Vangjush Saro: Edi Rama e nisi karrierën me sloganin inspirues: “Kthim në identitet”. Ja çfarë ka “zarfi i tretë” për mandatin e kryeministrit

348
Sigal

Meqë e kishim fjalën për Kryeministrin, nuk di e nuk mund të them çfarë mund të përfitojë ai dhe pse ia dha “viston” kësaj kakofonisë së ndërtimeve… Me prishjen e Teatrit Kombëtar, por ca më shumë me planet për çka do të bëhet aty përqark, mendoj se teprimi ia la vendin marrëzisë

Sa “larg” ka shkuar Edi Rama?

Vangjush Saro

 

“Zarfi i tretë” i Edi Ramës

Ndërsa ndjekësit e kryeministrit, z. Edi Rama, flasin për mundësitë  e një mandati të tretë – sigurisht, punë e tyre, ëndërr e tyre – jeta, mirëqenia dhe siguria e qytetarëve shqiptarë,  është vënë në pikëpyetje. Për vetë mënyrën se si ka qeverisur, le të themi “me dorë të fortë”, Kryeministri ka përgjegjësitë e veta. I kërkoj ndjesë që e kam përmendur  atë disa herë në shkrimet e mia; natyrisht, jo si një individ dosido, jo si Edi, një qytetar, a fundja një koleg në art, që përkohësisht është politikan, por si zyrtar i lartë, si kryeministër, që e ka kulturën dhe durimin e duhur të kuptojë, që po je në këtë fushë, do të dëgjosh shumë për veten…Z. Rama mëtonte të shkonte larg; në punët e vendit.  Sa “larg” ka shkuar ai në të vërtetë? Shumë, mendoj. Dhe përtej çdo loje stilistike, kur them se ka shkuar larg, nuk është fjala për ëndrrat e tij e të socialistëve, para ardhjes në pushtet, por për problemet që ai i ka shkaktuar vendit dhe vetes…

Kristaq Rama, Ismail Kadare, Dritëro Agolli…

Nuk merrem me biografitë e njerëzve, me jetën e tyre private, me familjet e tyre. Por meqë është përzier në këtë mes tema e së shkuarës  dhe e ndikimit të saj, po them dy fjalë në lidhje me një pjesë të trashëgimisë sonë, ku ka ndjeshmëri edhe sa i takon protagonistit të këtij shënimi. Është folur shumë në lidhje me të shkuarën dhe rolin e disa prej emrave më të njohur të saj. Këta ishin – Ismaili është dhe uroj të jetë gjithnjë ashtu, me shëndet dhe krijimtari – artistë, njerëz që s’kishin të bënin drejtpërsëdrejti me politikën, por që s’mund t’i shmangeshin asaj. U bënë komunistë, sepse ashtu e donte puna; (përjashto Agollin, që kishte bindje të tilla dhe i ka përcjellë ato pa ngurim edhe në vepër). U bënë deputetë, sepse ashtu duhej. Kuvendi (Popullor) i asaj kohe nuk kishte politikanë, por drejtues partie e pushteti, punëtorë pararojë, kooperativistë të dalluar, kishte dhe i duheshin se s’bën edhe artistë e sportistë të spikatur.  Se çfarë kanë diskutuar e çfarë kanë miratuar ata, në kor me të tjerë, kjo është një çështje që do pak tolerancë për t’u kuptuar e pranuar.

Të kthehesh në kohë dhe të “vizatosh” siç duhet, nuk është e lehtë, por e vlen. E donin apo jo Socializmin, njerëzit e spikatur kanë pasur disa privilegje, por nuk se shkonin pas gabimeve e krimeve të kohës me ndërgjegje e zell. Absolutisht jo! Disa prej tyre, janë shprehur kundër dhunës dhe marrëzive të atëhershme, jo më pak se kundërshtarët e deklaruar të regjimit, që paguan me burg a internim. (Në veprën më  të angazhuar të Kadaresë “Dimri i vetmisë së madhe”, Beni, vëllai i Besnikut, në një moment që vjehra e këtij të fundit  po fliste për Stafetën e Revolucionit, i kthehet asaj me gojën plot: “Na mërzitët me këtë  Stafetën e Revolucionit. Mbajeni për vete, se nuk e duam…”)

Është e kotë të citojmë më tej, shumëkush mund  të mos e kuptojë kurrë këtë moment të brishtë në jetën dhe krijimtarinë e shkrimtarëve dhe artistëve të asaj periudhe. Mbaj mend – e kam shkruar edhe në shënimin “Liliputë përqark staturës madhore të Kadaresë” – në një mbledhje të Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, ku isha i ftuar, Ismaili rrinte gjithë hundë dhe dukej sheshit se mezi priste që ajo (mbledhja) të mbaronte dhe ai të kthehej sa më parë te puna e tij, te vepra e tij. Por mbaj mend, gjithashtu, që me të keq e shtynte edhe Kristaqi; në një moment, kur dikush po e zgjaste shumë, hoqi orën nga dora dhe ia vuri përpara me njëlloj humori përzier me sarkazëm.

Vepra e tyre e asaj kohe ishte pompoze, e politizuar, e rreshtuar në atë që quhej Realizëm Socialist, me përjashtime të rralla; (“Kronikë në gur”, “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”, “Mësueset e fshatit”, “Mall”, etj. të Kadaresë dhe “Apasionata”, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, etj. të Agollit.) Kështu, unë mendoj se duke kthyer kokën pas, nuk fitojmë ndonjë gjë të madhe, për më tepër që ne nuk jemi tolerantë nga natyra, nga raca, ne të numërojmë dhëmbët e gojës.

Artisti, pedagogu dhe publicisti rebel

Siç kam shkruar edhe njëherë tjetër, ky ishte një djalë i rritur pak a shumë në mjedise me mirëqenie, por ku vlonin diskutimet se qysh po shkonin punët… Artist, pedagog dhe publicist rebel, ja çfarë e “vizatoi” veten Edi Rama në fund të viteve ‘80 dhe në fillim të viteve ’90. Nuk pati sukses fillimisht në përfshirjen politike, por shkruante (dhe shkruan) shumë mirë, nga pikëpamja përmbajtësore dhe gjuhësore; artikujt e tij të asaj kohe janë një mësim për gazetarët, që aq shumë e sulmojnë sot… (Pa hyrë në të drejtën e tyre për “kritikë”.) Episodi, në të cilin njerëz të pushtetit të asaj kohe e masakruan barbarisht ,(dhe jo vetëm atë), i vë pikën kësaj “historie”. Sidoqoftë, ai po vinte në pushtet me dëshira dhe synime të mëdha, për të shkuar “larg”, siç u tha më lart…  Edi Rama e nisi karrierën zyrtare me një slogan inspirues: “Kthim në identitet”. Me dashurinë për Tiranën dhe me ndihmë e Kryeministrit të asaj kohe Ilir Meta, ai punoi për pastrimin e Lanës dhe Parkut “Rinia”, që për hir të së vërtetës, më falni për shprehjen, ishin bërë qenef… Babëzia e shndërroi Tiranën, e mbushi atë me kulla, duke vështirësuar jetën e qytetarëve

Nga pastrimi i Lanës te… kullat

Edi Rama e nisi karrierën zyrtare me një slogan inspirues: “Kthim në identitet”. Me dashurinë për Tiranën dhe me ndihmë e Kryeministrit të asaj kohe Ilir Meta, ai punoi për pastrimin e Lanës dhe Parkut “Rinia”, që për hir të së vërtetës, më falni për shprehjen, ishin bërë qenef… Më tej nuk ka shumë për të shënuar, sepse babëzia, (e të gjitha pushteteve) e shndërroi Tiranën, e mbushi atë me kulla, duke vështirësuar jetën e qytetarëve. Por pse kjo kakofoni edhe sot e kësaj dite? E kam thënë edhe në ndonjë rast tjetër, unë nuk i mbaj llogarinë askujt, pra as edhe Kryeministrit, dhe nuk bëj pjesë ndër ata që mendojnë se këta zyrtarët tanë nuk kanë nevojë për shtëpi e makina, në kushtet kur s’mbeti njeri nga fshatrat e Veriut e të Jugut pa ndërtuar një shtëpi në rrethinat e Tiranës a Durrësit. Por unë mendoj se teprimet kanë rënë në sy dhe shpjegimit për to, nuk i shpëton dot asnjëri prej politikanëve dhe zyrtarëve të tranzicionit. (Mirëqenia dhe pasuritë e tyre e lypin një vëmendje nga organizmat përkatëse.) Meqë e kishim fjalën për Kryeministrin, nuk di e nuk mund të them çfarë mund të përfitojë ai dhe pse ia dha “viston” kësaj kakofonisë së ndërtimeve… Me prishjen e Teatrit Kombëtar, por ca më shumë me planet për çka do të bëhet aty përqark, mendoj se teprimi ia la vendin marrëzisë.

Zapata dhe fjalë të tjera për padrejtësitë e dhunën

Shumëkush e ka parasysh filmin “Zapata”, ku protagonisti, në krye të protestuesve shkon te Presidenti, i shkrehet atij për padrejtësitë dhe në një moment tjetri e pyet për emrin, pastaj shikon listën që ka përpara – me emrat e kryengritësve kryesorë – dhe e “vë në rreth” emrin e Zapatës. Në episodin tjetër të filmit, te Zapata, që tashmë është në krye të shtetit, vijnë një grup fshatarësh të pakënaqur, në debat e sipër, njërin prej tyre, atë më të hedhurin, ai gjithashtu bëhet gati ta vërë “në rreth”. Por pastaj pendohet dhe shkon të ndryshojë situatën…Le të rijmë shtrembër e të flasim drejt. E vërteta është që ka pasur disa arritje dhe që një sërë protesta të dhunshme të opozitës gjatë verës që shkoi, qeveria e z. Rama i administroi me shumë durim. Kujtojmë se në qeverisje të tjera, kanë qenë me shumicë dhuna e viktimat,  dhe këto nuk ka pse t’i harrojmë. Por dhuna është një fjalë me kuptim shumë të gjerë. Dhunë janë edhe mungesa  e sigurisë, hardallosja e krimit, pastrimi i parave të pista, tenderat dhe abuzimet për të cilat duhen shumë faqe. Po ashtu, t’ua vjedhësh qytetarëve hapësirat sociale, t’ua çosh kullat përpara ballkoneve,  t’ua marrësh Stacionin e Trenit, Teatrin Kombëtar, t’i bësh të gjitha fushat e klubeve sportive  sheshe ndërtimi, ndërkohë që u ke premtuar atyre “Kthim në Identitet”, kjo është gjithashtu dhunë. Kryeministri sigurisht i di këto, por marrëdhënia a marrëveshja me oligarkët, me sa duket, është imponuese.  T’ua vjedhësh qytetarëve hapësirat sociale, t’ua çosh kullat përpara ballkoneve, t’ua marrësh Stacionin e Trenit, Teatrin Kombëtar, t’i bësh të gjitha fushat e klubeve sportive  sheshe ndërtimi, ndërkohë që u ke premtuar atyre “Kthim në Identitet”, kjo është gjithashtu dhunë. Kryeministri sigurisht i di këto, por marrëdhënia a marrëveshja me oligarkët, me sa duket, është imponuese

Konkluzione

Nuk ka lindur ende ndonjë burrë që pushteti të mos e ketë trazuar dhe oligarkët të mos e kenë gëlltitur. Tranzicioni e ka zhytur vendin në një pakënaqësi të thellë, për më tepër në sherr… Ka një gojëdhanë nga e shkuara, që na tregon se si Aleksandri i Madh zgjidhi Nyjen Gordiane, duke i rënë asaj me shpatë dhe duke mos u dhënë mundësi mediokërve të vazhdonin filozofimet. Është koha për zgjedhje të parakohshme. Është koha të inkurajohen forcat politike të mbledhin forumet, se i kanë bërë kongreset e tyre si Kongreset e PPSH-së, muzikë dhe gënjeshtra. Është koha të bëjnë mbledhje të vërteta, ku të diskutohet me seriozitet dhe në detaje çfarë nuk është bërë dhe pse; e mbase edhe të ndërrohet lidershipi andej e këtej. Është koha, gjithashtu, të lihen në “fatin” e tyre partitë e ashtuquajtura të vogla, në fakt shushunja politike që prej dekadash thithin gjakun e taksapaguesve shqiptarë. Për t’u kthyer te Mandati i Tretë, po kujtoj atë historinë me “Zarfin e Tretë”, që besoj shumica  e dinë. Një drejtor i vjetër, duke ikur nga zyra, i lë pasardhësit  tri zarfa dhe i thotë që sa herë ta ketë punën pisk, të hapë një nga zarfat, sipas rendit. E kështu ndodhi. Që të mos e zgjasim, zarfi i parë thoshte: “Hidhja fajin paraardhësit!” I dyti: “Bëj autokritikë të fortë, zotohu!” Kurse i treti: “Lerja vendin një tjetri!…”