Flet oficeri i kufirit Sefer Pasha: Ju rrëfej dosjen e pushkatimit të tre vllehëve në gusht të vitit 1962 !

732
Sigal

Historia e burgosjes, mungesa e procesverbalit të ekzekutimit, roli i Kadri Hazbiut dhe hipotezat se u nisën me mision nga Sigurimi i Shtetit ?!

Sefer Pasha: Thelbi i aktakuzës është: – “Organizim i kryengritjes së armatosur për rrëzimin e pushtetit popullor”

  • -Ju tregoj për dosjen e pushkatimit të tre vllehëve Jorgji Cukalin, Nikolla Goçin dhe Nikolla Bashon
  • – Oficeri i Sigurimit të Shtetit Nuri Backa, që kishte në përpunim vllehët vrau veten.
  • – Nuri Backa si Punëtor Operativ “shtegëtonte” bashkë me karvanet e vllehëve sipas stinës që nga Vithkuqi, mali i Lenies, Gramozi,Tri Urat, Buretua
  • – Vllehët, që kishin mbetur matanë kufirit vinin në “qytezat” e vëllezërve të tyre, por bashkë me ta vinin si “barinj” dhe oficerët e Asfalisë greke
  • – Në stanet e malit të Gramozit shtroheshin dreka me mish në hell për “mysafirët” nga Greqia
  • -Në këto ahengje merrte pjesë dhe Nuri Backa ishte koha kur ndiqeshin vllehët si grup
  • – Në stanet e Kozelit kishte ardhur dhe Kadri Hazbiu me kuadro të larta të Sigurimit të Shtetit
  • – Në “drekat” afër vijës së kufirit esnafët e asfalisë regjistronin këngët e vllehëve nga Shqipëria
  • – Amaneti i Nikolla Goçit për dhëmbët e florinjtë, që ia shkulën me dhunë në qeli dhe intrigat rreth komplotit me Teme Sejkon
  • – Brenga e Dhimitër Bashos për zhdukjen e një libri të trashëguar nga Biblioteka e Voskopojës
  •  – Të pandehurit Jorgji Cukali, Nikolla Basho dhe Nikolla Goçi mbrohen në gjyq me pritjen që i kanë bërë në stanet në Gramoz në vitin 1949 poetit francez Pol Elyar.
  • – Kadri Hazbiu: Vllakë e bukur vllakë. Ti u bëfsh thëngjill e flakë. Ç’faj moj të kanë gratë, që ua le jorganët thatë?

Dosja e pushkatimit të tre vllehëve në gusht të vitit 1962 nga gjyqi i Armiqve të Popullit, dhe misteri se të dënuarit me vdekje Jorgji Cukalin, Nikolla Goçin dhe Nikolla Bashon Sigurimi i Shtetit i nisi me detyra jashtë atdheut. Kjo është tema që do trajtojë në këtë rrëfim Z. Sefer Pasha.

Gazeta Telegraf

-Ju vazhdimisht gërrmoni në arkivat nga Autoriteti për Informimin mbi dokumentat e Sigurimit të Shtetit. Çfarë dosje ke kaluar nëpër duar këto kohë?

Ka kohë që studioj dosjen e marrë nga Autoriteti për Informimin mbi dokumentat e Sigurimit të Shtetit. Është një dosje prej mijëra faqesh. Nis ta shfletosh e zhgënjehesh. Kur mendon se e përfundove rrudh ballin. Gjendesh sërish në një pyll të zi ku të merren mendtë. Si studiues më interesonte tragjedia e tre vllehëve të gjykuar dhe pushkatuar në korrik të vitit 1962. Bëhet fjalë për Drejtorin e Fermës blegtorale të Vithkuqit Jorgji Cukalin, Nikolla Goçin gjithashtu drejtori në Fermën e Vrinës në Sarandë si dhe për blektorinë Nikolla Basho. Për këta të tre u bë gjyqi dhe u dënuan me vdekje. Por sipas dosjes janë hetuar, ndjekur e dënuar dhe 12 vllehë të tjerë që fati i shpëtoi nga pushkatimi. Në dosje thelbi i aktakuzës është: – “Organizim i kryengritjes së armatosur për rrëzimin e pushtetit popullor”

Jemi në vitin 1962 dhe për shkak të mungesës së kulturës të punonjësve të gjykatave dhe administratës së kohës dosja sa një mal vende – vende është një mish – mash. Me djalin e Jorgji Cukallit, Niko Cukalin e vështrojmë dosjen e trupëzuar të atit të tij të pushkatuar. Pasaktësira, pseudonime, informacione, dëshmi, akuza të rëndomta, shpifje, kundërshtime, materiale të mbledhura kuturu, dëshmitarë me nga dy pseudonime, emra të rremë, raporte operative vulgare, radiograme të mjegullta, materiale të ardhura nga Asfalia, telefonata të dyshimta, ndërlidhës që i shërbenin Sigurimit të Shtetit dhe Asfalisë, tekste të pakuptimta, gërmëzime kuturu pa fill lidhës, fjalë të mbetura në grykë të vllahut që merrej në pyetje, gër –  mere: gërxhosh të mbledhura nëpër kasolle, si dhe bashkësi legjendash me gjyqtar analfabet. Gjyqi i bujshëm nuk kishte avokat. Arrestimet kanë filluar në Vithkuq të Korçës e kanë vazhduar stan më stan deri në Vrinë të Sarandës. Personazhet e dosjes së bujëshme të mahnisin. Ngjarjet janë dramatike e të paimagjinueshme. Një det informacioni i mbledhur maleve e kasolleve të çmend.

Në parantezë ju përmendët se oficeri i Sigurimit të Shtetit Nuri Backa, që kishte në përpunim vllehët vrau veten?!

Në dosjen e kopsitur me gjëmba sa mali i Gramozit përmendet dhe emri i oficerit të Sigurimit të Shtetit Nuri Backa. Në rrethana misterioze kur përndiqeshin vllehët ai vrau veten. Pse? Dosja voluminoze nuk jep përgjigje. Nuri Backa si Punëtor Operativ “shtegëtonte” bashkë me karvanet e vllehëve sipas stinës që nga Vithkuqi, mali i Lenies, Gramozi,Tri Urat, Buretua e deri në fushat e Vrinës në Sarandë. Ai gjurmonte veprimtarinë e vllehëve. Kjo ishte detyra e tij. Por paralelisht me Nuri Backën në krahun tjetër të kufirit “shtegëtonin” dhe oficerët e Asfalisë Greke. Pas çlirimit të vendit një pjesë e vllehëve mbetën në viset veriore të Greqisë. Ishin nip e dajo, por i kishte ndarë mbyllja e kufirit. Në vitin 1962 shteti i Enver Hoxhës ishte ende i dobët. Vllehët ,që kishin mbetur matanë kufirit vinin në “qytezat” e vëllezërve të tyre. Por bashkë me ta vinin si “barinj” dhe oficerët e Asfalisë greke. Në stanet e malit të Gramozit shtroheshin dreka me mish në hell për “mysafirët” nga Greqia. Në këto ahengje merrte pjesë dhe Nuri Backa. Ishte koha kur ndiqeshin vllehët si grup, të cilët kërkonin të rrëzonin pushtetin popullor me anën e kryengritjes së armatosur. Pasardhësit e tre vllehëve të pushkatuar kanë treguar se në stanet e Kozelit kishte ardhur dhe Kadri Hazbiu me kuadro të larta të Sigurimit të Shtetit. Në këtë “tavë” padyshim ishte dhe i “zoti” i vendit Nuri Backa. Hollësira nuk dihen. Deri ku shkoi çapi I punëtorit operativ Nuri Backa? Çfarë bisedoi në këto “dreka” në Gramoz ku mernin pjesë dhe ustallarët e Asfalisë greke.? Në dosje asgjë nuk shkruhet. Pyetja shtrohet: -Ku shkeli në dërrasë të kalbur Nuri Backa? Kazani zjente. “Gazi” i Ministrisë së Brendshme vente e vinte nga Tirana në Vithkuq, ku kishte një zyrë oficeri i Sigurmit të Shtetit. Siç u dukën bathët Nuri Backës i doli situata nga kontrolli. Eprorët në Drejtorinë e Parë të Sigurimit të Shtetit duhet t’ja kenë futur”koqet në bigë”. Në “drekat” afër vijës së kufirit esnafët e asfalisë rregjistronin këngët e vllenjëve nga Shqipëria. Por në “shiltetë” e staneve qe ulur dhe Nuri Backa. Kushedi se çka llapur? Në këtë kaos ngjrjesh Nuri Backa si oficer i Sigurimit të Shteit nuk e hoqi vallen deri në fund. Dhe e vrau veten në majën e malit të Gramozit në Çukapeçit në lartësinë 2523 metra.  I gjithë grupi i vëllenjëve prej 15 vetësh që u arrestuan janë pyetur dhe për Nuri Backën.

Amaneti i Nikolla Goçit për dhëmbët e florinjtë që ia shkulën me dhunë në qeli dhe intrigat rreth komplotit me Teme Sejkon.

 

Pas komunikimit nga Gjykata e Armiqve të Popullit, ku u dha vendimi i formës së prerë për të pushkatuar Jorgji Cukalin, Nikolla Goçin dhe Nikolla Bashon në një moment në burg Nikolla Goçi qe përballë me të vëllanë Pilo Goçin, i cili gjithashtu u dënua me 25 vjet burgim. Kot shpëtoi nga pushkatimi. Duke qenë se në këmbë ishte dhe polici i burgut, Nikolla Goçi hapte dhe mbyllte gojën. Pilua u çudit. Nikolla, që ishte dënuar me pushkatim e provokon të vëllanë që t’i shikonte gojën ku i mungonin të gjithë dhëmbët e florinjtë. Nikolla Goçi ishte i pasur dhe dhëmbët e florinjtë i kishte vendosur në një klinikë me emër në Athinë. Përballja e dy vëllezërve kishte përfunduar me heshtje. Pilua ishte habitur që të vëllait ia kishin shkulur të gjithë dhëmbët e floririt. Në një fraksion të minutës kur e kërkuan policin e burgut, Nikolla Goçi i thotë këto fjalë të vëllait Pilos, që kishte shpëtuar nga pushkatimi: “ Dhëmbët e floririt m’i shkulën me darë në qeli. I mori prokurori. Ti Pilo do të rrosh. Do vijë një ditë dhe do t’i kërkoni eshtrat e mia. Mos ma kontrolloni gojën për të parë dhëmbët e florinjtë. Nuk do t’i gjeni. Kam qenë i bukur. Femrat e Athinës linin kokën për mua. Shiko o Pilo vëllai se si jam shëmtuar. Dhe Pilos i kishte rënë të fikët.

Pas kaq vitesh i biri i Nikolla Goçit, Vangjeli kërkon në Dajt eshtrat e të atit. E ka parsysh atë që ka thënë Nikolla. Nuk i ka dhëmbët e floririt në gojë. Ja hoqën në burg pa narkozë e pa dentist. Pilua që doli nga burgu dhe e zuri era e demokracisë ka thënë midis të tjerave se grupi i vllehëve që u burgosën dhe u pushkatuan nuk kishin asnjë lidhje me akuzën se ishin pjesë e komplotit të Teme Sejkos. Nuk u kishte shkuar kurrë në mend për organizimin e ndonjë kryengritje të armatosur për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës.

Brenga e Dhimitër Bashos për zhdukjen e një libri të trashëguar nga Biblioteka e Voskopojës.

Djali i Nikolla Bashos, Dhimitri, i cili drejton emisionin në gjuhën vllahe në Televizionin e Gjirokastrës ka shumë mote që me kazma e lopata kërkon eshtrat e të atit në varrezat e humbura të malit të Dajtit. Dhimitër Basho ka shumë meraqe për fatin tragjik të tre vllehëve, që u pushkatuan. Natyrisht edhe për varrin e atit të tij Nikolla Basho. Dhimitri shkruan libra e këngë vllahisht. Ai ka shkruar dhe një libër voluminoz për fatin e 15 vllehëve që u arrestuan në vitin 1962. Disa u dënuan me burgime të gjata, kurse Jorgj Cukali, Nikolla Basho dhe Nikolla Goçi u pushkatuan. Pasi Nikolla Bashon e dënoi me pushkatim Gjyqi i Armiqëve të Popullit Sigurimi i Shtetit i sekuestroi në shtëpi një fond me vepra arti. Këto vepra Nikolla Basho i mbante me vete kudo që shtegëtonte me tufat e bagëtive të fermës shtetërore. Sigurimi mori të gjitha fletoret me shënime, fotografitë, piktura të vllehëve në shekuj, qëndisma, disqe me këngë, enë të gdhendura në dru, gur të rrallë mali, zile dhe këmborë qindra vjeçare si dhe llogaritë bankare (Kishte shitur 1000 dele), të cilat i kishte pasur pronë të tia. Të gjitha këtë pasuri i kërkon Dhimitër Basho. Por askush nuk i jep përgjigje. Meraku më i madh i publicistit vlleh është për një libër në gjuhën arumune, të cilën ai e ruante si kujtimin më të çmuar të lënë nga i jati i pushkatuar. Ky libër me kapak të trashë i mbështjellë me lëkurë demi të argasur qe trashëguar nga Biblioteka e Voskopojës prej nga ishin si fis. Biblioteka e Voskopojës kishte një pasuri me 20 000 vëllime. U dogj në vitin 1870. Dhimtër Basho nuk e shpjegon dot sesi ky libër i ra në dorë Nikolla Bashos. Siç duket u trashëgua dorë më dorë, stan më stan, e brez pas brezi. Më në fund ra në duart e Sigurimit të Shtetit. Asgjë nuk dua që t’më kthejnë thotë Dhimtër Bsho. Libri i Voskopojës mbetet pika ime e dobët. Sa të jem gjallë do ta kërkoj. Në faqen e parë të librit ka pasur dhe një mbishkrim që dikur nuk i kushtuam rëndësi. Nuk e dimë se çfarë thoshte. Shpresoj që ta gjej.

Të pandehurit Jorgji Cukali, Nikolla Basho dhe Nikolla Goçi mbrohen në gjyq me pritjen që i kanë bërë në stanet në Gramoz në vitin 1949 poetit francez Pol Elyar.

 

Të tre vllehët e akuzuar për “organizimin e kryengritjes së armatosur” e hodhën poshtë me indinjatë akt – akuzën, që në fakt këmbëngulnin ata. Ajo u duhej bërë ujqërve të Qafës së Kazanit. Që të tre vllehët, por dhe të tjerët kishin mbaruar studimet në Greqi. Ata qëndronin shumë më lart se gjyqtarët që po i masakronin më intrigat absurde. Përveç të tjerave vllehët thanë në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Armiqve të Popullit se në vitin 1949 kishin pritur në stanet e tyre në malin e Gramozit poetin francez Pol Elyar. Poetit francez i therën disa mishra në hell. I kishin thënë poetit francez se kishin nëpër sanet e malit mbi 40 000 dhen. Pol Elyarin e nxorën në majën e malit të Gramozit në Çukapeç në lartësinë 2523 metra. Me poetin frncez kishin folur vetëm për lirinë e Greqisë dhe të Shqipërisë. Kurrë arumunët nuk janë marë me kryengritje të aramtosura e broçkulla të tjera. Nikolla Basho i kishte thënë trupit gjykues se poeti francez Pol Elyar u kishte lënë dhe një bllok, ku ai kishte shkruar ca rreshta frëngjisht. Blloku ndodhet në stanet në Mursi të Sarandës. Më i shkolluari Jorgji Cukali kishte guxuar dhe kishte recituar poezinë e Pol Elyarit “Mali Gramoz”.

Zilet dhe këmborët e Jorgji Cukalit janë të depozituara në një bankë të Janinës. Pengu i Niko Cukalit që nuk u takua me Mihallaq Ziçishtin.

 

Niko  Cukali është i bri i Jorgji Cukalit. Në Korçë ka emër dhe njihet si një biznesmen i suksesshëm. Në zyrën e tij në periferi të Korcës shikojmë së bashku dosjen voluminoze të atit të tij Jorgji Cukalit të mpleksur dhe me emrat e 13 vllenjëve të tjerë të arrestuar me akt –  akuza të ndryshme. Në një moment Niko Cukali më flet për zilet dhe këmborët me përqindje të lart floriri, të cilat Jorgji Cukali sikur ta dinte fundin e tij tragjik i kishte depozituar në një bankë me emër të Janinës. Unë përpara kompjuterit të Niko Cukalit mësoj për herë të parë se në një bankë të nivelit të parëe, ku depozitohen të gjitha monedhat e kësaj bote, mundet të depozitosh si pronë dhe arkat me zile dhe këmborë.

Diskutojmë gjatë me Nikon Cukalin. I ka mbetur merak që nuk e takoi sa qe gjallë Mihallaq Ziçishtin, i cili vinte në Korçë. Ai duhet ta dinte se ku janë varrosur tre vllenjtë e dënuar me pushkatim në vitin 1962. Nikua është fryrë e dridhet nga ato që ka dëgjur për fatin e atit të tij të Nikolla Bashos, dhe të Nikolla Goçit. Ai më tregon se të tre vllenjtë e dënuar me pushkatim janë varrosur në malin e Lenies. Gjithshtu thuhet se Jorgji Cukali është parë në klinikën e doktor Polenës disa vite më vonë pasi ishte dhënë dënimi i pushkatimit. Hamendjet nuk kanë të sosur. Të tre vllenjtë nuk janë pushkatuar. Sigurimi Shtetit i nisi me detyra jashtë shtetit. Ndonjëri mundet të jetë gjallë dhe të ketë krijuar familje. E dëgjoj me respekt Niko Cukalin. Ai di shumë gjëra. Ka njohje më shumë se unë me partitë politike dhe Parlamentin. Por një gjë e ka të turbullt. Në Arkiv janë dhe dosjet e Drejtorisë së Zbulimit të Jashtëm. Ato tani për tani nuk do të hapen. Në faqet e tyre është e vërteta e fatit të Jorgji Cukalit, të Niklla Bashos dhe Nikolla Goçit. Aty është e shkruar nëse janë ekzekutuar apo Sigurimi Shtetit i nisi me mision jashtë Shqipërisë?