Eksodet e Vlorës dhe busti i Hysni Kapos

1303
Nga Ergys Alushi
Mbytja e peshkatores së parë në detin e Brindizit. Në cisternën ushtarake u gjet dhe një sasi armatimit, 24 pushkë, pistoleta, granata dhe qindra fieshekë.

Dy prej tubuesve u dërguan të plagosur në spital, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Në ditët e fundit të muajit shkurt 1991, grupe të mëdha të rinjsh kishin pushtuar sheshet para portit detar, portit të ri dhe përgjatë gjithë bregdetit, në pritje të ndonjë anijeje dhe rrëmbimit të saj me dhunë, deri edhe në përdorimin e lëndëve plasëse.
Të martën e datës 26 shkurt, ora 18.50, një sasi eksplozivi shpërtheu në derën e banesës së kryetarit të PD për Vlorën, Afrim Jupi
Rrëmbehet anija me grurë, 1 i vrarë e 3 të plagosur.
Fushata e parë pluraliste dhe “Çeku i bardhë” i Gramoz Pashos.
Ndërsa në qytet shtohen mungesat e ushqimeve, në fshat njerëzit kanë filluar të dëmtojnë pronën e përbashkët, stallat dhe çdo gjë tjetër që është e shtetit
Deficiti prej 1 janarit llogaritet në 58.1 milionë lekë prodhime
16.750 punonjës vlonjatë ishin përfshirë në grevë. Të enjten e datës 23 maj, mijëra grevistë pasi u grumbulluan në sheshin para stadiumit “Flamurtari” u drejtuan me këmbë për në Sheshin e Flamurit
Në prag të çeljes së Kongresit të 10 të PPSH, 10 qershor 1991, Vlora ishte e izoluar.
Zjarri i hapur dhe informacionet për të plagosur mes njerëzve që kërkonin të largoheshin e acaroi turmën, e cila mbajti peng për disa orë drejtues të Degës së Punëve të Brendshme të Vlorës që erdhën në vendngjarje për t’u njohur nga afër me situatën e krijuar
Në numrin e datës 23 qershor, do të hapte një rubrikë për lexuesit me titull “A ka ekzistuar “blloku”në Vlorë?” ku nëpërmjet 7 pyetjeve i ftonte lexuesit që t’u përgjigjeshin me shkrime të dërguara në gazetë. 
Sulmohet Komiteti i Qytetit dhe studio e piktorit Agron Dine
Pse pas vendosjes së qetësisë në port, policët sulmuan turmën e të rinjve? Kush i urdhëroi? Pse disa policë u futën në ndërtesën e Komitetit dhe një prej tyre shtinte me armë nga tarraca? Cili ishte misioni i Anijes “Durrësi” dhe cili ishte organizatori?
Tre ditë pasi Sekretari i Parë i Komitetit Qëndror të PPSH, Ramiz Alia, kishte zhvilluar një miting me rreth 3 mijë veta në Pallatin e Sportit të Vlorës, të premten e datës 15 shkurt 1991, në qytet do të mësohej lajmi i mbytjes 2-3 milje larg Brindizit, i motopeshkatores “Jonufra”. Informacionet që vinin nga Italia flisnin se në bordin e mjetit lundrues, pronë e ndërmarrjes së peshkimit të Vlorës, ishin shpëtuar nga mbytja 22 pasagjerë të paidentifikuar, midis të cilëve edhe një grua. Bashkë me “Jonufra” drejt Italisë me pagjerë të paidentifikuar e në kundërshtim me rregullat e kufirit, kishte udhëtuar edhe motopeshkatorja tjetër “Hiqmet Dushi” Të dy mjetet kishin kërkuar strehim në portet italiane, njëra në Otranto e tjetra në Brindizi. Ky mund të jetë edhe rasti i parë i ikjes klandestine të shqiptarëve për në Itali me ndihmën e mjeteve detare në pronësi të shtetit. Vlora në këtë kohë e në vazhdim, nuk do të ishte më e qetë. Megjithë entuziazmin që 3 mijë vetat i dhuruan udhëheqësit komunist në Pallatin e Sportit, entuziazëm që ia ndërpreu shpesh herë fjalën, mijëra të tjerë ishin në një varfëri që sa vinte e rëndohej nga mungesat gjithnjë e më të shumta të artikujve ushqimorë në tregjet e dyqanet e qytetit.

Anija cisternë 800 tonëshe
Të premten e datës 22 shkurt, agjencitë italiane të lajmeve njoftuan se në portin e Brindizit u fut një anije cisternë ushtarake shqiptare 800 tonëshe. Në anije u gjetën 27 vetë, 3 prej të cilëve civilë si edhe 230 ton naftë. Komentatorët e ndryshëm e cilësuan këtë si një ballafaqim tjetër midis diplomacive të të dy vendeve, për faktin se ligjet italiane parashikojnë ndëshkime të forta për anijet ushtarake që hyjnë pa leje në portet e saj. Në anije u gjet dhe një sasi armatimit, 24 pushkë, pistoleta, granata dhe qindra fieshekë.

Tubimi që përfundoi me plagosjen e dy vetave
Në numrin e saj të datës 24 shkurt 1991, gazeta “Zëri i Vlorës” shkruante me gërma të mëdha “Koha kërkon urtësi, punë, mirëkuptim” duke vazhduar me nëntitullin “Forcat e errëta kërcënojnë demokracinë dhe zgjedhjet e lira”. Në Tiranë, vetëm pak ditë më parë, në 20 shkurt, ishte rrëzuar busti i udhëheqësit komunist Enver Hoxha. Ashtu si në shumë qytete të Shqipërisë, edhe në Vlorë, qindra njerëz, u organizuan në tubime në mbrojtje të udhëheqësit dhe deklaroheshin për vazhdimin e veprës së tij. Në një tubim të tillë të organizuar paraditen e ditës së shtunë, ora 9, para ndërtesës së Komitetit të PPSH së Rrethit, pjesëmarrësit u sulmuan me gurë e me dhunë nga një grup të rinjsh. Dy prej tubuesve u dërguan të plagosur në spital, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë. Ditën e ngjarjes, si PPSH dhe PD e rrethit u bënë thirrje mbështetësve të tyre që të shpërndaheshin paqësisht nëpër shtëpira.

Mbushen sheshet para porteve
Por, njerëzit nuk ishin më të qetë. Ata kërkonin të largoheshin me çdo kusht nga qyteti, nga vendi. Në ditët e fundit të muajit shkurt 1991, grupe të mëdha të rinjsh kishin pushtuar sheshet para portit detar, portit të ri dhe përgjatë gjithë bregdetit, në pritje të ndonjë anije dhe rrëmbimit të saj me dhunë, deri edhe në përdorimin e lëndëve plasëse. Në disa raste përplasjet fizike me policinë kishin qenë aq të ashpra sa policët kanë përdorur edhe armët e zjarrit për të kryer detyrën. Rrethimi i porteve me njerëz të shumtë kishte penguar ardhjen e anijeve me grurë, peshkatarët paguheshin me 80%, banorët e ishullit të Sazanit nuk vinin dot në qytet, duke paralizuar kështu një pjesë të mirë të ekonomisë dhe jetës së qytetit. Nga ana tjetër, në një nga këto ditë, kur në Skelë grumbulloheshin qindra njerëz për të ikur në Itali, në një miting në Drashovicë, Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Rrethit, Halil Hasko, do të deklaronte “Populli i rrethit të Vlorës mbështet thirrjen e shokut Ramiz Alia për të vendosur rregullin dhe qetësinë në vend dhe për të shkuar normalisht në zgjedhjet e 31 marsit. Kush do demokracinë, të punojë me mjete demokratike, ndryshe do t’i vihet nga populli vula e terroristit…”( botohet me shkurtime )

Shpërthim eksplozivi në banesën e kryetarit të PD, Afrim Jupi
Të martën e datës 26 shkurt, ora 18.50, një sasi eksplozivi shpërtheu në derën e banesës së kryetarit të PD për Vlorën, Afrim Jupi. Kryetari i Hetuesisë së Rrethit të Vlorës Bujar Himçi, do ta raportonte kështu ngjarjen “Nga shpërthimi i eksplozivit u dëmtua dera e jashtme e banesës, disa pllaka në pragun e derës, xhami i derës së kuzhinës, dy xhama në dritaren e banjos, një glob dhe gota qelqi. Në kohën që ndodhi shpërthimi në banesë ndodhej vetëm Drita Jupi, e cila ishte duke larë korridorin. Buk pati dëmtime në njerëz…”( botohet me shkurtime )

Rrëmbehet anija me grurë, 1 i vrarë e 3 të plagosur.
Ndërsa nga seksioni i organizimit në Komitetin Ekzekutiv të Komitetit të Partisë së rrethit, udhëzoheshin mbi plotësimin e fletëvotimeve dhe vlerësimin e tyre në përfundim të votimeve nga komisionet e qendrave të votimit, në datën 28 shkurt, ora 8, një gryp qytetarësh u futën forcërisht në portin detar dhe rrëmbyen anijen e transportit “Kanina”, e cila ishte duke shkakruar grurë në portin detar dhe e detyruan të nisej për në Itali. Gjatë rrëmbimit ka patur shkëmbime zjarri dhe për pasojë pati një të vdekur e tre të plagosur, midis 117 të ikurve. Në hambarët e saj u gjetën 1800 kuintalë grurë të destinuar për ushqimin e qytetit të Vlorës. Autoritete bashkiake në Otranto deklaruan se anija bashkë me grurin dhe trupin e të vrarit, do të kthehen në Vlorë. 
Po ato ditë u rrëmbyen edhe anijet “Lezha”, motopeshkatorja “4 Heronjtë” nga 142 persona dhe shallandra “Currilat”.

Bilanc i dhimbshëm
Bilanc i dhimbshëm ky i javës së fundit: mijëra njerëz të ikur pa adresë drejt së panjohurës, dy të mbytur, dy të humbur, dhjetëra të plagosur nga turmat e shfrenuara e të ligështuara nga etja dhe uria, një flotë anijesh transporti, peshkatore apo të ushtrisë, që dergjen në portet e huaja, tre prej tyre të mbytura a të përplasura. Në mjediset e portit të ri, në portin e vlorës, në skelë e gjatë bregdetit, pamja mbas valës së të ikurve të befason. Zyrat e kantierit të ndërtimit të portit të ri të kujtojnë më shumë shpellat e nxirra nga tymi, sesa administratën e re të sapondërtuar. Është djegur e shkatërruar gjithçka: dyert, dritaret, karriket, tavolinat, rasftet, dokumentacioni teknik. Muzeu i Pavarësisë është zhveshur nga jashtë, kanatat e dritareve janë përdoriur për dru zjarri, pllakat te porta është shqyer, lulishtet e ngritura me aq mund e djersë, krenari e Vlorës, janë shpërdoruar, stolat kanë përfunduar në dru zjarri dhe njësitë e shitjes janë grabitur. T’u ndalet dora hajdutëve e matrapazëve që në situatën e krijuar kanë gjetur japësirë për të vepruar lirisht. Nën goditjen e tyre janë dyqanet, magazinat, fabrikat…” ( botohet me shkurtime )

Nga Italia raportohen shifra
Gjendje e rënduar me të ikurit shqiptarë në të gjitha portet pulieze. Shumë prej tyre janë të detyruar të qëndrojnë jashtë në kushte të vështira e me mungesa të shumta edhe të nevojave më elementare. Veçanërisht, gjendje kritike në portin e Brindizit me 16 mijë vetë. Gjendja në portet e tjera është:

Monopoli 1077 njerëz
Otranto 702
Bari 738
Molfeta 122
Vieste 36 vetë

550 nga të ikurit me anijen “Tirana” nuk pranuan të zbresin në portin e Brindizit, por kërkuan të ktheheshin në atdhe.

Filloi shpërndarja e të ikurve nëpër godinat e shkollave ku përveç çatisë, mungon çdo kusht tjetër për të ngrënë e për të fjetur.

Pak veta në ndeshjen e kombëtares së futbollit
Në një kohë që skela e Vlorës ishte kthyer prej ditësh në një fushë e madhe beteje, shumë afër zonës, portit dhe turmave të njerëzve që prisnin të iknin për në Itali, ndodhej stadium i futbollit i qytetit. Të mërkurën e datës 13 mars, në stadium do të zhvillohej ndeshja e kombëtares së 16 vjeçarëve të Shqipërisë me kombëtaren e Bullgarisë, ndeshje e vlefshme për eleminatoret e kampionatit Evropian të 16 vjecarëve. Nëse do të ishte zhvilluar një ndeshje e tillë vetëm pak muaj apo vite më parë, stadium do të ishte mbushur plot e përplot, por, situata në kohën e ditën që u zhvillua ndeshja ishte krejt ndryshe. Të gjithë e kishin mendjen për të ikur nga qyteti. Vetëm pak njerëz do të shkonin atë ditë në stadium për të ndjekur ndeshjen e të parës kombëtare futbolli në historinë e futbollit shqiptar të U-16, që ndeshjen e parë në historinë e saj do ta luante pikërisht në stadiumin e Vlorës. Në stafin teknik të së cilës ishte dhe ish futbollisti i mirënjohur i “Flamurtarit” dhe “Partizanit” Mexhit Haxhiu. Ndeshja do të përfundonte 2 me 1 për bullgarët.

Veprimtari për Hysni Kapon
Megjithëse në Tiranë ishte rrëzuar busti i udhëheqësit komunist Enver Hoxha, në Vlorë, në Shkollën e Lartë të Detarisë, më 4 mars, u zhvillua një aktivitet me rastin e 76 vjetorit të lindjes së Hysni Kapos, drejtues i Luftës Nacionalçlirimtare, burrë shteti dhe një udhëheqësit e PPSH. Në takim ndër të tjera u vlerësua figura e Hysni Kapos se “…ishte edhe një demokrat i madh, që çmonte shumë mendimin e shokëve, vartësve dhe të njerëzve më të thjeshtë dhe e ndjente nevojë të përhershme këshillimin me ta. Është nder i madh për shkollën tonë që mban emrin e Hysni Kapos…” ( botohet me shkurtime )

Fushata e parë pluraliste dhe “Çeku i bardhë” i Gramoz Pashos.
Muaji mars do të shënonte kulmin e fushatës elektorale për zgjedhjet e 31 marsit. Ishin zgjedhjet e para pluraliste që zhvilloheshin në Shqipëri. Përballë kandidatëve tradicionalë të PPSSH do të ishin kandidatët për deputet të PD, partia e parë opozitare e krijuar në vend. Kandidatët kishin dalë nëpër zona elektorale për t’u takuar me zgjedhësit. 

Kandidati i PD Gramoz Pashko, në lagjen “Partizani” gjatë një takimi me banorët e lagjes, do të pyetej edhe për “Çekun e bardhë” që kishte sjellë nga SHBA. Përgjigja ishte kaq e tërthortë sa banorët nuk kuptuan asgjë. Veç një gjë u nënkuptua: ky “Çek”me sa duket do të jetë “çelësi magjik’ I PD në këtë fushatë elektorale. Po në këtë takim, Gramoz Pashko tha se për çështjen e ndihmave, Italia mori më parë pëlqimin e PD-së, pastaj vendosi dërgimin e tyre.

Nga ana tjetër, në takimet e tij, kandidati i PPSH, Mezan Malaj, në një takim elektoral të zhvilluar në teatrin “7 Nëntori” tha ndër të tjera se “Vullneti juaj më detyron të bëhem më i vetdijshëm për barrën e rëndë të përfaqësimit tuaj në Kuvendin e ri pluralist…”( botohet me shkurtime )

Filloi shpërndarja e ndihmave
Bashkë me shpërndarjen e kandidatëve në zonat e tyre elektorale, në qytet, filloi edhe shpërndarja e ndihmave. 
Të shtunën e datës 23 mars, në qytet mbërritën ndihmat e para humanitare të dhëna nga Republika e Italisë. Bëhet fjalë për 10 ton vaj, 7 ton bizele të konservuara, 6 ton marmalatë.,, 16 ton lëngje frutash, 8 ton mish pule dhe një sasi të konsiderueshme barnash. Për shpërndarjen e ndihmave është ngritur një komision qytetar në shkallë rrethi i aprovuar nga partitë politike dhe i drejtuar nga Milto Gjini.

31 mars 1991 – zgjedhjet e para pluraliste
Zgjidhen deputetët në Kuvendin e parë pluralist
Gramoz Pashko – PD
Roland Tafilaj – PD
Kosta Koci – PD
Abedin Elmazi – PD
Gafur Shameti – PD
Filip Taco – PD
Petraq Curi – PD
Llazar Gjindali – PS
Petraq Nasi – PS
Agaçe Bregu – PS
Konstandin Hoxha – PS
Sabit Brokaj – PS
Pëllumb Kapo – PS
Halil Hasko – PS

Kur do të rihapen portet?
Pas zgjedhjeve të 31 marsit, në qytet bëhej gjithnjë e më shpesh pyetja se kur do të hapen portet? Prej dy muajsh ato qëndronin të mbylluara dhe qindra punëtorë paguheshin me 80% të pagës. Porti detar dhe sektori i peshkimit ishin dy nga asestet më të mëdha ekonomike për Vlorën. Shkaku i mbylljes së tyre njihet: Eksodi disa mijrash i fundshkurtit përmes pushtimit të porteve dhe rrëmbimit të anijeve. Pasojat e kësaj mbylljeje të detyruar gjithashtu dihen: disa qindra punëtorë të portit detar, peshkimit dhe kantierit të portit të ri, prej dy muajsh paguhen me 80%, qindra kuintalë peshk të pazënë, qindra ton mallrat ë papërnuara, qindra mijëra lekë të ardhura të pavjela e gjoba të paguara. Dhe më keq, me dhjetëra anije me produkte ushqinmore (për situatë të veçantë ), presin në radë në Durrës, pasi nuk mund të përpunohen vetëm me kapacitetet e një porti. Për këto arsye dhe për të tjera (afaristët dhe autoritetet pulieze ia dërgojnë të falat Vlorës përmes Durrësit ), portet patjetër duhen hapur.Tek e fundit do të vihej një gur më shumë për forcimin e psikozës së jetës normale. 

Vijon në numrin e ardhshëm
Sigal