E rrallë/ Zylkadeja, burrnesha e Butkës, ja pse e martoi burrin e vet me një grua tjetër

1106
Sigal

Nga Vepror Hasani

Ishte vjeshtë e vitit 1936, në Butkë të Kolonjës bëhej dasmë, Zylkadeja martonte bashkëshortin e vet Rakipin, me një grua tjetër të quajtur Sembo, shkurt e thërrisnin Ceme. Në dasmë ishte i gjithë fshati, miq e të ftuar. Të gjithë ndiqnin me kërshëri çdo detaj të martesës, vështrimi i njerëzve herë ndalej te nusja dhe herë te dhë ndri, por gjithnjë mbetej mbi Zylkadenë. Nuk kishte trishtim në sytë e saj, përkundrazi brenda shpirtit të vet kishte një lumturi të fshehur. Erdhi një çast kur Zylkadeja doli në valle, hiqte vallen e martesës së bashkëshortit të saj. Sytë e njerëzve u mbërthen te kjo grua e fortë që quhej Zylkade. Gjithkush prej të pranishmve e shihte me shumë dhembsuri, ajo ngjasonte një ëngjëlli të  vë rtetë . Pë r të  më suar pse Zylkadeja vendosi të martonte burrin e saj, ndiqni rrëfimin.

Nata e vendimit të madh

Atë natë Zylkadenë nuk e zuri gjumi,- nis rrëfimin e tij Hetem Aliko nga Butka, pasardhës i fisit Aliko. Në mëngjes herët i tha të shoqit, Rakip Alikos: “Çohu se do të shkojmë në Qytezë te motra jote Satlihani!” Motra e tij ishte martuar me Zenel Qytezën, gjatë jetës së tyre patën 7 djem. “Pse do të vemë?” – e pyeti i habitur. “Sepse ashtu e kam parë një ëndërr dhe dua të heq merakun, – iu përgjigj ajo. Morën kuajt dhe u nisën. Në Qytezë qendruan vetëm një natë. Pas darkës, kur mes tyre kish nisur një bisedë e shtruar mes miqësh, Zylkadeja ndërhyri gati papritur: “E dini pse kam ardhur sot te ju?” Të gjithë kthyen sytë nga Zylkadeja. Përse e pyetën? Ajo hodhi vështrimin mbi Satilianin dhe i tha: “Ti e di unë nuk kam fëmijë, dua të më japësh një nga djemtë e tu ta birësoj”. Satlihani dhe bashkëshorti i saj, Zenel Qyteza shtangën. Nuk dinin si t’i përgjigjeshin. Të jepje një fëmijë për birësim nuk paskësh qenë e lehtë. Edhe Zylkadeja nuk dinte si t’ua shpjegonte më shumë, ka ca gjëra që nuk shpjegohen dot. “Ka të bëjë me  vazhdimësinë e fisit Aliko”, i tha Zylkadeja.

Historia e fisit Aliko

Historinë e fisit Aliko Zylkadeja e mësoi vetëm kur u martua me Rakip Alikon, djalin e Ali Alikos nga Butka. Aliu, babai i Rakipit, ishte martuar me një vajzë nga fisi i Myslim Hajdinasit nga Roshanji; kishte tre vëllezër: Ismailin, Hysenin (shkurt Ceni) dhe Dajlanin. Dy të parët (Ismaili dhe Ceni) shkuan asqerë në Turqi e nuk u kthyen më; Dajlani u vra në një konflikt prone tek arrat e “Dherit të Kuq” dhe Aliu mbeti pa vëlla. Vetë Aliu pati tre femijë: Ademin, Satlihanin dhe Rakipin. Ademi u martua me një mbesë të Sali Butkës nga Fushëza e Zagarit, (kështu quhej ai fshat, sot përtej kufirit shqiptar), por me mbesën e Sali Butkës nuk pati fëmijë, pasi ajo vdiq gjatë shtatzanisë. Me gruan e dytë, Haxhirenë nga Masllavica, (edhe ky fshat përtej kufirit shqiptar), pati një djalë, Hysenin i cili vdiq kur ishte 27-vjeç, i fejuar në Miçan, por nuk arriti të martohej. Vdekja e tij ishte gjëmë për familjen e Alikove. Haxhireja dilte te kulla e shtëpisë dhe vajtonte: “Moj nënë, shami paçavure, në kohën e pleqërisë mbete kërcure”. Nga vajtimi i saj qante gjithë fshati. Pas vdekjes së Hysenit, vdiqën edhe dy prindërit e tij Ademi dhe Haxhireja. Të tre i varrosën pranë njeri-tjetrit  tek varrezat e myslimanëve,  pa vajtur në Shtikë. Gjithë historinë  e mësipërme, Zylkadeja  e tregoi me lot në sy. Kur të gjitha këto i kishte mësuar për herë të parë ishte betuar në heshtje: “Këtë shtëpi do ta mbush me fëmijë!”. “E dua fëmijën tuaj që shtëpia e Alikove të që ndrojë  hapur, – i tha Zylkadeja, – gjithnjë të presë e të përcjellë miqtë dhe bijtë e vet”. “Jo se nuk ta jap djalin, – iu përgjigj Satlihani, – por dua të ruaj nderin e shtëpisë së babait tim në Butkë, nuk dua që nesër butkallinjtë  ta thërresin djalin tim: “I ardhur i Qytetzës!”. Të dyja gratë, Satlihani dhe Zylkadeja, u mallëngjyen, qanin të dyja. Për Zylkadenë, as atë natë s’pati gjumë.

Dua të martoj burrin!

Megjithatë, në mëngjes u ndanë me kokëmënjanë. “Ngrehu të shkojmë!”- i tha i shoqi Rakipi. U hipën kuajve dhe u nisën drejt Butkës. Kur mbërritën në fushën e Qafëzëzit, Zylkadeja i kërkoi të shoqit  të ktheheheshin  te tezja në Pësar të Kolonjës. I shoqi kundërshtoi, por ajo këmbënguli. U nisën për tek tezja. Me të mbërritur  në familjen e Nexhipit dhe Kiles, (bashkëshortë), u pritën me gjithë të mirat, duke qeshur e duke qarë, pa ditur hallin dhe plagët që Zylkadeja kishte në mendje dhe në zemër, çdo gjë kaloi bukur dhe mirë. Pasi hëngrën darkën, Zylkadeja i tha tezes: “Dua të më japësh çupën e madhe se do të martoj burrin!” Ajo që dëgjuan nga goja e Zylkadesë i la njerëzit e shtëpisë pa mend. “Paske luajtur nga mendja moj ime mbesë!”- i tha tezja. “Jo moj teze, jo, por jam betuar për ta mbajtur hapur atë derë dhe këtë do ta realizoj!” Për të bërë këtë martesë  kërkuan mendimin e babait të Teqesë së Starjes, Zylkadeja ishte besimtare, (myhype) e Teqesë. Rakipi ishte 55 -vjeç, kurse Semboja (vajza më të cilën do të martohej), ishte 18 -vjeçe. Miratimi për martesën u dha. Nga martesa e Sembos  me Rakipin lindën katër djem: Hyseni, Hetemi dhe Aliu; kur ishte shtatzënë me të katërtin, bashkëshorti i saj, Rakipi, vdiq  te Ullinjtë e Vlorës. Pas tre muajsh lindi fëmija i katërt, e quajtën Rakip, por edhe ky i fundit dhe Aliu vdiqën më 1914 në Vlorë.

Dy gra pa burrë

Mbetën dy gra, (bashkëshortet e Rakipit) me dy fëmijë jetim. Shtëpinë e madhe dykatëshe  me kullë ua kishte djegur ushtria greke. Zylkadeja, (gruaja e parë e Rakipit), mori djalin e madh, Hysenin dhe shkoi në Masllavicë, tek vëllai i saj Nexhipi, dhe ndenji atje nëntë vjet deri në vitin 1923, kurse gruaja e dytë e Rakipit, shkoi në Pësar, tek i vëllai, Banush Kasolli, ndërsa djalin tjetër, Hetemin, e mbajti halla në Rov të Korçës, ku filloi shkollën. Në krye të 9 vjetëve në Butkë erdhi  Nexhipi, (vëllai i Zylkadesë) me djalin e Rakipit, Hysenin, takoi  të parin Sali Butkën dhe u përqafuan: “Mirë se na erdhe o Xhipe! – i tha Saliu, – Po ky djalë i kujt është?” “I Rakipit, o Sali bej” “Pse more, qenkan gjallë fë mijët e Rakipit! Dhe puthi në ballë Hysenin. Siç e kam thënë edhe më sipër, me Sali Butkën kishim miqësi, një mbesë e tij ishte martuar në shtëpinë tonë.  Zylkadeja që martoi të shoqin me një grua tjetër, vetëm që të mos i mbyllej shtëpia, ishte vërtet grua trimëreshë, e fliste edhe gjuhën greke, nuk i trembej syri. Tashmë po përgatiteshin të rifillonin jetën në Butkë. “T’i ndihmojmë, – tha Saliu, – t’u ngrejmë shtëpinë, sepse për këtë shtëpi  kjo grua sakrifikoi shumë nga jeta e saj”. U mblodhën gjithë burrat e fshatit, gjetën ustallarët, dhe ngritën një shtëpi me dy dhoma dhe korridor. Edhe Zylkadeja me Hysenin u kthyen nga Masllavica, (pasi qëndruan atje deri në përfundim të shtëpive), u kthye edhe Semboja, nëna e dy fëmijëve. Pas ndërtimit  të shtëpive, kur u mblodhën për të ngrënë darkë, çorbë orizi, nuk kishin lugë. Etemi mori një qepë e ndau përgjysëm dhe me gujatën e qepës hëngrën darkën e parë të kthimit në fshat.

Rikthimi

Kështu nisi përsëri  jeta jonë në fshatin Butkë. Kullotat, luadhet, tokat dhe çdo gjë tjetër që kishim na i kthyen prapë: Bregun e Varreve; Dërrasat mbi njëzet dynymë; arat e Manit, ato që ndodhen pas luadhit, ku kalon uji i rezervuarit; arat e Sheshit; kullota te Furra; arat te Varri i Çobanit, te kroi i Çiços dhe te Elbrat; morëm edhe pjesën tonë të korijes; gjithsej 105 dynymë tokë buke dhe 25 dynymë luadhe. Kishim edhe një luadh tek Izvori i Poshtëm i Shtikës, mbaj mend  mullixhiun e quanin Milo. Stanin e Bidës ua shitëm Hasanas-ve, djemve të Ahmetit (Fetiut dhe Qerimit), ndërsa Luadhet e Turqve në krye të Kalldrëmit, ua shitëm Brokajve të Shtikës, kishim edhe pjesën tonë të kullotës së përbashkët në malin e Butkës, por këtë kullotë sot e shfrytëzon  fisi i Uran Butkës. Dy vëllezërit, e sapoardhur në Butkë Hyseni dhe Etemi, e nisën punën tek “Moçali”; kështu quhej ai vend; atje kishin një tokë të mirë, rreth e rrotull mbollën gorica, në krye të saj ndërtuam një çezmë që shërbente edhe për vaditje, prej andej shihej një pamje e bukur.

Vdekja e Etemit

Por ndodhi edhe vdekja  e Etemit, familja u godit rëndë, nuk u bënte zemra për asgjë. Ishte korrik, arat me grurë duheshin korrur, po nuk u bënin duart. Hyseni  mallëngjehej kur kapte me dorë lejlekun (lloj drapri i kthyer pak, me bisht të gjatë e pa dhëmbëza, që përdoret  kryesisht për të korrur misë r), me të cilin kishte korrur Etemi. Dy vëllezërit, Etemi dhe Hyseni këndonin bashkë, vargjet e Naimit i kishin kthyer në këngë: “Do të shtrihem të venitem si kandili kur s’ka vaj/, baltë e pluhur do të bëhem të më shkelë këmbë e saj/, etj. Në këtë fatkeqësi na erdhën në ndihmë miqtë, sidomos  Estref Ajdini nga Lubonja me bashkëshorten, Nadiren; qëndruan në shtëpinë tonë derisa i mblodhën të korrat. Zylkadeja dhe Semboja vendosën të martonin Hysenin, sepse Zylkadeja kishte filluar të mos ndihej mirë. U erdhi në mendje një mik i tyre në Selenicë të Kolonjës, quhej Ibrahim Feka. Vajti Semboja dhe e bisedoi për vajzën e familjes Selmani, fisi i nderuar nga Asllanlinjtë, ky i tha të atit të vajzës, Selmanit, të cilit i pëlqeu shumë sepse bëhej fjalë për një djalë të vetëm nga Butka. Gjithë njerëzia u gëzuan. Dasma u bë në vjeshtën e vitit 1936, u ndihmuam edhe nga djemtë e hallës në Rov të Korçës, në atë kohë në Amerikë, ata bënë pajën e nuses dhe kostumin e dhëndrit. Nuk pati ndonjë ceremoni  të madhe, por gëzimi ishte i jashtëzakonshëm.  Zylkadeja e lumturuar qante me lot. Një vit pas martesës së Hysenit, Zylkadeja vdiq, u godit nga një paralizë, por misionin e saj e kishte kryer.

Zylkadeja ngrihet nga varri

Fëmija i parë që erdhi në jetë (1 maj 1938), nga martesa e Hysenit me Gjylon isha unë, – tregon Hetem Aliko, – rrëfyesi i kësaj historie të dhimbshme, nëna ime ishte bijë e Selmanit dhe Shazos (e thërrisnin Nuko), nga Selenica, kishte një vëlla, Hysenin dhe një motër, Ismeten, për mbiemër mbanin emrin Çerçizit, larguar prej vitesh në Turqi, ku mundi të bëhej pjesë e rangjeve të larta. Të gjithë u gëzuan, por veçanërisht  gjyshja Semboja, atë ditë e hoqi shaminë e zezë nga koka dhe thirri aq fort për lindjen time, sa dëgjoi i gjithë fshati. Falenderoi  të madhin Zot për këtë dhuratë  që po i largonte plagët e fëmijëve, sidomos  të vdekjes së  27- vjeçarit. Më  quajti Hetem. Pas meje më 1941 u lind Idaeti, atë natë dëgjuam një trokitje te dera, dolëm për të parë kush ishte, por nuk kishte njeri; në vitin 1944 u lind Bukuria, përsëri në mesnatë u dëgjua një trokitje tek dera, dolëm prapë për të parë, por përsëri nuk pamë njeri; në vitn 1946 nëna ishte sërish shtatzënë. Para se të lindte, iu shfaq në ëndërr Zylkadeja: “Kam ardhur dy herë në shtëpinë tonë, – i tha ajo, – derën e hapët dy herë, po nuk më ftuat të hyja brenda, do të vij përsëri shumë shpejt”… Ato ditë, lindi motra e tretë, e quajtëm Zylkade. Gjithë atë ditë na dukej sikur Zylkadenë e kishim pranë, ndihej nëpër dhomë, ishte bukuria e shtëpisë sonë. Më 1948 lindi Rakipi, dhe në vitin 1951 Aliu. Mes 6 fëmijve kemi edhe Zylkadenë gruan burrneshë të Butkës, të paharruarën e familjes tonë ”,  – përfundoi  kështu, rrëfimin e tij Hetem Aliko.