Enver Memishaj/ Rreth kujtimeve të Bedri Çokut: “Arrestova” shokun tim..

1160
1. Një ngjarje e jashtëzakonshme.
Dy janë revoltat tronditëse me karakter thellësisht antikomunist, që janë regjistruar në historikun e burgjeve politike. E para, ajo e kampit të Spaçit, në vitin 1973 dhe tjetra e Qafës së Barit, në maj të vitit 1984. Përtej mobilizimit maksimal për t’i shtypur me dhunë e hekur, shteti ka bërë ç’është e mundur për t’ia fshehur opinionit të vërtetën e tyre. Të vlerësuara si ngjarje të jashtëzakonshme, me to është operuar fund e krye me procedura sekrete.Revolta nisi më 21 maj 1973, për kundërshtim të thellë e kuptimplotë të regjimit nga kundërshtarët e regjimit me parullat “Ja vdekje ja liri!”, “Rroftë Shqipëria e lirë!”, “Ju jeni katilë!”, “Populli është me ne!”, “Rroftë Europa e lirë!”, që vazhduan mbi 3 ditë në tarracën e burgut nga 100 të burgosur, që u rrethuan me shpejtësi nga mbi 4500 trupa ushtarake nga Shkodra e Tirana, të cilët hapnin zjarr nga të gjitha anët. Revolta e Spaçit i tregoi Shqipërisë dhe botës se rezistenca e popullit shqiptar vazhdoi të mbijetonte, me gjithë dhunën dhe presionin e diktaturës. Revolta e Spaçit zgjati 3 ditë, ku të burgosurit valëvitën në tarracën e burgut famëkeq një flamur të Skënderbeut, pa yllin komunist përsipër, duke kënduar dhe hedhur parulla kundër diktaturës, derisa u shtyp me gjak; 4 nga të burgosurit u dënuan me pushkatim, mbështetur në fonogramin e Enver Hoxhës- drejtuar Feçor Shehut: “Të pushkatohen jo më pak se tre dhe jo më shumë se katër vetë. Gjendjen ta mbani nën kontroll të rreptë ushtarak. Tiranë, më 02.05.1973 
Enver Hoxha: Tetë të tjerë u ridënuan me 25 vjet burg, 70 të tjerë u arrestuan dhe u rigjykuan. Përmendim me nderim emrat e djemve të rinj që u pushkatuan
1. Hajri Pashaj, babai i pushkatuar nga Feçor Shehu.
2. Dervish Bejko , babai i tij Enver Bejko vdiq në burgun e Burrelit.
1. Skënder Daja, babai i tij pushkatuar gjoja për hedhjen e bombës në Ambasadën Ruse.
2. Pal Zefi, vëllain e tij Nikoll Zefi të dënuar me 25 vjet për tentativë arratisje.
2. Çfarë solli revolta e Spaçit?
Pa hyrë në analiza të hollësishme, në radhë të parë dhe mbi të gjitha revolta e Spaçit, ishte shkëndija e parë që erdhi e ndezur deri në dhjetorin e vitit 1990. Ajo revoltë shprehu urrejtjen nda tiranisë komuniste dhe vrau frikën. Ajo revoltë frymëzoi edhe të burgosurit e Qaf Barit. Dy të pushkatuar, dhjetë të ridënuar me nga 10-25 vjet dhe shumë të plagosur e të lënduar. Ky ishte bilanci i shtypjes së revoltës së Qafë-Barit të 22 majit 1984. Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja u dënuan me pushkatim si organizatorë. Ndofta është kuptimplotë fakti që të dyja ato ngjarje kanë ndodhur në fillim të pranverës, në muajin maj, atëherë kur natyra gjallëron e lulja çel…
3. Ata ishin të burgosur të zakonshëm, por që u munduan të bënin të jashtëzakonshmen.
Dyzet e dy vjet më parë të burgosurit politikë të kampit famëkeq të Spaçit, ngritën krye me thonj e duar, por me zemër luani dëbuan nga kampi policët dhe ngritën flamurin kombëtar pa yll. Bedri Çoku ishte njeri nga heronjtë e asaj revolte heroike, ishte pikërisht ai që ngriti flamurin kombëtar, siç na e kishin lënë të parët tanë, pa yllin komunist.
Dhe Bedriu kthehet pas 42 vjetëve tek ajo ngjarje, tashmë për ta evidentuar dhe për të lënë një dokument të historisë së asaj periudhe gjakatare me librin “Arrestova”, shokun tim…” Bedri Çoku ishte një meteor që ndriti në errësirën e kampit të Spaçit, por me gjashtë veprat e botuara prej tij po ndrin edhe sot në liri. Drita që vjen prej tij, nuk u zhduk në errësirën e Spaçit dhe ndriçon akoma më shumë sot me veprën e tij.
Edhe kur të largohet nga kjo botë ai do të na lërë pas veprën e tij, pra ai mbetet një meteor që lëshon dritë të përjetshme. Bedriu vazhdon të shkruaj e botojë me bindje se po i jep shoqërisë sonë një vepër të vlefshme që do t`i rezistojë kohës, sepse është nxjerrë nga rënkimet e një populli të shtypur për afro 50 vjet, me shpresë se ai po e bën detyrën e tij, duke realizuar një ëndërr të vjetër.
Por ne të tjerët, a e bëjmë detyrën tonë?
Ç`qëndrim mbajmë kur marrim në dorë veprat e tij? Përse heshtim? Përse gazetat dhe televizionet nuk propagandojnë veprën e tij, kur janë të mbushura me letërsinë rozë?
I ndarë nga jeta që në moshën 20- vjeçare, i mbyllur në birucat e zinj të komunistëve, kishte mbajtur të mbyllur edhe veprën e tij që të shpërthente në dhjetorin e vitit 1990.
Ai po na lë veprën e tij, që ata që vijnë pas nesh të kuvendojnë me të…
Duke lexuar novelën e Bardi Çokut “Arrestova shokun tim”, më vjen ndërmend thënia e Indro Montanelit se “Historianët, por nuk dinë ta tregojnë historinë”. Berdi Çoku ka marrë përsipër pikërisht këtë të na tregojë historinë e Revoltës së të dënuarve politik të Spaçit të vitit 1973, me gjuhë të bukur artistike, por me emra të vërtetë.
Autori do t’u tregoj shqiptarëve diçka më tepër për atë përpjekje të të dënuarve të kampit të Spaçit, të kthyer në skllevër të galerive të nëntokës sidomos për tragjedinë e atyre që u shkuan në plumb vetëm për një grevë dhe për ngritjen e flamurit pa yll.
Autori me këtë libër nuk ka shkruar histori, ndonëse aty ka jo pak histori, por me talentin e tij ai shtjellon atë histori të dhimbshme.
Ende historianët nuk janë marrë me atë ngjarje e kjo e ka nxituar apo nuk e ka penguar Bedri Çokun që nëpërmjet artit të tij, të na tregojë historinë e majit të vitit 1973. 
Në këtë libër Bedri Çoku me talentin që e karakterizon tregon se, si u përgatit dhe se si shpërtheu ajo revoltë heroike, me emrat e vërtetë të atyre që dolën në krye dhe u bënë flamur frymëzimi për shokët e tyre.
Në atë betejë, thotë autori, secili vullnetarisht merrte përsipër detyra të vështira …
Autori përmend me respekt e përulësi emrat e atyre heronjve që s`pyetën për vdekjen, që nuk e njihnin frikën, atyre që dolën në krye dhe në udhëheqje dhe që u bënë flamur i lirisë në ato vend ku humbiste shpresa.
Lukja është përfaqësuesi tipik i vuajtjeve dhe tmerreve që hoqën ata që patën fatin e zi të burgoseshin dhe internoheshin në kohën e komunizmit.
Skënder Daja, të cilin shokët e tyre e mbajtën mbi supe kur ai u bëri thirrje ushtarëve “për të mos zbatuar urdhrat e komandantëve, nderi juaj është të bashkoheni me ne, mos harroni se kur të liroheni ju prêt varfëria dhe skllavëria në kooperativë…”
Nga çasti në çast ky djalë trim mund të vritej, por ai s`pyeti për jetën, zëri tij oshtinte mes maleve dhe e detyroi komandën e burgut ti zëvendësonte ushtarët me polic… 
Ulsi Pashollari me të cilin u bashkua Dashnor Kazazi të cilët nëpërmes krismave të mitralozit dhe fishkëllimës së plumbave shqyen dyert e birucave dhe liruan shokët e tyre.
Mersin Vlashi nga Burreli që pikturoi shkabën e flamurit pas refuzimit që kishte bërë një piktor i burgosur.
Flamuri u valëvit dy ditë e dy net dhe për ta ruajtur flamurin dolën vullnetarë Shuapir Ibrahimi, Ndrec Çoku, Jonus Norja.
Po kështu përmendet Hodo Sokoli, Sami dangëllia, Luan Koka, Syrja lame, Jorgo Papa, Dashnon Kazazi etj.
Emrat e atdhetarëve të burgosur
Autori rreshton emrat e atyre atdhetarëve të burgosur që menduan dhe ngritën flamurin pa yllin komunist: Berdi Çoku, Lukja, Gëzim Medolli, Dervish Bejko, Kostandin Papa. Naim Pashaj, Ulsi Pashollari, Murat Marta. Gëzim Çela, Demir Pojani, Feti Kumanaku, Elez Hoxha, që u frymëzuan për ngritjen e flamurit të Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit.
Duhet të përulemi me nderim përpara këtyre burrave trima që mund të mos dinin shumë gjëra sepse regjimi i kishte lënë në errësirë, por ata dinin atë që është më e rëndësishme për një atdhetar ata njihnin flamurin e kombit të tyre dhe për të ishin gati të bëheshin fli.
Me ata të burgosur që në atë revoltë heroike iu bashkuan Komandës së burgut, apo më mirë Sigurimit të Shtetit, Bedri Çoku falë shpirtit tij fisnik tregohet shumë i kursyer, mezi përmend piktorin, pa ja shqiptuar emrin, Mehdi Nokun dhe më pas dëshmitarët e gjyqit: Agostin peçi, Muhamed Kosovrasti, Thanas Theodhoraqi, Ilia Dhima, Zenel Balliu, Pandeli Pjetri, Miltiadh Papa, Hilmi Freskina. Këtë mungesë autori e ka “plotësuar” me emrat e kryekriminelëve të gjykatës: Ilmi Telegrafi, Ymer Aliko, Mit`hat Goskova, Ylli Mahmutaj dhe prokurori Zaim Myftari. “E ngritëm flamurin kombëtar të skuqur me gjakun tonë mbi tarracën e pallatit trekatësh, dhe, për kënaqësinë tonë Ai, magjishëm, filloi të valëvitej sikur shqiponja e pikturuar në të ishte vetë flladi I shpirtrave tanë”, dhe u betuan: Vdekjen po, flamurin JO!
“Në këto çaste të pa përsëritshme, shkruan autori, me siguri dora shpëtimtare e Perëndisë ka qenë ajo që shmangu plumbat e mitrolozëve dhe automatikëve të karakollëve pa lënduar asnjë të burgosur”. Për turpin e tyre komunistët përsëritën veprimin e mbi 600 vjetëve më parë kur turqit u prenë ujin shqiptarëve të rrethuar. Ashtu si në vitin 1400 edhe komunistët u prenë ujin, bukën dhe çdo furnizim tjetër të burgosurve, duke treguar kështu fytyrën çnjerëzore, mesjetare. Ylber Merdani zgjidhi problemin e ujit të pijshëm për të burgosurit, duke i furnizuar shokët e tij me ujin e rezervuarve të dusheve, paçka se ujë nuk pihej, por ishte lufta për ekzistencë… Të burgosurit të vendosur për idealet e tyre për liri nuk pranuan që dyqani ushqimor i shtetit me gjithë se të uritur nuk duhej të grabitje dhe për këtë u vunë dy roje M. Marta dhe D. Bejko. Pas këtyre veprimeve të burgosurit kaluan në fazën e riorganizimit të revoltës krijimi i Këshillit Krahinor, i cili tashmë merrte vendimet për vazhdimin e revoltës në kushte të tjera. Me talent dhe me penën e tij të magjishme Bedri Çoku ka sjellë një paralelizëm ndërmjet egërsisë së policëve komunist dhe Tartit, një qen që jetonte brenda kampit. Ky qen ndryshe nga policët, njeri “Kacafytej me policët sa herë kërkonin ta largonin nga i burgosuri që vuante, po Tarti u turrej për t`i kafshuar dhe ata tërhiqeshin”. Autori na lë të besojmë se polici komunist ishte më çnjerëzor se një qen. Për këto arsye Tarti ishte bërë i dashur për të gjithë të burgosurit, aq sa kur u shtyp me dhunë revolta edhe Tartin e helmuan dhe pastaj e varën. Të burgosurit e qanë me lot hidhërimi Tartin e dashur…Pjesa e dytë e librit “Pse e “arrestova”, shokun tim të kryengritjes “? Lexohet me lot në sy, falë ngjarjes që tregohet dhe kurtheve që autori i bën lexuesit, të treguara me talent dhe me një gjuhë të bukur artistike. 
Rëndësia e librit
Rëndësia e librit të Bedri Çokut qëndron në faktin se, ndërsa për revoltën e Spaçit të vitit 1973, janë botuar shumë shkrime, Bedri Çoku është ndryshe nga të tjerët, e tregon atë ngjarje te përgatitur, me ndërgjegje dhe me qëllime të qarta dhe që pritej vetëm shkaku për të shpërthyer, pra ndryshe nga të tjerët që e kanë treguar si revoltë spontane.
Njohim pak vepra letërsi historike, ndërsa për ngjarjet e ditëve tona me sa di unë nuk ka. Vepra e Bedri Çokut është një shembull jo vetëm për temën që trajton, por edhe mënyrën se si e trajton, me gjuhën e bukur artistike, me emra konkret, dhe me ngjarje që nuk dalin nga kuadri historik. Libri është shërben edhe si një dokument i vërtetë, për sot dhe me shumë nesër, ku studiuesi apo lexuesi i thjeshtë nuk ka nevojë të gjurmojë dokumente të kohës kur këtë ngjarje e gjen në një libër të vetëm. Libri lexohet paraqet interes dhe lexohet me kënaqësi dhe emocione të forta, pasi zbulon galeritë e thella të krimeve komuniste, për njerëz të kthyer në skllevër, për të vetmin faj se ishin adhurues të fjalës së lirë. Gjuha e thjeshtë, plot kolorit e tërheq lexuesin dhe librin nuk mund ta heqësh nga dora po fillove ta lexosh.
Presidenti i Republikës z. Bujar Nishani, më 6 dhjetor 2015 dekoroi: Pal Gjet Zefin, Dervish Bejkon, Skënder Dajën, Hajri Pashajn (pas vdekjes) me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” me motivacionin: “si protagonist i një revolte me rëndësi historike, dëshmor i qëndresës heroike kundër diktaturës çnjerëzore komuniste, në emër të vlerave të patjetërsueshme të lirisë e demokracisë, të dinjitetit njerëzor dhe shpresës për një Shqipëri evropiane”. Si dhe Mersin Vlashin (pas vdekjes): “si protagonist i një revolte me rëndësi historike, artist krijues i flamurit pa yllin komunist, që udhëhoqi kryengritjen heroike kundër diktaturës çnjerëzore komuniste, në emër të vlerave të patjetërsueshme të lirisë e demokracisë, të dinjitetit njerëzor dhe shpresës për një Shqipëri evropiane.”

Shkrimi i plotë u botua në Gazetën Telegraf të datës 09.12.2015
Sigal