Fakte të reja nga LANÇ, dhe jeta e emigrantëve shqiptarë pas Luftës së Dytë Botërore

550
Agron MEMA
Pse Ismail Golemi nuk u arratis dhe si emigrantët shqiptar në Australi martoheshin nëpërmjet korrespodencës fotografike me femrat greke. 
Hulumtimi i sa më shumë fakteve dhe dokumenteve, rrëfimeve të dëshmitarëve okularë nëpër ngjarje dhe momente kyçe të historisë së popullit tonë, të dala këto nga pluhurosja e arkivave dhe sirtarëve të memories personale të vet protagonistëve, pastruar nga retushimet politike dhe të sjella me një vizion e këndvështrim të ri të politikës së LANÇ-it. Janë fakte që për nga këndvështrimi i ri në galaktikën historike, ku shumë yje të sajë, ndonëse me shkëlqim të fuqishëm, deri më sot janë mbuluar me re të zeza që sjellin vetëm stuhi mbi të shkuarën, të sotmen dhe të ardhmen e kombit tonë. Gjen nëpër to shumë fakte të sjella edhe nga agjencitë e huaja të shërbimeve të ndryshme që shfaqin interesa, po të ndryshme, ndaj vendit dhe historisë tonë, plotësimi i tyre nga retushimet politike e keqdashëse, sidomos Periudha e LANÇ-it në veçanti, por edhe e tërë historia jonë kombëtare. Dhe kjo është bërë jo vetëm për arsye politike, por edhe strategjike. Sepse duke goditur protagonistët e ngjarjeve madhore historike, deformohet e vërteta, fillon të përgojohet dhe gjurmët humbasin, pastaj është më e lehtë për të hedhur në veprim final të realizimit që synojnë për të ndezur vëllavrasjen, realizuar asimilimin deri në zhdukje fare të ekzistencës si popull autokton. Pra kemi shumë ngjarje dhe fakte që në të kaluarën tonë ose janë trajtuar nën efektin ngjyrues politikë të fokusit të së ashtuquajtur “Lufta e Klasave”, mbështetur në dritën e filozofisë marksiste-leniniste, ose nuk janë përmendur fare. Kjo luftë politike mori hov të vrullshëm sidomos në prag të Luftës së dytë Botërore, aq sa frontet ushtarake shqiptare, LANÇ-i dhe Balli Kombëtar me forcat e tjera nacionaliste, u përplasën në konflikte të armatosura mes njëra-tjetrës, duke formuar edhe konturet e një lufte vëllavrasëse e civile të popullsisë shqiptare. Kundërshtari politik u ndoq e u përndoq, u burgos e u persekutua me persekucionin më çnjerëzor e të madh në historinë e njerëzimit, aq sa historiografisë shqiptare i del detyrë e madhe dhe shumë e vështirë të rrëmojnë nëpër kataraktet e rrjedhave të ngjarjeve kyçe, të zbardhë të vërtetat historike të luftërave të popullit shqiptar. Dhe këtë detyrë madhore dhe të vështirë, historia dhe historianët duhet ta përmbushin me përpunimin e vijës strategjike të rishkrimit dhe rishikimit të historisë. Kjo në vetvete përbën një kauzë kombëtare me qëllim daljen në dritë të së vërtetës, të ngjarjeve dhe personazheve politike në etapa të ndryshme kohore dhe qëndrimi i tyre përballë çështjes kombëtare. Dikush është mitizuar, heroizuar, por dikush tjetër, i pushkatuar, burgosur e internuar duke i vendosur edhe epitete depersonalizimi si “armik i popullit”. Ndërkohë që kemi edhe shumë të harruar si të mos kenë ekzistuar e jo më të kenë luftuar. Një nga këto figura të harruara është edhe Ajdin Memo Bega, një nga eksponentët më të njohur të Ballit Kombëtar të Qarkut të Gjirokastrës, ish mbrojtës me armë në dorë në Konferencën e Mukjes. Veprimtaria e tij politiko-ushtarake në radhët e Ballit Kombëtar e detyroi në dhjetor të 1944-ës të arratisej nga atdheu dhe të merrte azilin politik në Australi, vendi ku punoi dhe vdiq në moshën 92 vjeçare. Si emigrant politik, hoqi dorë nga politika dhe nuk u mor kurrë me të. Ajo që e bën të veçantë figurën dhe portretin e Ajdin Begës, jo vetëm që pas arratisjes nuk u mor me politikë apo grupe agjenturore, por pas krijimit të familjes, iu përkushtua tërësisht asaj dhe punësimit. Kjo bëri që autoritetet australiane të aviacionit civil të krijonin besim dhe t’i garantonin përhershmërinë në punë, çka edhe e realizoi. Nuk u mor kurrë me politikë, se mbeti plotësisht i zhgënjyer nga ajo. Në jetën e tij u frymëzua nga nacionalizmi, por nën qeverisjen komuniste Ajdini nuk shikonte asnjë shpresë, por edhe vrasja e shumë intelektualëve të pafajshëm nacionalistë i shkaktoi pesimizëm për të ardhmen e vendit të tij nën pushtetin diktatorial të komunistëve. Sidomos e dëshpëroi shumë pushkatimi i Ismail Golemit, mikut dhe shokut të tij. Mundi të vinte në Shqipërinë paskomuniste në vitin 1995 me vitet e plakura mbi shpinë, por me një thesar kujtimesh. Shkelte tokën e tij të të parëve ku kishte lënë dhe varret e tyre, pas ikjes në atë arrati politike. Ajo tokë e ai fshat, Golëmi i tij i dashur që e rriti dhe e mëkoi, e frymëzoi me dashuri për atdheun dhe njeriun. Ai fshat që me bëmat, legjendat, historinë, këngët, dertet e bejtet, i kalitën vullnetin burrëror, trimërinë luftarake dhe një zemër plotë dashuri për njerëzit, cilësi që i shfaqi gjatë jetës së tij. Dhe ku nuk shkoi e nuk vizitoi qytete dhe monumente shqiptare, megjithëse Shqipëria notonte e vërtitej nëpër vorbulla të turbullta të tranzicionit politiko-ekonomik e social shoqëror. I gjithë vendi qe amulli, megjithëse tregohej një entuziazëm dhe shpresë për të ardhmen. Butrintin e vlerësonte si një dokument të gurtë e të sigurt të gjenezës shqiptare. Shikonte kudo Shqipërinë, vendin e tij që iku me shpresë të vrarë e humbur, megjithëse luftoi me armë në dorë për lirinë e saj. Shikonte, por diçka edhe nuk i pëlqente dhe nuk tkurrej ta shprehte: Nuk i pëlqente shkatërrimi, djegia e rrënimi. “Me këto forma nuk vjen zhvillimi, sepse do t’ju duhet përsëri t’i ringrini dhe paratë harxhohen kot për gjërat që i kini.” Dhe profecia e tij doli e saktë. Shqipëria për të cilën ai luftoi me armë në dorë, që të ishte zonjë e bukur dhe e nderuar në Evropë dhe Botë, përsëri lëngonte, a thua se qe në një skenar rrënues. Ajdini do të rrëfente edhe shumë kujtime, përshtypje, mendime e deramete në tryezat e miqve të shumtë që i mbushnin tryezën me prezencën e tyre përditë e pa pushim. Fabulisti i mirënjohur Gëzim Bega fatmirësisht ka mbajtur shënime disa kujtime, pasi dokumentet e tjera gjenden në Australi dhe janë premtuar se do t’i sjellin për gazetën”Telegraf”, por edhe miq e shokë të tij kujtojnë për gazetën tonë e sjellin kujtime nga Ajdin Bega. Ata rrëfejnë se Ajdin Bega, si nacionalist që qe, i kish mbetur peng Marrëveshja e Mukjes dhe prishja e saj, arsyet dhe dyshimet për këtë. Në kujtimet e tij Ajdini rrëfen për shenjat e dukshme para marrëveshjes së Mukjes mes dy fronteve politiko-ushtarake shqiptare, Çlirimtarja dhe Balli. Më herët ishin treguar shenjat e përplasjes së madhe që po vinte dhe tendencat drejt transformimit të saj në një lufte civile e vëllavrasëse të popullit shqiptar. Pas Luftës dhe fushatave demagoge kishin filluar dhe konfliktet e armatosura, ndonëse të rralla. Një tendencë e tillë u shfaq në përplasjen e Libohovës më 1943-in. Por kjo bëri që së bashku forcat partizane e balliste, pas kësaj beteje, më 1943 të mblidheshin së bashku për të diskutuar rreth fateve të së ardhmes. Dhe u mblodhën tek Sheshi i Çerçizit. Qe koha kur nuk qe hapur akoma konflikti i madh i armatosur midis partizanëve dhe ballistëve. Në këtë ballafaqim historik, parashtrim idesh dhe platformash, u përkrah Balli Kombëtar me mbështetje të fuqishme komunitare. Ajdini e ka merakun tek dashuria dhe respekti për njëri-tjetrin, pasi tradita e fshatit kështu e ka, kështu e do dhe kështu është vepruar. Këtë e jep edhe me detaje; ballistët kapën një partizan golëmas, se golëmas kish në të dyja formacionet politiko-ushtarake të kohës. I kapin nga hunda dhe e tërheqin rrotull. Një ballist golëmas briti me të madhe duke iu drejtuar Ismail Golemit se ai qe golëmas, vëllai dhe fshatari i tyre. Ky qe poshtërim për fshatin. Partizani u la i lirë pas kësaj ndërhyrjeje. (sikur ta kishin edhe politikanët tanë këtë traditë sot?! -shënimi im, A. M.). Kjo filozofi i ndoqi golëmasit edhe në periudhën e ndërtimit socialist ku nuk u zhvillua lufta e klasave dhe sot lapidari në mes të fshatit është i përbashkët, partizanë e ballistë, si shenjë uniteti ku megjithëse kish luftëtarë në të gjitha krahët politike, nuk pati gjakderdhje mes tyre. Por siç thamë, në mendje i kish mbetur Marrëveshja e Mukjes. Ai e quante këtë Marrëveshje si një akt historik të bashkimit të Kombit shqiptar në një front të përbashkët. Megjithëse Balli Kombëtar i kish shprehur hapur dyshimet për këtë. Kjo erdhi si pasojë e dështimit të mbledhjes së parë, e cila ishte menduar në Tapizë, por u dekonspirua dhe Konferenca u mbajt në Mukje pasi qe e pamundur zhvillimi i sajë në Tapizë pas rrethimit dhe survejimit të fshatit nga forca të shumta fashiste. E megjithatë u mbajt pas dy muajsh në Mukje në gusht 1943. Ajdini, si pjesëtar i grupit të armatosur në mbrojtje të godinës dhe përfaqësuesve të ballit Kombëtar në Konferencë, kujton se atë ditë u shoqëruan me entuziazëm të madh popullor, por edhe me terror shtetëror dhe fashist pas Konferencës. Kjo konferencë, nga pikat e sajë më të rëndësishme kish dhe ndarjen e pushteteve mes formacioneve politike shqiptare, aktive në luftën e armatosur kundër fashizmit. Kështu u krijua Komiteti i Përbashkët, i përbërë në mënyrë të përbashkët nga përfaqësues të Frontit dhe Ballit Kombëtar dhe në krye të këtij Komiteti u vu një nga krerët më të njohur të Ballit Kombëtar, Hasan Dosti. Por shpejt kjo duket se nuk u pëlqeu forcave partizane, apo më saktë dirigjentëve të orkestrës së tyre. Ndaj ky vendim i Konferencës së Mukjes nuk e kënaqi PKSH-në dhe emisarët jugosllav, kujton Ajdin Bega në bisedat dhe shënimet e tij, si një nga pjesëmarrësit në këtë Konferencë në sigurinë dhe mbrojtjen e zhvillimit të sajë dhe si një nga eksponentët kryesor të Ballit Kombëtar në Gjirokastër. Kjo solli veprime të tjera që thelluan hendekun midis dy forcave politike me përmasa katastrofike historike e kombëtare. Vet emisari jugosllav, Stoiniç, në takimin e tij të parë në Odriçan, theksoi se kish ardhur të tregonte përvojën e Shtabit të Përgjithshëm Jugosllav. Dhe dihej kjo përvojë, ndaj patëm atë pasojë, megjithëse pritej të ndodhte. Por Ajdin Bega, pas Konferencës së Mukjes dhe prishjes së marrëveshjes së saj, shprehu pakënaqësinë ndaj eksponentëve të Ballit Kombëtar dhe veprimeve të tyre, që nga Mit’hat Frashëri etj, veprime që u kushtuan shtrenjtë nacionalistëve dhe politikës shqiptare. Ideja e bashkëpunimit me forcat pushtuese gjermane për të shkatërruar Frontin NÇL, pas Marrëveshjes së Mukjes, ishte një miopi e drejtuesve të Ballit dhe rënie në kurthin e PKSH-së, e cila realizoi strategjinë e saj politike në marrjen dhe mbajtjen e pushtetit. Ndërkohë, pas kësaj analize, Ajdin Bega shprehet me vlerësime admiruese për Familjen dhe Dinastinë e Mbretit Zog i Parë. Këtë deklaratë Ajdin Bega e mbështeste me siguri tek vetvetja, se Zogu i Parë gjatë qeverisjes të tij arriti të bënte tri gjëra të rëndësishme në formimin dhe konsolidimin e shtetit të ri shqiptar, tri gjëra që i duhen shtetit dhe vetë një burri shteti për të realizuar në shërbim të kombit dhe popullit të tij. Tri gjëra historike; unifikoi dhe floririzoi lekun, pasaportën për lëvizjen e lirë dhe qetësinë publike. Nëse një politikan realizon këto, atij jepjani votën besimplotë, sepse me paranë krijon kushtet e tua ekonomike për të jetuar me mirëqenie, me pasaportë lëviz për të siguruar paranë si mjeti i domosdoshëm për jetesë dhe me rend e siguri krijon qetësinë në aktivitetin, jetën dhe familjen tënde. Qetësia që garanton shteti të jep sigurinë tek ajo ç’ka ke mundur të realizosh dhe investosh në jetën tënde dhe biznesin tënd. Megjithëse qe me ide republikane dhe jo monarkike, Ajdin Bega këtë e përmendte me krenari. Por megjithëse Ajdin Bega e kaloi jetën në emigracion politik, nisur nga përvojat e tij, e ndoshta edhe nga malli gërryes për atdheun dhe vendlindjen, i mbrujtur edhe nga idetë dhe filozofia nacionaliste, kish mendimin dhe shprehej që shqiptarët të mos i gëzoheshin shumë emigrimit. Duhet zhvillimi i vendit tënd dhe kjo vjen vetëm me kontributin tënd dhe të askujt tjetër. Kudo që të vesh e të jesh, përsëri emigrant mbetesh. Dhe këtu përmend një fakt paksa të çuditshëm e të panjohur më parë që kërkon hulumtim dhe studim nga ekspertë të historisë. Ajdini tregon se në Australi martoheshin me korrespodenca fotografike me femra greke. Ai tregon se u tregonin fotot e femrave, emigrantët zgjidhnin atë që u pëlqente. Vajzat vinin nga Greqia dhe martoheshin me emigrantin. Mirëpo përpos këtij fakti Ajdini nuk rrëfen se kush e organizonte këtë mblesëri dhe pse. Sidoqoftë kërkon investigim dhe koment korrekt profesional.. Qëndrimin e tij Ajdini e bën nga këndvështrimi i tij qysh më ’1995-n, kur shkeli për herë të parë vendin e tij pas arratisë politike. Qe koha kur demokracia në Shqipërinë paskomuniste qe një adoleshente në hapat e parë të saj dhe dyndjet masive të shqiptarëve drejt kufijve të shteteve të botës krijonin një shtrëngim gjoksi, një dhimbje njerëzore që vinte nga kjo braktisje e atdheut. Por po ta shikonte sot, përsëri gjoksi do t’i dhembte më shumë, sepse situata nuk është përmirësuar, asnjë ndryshim. Një pritje e gjatë, e lodhshme, rraskapitëse dhe e pashpresë i bën shqiptarët të dynden kufijve për arrati dhe azile. Foshnja e demokracisë shqiptare doli rakitike dhe mbeti autike. Le të përmendim dhe dy detaje të tjera të treguara nga Ajdin Bega: “Kur shkova dhe lirova disa ballistë golëmas nga komanda gjermane, m’u dhimbsën në atë gjendje që ishin katandisur. Po i lirova. Qenë fshatarët e mi. Ndërsa me Asim Zenelin kam qenë shok klase dhe akoma ruaj simpatinë për këtë shok të mirë. Qe atdhetar dhe jo komunist. Nuk e përkrahte filozofinë komuniste, as i mbështette këto ide. Qe patriot dhe atdhetar i madh. Njëherë vajtëm në shtëpinë e mikut tonë, Habil Bizhga, në Kaparjel së bashku me Ismail Golemin. Qe koha e Luftës në kulm të acarimeve të saj. Në mes asaj mikpritjeje në atë darkë të mrekullueshme pranë oxhakut të ngrohtë e miqësor, i themi që të kthehej me Ballin Kombëtar. Po miku na u kthye, se vet na mbarsët me idetë e Çlirimtares, tani na lini të pjellim me ta. Nuk kthenem më. Kam burrëri. Kish të drejtë. Në fillim të rezistencës antifashiste vet i kishim mëkuar miqtë me idetë e lirisë, nacionalizmit, luftës kundër okupatorit. Kur Lufta mori tatëpjetën dhe fatet e saj diheshin, mora vendimin të arratisesha. Parashikonim rrezikun për jetën. Kur dolëm në shpellat e Rehovës në Golëm, i thanë babait tim, Memos, se duhet të ikim, eja. Lufta mbaroi dhe fitoi partia. Por babai u tha, se do të vdiste në Golëm. U përqafuan dhe u ndanë. Dua ta përmend mikun tim Ismail Golemi si politikan dhe strateg ushtarak. Kur u varën Bulja dhe Persefoni, Ismaili u shpreh, se tani që u morëm me gra, tani e humbëm Luftën. Nuk na beson më njeri. Por atë ditën e fundit do ta kujtoj gjithë jetën. Ishim në kufi, tek Mali me Hekura. I them hajde të ikim se do të vrasin. Ismaili më tha që jo, nuk vij. Do të jap llogari këtu, se unë iu mora në qafë të gjithëve. Kështu u ndamë me njëri-tjetrin. Më pas dëgjova për qëndrimin burrëror të tij para gjyqit. Edhe faktin se në momentin e pushkatimit nuk e zuri asnjë plumb dhe me ligje ndërkombëtare falet jeta, por prokurori e pushkatoi. Ky qe Ismaili” 
Ajdin Bega vdiq në moshën 92 vjeç në Kambellton të Australisë duke lënë pas dy fëmijë, Pirron inxhinier elektrik dhe Ritën si juriste. Dy fëmijë të arsimuar mirë që ecin në gjurmët e të atit në atë të atdhedashurisë shqiptare.