Dy vëllezër si luanë – Në një ditë të dy ranë!

1348
Sigal

Kushtuar vëllezërve Qazim e Tahir Xhixho, dëshmorë të Pavarësisë me rastin e 100 vjetorit

Shpallja e Pavarësisë, 100- vjetorin e së cilës e festojmë këto ditë nëntori, padyshim që përbën ngjarjen më kulmore historike të Kombit Shqiptar. Kjo ngjarje që identifikohet me ngritjen e Flamurit Kombëtar, ka aktorët dhe dëshmorët e saj, të cilët tashmë janë vendosur në altarin e lirisë. Pavarësisht faktit që Flamuri u ngrit në qytetin e Vlorës, ata që kryen këtë akt madhor, i përkasin mbarë Shqipërisë, ku Skrapari ka pjesën e tij.  Në luftën patriotike për shpalljen e Pavarësisë para vitit 1912 dhe më pas, Skrapari ka dhënë një kontribut të madh, duke mbajtur peshën kryesore në luftën kundër andartëve grekë në mbrojtje të tërësisë tokësore. Çetata dhe batalionet  grumbulluan rreth vetes me qindra e mijëra luftëtarë, të cilët luftuan trimërisht dhe një pjesë e tyre ranë dëshmorë të kombit. Në ato vite, në altarin e shenjtë vunë gjakun e tyre: Lace Backa, Halil Braho, Arif Kuçu, Asllan Vëseshta, Avdyl Jaupllari, Ibrahim Tërpollari, Qazim e Tahir Xhixho, Ali Ibro, Mustafa Zoto, Hasan Staravecka, File Zhurda, Sakoll Radëshi, e shumë e shumë të tjerë djem skraparllinj. Para se të shpallej Pavarësia në Vlorë, skraparllinjtë vepronin të organizuar në çeta si ato të Lace e Zoto Backës, Sulejman Spatharës, Ali Farmaqit, Avni e Muço Kapinovës, Sakoll Radëshit, Alo Mollasit, Islam e Jaçe Grepckës. Ishin pikërisht këta luftëtarë që mbështetën aktin e shpalljes së Pavarësisë dhe njëri prej tyre skraparlli Xhelal Koprëncka hodhi firmën në aktin final si përfaqësues legjitim i popullit të Skraparit.  Një ndër çetat që ka vepruar në Skrapar dhe më gjerë, sipas dokumenteve që ndodhen në Muzeun e Skraparit, ka qenë dhe ajo e udhëhequr nga patrioti Muharrem Xhixho, ku kanë bërë pjesë edhe dy vëllezërit Qazim e Tahir Xhixha, që të dy dëshmorë të shpalljes së pavarësisë kombëtare. Qazimi dhe Tahiri u lindën dhe u rritën në Backë të Skraparit në atë vend ku lindi dhe u rrit edhe kapedani Lace Backa. Fillimisht ata u rreshtuan në çetën e Zoto Backës e më pas në atë të Muharrem Xhixhos. Madje, sipas dokumenteve të kohës, më 1899 në fshatin Backë u krijua një çetë komitësh me në krye Lace Backën (Tashani) ku bënin pjesë si luftëtarë: Zoto Backa, Simite Sejati, Refat Zenuni, Riza Kodheli, Tahir e Qazim Xhixho, Ahmet Lako, Qamil Abazi, Njazi Kamberi, Ali Ibro, Brahim Bekteshi, Kajo Kapinova, Qamil Kushova, Myftar Staravecka, Xhemal Dido etj. Në nëntor të vitit 1912, Qazim dhe Tahiri morën pjesë si mbështetës në aktin e shpalljes së pavarësisë dhe për dy vjet me radhë pas kësaj ngjarjeje, 1913 – 1914 si luftëtarë aktivë në mbrojtje të kësaj lirie mbarëshqipëtare. Ata morën pjesë në të gjitha luftimet që zhvilloi çeta kua ta bënin pjesë dhe kulmi arriti në atë qershor të vitit 1914, ku ranë heroikisht të dy vëllezërit Xhixho. Kjo ndodhi në luftën e zhvilluar në Qafën e Martës kundër andartëve grekë. Populli I Skraparit e ka përjetësuar këtë akt të tyre me vargjet:

Në vitin 14 – të

Qershori, dita 20 – të

Po ç’bën moj, Backë e shkretë

Ku i ke trimat me fletë

E muarën malin përpjetë

Matanë të përpijnë retë

Qazimi me të vëllanë

Në Qafë të Martës ranë!

Qazimi dhe Tahiri që në vogëli u edukuan me një ndjenjë të thellë patriotike, pasi ishte fshati i tyre dhe familja që i lindi. Vuajtjet dhe sakrificat për të përballuar pushtimin e huaj e për të mbijetuar në atë regjim gjakatar, siç ishte ai i pushtuesve turq, ishin shkolla e parë ku Qazimi dhe Tahiri morën leksionet e para të atdhedashurisë.  Që në moshë minore, ata u bashkuan me ajkën e djalërisë të zonës dhe u vunë në ballë të luftës kundër pushtuesit turk. Në vitin 1906 Qazimi bashkohet me Çetën e Lace Backes e pas tij erdhi edhe i vëllai, Tahiri. Nuk ka betejë që të ketë zhvilluar Çeta e Lace Backës e më pas ajo e Muharrem Xhixhos, që të mos kenë qenë vëllezërit Qazim e Tahir Xhixho duke filluar nga Opari, Lavdari, Gjergjevica, Lubonja, Frashëri, etj. Edhe atë ditë të 28  Nëntorit 1912, ditë kur Plaku Ismail Qemali ngriti Flamurin e Pavarësisë Kombëtare, Qazimi me Tahirin ishin aty me kapedanin Lace Backa. Më pas u kthyen në Backë, për të nisur një tjetër betejë, atë me andartët grekë, të cilët kërkonin të realizonin planet e tyre djallëzore për aneksimin e Shqipërisë së Jugut, Greqisë. Tahiri, ishte më i vogël se Qazimi, dhe shquhej për guxim dhe trimëri të pashoqe.. Pikërisht në një nga këto luftime, më datë 20 qershor 1914, në një betejë të ashpër bien si trima dy vëllezërit Qazim e Tahir Xhixho, të cilët janë shpallur zyrtarisht Dëshmorë të Pavarësisë Kombëtare.

Mustafa Sulejmani, dhëndëri i Tahir Xhixhos: “Vdekjen e kemi hua, lumë kush vdes për Shqipërinë”!

Në ato vite të vështira ata u njohën me patriotin Mustafa Staravecka (Sulejmani), emrin e të cilit e gjejmë në listën e gjatë të Luftëtarëve të Luftës së Vlorës më 1920, të cilin Tahiri më pas e bëri dhëndër, duke i dhënë vajzën për grua. Mustafai ishte lindur më 1896 në fshatin Staraveckë dhe u rrit vetëm, pa nënë, pa baba e pa motër e vëlla, kështu që baba, nënë, motër e vëlla ju bënë vëllezërit Xhixho, duke e pranuar si dhëndër në shtëpi. Ai mbeti jetim në moshën 6 -vjeçare dhe në vitin 1913 u detyrua të shkonte emigrant në Amerikë. Këtu në Amerikën e largët mori me letër edhe propozimin e Tahirit për të pranuar për grua vajzën e tij, Fatimenë, me të cilën Mustafai u martua dhe lindi e rriti 5 djem: Halimin, Skënderin, Nekiun, Xhevitin dhe Samiun. Mustafa Sulejmani ka një kontribut të madh jo vetëm në luftën për mbrojtjen e pavarësisë, por edhe në luftën e  Vlorës më 1920, ndërkohë që gjatë luftës Nacionalçlirimtare shërbeu si përkthyes dhe ekonomat pranë misionit ushtarak anglez me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare.  Emri i Mustafa Sulejmanit lidhet ngushtësisht me Flamurin Kombëtar, për faktin që gjatë kohës që ai qëndroi në Amerikë, në një nga ceremonitë që zhvillonin shqiptarët atje për nder të Pavarësisë, Mustafai ka qenë flamurmbajtës në krah të Fan Nolit. Është lapidar për kohën përgjigja që ai jep Nolit, kur ky i fundit i afrohet dhe e pyet:

-Si do t’ia bësh nëse për një moment rrëzohesh? Si do ta mbrosh Flamurin?

-Do ta laj Flamurin me gjakun tim, ja ku e kam pistoletën, vras veten, e laj me gjak dhe pastaj shokët le ta ngrenë përsëri! – ishte përgjigja e Mustafa Sulejmanit, e cila e qetësoi edhe Nolin për merakun që kishte.

Në Amerikë Mustafai u lidh ngushtë me Shoqërinë patriotike “Vatra”, u bë anëtar dhe sekretar i shoqatës për qytetet Çikago, Boston, etj. Si pjesëtar i kësaj shoqate ai ka dhënë një kontribut të çmuar për Shqipërinë duke dhuruar edhe monedha në dollar. Vetëm për delegacionin e konferencës së paqes dhuroi 920 dollarë si shërbim për mbrojtjen e pavarësisë së Shqipërisë. Më 1920 iu përgjigj thirrjes së Fan Nolit dhe me 200 shqiptarë të tjerë Mustafai kthehet në Shqipëri dhe vihet në dispozicion të qeverisë së Sulejman Delvinës. Ai merr pjesë në Luftën e Vlorës dhe lajtmotivi i tij ishte: “Vdekjen e kemi hua, lumë kush vdes për Shqipërinë”! Dhe Mustafa Sulejmani nuk kurseu asgjë për vendin e tij deri në çlirimin e plotë të tij nga pushtuesit e huaj…

Xhevit Sulejmani

Pasardhës veterani