Rrëfimi i gjeneralit Kosta Karoli/ Konflikti i armatosur, gati 300 mijë ushtarë për 24 orë dhe si realizohej për 3 minuta zjarr i përqendruar në rast shkelje të kufirit. Shkollat ushtarake dhe heqja e marksizmit

1355
Sigal

Leopard VAIZI

Konflikti i armatosur, gati 300 mijë ushtarë për 24 orë. Akademia e Mbrojtjes, si e hoqëm marksizmin që në vitin 1985

ARKIV/ Flet Gjeneral Major në rezervë Kosta Karoli, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë

(Vijon nga numri i kaluar)

Nëse lufta do të fillonte krejt papritur, pa paralajmërime, dhe pa përqendrim të trupave armike në vijën e kufirit, ushtria shqiptare ishte përgatitur që për 2-3 minuta nga shkelja e territorit shqiptar nga çizmja e ushtarit të huaj, të hapte zjarrin e parë me mitralozat e rëndë të cilësuara si “armë roje, apo me anë të batalioneve që gjithashtu quheshin “art-mitraljer”. Por si do të riorganizohej ushtria Shqiptare, pas eliminimit të njëpasnjëshëm të dy ministrave të mbrojtjes, Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut. Ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm në vitet 1991-1992, Gjeneral Major Kosta Kroli, gjatë intervistës së tij ekskluzive për gazetën “Telegraf” tregon detaje nga ky riorganizim i cili do ta shpërndante ushtrinë nga 9 korpuse, në 22 Divizione:

Çfarë solli riorganizimi i ushtrisë, në vitin 1983, shkrirja e korpuseve dhe formimi i divizioneve?

Riorganizimi i ushtrisë, nga korpuse në formimi i divizioneve ishte një problem që është diskutuar me njëri – tjetrin dhe në atë kohë, jo për të kundërshtuar por për të evidentuar argumente pro dhe kundër. Personalisht edhe në seminarin me kuadrot kryesore të zhvilluara në Maj të vitit 1983, kam thënë se krijimi i divizioneve realizonte më së miri mbylljen e drejtimeve, përmirësonte drejtimet dhe rajonizimin e reparteve e njësive, shkurtonte kohën e hapjes, kompletimit, etj.

Ishte e domosdoshme një strukturë me 22 divizione?

Teknika luftarake, sidomos artileria tokësore u nda për të krijuar reparte për divizionet e rinj. Kështu u krijuan divizione edhe atje ku nuk ishte e nevojshme. Kjo solli një përhapje më të madhe të ushtrisë.

Në sa pika ishte e hapur ushtria?

Në vitin 1991 ishte e përhapur në 1546 pika, me pak ushtarë. Kështu u ul cilësia e stërvitjes. U rrit ngarkesa në shërbim ku mesatarisht oficeri bënte 7 – 8 shërbime në muaj, ndërkohë në bateritë kundërajrore, në bateritë e artilerisë bregdetare, në repartet e këmbësorisë e aviacionit bënin 10 – 14 shërbime në muaj. Investimet që u kryen, jo vetëm u bënë për efektiva të vogla, por në tërësi ato nuk sollën atë që pritej në përmirësimin e kushteve të jetesës e të stërvitjes së efektivave.

Cilat ishin normat e gatishmërisë, së ushtrisë, duke marrë si pikë referimi ushtrinë izraelite që njihet si me normat më të larta të gatishmërisë në botë?

Çdo ushtri, sipas detyrave që kryejnë repartet e njësitë e saj, llojeve të ndryshme të armëve e të shërbimeve, cakton dhe normat e gatishmërisë së saj. Kështu që krahasimet në këto raste nuk janë shumë të drejta. Por meqenëse përmendni Izraelin mund të them se në thelb, sistemi ynë i mobilizimit ishte i përafërt me atë të Izraelit dhe atë të Zvicrës. Për më tepër për një periudhë kohe të caktuar, rezervistët tanë në zonat e desantimit ajror, mbanin në shtëpi armatim personal dhe uniformën. Por pa u zgjatur dëshiroj të theksoj se normat e gatishmërisë në atë kohë ishin shumë të larta dhe për t’i arritur ato bëhej një punë e vazhdueshme. Kjo vlerësohej si një nga treguesit kryesorë të punës që bënin kuadrot e shtabet e ushtrisë sonë.

Keni drejtuar për 8 vjet Akademinë Ushtarake, cili ishte niveli i kësaj Akademie?

Drejtimi i Akademisë Ushtarake, e cila sot quhet Akademia e Mbrojtjes, ishte një detyrë e vështirë jo vetëm për faktin se atje vinin për studime kuadro të dalë në repartet, por edhe për kërkesat gjithnjë e në rritje të një institucioni kërkimor shkencor me kuadrot më të mira të ushtrisë, me përvojë të madhe drejtimi e komandimi. Në vitin 1985, pas një studimi e diskutimi të thellë e të gjatë, u realizua një ndryshim rrënjësor i programeve dhe bazës materiale mësimore. U hoqën nga programi lëndët e teorisë marksist – leniniste dhe u futën lëndë të reja si gjeografia ushtarake, organizim e drejtim luftimi (operacioni), historia e mendimit dhe e artit ushtarak, doktrinat e ushtrive të huaja, informatika, etj.. U rrit numri i stërvitjeve të shtabit e komando-shtabi dhe ai i detyrave të shkurtra. U futën trajtimet e problemeve, filmi mësimor, diapozitivat, etj.. Akademia Ushtarake u bë qendra e përpunimit të mendimit shkencor të kohës. Për ndryshimet në program, ne na u desh të nxirrnim nga literatura e huaj, programet mësimore të Akademive Ushtarake të mjaft shteteve perëndimore dhe unë sot e kujtoj me respektin më të madh atë punë të guximshme e me nivel profesional të trupës pedagogjike të Akademisë. Nuk ishte e lehtë të hiqje nga programi lëndët e marksizmit dhe të trajtoje në mësim Klauzevicin, Zhamonin, Moltken, Guderianin etj..

Literatura ishte vetëm ajo e lindjes apo kishte dhe përvojë nga ushtritë perëndimore?

Për sa i përket nivelit të Akademisë dhe literaturës së huaj po i përgjigjem shkurt. Të gjithë ata që kishin mbaruar Akademinë Ushtarake dhe në vitet pas 1990, dhe shkuan për specializime të ndryshme në vende të ndryshme të NATO-s, janë shprehur se Akademia jonë Ushtarake, ka qenë në të njëjtin nivel me ato të perëndimit. Mund të përmend një rast, ku në një stërvitje të shtabit të kolegjit të mbrojtjes të një vendi anëtarë të NATO-s, një ish- akademisti ynë raportoi, Zëvendësshefi i Shtabit të këtij vendi e pyeti se ku e kishte mbaruar shkollën dhe pasi dëgjoi përgjigjen u shpreh: “Paskeni një shkollë shumë të mirë!”. Për sa i përket literaturës, Akademia Ushtarake kishte fatin që bënte abonime në revista ushtarake të huaja. Në ato vite në Akademinë Ushtarake vinin çdo muaj 16 tituj revistash nga Perëndimi dhe 17 nga Lindja, pa llogaritur këtu librat e ndryshëm ushtarakë. Të gjitha këto futeshin sipas tematikave në programin e procesit mësimor, në informacione të ndryshme për udhëheqjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe për repartet e ushtrisë.

USHTRIA

Fuqia njerëzore dhe ajo e zjarrit

Ushtria Shqiptare në vitet ’80-‘90 ka pasur në përbërjen e saj:

-22 Divizione

-Mbrojtja Kundër Ajrore (AKA),

-Flota Luftarak-Detare (FLE)

-Aviacioni

-Efektivi përbëhej nga:

-rreth 16.500 oficerë

-rreth 9.000 nën/oficerë

-rreth 60.000 ushtarë

-rreth 8.000 civilë

-rreth 450.000 rezervistë

-rreth 230.000 Forca Vullnetare

-Ishin 127 Brigada, Këmbësorie, Artilerie dhe Sulmuese

-Ishin 34 regjimente të artilerisë kundërajrore

-Ishin rreth 1050 tanke inkuadruar në 9 brigada e dy batalione

-Ishin 4.000 gryka zjarri artilerie tokësore

-Ishin më shumë se 100 anije të Luftës Luftarake Detare

-Ishin rreth 240 avionë e helikopterë të Flotës Ajrore

 

GATISHMËRIA

Lufta e Ftohtë, përgatitje për “luftën e nxehtë”

Nga politikanët e pas viteve ’90, por edhe nga përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile, është hedhur teza se ushtria shqiptare e pas vitit 1945 edhe pse shumë e armatosur, nuk e provoi veten se sa e aftë ishte në luftë. I pyetur rreth kësaj teme, ish shefi i shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, Gjeneral Major Kosta Kroli, thotë: “Edhe Zvicra që ka 300 vite pa bërë luftë, ka një ushtri që e modernizon e përgatit, një popull të tërë që e ka rezervist. Shpesh herë me naivitet njerëzit thonë, përse duhet ushtria. Në sistemin shumëpartiak është shtylla më e qëndrueshme dhe më e sigurt. Unë nuk dua të bëj krahasime, por më është dhënë mundësia të ndihmoj shumë popullin nëpërmjet xhenios dhe njësive të tjera. Kam dëgjuar shumë njerëz të thjeshtë, që ushtria e bën më mirë këtë luftë. Ushtria në gjithë botën mbahet dhe përgatitet për luftë. Unë i di mirë se cilat janë dëmet e luftës dhe do thosha i pari që të mos u vijë lufta. Në atë kohë që u armatos fort dhe ushtria shqiptare, kanë qenë dy blloqe dhe nuk kemi qenë vetëm ne që përgatiteshim. Ishin miliona ushtarë përballë njëri-tjetrit. Shqipëria nuk mund të ishte e shkëputur nga pjesa tjetër e këtij realiteti. Për një periudhë nuk kishin teknologji të lartë, por kishim njerëzit të përgatitur. Edhe fqinjët tanë nuk kanë bërë luftë, megjithatë ata ushtrinë e mbajnë”.

 

Mbrojtja

Shkelja e kufirit, për 3 minuta zjarr i përqendruar

Por si ishte parashikuar të bëhej hapja e ushtrisë shqiptare në rast të një konflikti të armatosur? Ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Gjeneral Major Kosta Kroli, shpjegon formacionet e luftimit frontal:Në kufi, mitralozat e rëndë (armët roje), bateritë e gatshme të artilerisë kundërajrore, hapnin zjarr për 2-3 minuta. Për 20-30 minuta, batalionet mitraljerë në vijën e kufirit kishin bërë gati për luftim 25-27 mitraloz të rëndë. Po kështu për 15 – 20 minuta, artileria tokësore e gatshme kishte hapur zjarr. Brigada e këmbësorisë të skalioneve të para, për 5-6 orë kishte zënë brezat e mbrojtjes. Brigadat e tankeve për 2-3 orë ishin bërë gati për luftim. Gjithë efektivat e ushtrisë e të Forcave Vullnetare, kishin zënë vendet e këtyre detyrave luftarake brenda 24 orëve. Gatishmëria teknike e Flotës Detare, Aviacionit dhe Teknikës luftarake, ishte në masën 90 për qind e më shumë. Në vitet e fundit, në takime me kolegë të vendeve fqinje, kur diskutohej për këtë problem, ata shpreheshin se: “Ne ishim të çuditur me shkallën e lartë të gatishmërisë luftarake të ushtrisë tuaj”.

VIZITA

Enveri dhe Byroja Politike, zbarkim në shkollat ushtarake

I pyetur se sa rëndësi i jepnin krerët e shtetit të atëhershëm një shkolle ushtarake dhe cilët prej tyre e kishin vizituar ambientet e këtyre shkollave, ish-komandanti i Akademisë së Mbrojtjes, dhe më pas Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Gjeneral Major, Kosta Kroli, thotë: “Për vetë rëndësinë e punës që zhvillohej në Akademi, për nivelin e lartë për të cilin përgatiteshin kuadrot që studionin, Akademia ka qenë në vëmendjen e Ministrit të Mbrojtjes dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Por në të njëjtën vëmendje e shihnin Akademinë dhe instancat e tjera më të larta. Kjo shprehej në mbështetjen e madhe materiale e financiare, si dhe në pjesëmarrjen e veprimtaritë e ndryshme të Akademisë. Ishte bërë traditë që në mbrojtjen e temave të diplomave, pothuajse çdo ditë, të ishte i pranishëm një nga anëtarët e Qeverisë apo të Byrosë Politike. Kurse në 10 Korrik 1983, në një takim me efektivat e shkollës ushtarake, ishte i pranishëm dhe Enver Hoxha”.

Dhënë për “Telegraf”, më 2006

(Vijon nesër)

NESËR DO TË LEXONI

-Emërimi si Shef i Shtabit, në një kohë trazirash

-Ligji për gradat dhe reformat e parë të ushtrisë

-Puna 41- vjeçare më 17 ministrat e Mbrojtjes