Gëzim Llojdia: Spiunët….

1.

…Ata erdhën në dritë,por menduan të jetojnë në hije.Gjithë jetën kështu e kishin shkrirë të jetonin në hije.

Sigal

Në mes dritës dhe errësirës Ata ishin errësira vetë.

Në mes të mirës dhe të keqes Ata ishin e keqja vet.

Thonë se kohën e perandorisë osmane ku po bëheshin gati shumat me para që do paguheshin për spiunët. Shtetit tonë nuk i vunë asgjë. Si ka mundësi, që shtetet e tjera do përfitonin miliona dhe ne asgjë? Dhe kur pyetën u tha se ata d.m.th shqipot e kishin bërë këtë punë edhe më parë.Madje e kishin bërë mjaftë mirë se të tjerët, por pa para.


2.

…Dhe mësova se një ministër kishte përgatitur një ligj për të rikthyer spiunët.

Spiunët?

-Po, po spiunët.

Por kësaj here, jo nëpër bodrume të errëta e korridore sekrete.Por në administratë.Në zemër të shtetit modern, ku ligji duhej të ishte dritë.Duket se po rikthehej hija e vjetër. Por si tingëllon fjala “spiun” në veshët e një shqiptari? Një emër i neveritshëm. Një plagë e hapur. Një fjalë, që sjell erën e frikës, të burgjeve, të heshtjeve të detyruara. Një kujtim që i përket një kohe kur njeriu ruante edhe murin. Dhe ishte frika se mos ai vetë kishte veshë.

Një organ e kishte mishëruar këtë frikë; Sigurimi i Shtetit.

Një strukturë e paligjshme, që mbillte terror, që kontrollonte frymën e çdo qytetari.

Një organizëm i sëmurë, që ishte mbi shtetin dhe mbi partinë, që vendoste kush do të jetonte dhe kush do të zhdukej në errësirë.

Ai Sigurim u bë simbol i dhunës së heshtur, i krimeve të mbuluara me dosje dhe pluhurin e harresës.

Dhe megjithatë, askush nuk u ndëshkua. Krimi mbeti pa autorë, viktimat pa drejtësi dhe e vërteta ende në hije. Por më e dhimbshmja është se ata që kryen këto veprime, nuk ishin armiq të jashtëm.

Nuk ishin agjentë të huaj, as ushtarë të perandorisë osmane.Ishin vetë shqiptarë, bij të së njëjtës tokë, që për një copë pushtet apo frikë, tradhtuan vëllanë, mikun, ndoshta edhe gjakun e tyre. E ku shkuan të gjithë këta pas viteve ’90?

Pas rënies së sistemit, kur dritat e lirisë u ndezën. Hijet u shpërndanë.Vetë shteti u kujdes t’i kalonte nëpër kufij e t’i strehojë në vendet demokratike.

Shumë morën azil, të tjerë u vendosën në Amerikën e largët, në Australi, në Zelandë të Re në Europë, ku jetojnë ende me një “emër të ri, por me të kaluarën e vjetër.”Shteti i pajisi me pasaporta, u dha para dhe, në ikje, u tha:

“Shpëtoni kokën… se koha juaj ka mbaruar.”Por koha nuk harron. Hijet që dikur përgjonin të tjerët. Sot përgjojnë kujtimet e tyre.

Dhe zërat e atyre që humbën, vazhdojnë të kërkojnë drejtësi në heshtje.

3.I kam parë vetë… të gjithë ata. Një ushtri në hije.

Po, po një ushtri e tërë që nuk mbahej me armë, por me frikë. Isha në komisariatin e Vlorës. Ende e quanin “Dega e Brendshme”.

– “Çfarë bëhej atje, o vëlla?” – pyeta dikë.

Kishin mbërritur makinat e ushtrisë, njëra pas tjetrës.

– Mos ka ndonjë mobilizim? Ç’janë gjithë këto makina ushtarake?”

Ai qeshi lehtë dhe më tha:

-Po, po…do të mobilizojmë spiunët!”

Ngrita supet, i hutuar.

– “Do t’i dërgojmë në kryeqytet,” shtoi me një ironi.

Dhe pastaj i pashë: qindra kuti kartoni, të mëdha, të mbyllura dhe të dyllosura.

Brenda tyre, dosje. Dhe në çdo dosje një jetë, një frikë, një rrëfim i shuar.Çdo fshat kishte spiunët e vet. Çdo lagje kishte listat e veta. Çdo emër në ato faqe kishte një histori të rrënuar:ish-pronarë, të deklasuar, të internuar, të arratisur, të dënuar me triskë e pa triskë…Eh, sa jetë të copëtuara mbanin ato kuti të heshtura! Pas çdo njeriu të persekutuar, qëndronte një ushtri spiunësh. Një ushtri që paguhej në errësirë, që ushqehej me frikë dhe nënshtrim. Për t’i sjellë të gjitha këto dosje nga fshatrat në Degën e Brendshme, u deshën ditë të tëra .

Kamionë të ushtrisë që udhëtonin natën, të mbushur me tonelata kujtese. Nga çdo këshill popullor, nga çdo zyrë ku kishte operativë a policë, vinin dosjet.Dhe të gjitha u mblodhën në atë ndërtesë të Degës së Brendshme. Por sot, kur dëgjoj ndonjë të thotë: “Nuk ka dosje për këtë apo për atë…”, më pushton një trishtim i thellë.

-Si mund të mos ketë?

Kam parë me sytë e mi kamionë që mbartnin tonelata dosjesh drejt kryeqytetit.

-Ku shkuan ato? Kush i zhduku?

-Kush i “firoi” dosjet e spiunëve?

Por kujtesa nuk firon.

Nuk mund të zhduken kujtimet e atyre, që janë ndjekur. As nuk mund të fshihen kujtimet e atyre, që kanë spiunuar.Sepse, në fund, hijet e asaj ushtrie ende ecin mes nesh.Dhe janë pa uniformë, pa emër, por me të njëjtën heshtje, që i mbronte dikur.


4.Aty nga viti ’91, në komisariatin e Vlorës, më treguan një histori .Ende sot më vjen si hije në kujtesë.Një banor i një fshati të zonës së Myzeqesë së Vlorës vinte çdo ditë në komisariat. Me një bllok të vogël në dorë, dhe i drejtohej oficerit të shërbimit:

– “E shënove, oficer?” – thoshte me zë të ulët, por me rëndësinë e njeriut që ndiente se po i shërbente shtetit.

Në fakt, oficerët qeshnin nën zë. E kishin marrë si shaka.Sa herë që në atë fshat ndodhte ndonjë ngjarje.Dhe një dasmë, të qe.Dhe një grindje, të nesërmen spiuni merrte udhën dhe paraqitej në komisariat. Edhe atë ditë si çdo ditë. Sillte “raportin e tij”. Dhe si dikur në kohën e errët . Pas dy muajsh, ai u shfaq përsëri.

Kërkoi të takonte shefin.Kur hyri, tha pa u stepur:

-Dua paratë.Shefi ngriti vetullat.

-Çfarë paraje? e pyeti.

-Kam dy muaj që sjell informacion. Kam bërë punën time.Një heshtje e gjatë ra në zyrë. Pastaj shefi, me një buzëqeshje të hidhur, i tha:

-Po a e di që janë hequr me ligj pagesat për spiunët? Dhe spiunë nuk ka më! Spiuni u step. E pa shefin me sytë e humbur të një njeriu që nuk kupton dot kohën ku jeton.

Pastaj uli kokën, u kthye dhe doli. Që nga ajo ditë, nuk u duk më në komisariat.Ndoshta u tërhoq në hije, aty ku ishte mësuar të jetonte. Ndoshta kuptoi se epoka e tij kishte marrë fund .


5.Mirëpo cili ishte fati i spiunëve që nuk u ndëshkuan?

Ky nuk ishte thjesht një spiun. Ishte mentor i spiunëve.Një ditë, në universitetin ku punoja, erdhi T. Gjonzeneli . Por më tha: “Do të të tregoj diçka për spiunët.”Ja rrëfimi i tij: “Një ish-hetues nga ky qytet, pas viteve ’90, ja mbathi. U nis për në kryeqytet, aty bëri marifete, sepse këta ishin mjeshtër të marifeteve gjeti vizë dhe ia doli të shkonte në disa vende të Europës për t’u fshehur nga krimet që kishte kryer. Por as aty nuk gjeti qetësi. Pagoi dhe vazhdoi rrugën deri në Amerikë, thoshte miku që ma rrëfeu.Në Nju-Jork pati një ditë shi. Koha u hap dhe një shqiptar që banonte në pallatin përballë doli në ballkon. E pa atë ish-hetuesin që doli nga ndërtesa. Por dikush e priste atje. Sapo e pa, e goditi me forcë tre-katër herë me një çadër, por shërbimet erdhën dhe e larguan ngjarjen”.

E tregova këtë histori, jo për të lavdëruar hakmarrjen. Por si mësim të hidhur: ndëshkimi i krimit duhet të bëhet nga ligji.Kur ligji nuk ndëshkon, hapet dera për vetëgjyqësinë dhe vetëgjyqësia sjell dhunë .

5.Koha kaloi, pas viteve 90-të regjimet u rrëzuan. Por hijet nuk u zhdukën. Ato u shndërruan në kujtime, dyshime që jetojnë ende në rrugët dhe zyrat e Shqipërisë. Spiunët u larguan, por frika dhe heshtja mbeten. Ne duhet të kujtojmë jo për hakmarrje, por për t’u çliruar nga frika. Sepse harresa është streha më e sigurt për krimin, dhe kujtesa është drita që e zhduk hijen.