 1900–1912, vepronin tetë çeta patriotike në Çepan e Skrapar: çetat e Lace Backës, Jace Gjergjovës, Mahmut e Servet Zaloshnjes, Tefik Vendreshës, Sulejman Spatharës, Avni e Muço Kapinovës, Ali Cepanit dhe Sokoll Radëshit.
Tetë luftëtarët e fotografisë janë pjesëtarë të çetës së Sokoll Radëshit, e cila vepronte në zonën e Qendrës, Tomoricës, Skraparit, Përmetit, si dhe në krahinat e Beratit e Korçës. Kjo çetë u përball me forcat turke dhe më vonë me shovinistët fqinjë. Ata morën pjesë në spastrimin e Skraparit e Tomoricës dhe në çlirimin e Çorovodës e Beratit në korrik–gusht 1912. Me luftën e tyre dhe të shokëve të tjerë, u krijua një zonë e lirë që më pas u bë bazë kryesore për mbështetjen e Qeverisë së Vlorës, e cila shpalli Pavarësinë nën udhëheqjen e Ismail Qemalit.
Pjesëtarët e këtyre çetave, së bashku me popullin e Skraparit, u bënë garda e Qeverisë së Vlorës. Më 4 janar 1913, duke iu përgjigjur thirrjes së Ismail Qemalit, ata u angazhuan për të mbrojtur kufijtë dhe u falënderuan përzemërsisht për zellin e tyre patriotik. Për tre ditë me radhë, heronjtë e Tomoricës dhe Skraparit mbajtën pozicionet në kufi. Në atë kohë, u bë e ditur se në Skrapar ishin përqendruar rreth 4,000 vullnetarë në mbështetje të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës (faqe 106, 110, 111).
Ishte populli i Skraparit dhe pjesëtarët e këtyre çetave që mobilizuan burrat e krahinës, duke qëndruar në malet me borë e tufan, pa lejuar armikun të hidhte asnjë hap përpara.
Kjo fotografi është një pasqyrë e vazhdimësisë së patriotizmit, që u trashëgua edhe te brezat e mëvonshëm, të cilët shkëlqyen në epopenë e lavdishme të Luftës Nacionalçlirimtare.
Ishte populli i Skraparit dhe pjesëtarët e këtyre çetave që mobilizuan burrat e krahinës, duke qëndruar në malet me borë e tufan, pa lejuar armikun të hidhte asnjë hap përpara. Kjo fotografi është një pasqyrë e vazhdimësisë së patriotizmit, që u trashëgua edhe te brezat e mëvonshëm, të cilët shkëlqyen në epopenë e lavdishme të Luftës Nacionalçlirimtare.

Kush ishin burrat e fotografisë dhe si përfunduan:
1.Sokoll Radëshi – i fundit nga e djathta, komandant i çetës. Luftoi kundër shovinistëve fqinjë, bejlerëve Vrijonas dhe rebelëve të Esat Toptanit. Në vitin 1915, u tradhtua dhe u kap në një fshat të Sulovës, duke u varur në Durrës bashkë me dy shokët e tij: Asllan Gudën nga Verzhezha dhe Adil Satka nga Radëshi. Sokolli është dëshmor dhe i dekoruar me urdhrin e klasit të tretë për veprimtari patriotike. Familja e tij ishte e lidhur me Luftën Nacionalçlirimtare.
2.Hasan Gërmenji – në krah të djathtë të Sokollit. Luftëtar i shquar që nga fundi i shekullit XIX, pjesëmarrës në shumë beteja kundër pushtuesve osmanë, shovinistëve, austro-hungarezëve, francezëve, italianëve, në Luftën e Vlorës (1920) dhe kundër Zogut (1924). Shtëpia e tij dhe e familjes u bënë baza të Luftës Nacionalçlirimtare.
3.Xhemil Luftëtari (Shtrigu) – nga Vërzhezha, jetoi 100 vite dhe nuk e hoqi pushkën nga supi, duke luftuar kundër të gjithë armiqve.
4.Veiz Dyrmishi – nga Koprencka, pjesëtar i çetës së Lace Backës dhe më pas i çetës së Sokoll Radëshit. Shtëpia e tij ishte bazë e Luftës Nacionalçlirimtare.
5.Iljaz Qafoku (Dervish Iljazi) – ideolog i çetës, me veprimtari të gjerë brenda dhe jashtë vendit. Gazeta “Liria” ka shkruar për të në vitet 1909–1911, duke përshkruar kontributin e tij në arsim, ndërtimin e urave, çezmave, etj.
6.Sabri Sulçja – nga fshati Radësh, pjesëmarrës në çetën e Sokollit. U dekorua me urdhrin e klasit të tretë për veprimtari patriotike. U lidh me Luftën Nacionalçlirimtare dhe u bë komandant i çetës territoriale. Shtëpia e tij u bë bazë e luftës dhe ai përfitoi pension patriotik.
7.Hazbi Satka – nga fshati Radësh, luftëtar i shquar, i dekoruar me urdhrin e klasit të tretë. Djemtë e tij u bënë partizanë dhe vetë Hazbiu, nga viti 1942 e në vijim, ishte drejtor i Këshillit Nacionalçlirimtar të Qendrës.
8.Jakup Satka – vëllai i Hazbiut, i cili vdiq në vitin 1922. Kontributi i tij filloi që në vitin 1908 dhe vazhdoi deri në vitin 1920.
Të gjitha familjet e patriotëve të kësaj fotografie kanë dhënë një kontribut të çmuar dhe u lidhën ngushtë me Luftën Nacionalçlirimtare, kudo që ndodheshin. Ky patriotizëm u trashëgua te brezat e mëvonshëm, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e krahinës dhe të vendit.
Fotografia dhe veprimtaria e këtyre patriotëve janë dokumentuar nga veteranët Ethem Kapinova, Reshat Germenji, etj., përmes kujtimeve të tyre.





















