Sigal

 Në pranverën e vitit 1990, në Teatrin Kombëtar u shfaq drama juaj “Shkallët”, e cila bëri bujë dhe u prit me entuziazëm nga publiku, por shqetësoi së tepërmi Partinë dhe pushtetin e kohës. Si e kujtoni tani pas 25 vjetësh atë ngjarje?

– Në fakt drama ishte shkruar që në vitin 1989. Ndërkohë kishte rënë Muri i Berlinit, kishte rënë komunizmi në Rumani dhe Kampi socialist kishte marrë rrugën e shembjes së përgjithshme si një tërmet i papërballueshëm. Sigurisht që valët e këtij tërmeti po ndjeheshin edhe në Shqipëri, duke ndezur shpresat e popullit dhe frikën e pasigurinë tek pushteti, i cili me të gjitha format përpiqej të amortizonte rrezikun e këtyre valëve përmbysëse. Kudo bëheshin mbledhje, takime, të deleguarve s’u zinin këmbët dhe, duke u përpjekur të mbulonin panikun për fundin e pashmangshëm dhe mundoheshin t’u mbushnin mendjet njerëzve, se kjo furtunë historike që do të riformatonte politikisht botën, nuk do të kalonte në Shqipëri. Dhe pa dyshim një vëmendje e veçantë do t’i kushtohej shkrimtarëve, artistëve dhe institucioneve artistike,të cilët mbaheshin nën një vëzhgim të rreptë,sepse nga “ndihmës të Partisë për edukimin komunist të masave”mund të ktheheshin në armiq të Partisë dhe socializmit. Ndër të tjera më kujtohet një mbledhje në Lidhjen e Shkrimtarëve ku udhëheqës të lartë të Partisë por dhe të Lidhjes përpiqeshin të na bindnin se ajo që ndodhi në Rumani dhe po shtrihej me shpejtësi në gjithë Lindjen Komuniste nuk kishte të bënte me ne dhe Shqipëria do të vazhdonte e sigurt rrugën e socializmit. Ishte një përpjekje tejet e dëshpëruar sepse edhe ata dinin se komunizmi tek ne erdhi si një baticë ideologjike-politike pas luftës së dytë botërore,por me sa po dukej batica e kishte mbyllur ciklin e saj dhe tani kishte ardhur koha e zbaticës,për tu tërhequr duke sjellë shembjen tragjike të atij sistemi diktatorial, shembje nga e cila nuk mund të shpëtonin as kalaja jonë e kuqe. Nën ndikimin e këtyre situatave kisha shkruar dramën “Shkallët”,për të cilën kisha ndeshur në kundërshtimin e Ministrisë së Kulturës por dhe “kompetentëve “ të tjerë të censurës, për tu vënë në skenë….Mundësia e fundit ishte që drama të zhvishej nga dimensioni politik e social e të mbetej një dramë e thjeshtë familjare.

-Megjithatë drama u vu në skenë ?

-Po, pas një lufte më se një vjeçare me Ministrinë e Kulturës dhe Komitetin e Partisë, mbas shumë debatesh,diskutimesh dhe ripunimesh që bënim me regjisorin Gëzim Kame,skenografin e ndjerë Shaban Hysa dhe trupën,duke u përpjekur të ruanim thelbin e domethënies së dramës. Më në fund u arrit që drama të vihej në skenë. Dhe për hir të së vërtetës u prit me shumë entuziazëm nga publiku.

-Për herë të parë një pjesë teatrale atakonte direkt sistemin e kohës.

 

-Vetë titulli “Shkallët” kishte të bënte me thelbin e dramës?

-Sigurisht. Faqja e parë e dramës fillon me këta vargje të mara na akti i dyte i “Jul Qezarit” të Shekspirit:

…………………………………………….

Po ësht’ e ditur prej të gjithëve

Q’ambicj’e re përunjen e ka shkallë,

Dhe ngjitësi përpjet’ e kthen fytyrën;

Po, me t’arrirë në majë fare,

Ia kthen aherë shkallës shpatullat,

Në retë sheh, përbuz të poshtmet grada

Nga u ngjit lart……..

Pra, drama përshkohet nga ideja, se një shkallë që të ngjit, duhet dhe për të zbritur, kurse ju që u ngjitët atje lart, kujtuat se do të jeni të përjetshëm e thyet shkallën dhe tani do të bini me kokë. Sigurisht, e thënë jo kaq drejtpërdrejt, por e lexueshme fare qartë nga publiku. Dhe ishte së pari kjo që e entuziazmoi spektatorin. Sigurisht, falë edhe konceptit shumë domethënës të regjisorit që skenën e ngriti në mes të sallës si një ring boksi, kurse në skenë rrinin spektatorët. Pra, simbolika ishte që populli gjykon politikën dhe pushtetin. U dhanë rreth dyzet shfaqje, pa u hapur asnjëherë sporteli për shitje të lirë biletash, sepse jepeshin me autorizim për grupe spektatorësh nga ndërmarrjet, shkollat, institucionet…jo vetëm nga Tirana, por dhe nga rrethet…Por ndërkohë edhe shqetësimi i shtetarëve dhe politikanëve po rritej. Sigurisht edhe shqetësimi ynë. Zakonisht shfaqjet e mia nuk i shihja nga salla por nga kabina e elektricistëve, me sytë nga lozhat ku rinin “shokët” e udhëheqjes duke ndjekur me ankth si do të reagonin, a do qeshnin, a do duartrokisnin? A do nxirrnin ndonjë bllok për të mbajtur shënime…Kurse me “Shkallët” ishte ndoshta rasti i parë që lozhat e udhëheqjes mbeteshin bosh. Sigurisht, nuk ishte shenjë e mirë dhe prisnim që diçka do të ndodhte. Dhe një ditë u dha urdhri që shfaqja të pezullohej. Po hiqeshin reklamat dhe afishet dhe u njoftuam se mbas shfaqjes së asaj nate do të bëhej një diskutim i mbyllur. Bashkë me regjisorin Gëzim Kame e ndjenim se mbas shfaqjes nuk do përgëzoheshim por do të gjykoheshim. Nuk dinim ku të gjenim dikë që të na mbronte. Gjëja e parë që më shkoi ndër mend ishte të takoja Ismail Kadarenë. E takova diku aty pranë Dajtit dhe i thashë se atë mbrëmje do të gjykoheshim dhe kishim dëshirë të vinte edhe ai. Do të vij patjetër tha, me të parën. Aktorët ishin të tensionuar dhe ky tension i dha shfaqjes një nerv edhe më të fortë. Dhe mbas shfaqjes u mblodhëm në studion e madhe të teatrit. Që nga pjesëmarrësit u mor vesh se si do të shkonte mbledhja. Përveç ministrit te Kulturës dhe ministrit të Tregtisë së jashtme (ngjarjet e dramës zhvilloheshin në regëtinë e jashtme), salla ishte mbushur me punonjës të tregtisë dhe komitetit të Partisë. Kurse nga ne, përveç drejtorit të teatrit, meje dhe regjisorit, nuk u lejua të merrte pjesë asnjë aktor, ndonëse Kadri Roshi, Robert Ndrenika etj., këmbëngulnin që të ishin të pranishëm. Pra dukej se kishte ngjyrat e një linçimi politik. Shkurt, akuzat që na bëheshin ishin politike dhe pjesa u quajt antisocialiste që nxin realitetin etj.,etj. Nuk po zgjatem. Dua të përqendrohem tek Kadareja. Ai u bë avokati ynë që na shpëtoi pa na i thyer “Shkallët” e Teatrit Kombëtar. Me sa më kujtohet nga diskutimet dhe replikat e Ismailit në thelb ai tha: –Ç’është kjo mbledhje absurde? Mblidhen tregtarët e preshëve e të lakrave që s’vinë kurrë në teatër dhe gjykojnë artistët. Ç’është kjo frikë? Ç’është ky panik, sepse drama thotë vetëm gjysmën e së vërtetës? Dhe ju vini të gjykoni. Sipas logjikës suaj, nëse autori do të bënte një dramë për burgun duhet të vijnë e ta gjykojnë të burgosurit? Si guxoni të merrni përsipër të ndaloni një shfaqje, të cilën publiku e pret me entuziazëm? Ky është skandal! Dhe pas argumenteve, autoritetit dhe personalitetit të Kadaresë burokratët u tërhoqën. Reklamat u rivunë dhe shfaqja vazhdoi të jepej. Sigurisht edhe tre-katër net dhe u gjend një arsye apo u mbyll sezoni para kohe dhe nuk u shfaq më. E falënderuam Ismailin, e falënderoj përsëri edhe sot se gjyqin kundër artit e ktheu në akuzë ndaj politikës. Dhe kjo ndodhte pak kohë para se ai të “arratisej” në Francë. Ndër të tjera edhe kjo është një alibi tepër domethënëse, se Ismaili deri në fund ishte konsekuent në bindjet dhe përpjekjet e tij dhe mbrojtjen e artit nga dhuna politike.

-Po Lidhja e Shkrimtarëve çfarë qëndrimi mbajti për këtë shfaqje?

 -Lidhja duke qenë tepër e politizuar mbajti një qëndrim për të ardhur keq. Personalisht i kam ftuar në shfaqje drejtuesit kryesorë të saj por nuk erdhën, sigurisht për t’iu shmangur përgjegjësisë. U botua vetëm një shkrim nga një gazetar i Lidhjes, por që nuk shprehte vetëm mendimin e tij, ku shkruhej se shfaqja ishte si një teneqe me gurë që rrokullisej duke bërë zhurmë dhe se drama kishte guxim ideor, po jo vlera artistike. Me këtë binin brenda, sepse ishte koha mbi të gjitha kishte nevojë për guxim ideor dhe, nga ana tjetër, guximi artistik qëndronte veç të tjerash në ndërrimin e raporteve të artit me politikën,duke zbritur shfaqjen (Politikën) në mes të sallës dhe ngjitjen e publikut (Popullit) në skenë, për ta gjykuar politikën nga lart. U bënë disa shkrime kundër atij qëndrimi të Lidhjes por asnjë nuk u botua. Gjithashtu as që mund të bëhej fjalë që shfaqja të filmohej dhe të shfaqej në televizion.

-Sigurisht, ata që harruan shkallët e zbritjes ranë me kokë me gjithë sistemin e tyre, po ju jeni marrë më tej me këtë simbolin e shkallëve?

-Ky problem i shkallëve politike për të uzurpuar majat e pushtetit nuk është vetëm dukuri e sistemit komunist, por një fenomen i përhershëm, për çdo shoqëri ku demokracia nuk funksionon si duhet. Ka njerëz arrivistë e të paskrupullt që e shkojnë jetën me shkallë në krah për t’iu ngjitur mureve apo gardheve të pushtetit me të gjitha mënyrat. Rreziku ekziston gjithmonë. Unë kam shkruar një dramë tjetër, si vazhdim i “Shkallëve”, pas rënies së komunizmit, që ka në qendër ‘shkalltarët’ e rij postkomunistë, të cilët pa asnjë skrupull shpërdorojnë pushtetin politik për t’u pasuruar padrejtësisht dhe ngjitin shkallët e pasunarëve duke shkelur mbi supet e lodhur të atyre që i kanë ngjitur duke i votuar përmes mashtrimit. Pra tani nuk bëhet fjalë për shkallë ideologjike por për shkallët e sofistikuara të korrupsionit apo amoralitetit politik.

-Si titullohet drama e re?

-“Mallkimi”…Sepse këta shpërdorues e përdhunues të shoqërisë një ditë do t’i zërë mallkimi i popullit… Jo mallkim nga zoti por nga ndëshkimi që u jep vet populli mbas ndërgjegjësimit se do të jemi një shoqëri e vërtetë demokratike ku sundon shteti i sa drejtës. Është në qendër përsëri Mentori i cili kishte hedhur shkallën që e ngjiti aq lart në atë sistem, por me të rënë ai e mor shpejt veten dhe rrëmbeu një shkallë të re dhe si i regjur me “besnikëri ndaj partisë” filloi t’u ngjitet shpejt mureve të shtetit të ri demokratik, duke u ngjitur në poste shumë të rëndësishme dhe duke u bërë milioner, duke shkelur mbi supet e drobitur të atyre që e ngjitën aty lart, duke i përbuzur. Për fat të keq jemi një popull që harrojmë shpejt dhe falim shumë!

– Kur jeni takuar për herë të parë me Ismail Kadarenë dhe si ishin marrëdhëniet e tua me të, a keni pasur debate?

-Si gjithë letrarët e rinj edhe unë, duke qenë student, ndiqja aktivitetet e Lidhjes dhe diskutimet letrare ku jemi njohur edhe me Ismailin, Driteronë e të tjerë. Por me këta të dy, përveç interesave letrare kishim dhe një arsye më shumë për t’u njohur më nga afër. Dy shoqe të kursit tonë,Helena (Gusho) Kadare dhe Sadie (Kecaj) Agolli do të bëheshin bashkëshortet e shkrimtarëve të shquar. Sa për Ismailin, ai u kthye shpejt në idhull për ne më të rinjtë, sepse po shikonim që ai po përpiqej të zgjeronte hapësirat e lirisë krijuese dhe po sillte një frymë të re na letërsinë tonë. Për sa i përket marrëdhënieve të mia me Kadarenë kam dy momente të paharrueshme që lidhen direkt me krijimtarinë time. Kur u botua vëllimi im i parë me tregime “Ndodhi të ditës”, atë kohë u bë një diskutim promovues për librin tim dhe një vëllim tregimesh të Shefqet Tiganit, si dy autorë të rinj që vinim me librat tanë të parë. Analizën e bëri Ismail Kadareja, me një diskutim me shumë dashamirësi dhe inkurajues. Ishte nota e parë që merrja në krijimtari dhe nota ishte kaluese dhe premtuese. Momenti tjetër, edhe më i rëndësishëm i takon vitit 1990. Këtu duhet të ndalem pak më gjatë.

-Në mos gaboj komedia juaj “Zonja nga qyteti” mbush dyzet vjet që është shfaqur për herë të parë.

-Po, dyzet vjet. Data s’më kujtohet, por e di që ishte korrik. E di sepse në korrik Enver Hoxha shkonte në Pogradec dhe pikërisht në një nga ditët e Korrikut 1975 ai erdhi dhe pa komedinë në Korçë. Po për këtë flasim më vonë.

 

-Si lindi”Zonja”, si erdhi ky frymëzim. Patët ndonjë ngjarje, ndonjë ngasje të veçantë?

-Për historinë se si u krijua “Zonja” dikur kam shkruar gjatë dhe ndoshta mund të mos jem konsekuent në ndonjë gjë. Po i bie shkurt. Gjatë shërbimeve si gazetar i Radio-Tiranës, në një fshat të thellë malor kam njohur një nënë me të bijën, e cila ishte emëruar të punonte aty. Të ardhura nga një prej qyteteve kryesore të vendit, ato e kishin tepër të vështirë të ambientoheshin me jetën e fshatit, sidomos e ëma, Ollga, e cila duke u hequr si “Zonjë” qibërmadhe binte shpesh në pozita shumë komike. Kjo më ngacmoi dhe fillimisht kam shkruar një tregim, më pas e kam shtjelluar si linjë subjekti të një romani. Por nga që, e ndjeja se impresionet që pata prej tyre më ngacmonin vazhdimisht dhe më tërhiqnin drejt një komedie. Dhe në rolin e Zonjës më ishin ngulur në mendje dy aktore të shquara të teatrit, Violeta Manushi dhe Dhorkë Orgocka. Atyre ua kam kushtuar këtë komedi dhe me shumë përulje them se, pa ato komedia nuk do të kishte pasur atë sukses që pati.

 

-Si ishte historia e vlerësimit. Nxirrje realiteti. Konkursi, çmimet.

Teatri Popullor nuk e pranoi fillimisht ta vinte në skenë. Komedia fillimisht u vu në skenë në teatrin e Korçës, me regjisor Dhimitër Orgockën. Edhe aty me shumë luftë e kundërshtime, sepse disa e quanin një skeç të gjatë, por në thelb rezervat ishin ideologjike se Ollga binte ndesh me porositë e Partisë për të shkuar e për të gjetur lumturinë në fshat. Shfaqja pati shumë sukses, Dhorka ishte brilante. Gjithë trupa kishte krijuar një ansambël mbresëlënës. Më kujtohet se natën e premierës një grup kundërshtarësh të komedisë natën e premierës në Korçë, kishin zënë vend në radhën e parë të galerisë dhe kishin marrë edhe konjak e çokollata për të festuar dështimin. Por publiku e priti shfaqjen me ovacione dhe festa iu dështoi. Mbas dy-tri ditësh më thirri në zyrë, bashkë me regjisorin Orgocka, Sekretari i parë i Komitetit të Partisë, Ever Halili, për të cilin kam shumë respekt, jo vetëm se ishte shumë artdashës e sportdashës, por dhe se me ne u tregua vazhdimisht mjaft liberal e tolerant. Na tha se kishte ftuar në shfaqjen e komedisë Enver Hoxhën, i cili ishte me pushime në Pogradec. Madje e kishte gënjyer dujke i thënë se shfaqja zgjaste një orë e gjysmë, ndërsa ajo i kalonte dy orët. Na pyeti mos kishim merak për të hequr ndonjë gjë nga shfaqja. Jo, i thamë ne. Një nga instruktorët hidhet e thotë, po pse atë batutën “ku shkon mbreti më këmbë” do ta lini? .Po, i thashë sepse edhe ai nuk shkon me makinë.   Përgatitja e shfaqjes ishte një komedi më vete. Aparatçikët u shpërndanë nëpër ndërmarrje dhe institucionet për të zgjedhur spektatorët më të besuar politikisht, të cilët dhe u porositën që të mos kthenin kokën pas e të mos qeshnim shumë se s’dihej si e priste shfaqjen Ai. Unë isha ulur në një nga radhët e para me prindërit e mi, të cilët vinin për herë të parë në teatër. Sigurisht emocionet ishin të mëdha. Aktorët edhe më të emocionuar. Të tensionuar ishin edhe drejtuesit e lartë të Partisë e të pushtetit të rrethit, sepse pikërisht në këtë teatër Ai kishte goditur e groposur dy shfaqje të tjera: “Njollat e Murrme” dhe “Dimri i bardhë” Shfaqja filloi me një heshtje varri. Kaluan disa minuta por salla s’po reagonte… Heshtje. Dikur dëgjohet një e qeshur e thellë, sikur vinte nga shpella. Po qeshte ai…Salla akoma heshtte. Dhe ai tha: Po qeshni, o korçarë, qeshni se komedi është!”Aktorët u çliruan dhe shfaqja shkoi shumë mirë. Kur Enveri po dilte nga salla, në holl e kishin rrethuar apartaçikët dhe badigardët. Isha edhe unë aty, por askush nuk më paraqiti si autor të komedisë. Ai ishte i kënaqur dhe foli me superlativa. Të nesërmen bëri një takim me artistët tek ish-kampi i punëtorëve në kodër. Aty foli përsëri për shfaqjen…Dhe siç ndodhte në ato kohë për këto raste fjala mori dhenë. Filluan të mbushen gazetat, kronikat televizive…U bë dhe një mbledhje e posaçme në Lidhjen e shkrimtarëve. Dhe unë u bëra i famshëm me një komedi që ishte përfolur jo pak si vepër që i kundërvihej vijës së Partisë. Mbas këtij suksesi dhe, sidomos, pasi e pa shfaqjen Enver Hoxha dhe foli me superlativa, komedia u vu edhe në Teatrin Kombëtar, me regjisor të ndjerin Agim Qirjaqi. Violeta Manushi shkëlqeu me origjinalitetin dhe potencën e saj në skenë e një vit më vonë edhe në filmin me të njëjtin titull. Ishin vitet 1975-76.

 

-Si mendoni, pse komedia pati një komunikim kaq të mirë me publikun sa që e ndjek me interes ende sot pas 40 vjetësh?

-Posi të them, mbase nga që komedia ka një frymë tepër popullore dhe duket sikur ngjarjet dhe personazhet janë realë dhe që krijojnë afinitet njerëzor me publikun. Sigurisht janë dhe aktorët që e përcjellin me shumë sinqeritet këtë intimitet dhe këtë afeksion tek publiku. Ju jam mirënjohës me respektin më të thellë të paharruarve Violeta Manushi, Dhorkë Orgocka, Pandi Raidhit, Sulejman Pitarka, Stavri Shkurti, Vasillaq Vangjeli, të cilëve iu përulem me shumë dashuri e mall, si dhe Robert Ndrenikës, Sotiraq Bratkos, Yllka Mujos, Raimonda Bulkut, Piro Kitës e të tjerëve që interpretuan ne skenë apo në film. Sigurisht dhe regjisorëve Dhimitër Orgocka e Agim Qirjaqi për realizimin skenik dhe Pirro Milkanin për realizimin e Filmit.

-Pas “Zonjës” ju shkruat edhe “Shoqen nga fshati”. Mendon se ishte e nivelit të “Zonjës”?

-Zakonisht në këto raste, pas një pjesë të parë mjaft të suksesshme, pjesa e dytë e ka të vështirë ta arrijë atë sukses, megjithatë publiku e mirëpriti edhe shoqen. Këtu do të shtoja vetëm diçka: Për “Zonjën nga qyteti”, fillimisht pata qëndrime kritike, sepse nxija realitetin, meqë Ollga nuk e donte fshatin, kurse për “Shoqen” mora kritika të kundërta se zbukuroja realitetin. Pra shpesh krijuesi në atë kohë ishte para gjykimit: Pse i dhe ujë të ngrohtë gomarit. Pse i dhe ujë të ftohtë gomarit.

-Tani të paktën nga kjo e keqe “I dhe ujë të nxehtë apo të ftohtë politik gomarit” krijuesit kanë shpëtuar apo jo?

-Sigurisht, por shpesh ka një të keqe tjetër, nuk i japin fare ujë.