Dritëro Agolli: Zemërimi në 3 seancat plenare që lindën PS-në

797
Sigal

3 seanca plenare që lindën PS-në

Kur auditori i Kongresit gjëmoi nga zemërimi, duke iu drejtuar Dritëro Agollit me fjalë fyese dhe plot agresivitet, ai e mbylli diskutimin, heshti për një çast me vështrim nga salla, pastaj tha: “Ju ma vërtetuat mendimin tim të fshehur në vetvete se Partia e Punës nuk rinovohet. Bërtitjet tuaja jashtë çdo civilizimi dhe jashtë çdo kohe të qytetëruar janë pasqyrë e një partie që është shtrirë në shtrat dhe po jep shpirt. Kur dikush jep shpirt të tjerët bërtasin. Ju bërtisni, pasi ajo që ju polli ju po jep shpirt në shtratin e vdekjes. Unë kot mora mundimin ta shpëtoja. Shpëtojeni vetë po mundët, unë do të largohem, pasi nuk e duroj dot erën e këtij të vdekuri dhe aq më tepër bërtitjet tuaja pranë të vdekurit.”

Dritëro Agolli

 

(Pjesa e Dytë e fjalimit manifest të Dritëroit në Kongresin e 10-të të PPSH )

Por çdo popull ka nevojë t’i besojë
një shenjti dhe kështu u krijua
shenjti Enver Hoxha. Ai hyri në
çdo shtëpi me fotografi, me buste, me kalendare, që viheshin në vendet më të dukshme, duke përzënë fotografitë e prindërve dhe të fëmijëve. Bile, në çdo festë kombëtare a intime, siç janë dasmat, shëndeti i parë ngrihej për Partinë dhe Enver Hoxhën. Por shenjti Enver kishte anë pozitive dhe anë negative, ishte i lidhur me kuadro të aftë e të paaftë, që zbatonin vendimet e tij të marra në byronë politike; shenjti Enver ishte i lidhur me ngjarje reale, me probleme të përditshme, me jetesën e njerëzve, kështu që figura e tij në vend që të rritej dhe të shenjtërohej, shpesh herë ngjallte dyshime, sidomos në inteligjencien e lartë, që lexonte në gjuhë të huaj apo i binte rasti të dilte jashtë shtetit ndër konferenca apo simpoziume ndërkombëtare dhe ballafaqohej me rritjen e mirëqenies së atjeshme. Ndërsa populli i thjeshtë besonte në shenjtërinë e Enver Hoxhës dhe gabimet që bëheshin i ngjiteshin kuadrove të paaftë apo armiqve që zbuloheshin herë pas here në radhët e larta partiake. “Enveri nuk i di këto gjëra” – thoshin njerëzit e thjeshtë dhe prandaj u thurën një mal me këngë, që këndoheshin në festivale, në festa të ndryshme e deri në dasma.

Enver Hoxha nuk arriti të bëhej shenjt, sepse pas vitit 1985, udhëheqja e lartë partiake dhe shtetërore, duke mos pasur autoritetin e tij, i thelloi gabimet e vijës ekonomike dhe politike. Populli filloi të dyshojë, filloi të lëkundet në besimin ndaj tij.

Në fillim dyshimet prekën pjesën më vitale të popullsisë – studentët e më vonë u përhap valë-valë në masën e gjerë të popullit. Kështu shenjti filloi të largohej nga kryet e vendit nëpër familje me fotografitë e bustet deri sa ky largim kaloi në rrugë me monumentet, me kërkesat për heqjen e emrit të tij, me kërkesat për ta lënë fakultative në shkollë mësimin e lëndëve marksiste-leniniste dhe të veprave të tij, e me radhë.

Gabimi i Partisë së Punës, e cila kishte në dispozicion të saj si shtet monist, institute e shtypshkronja, ishte se nuk diti t’i studiojë dhe t’i shohë me gjakftohtësi të metat e Enver Hoxhës, në mënyrë që ai të ruhej nga dhunimi që iu bë, por vazhdoi vijën e gabimeve të tij duke harxhuar paren e popullit, duke e varfëruar edhe më shumë atë me ndërtime muzesh, monumentesh, me botimin e shtrenjtë të serisë së pafund të veprave të tij e me radhë. Kështu njeriu u mor nëpër këmbë. U fikën liritë dhe të drejtat e tij, pasi Enver Hoxhës i duhej një masë amorfe, një masë pa personalitete dhe individë. Veçanërisht u shkatërruan individualitetet e fshatit shqiptar, baza e patriotizmit shekullore. Në bazë të politikës arsimore të orientuar nga udhëheqja e Partisë u bë që fshatarët, në përgjithësi, të ndiqnin vetëm shkollat bujqësore, duke i privuar ata nga gjimnazet dhe universiteti dhe duke iu thënë: Ju duhet të bëheni vetëm agronomë dhe zooveterinerë! Me përjashtime të rralla një djalë apo një vajzë e re mund të ndiqte studimet për mjekësi, për gjuhë e letërsi, për inxhinieri apo për filozofi. Dhe ne për dekada të tëra humbëm talente të vërteta që do të dilnin nga pjesa më vitale e popullit tonë, nga ajo pjesë që ka nxjerrë shumicën e intelektualëve tanë, nga ajo pjesë që quhet fshatarësi dhe që përbën 60 për qind të popullsisë shqiptare. Ndërkohë anëtarët e byrosë politike, të KQ, sekretarët e komiteteve të partisë në rrethe e në Tiranë, ministrat etj., etj. ose i dërgonin ose kishin dëshirë t’i dërgonin fëmijët e tyre të studionin për gjuhë të huaja, filozofi, elektronikë, drejtësi, arkitekturë e letërsi. Ja, ky është rrjedhimi i vijës së diktaturës në të drejtat dhe liritë e njeriut në kohën kur bërtisnim se formojmë njeriun e ri!

I katërti gabim është vija e mbrapshtë në politikën e jashtme. Sipas kësaj vije Shqipëria duhej të ishte e mbyllur ndaj botës, që të mos ndikohej nga shthurjet borgjezo-revizioniste, që të ishte e pastër me socializmin e saj. Në të vërtetë kjo ishte vija e izolimit nga mirëqenia dhe kultura evropiane, nga liria dhe demokracia e saj, për ta mbajtur popullin në errësirë dhe në varfëri, pasi vetëm në këtë gjendje ai mund të nënshtrohej, komandohej dhe të drejtohej më lehtë. Izolimi nga bota shprehte psikologjinë e sovranëve feudalë të principatave të trajtuara si prona të tyre larg komunikimit me domenet e tjera.

Pas prishjes me Bashkimin Sovjetik dhe me vendet e tjera socialiste Enver Hoxha e lidhi partinë dhe vendin e vet me Kinën nën pretekstin e ruajtjes së pastërtisë së marksizëm-leninizmit. Partisë sonë nuk i pëlqente hedhja poshtë e kultit të Stalinit, pasi ajo e kishte në themel metodën staliniste të drejtimit dhe nuk mund të pajtohej me destalinizmin që filloi në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e Lindjes në mes të viteve ‘50-të. Në qoftë se nuk do të ishim stalinistë, pas prishjes me këto vende, mund të lidheshim menjëherë me Evropën, që në vitin 1960, dhe sot të kishim një nivel të lartë ekonomik e kulturor, të lidheshim jo me një shtet, por me të gjithë sipas interesave më të mira. Por edhe këtu vepronte psikologjia e kultit, e “Njëshit”. Dhe këtë kult, këtë “Një” e gjetëm – kjo ishte Kina e Mao Ce Dunit.

Filluam të imitojmë Kinën, veçanërisht revolucionin e saj kulturor. Menjëherë ndërmorëm një luftë të madhe dhe të egër kundër ndikimeve të huaja në jetë, në kulturë, në art e letërsi. Filluam të shajmë të gjitha vendet, superfuqitë dhe fuqitë, dhe mbetëm pa asnjë mik në Evropë dhe në Amerikë, mbetëm vetëm me Mao Ce Dunin, të cilin më 1976 përgatiteshim ta braktisnim. E braktisëm, pasi Kina filloi të hapej dhe të vështronte nga Evropa dhe bota. Ishte psikologjia e udhëheqjes së partisë, psikologjia e mjerimit: shteti mik nuk duhej të vështronte nga Evropa e begatë, pasi na infektonte. Me mikun që vështronte nga Evropa udhëheqja jonë prishej.

Tani izolimi ynë do të ishte më i tmerrshëm dhe popullin e priste katastrofa ekonomike. Me kushtetutë ndaluam ndihmat dhe kreditë, ndërsa sot lutemi dhe zgjatim dorën dhe askush nuk na jep. Edhe më 1986-1987, nja dy vjet pas vdekjes së Enver Hoxhës, ne patëm një shans të madh për t’u hapur me botën, për të marrë kredi e ndihma, siç ishte shansi me Gjermaninë Perëndimore pas vizitës së Shtrausit. Edhe këtë shans e shkelmuam nga që duhej t’i mbeteshim besnikë parimit me “forcat e veta”, parim shkatërrues për ekonominë e kulturën tonë. I refuzuam kreditë dhe ndihmat për t’i qëndruar besnikë testamentit dhe vijës së Enver Hoxhës, vijës së varfërisë dhe mjerimit.

Kjo vijë nën pseudo-teorinë e stisur dhe qesharake të ashtuquajtur “vazhdimësi”, vazhdimësi e marrëzive si e Abaz Aliut në Qerbela pas vdekjes së hazretit Muhamet, ishte gabimi i fundit i udhëheqjes së partisë pa Enver Hoxhën dhe nën frikën e hijes së tij, frikën që akoma nuk e lë këtë parti të rinovohet. Dhe e them me bindje të plotë se ne, anëtarët e Partisë së Punës, po nuk e hoqëm këtë frikë, këtë maçok të zi në bark, nuk rinovohemi. Këtu qëndron gabimi i parë dhe më i rëndë i Ramiz Alisë, si krijues i idesë së “vazhdimësisë”, sipas së cilës vazhdoi të mbajë gjatë statuskuonë me një byro politike të ngathët, me tru të dhjamosur, byro që merrte guximin dhe paturpësinë ta quante veten udhëheqje e lartë e Shqipërisë dhe të mburrej para se të ngrihej furtuna e studentëve që lindi pluralizmi, dhe pastaj të tulatej nëpër vrimat e “bllokut” dhe të mërmëriste fjalë pa kuptim si një budalla mëhalle. Për këtë byro – udhëheqja që u bë objekt i shumë anekdotave dhe që solli vetëm një gjë të mirë, se pasuroi folklorin, njerëzit e mençëm thoshin se ishte udhëheqja më e pakulturuar dhe më trashamania e gjithë historisë së Shqipërizës sonë të dashur që ka nxjerrë aq burra mendjendritur. Ja nga çfarë trashamanësh drejtohej partia, trashamanë që as fjalën pluralizëm nuk e shqiptonin dot, por i thoshin “pularizëm”.

Izolimi nga Evropa dhe nga bota i solli dëm të pallogaritshëm mbarë popullit dhe mbarë kombit shqiptar, duke përfshirë edhe Kosovën. Kosova e martirizuar, Kosova e rraskapitur nga serbët kërkonte një nënë të përparuar, një nënë me vizion evropian, një nënë të vërtetë demokratike. Me mentalitetin tonë të vjetër, me dogmatizmin e ngrirë në ideologji dhe në politikë, ne nuk mund ta ndihmonim atë me shkathtësi, me logjikë, me filozofi. Autoriteti ynë në botë kishte rënë. Pa autoritetin e nënës Kosova nuk mund të ndihmohej. Bota dhe Ballkani i thoshte Kosovës: “E ç’e do atë Shqipëri dogmatike dhe të izoluar?”. Ndihmën ndaj Kosovës dhe luftën për fitoren e saj dhe fitoren tonë të përbashkët e kemi pasur, fatkeqësisht, shumë të kursyer, me zik-zake e tepër konjukturale. Por, nejse, ky problem i rëndësishëm do një trajtim të veçantë e historia dhe e ardhmja do ta thonë më mirë fjalën e tyre. Por dua të theksoj këtu se Kosova për mbarë kombin tonë është pjesë e trupit të bukur të Shqipërisë. Vetëm një Shqipëri demokratike, që do ta zbukurojë trupin e saj, do ta këputë rripin e hekurt dhe të ndryshkur, që e ndan këtë trup më dysh. Këputja e këtij rripi të ndryshkur në kushtet e Evropës së bashkuar, do ta bashkojë edhe nënën me të bijën, edhe gjakun me gjakun. Detyra e Shqipërisë demokratike është që të luftojë për këputjen e këtij rripi ndarës, rripi gati njëqindvjeçar, që na ka sjellë aq mjerime neve këtej dhe atyre andej.

Duke përfunduar, mund të them se mua më vjen keq për këto gabime, pasi kam 40 vjet që aderoj në këtë parti, ku kam lënë rininë time të pakthyer, kam lënë vitet më me ëndrra dhe shpresa. Si gjithë poetët më të shquar shqiptarë, që nga Ismail Kadareja e me radhë, unë i kam kënduar idealeve dhe ëndrrave të kësaj partie, ideale dhe ëndrra që pak u bënë realitet, i kam kënduar Enver Hoxhës, siç e kam ëndërruar, i kam kënduar socializmit, që mendoja se vërtetë do ta transformonte botën dhe do ta pasuronte shpirtërisht e materialisht njeriun, por ka kohë që e kam kuptuar edhe gabimin tim në këtë besim dhe veçanërisht sot e pohoj i zhgënjyer, se duhet hequr dorë krejtësisht nga rruga e gabuar, rrugë që e shpuri shqiptarin në mjerim, duke ia ulur dinjitetin dhe krenarinë kombëtare.

Rrënjët e gabimeve të kësaj rruge janë në teorinë e Marksit dhe Leninit për diktaturën dhe luftën e klasave. Enver Hoxha, si gjithë udhëheqësit e tjerë të vendeve të Lindjes, ishte një zbatues i kësaj teorie. Pa mohuar meritat e tij të Luftës dhe të Ndërtimit të Shqipërisë, gabimi i tij themelor ishte që kur iu dhanë shanset në kthesat historike si më 1948, 1960 dhe 1978, nuk e kuptoi që kjo teori të çonte në mjerim, në varfëri dhe në anti-humanizëm. Këtu qëndron dhe tragjedia e këtij personaliteti që njihte aq mirë edhe kulturën e Evropës.

Por si njerëz le të ngushëllohemi pakëz se ky gabim nuk i përket vetëm shqiptarëve, ai i përket gjysmës së Evropës, plus Bashkimit Sovjetik, domethënë rreth 400 milionë vetave që sot të zhgënjyer vështrojnë me 400 milionë duar përpara ballit rrugën që do t’i shpjerë drejt demokracisë së vërtetë… Po gati tre milionë e gjysmë duart tona mbi ballë si e shikojnë këtë rrugë dhe si do ta shpërndajnë mjegullën e anarkisë, vrasjeve të fshehta e çrregullsisë? Si do t’i rikthejnë njerëzit në punë? Pse partitë, të gjitha, duke përfshirë dhe partinë tonë nuk po bëjnë analiza për gjendjen dhe perspektivën e shoqërisë, por mendojnë vetëm të zgjatin dorën ndaj Evropës dhe Amerikës?

12 qershor 1991

SEANCË PLENARE 29 Maj 1991

Në këtë seancë diskutohet për masat e marra nga qeveria për kapërcimin e situatës së krijuar nga grevat. Deputeti Agolli i kërkon qeverisë, të marrë takim me grevistët për t’u njohur me shqetësimet e tyre.

Unë isha dje te minatorët. Ata, ç’është e vërteta, m’u ankuan për një gjë: Duhej të vinin edhe personalitete të tjera të mëdha. Unë jam dakord me ta. Për shembull, aty duhej të vinte Kryeministri. Në minierën e Trepçes, kur minatorët bënë grevë urie, atje vajti vetë Stipe Shuvari, madje edhe Millosheviçi, njëri kroat, tjetri serb. Kurse këtu bëjnë grevë urie shqiptarët dhe nuk vete shqiptari te shqiptarët.

SEANCË PLENARE 17 Qershor 1991

E merr fjalën për procedurë, mbështet propozimin e kolegut të tij Xhemal Dauti për miratimin sa më parë të një ligji për tokën.

Ky ligj duhet të dalë sa më shpejt. Unë kam qenë në disa fshatra dhe kam vënë re se gjendja është katastrofike. Deri tani kishim të bënim me punëtorët që u ngritën në grevën e madhe, por do të bëhet ndonjë hata dhe do të çuditemi të gjithë pastaj. Fshati është në gjendje më kritike, prandaj ligji për tokën duhet të dalë një sahat e më parë.

SE.ANCË PLENARE 21 Qershor 1991

Gjatë shqyrtimit nen për nen të projektligjit “Për statusin e deputetit” deputeti Dritëro Agolli propozon të hiqet fjala “shok” nga përdorimi dhe në auditorët e Kuvendit të përdoret fjala “zotëri”.

 Unë mendoj që të shtohet një nen i tillë. Në mbledhjet e Kuvendit Popullor deputeti i drejtohet auditorit me fjalën “zotërinj”. Fjala “shok” të shfuqizohet. (Duartrokitje në sallë.)