Fiqri SHAHINLLARI
Intervista e rrallë me Haki Kapaj, ish-borizani i Tendës së Qypit, emblema e luftës për liri. Si e përshkroi plumbi qafën e borizanit, pa i prekur laringun, mbajtja me dorë e fytit dhe jehona e borisë. Rrëfimi luftëtarit në vitin 1973, kur mblodhi shokët me bori në 30 vjetorin e Brigadës I -Sulmuese, plagosja përherë të 3, në luftën për marrjen e Radio Tiranës, dhe puna si murator deri në daljen në pension
/Telegraf.al/ Ka ditë që më ra në dorë kjo fotografi e megjithatë, shpesh e marr, e afroj pranë syve se mos i duket shenja e plagës, por është e kotë. Si ka mundur ky njeri, që edhe pse i plagosur në anën e majtë të fytit, edhe pse plumbi i doli prapa qafës, përsëri vazhdonte t’i binte borisë, si edhe më parë, atje, në luftën e Tendës së Qypit? Dëshira për ta takuar më lodhte më tepër se mendimi. Ku ta takoj veteranin e luftës Haki Qazim Kapajn, tri herë plagosur në luftë? Pyeta shokët e tij. “Është i pari që rrëmben fjalën e Partisë. Po e ke të kotë, nëse mundohesh të mësosh gjë nga goja e tij. Është aq i thjeshtë, aq i zakonshëm. Ai nuk rri e “përtyp’ lavdinë e vet të dikurshme. Por me që ke vendosur ta takosh, takoje, takoje. Në bllokun 29 të lagjes 9 të Tiranës do ta gjesh.
…Ai si i hodhi një sy fotografisë (tek bënte punë vullnetare) e lëshoi çekanin pranë këmbëve, bëri pirgun me çimento. Pastaj u ul dhe heshti. por ajo nuk ishte heshtje. Sepse befas muskujt e qafës së Hakiut u dukën sikur lëvizën dhe tita-tita-ja e borisë filloi të derdhte në tinguj një copë të shpirtit të tij. Atij iu kujtua. Makërzë. Gusht 1973. I nxitur nga shokët e Luftës, pas 30-vjetëve nga koha e formimit të Brigadës së Parë Sulmuese, i ra dhe një herë borisë, ja këtu në pyllin plot boriga të të Makrëzës së Vithkuqit. Disa me lot në sy, të tjerët nga kurreshtja, u afruan rreth partizanit me flokë të bardhë që merrte frymë rëndë. Hakiut iu bë zemra mal. Ka momente në jetë kur ndjenja e krenarisë për të kaluarën, tingëllon me një forcë të veçantë. Një ndjenjë të tillë provoi ky ishyzmeqar mallakastriot edhe 30- vjet më parë, kur u formua Brigada, që u bë shpresë për popullin, tmerr për armikun. …Vetëm një herë Hakiu e “shkeli” disiplinën. I ra borijes pa urdhër. Ishte koha kur Brigadës së Parë i duhej të kalonte Mallakastrën për t’u hedhur në jug të Vjosës. Komandanti i Brigadës kërkonte 80-vullnetarë që të qëndronin tok me të sipararojë.
“Të gjithë jemi vullnetarë, të gjithë”- thirrën parizanët nga kreu në fund të çdo kompaie. Hakiut nuk iu durua. Pa urdhër i ra borisë. Ti-ta-në e saj e mbytën këngët revolucionare që shpërthyen në një kor madhështor.
-Kush ma bëri këtë fotografi?-më pyet Hakiu.
-Një njeri nga populli.
-Po unë nuk e njoha dot.
-Të njeh ai ty.
-Kjo fotografi më kujton Luftën.
Sidomos Tendën e Qypit. Ke qenë ti në Tendën e Qypit?
-Para 5-vjetëve.
…Ishte dimër i 44-ës. Ftohtë qamet. Më kujtohet si sot. Shoku Mehmet, pasi zumë vend në tendën e Qypit, më tha:
-Haki, kur të jap urdhër për sulm, e di vetë ti.
-Mos ki merak. -i thashë Gjermanët ngjiteshin përpjetë. Në fillim dukeshin të qetë, por në atë qetësi kishte diçka që nuk shkonte. Bëje vetë hesap, vinin nga të katër anët. Unë, sytë katër, veshët bigë pranë komandantit. Ata po afroheshin. Ashtu na u afruan edhe në Qarrishtë. Kini qenë në qarrishtë?Jemi ngjitur duke u mbajtur pas kapotës së shokut, pas shkarpave, ndërsa gjaku i këmbëve tona skuqte dëborën. Kur pushka ja bëri bam, shoku Mehmet më…Nejse, keni qenë në Qarrishtë? Thonë se sot tokat atje prodhojnë mjaft bereqet. Kushedi sa gëzhoja nga të luftës gjejnë fshatarët tek lërojnë tokën. Nejse, ku e kishim fjalën? Ata po afroheshin. Kur “Përpara partizanë!” “Në sulm Brigadë e parë!” “Borizani!” Ishte urdhëri i komandantit. Më kujtohet si sot ky urdhër. Pastaj boria. Hakiu pushon pak! Duket se me sytë e mendjes sheh borinë, atë vegël me ndihmën e së cilës ai shndrronte urdhërat e prera të komandantit në tinguj të fortë…. Dhe borizani vazhdon të tregojë. “bombat e para të dorës. Tymi dhe flaka mbuloi shkurret. Ne këtu, gjermanët atje. 10-metra larg. Pastaj më afër. Po ne ishim më lart. Përleshje trup me trup. Në një largësi jo më të madhe se një metër, gjermanët lëshonin ca fjalë, duket të shara, në gjuhë të panjohur për ne. Sytë e tyre shprehnin tmerr e urrejtje. Atje u plagosa në qafë. E pikasa se nuk e urdhëroja dot krahun e majt. Pastaj gjaku. Hakiu pushoi. E kuptova se karakteri i tij do të më mundonte të mblidhja fakte të tjera për të plotësuar të paktën kuadrin e plagosjes në Tendën e Qypit. . Se ajo s’qe plagosje si çdo plagosje. Ndaj kërkova ndihmën e shokëve të tij. “…. Hakiu nuk ka përdoruar vetëm borinë, por edhe pushkën. është plagosur në Tendën e Qypit, në luftën e Tiranës dhe në Mirditë. po unë e njoh mirë Tok kemi qenë. Boria e tij! E mbaj mend si sot borizanin tonë. edhe sot borizan i them, nuk i them Haki. Më është bërë zakon. Edhe këto ditë që punuam si vullnetarë në ndërtimin e serave moderne të Tiranës, kështu i thërrisja. Donte të shkonte në hekurudhë Hakiu, por… Hakiu arriti të bëhet edhe togkomandant në luftë. I tillë ishte në luftën e Tiranës. Po borinë nuk e lëshoi nga dora. Ka luftuar si trim për çlirimin e Kryeqytetit, sidomos atje ku ka qenë Radio-Tirana. U ndez një luftë, po çfarë lufte se! Gjermanët donin t’i vinin zjarrin godinës së radios. Borizani zuri t’i frynte burisë. edhe këtë herë u plagos, por boria nuk pushoi. ”
“…Në tendën e Qypit zëri i burisë së Hakiut, -tregon një tjetër, -na dukej më i fuqishëm. Por çudi! Boria ra e ra, pastaj sikur u ngjir. Për një çast heshtiHakiu u plagos në qafë plumbi i kish dalë tej për tej, por fytin nuk ja kishte shpuar. Befas, pas pak, buria lëshoi përsëri tingujt e saj të zjarrtë. Borizani me gishtin e madh dhe me gishtin tregues të njëës dorë, zuri dy vrimat e shpuara nga plumbi që të mos i rridhte gjaku. A kish burrë nëne, thua ti, që t’i mbante partizanët në betejë?Ata u ndezën flakë kur shikonin borizanin e plagosur që lëshonte kushtrimin me borinë e tij. …Vrisja mendjen ku ta takoja borizanin e Brigadës së parë dhe ja, tani e kam përpara. E shoh jo më nëpërmjet fotografisë, por të gjallë tek vendos kasketën e tij mbi tavolinë dhe zbulon kokën e bëë dele nga thinjat. Tani atij nipi dhe mbesa e vogël i thërresin gjysh. Çudi! Me të mund të pish kafe e cigare, të bisedosh në shtëpi ose në rrugë e megjithatë e ke vështië të “zbulosh” trimërinë e tij. Ngjarjet e Luftës ai nuk i sheh si gjëra të ngurta, por si dallgë të fuqishme, që të shtyjnë përpara sipas problemeve të kohës. Tek ky njeri heroizmi partizan shfaqet në shumë forma. Se Partia thotë, që të mos mburremi me ato që kemi bërë, por të bëjmë më shumë për këtë popull e për këtë Atdhe që i kemi dalë zot. Ti nuk e di p. sh, që Hakiu punoi me ndërgjegje kudo që e ka caktuar Partia, se ai deri tani vonë punonte si murator në ndërmarrjen “21 dhjetori” pa asnjë pretendim, pa thënë kurrë:
“Ore unë jam ai që më doli pizgë gjaku nga fyti në Tendën e Qypit, e megjithatë, borinë…” Jo, jo, edhe tani ky veteran pensionist kur del në punë vullnetare, nuk vjen rrotull, po punon aq sa mundet. Se ka probleme në lagje e bllok. Ku diktohet ndonjë dobësi atje e ke borizanin, atje e ke Hakiun. Në është natë dhe ti e kërkon, mund ta gjesh edhe jashtë në rrugët e bllokut e të lagjes pranë popullit. Më në fund të pish kafe, cigare, të bisedosh dhe do të ndjesh, se heroizmi i kohës së luftës e frymëzon për të ecur përpara me problemet e kohës./Ribotim